IDRIZ ZEQIRAJ
Thirrja e Kuvendit të LDK-së, është pranuar nga të gjitha strukturat dhe anëtarësia e gjerë. Por, ka mospajtim përmbajtësor, për çfarë do të vendosë ky Kuvend. Pra, a do të jetë Kuvend shprese, për ringritjen e LDK-së apo Kuvend-farsë, që ta ruajtë statusquon, për më keq, rrënimin e mëtejmë të saj?!
Pra, a do të zgjedh ekipin, këshillin, për organizimin e Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme brenda-partiake apo të vendosë për agoninë e mëtejmë të saj, duke zgjedhur një kryetar të ri, qoftë edhe me votim të fshehtë? Shumica absolute e strukturave dhe e gjithë anëtarësia, janë për variantin e parë: Zgjedhjen e ekipit, këshillit përgaditor, për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme, pas disa muajve.
Dr. Naser Rugova mendon se “brenda LDK-së ka klane dhe kryetari i dorëhequr ngulmon për një kryetar klanesh”.
Kryetari i vyeshëm, i suksesshëm i Lipjanit, Imri Ahmeti, i cili mundi dinastinë kriminale SHIK-ase të Bujaj, reagon: “Unë nuk shoh që ka klane. Çështja e klaneve është prodhim mediatik!”
…(“dhe prodhim i njerëzve që nuk ia duan të mirën LDK-së!”) Këtë fjali, që unë e futa në kllapa, nuk e prisja nga kryetari më simpatik i Kosovës dhe po kaq i matur, sepse nuk përkon me realitetin. Njëherësh, lëndon shumë mijëra njerëz, besnik të frymës rugoviane, por, jo edhe të një klani satanik, i cili e shpuri në theqafje partinë, dikur krenare, të Dr. Rugovës.
Në mes të Naserit dhe Imriut, ka një keqkuptim, thjeshtë, matematiko-gjuhësor: Deklarimi pohues i të parit, se “ka klane në LDK-e” dhe reagimi i të dytit, se “nuk ka klane në LDK-e”. Pra, Dr. Naseri përdorë shumësin “klane”, në vend të njëjësit – klan -. Ndërsa kryetar Imriu ka të drejtë se, vërtet, “në LDK-e nuk ka klane”, në shumës.
Por, e vërteta është se në LDK-e ka -një klan-, i krijuar pas shuarjes fizike të kryetarit Rugovë. Ky klan, në Kuvendin e 6-të, realizoi ndarjen e parë të LDK-së.
Po këtë klan e trashëgoi kryetari Isa Mustafa, i cili, më pak ndryshime, vdekje apo sëmundje, kryetari i ri ka bërë përtëritje, shtesë selektive, për ta ruajtur të paprekur, përtej një dekade, duke e formësuar, konsoliduar e stazhionuar, deri sot, në realizimin e ndarjes së dytë të LDK-së! Pra, i njëjti klan bazik, bëri dy ndarje të partisë dhe, megjithatë, reziston ende, për ta ruajtur primatin në drejtimin e LDK-së!
Të bëmat e klanit Mustafa:
1) Realizoi, dunshëm e mashtrueshëm, Demarkacionin, duke e konsideruar, cinikisht, “kauzë të rreme”, humbjen e mijërave hektarë tokë të Republikës të Kosovës, pronë e brezave shqiptare;
2) Dialogimin dhe nënshkrimin konspirativ të Asociacionit fatal për Kosovën, me kompetenca ekzekutive, pranim i një “Republika Srpska”, brenda Kosovës;
3) Bërja, dhunshëm, me presion kundra-ligjor ndaj deputetëve, e Hashimit president, përkundër porosisë-amanet, të Presidentit Rugova, që “të mos lejohet ngritja e Hashimit në pozitë, sepse është i rrezikshëm për Kosovën”;
4) Rektori Ramadan Zejnullahu konstatoi se në Universitetin e Prishtinës dhe fakultetet tjera në Kosovë, rektorët politikë kishin punësuar “pedagogë” politikë partiakë, SHIK-as të rreshkur, me diploma të blera! Dhe, kërkoi verifikimin e diplomave të tyre. Qendra e SHIK-ut reagoi dhe nismoi procedurën e shkarkimit të rektorit Zejnullahu. Vendimtare ishin votat e dy anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, miq të kryetarit Isa Mustafa dhe rektori u shkarkua;
5) Kryeministri Isa Mustafa i kërkoi kryetarit të Komisionit të Verifikimit të Listave të Veteranëve të UÇK-së, Agim Çekut, që brenda një jave, të dorëzojë listat komplete të Veteranëve. Në gjyq, gjeneral Çeku, për falsifikimin e këtyre listave, u justifikua se “zbatova urdhrin e kryeministrit, listat i dorëzova brenda afatit kohor, duke mos pasur asnjë mundësi verifikimi. Kryeministri i pranoi listat pa vërejtje. Nëse do t`i kthente prapa, ne do ta bënim verifikimin dhe seleksionimin, korrigjimin! Isa kryeministri filloi dhënien e pensionit për 46.600 “veteranë”, në mes tyre 33.300 “veteranë” të rrejshëm, duke i shkaktuar buxhetit shtetëror miliona euro humbje! Dhe, po të vazhdojë kjo zhvatje, shuma e parave do të kapë shifrën e miliarda euro! Një krim i tmerrshëm ekonomik;
6) Mbajtja e PDK-së, PAN-it në pushtet, për 17 vjet radhazi. Të na vrasin dhe t`u bëhemi patericë, për të na sunduar!! Një provokim i skajshëm, sidomos, për ne, familjet, që kemi plagë shpirti! Guxim i tepëruar i klanit mujëshor e cinik!
7) 17 vjet humbje, pa asnjë fitore të zgjedhjeve, lokale apo qendrore. Megjithatë, klani uzurpator dhe privatizues i partisë, nuk lëvizë nga “istikami!” Dhe, kjo dëshmi domëthëse, nuk ka nevojë të komentohet, nëse ka apo jo klan në LDK-e(?);
8) Çmontimi i statutit rugovian, bërja e një statuti hibrid, favorizues, për kryetarin dhe klanin e tij, me kompetenca sulltanore;
9) Shkatërrimi i sistemi zgjedhor, me votim të fshehtë demokratik dhe zëvendësimi aklamativ despotik, mashtrues e fiktiv. Aklamacioni ka përjashtuar konkurrencën e ndershme dhe ka ricikluar të njëjtin kryetar dhe të njëjtën kryesi të LDK-së, pavarësisht, performancës. Fajësia rëndon, se aklamacioni është bartur, nga qendra në bazë, anepërtej Kosovës;
10) Praktikimi i metodës inkuizitive “përçaj e sundo”, anashkalimi dhe përndjekja e kuadrit me frymë rugoviane, deri në largim, përjashtim!
Bazuar, të paktën, në 10 (dhjetë) makro të bëmat, që, disa syrësh kanë elemente, qartazi, të tradhtisë, dëshmon se LDK-ja ka vetëm një klan, i cili, zakonisht, është quajtur – klani Mustafa – dhe, së fundi, – lidershipi klanor – , brenda Kryesisë Qendrore të LDK-së. Dhe, këtë e bëjmë me qëllimin e mirë, për ta kursyer kryesinë, brenda së cilës ka vajza e djemë, gra e burra të nderuar.
Lidershipi-klan reziston për primatin në LDK
Thonë se “vërteta djeg”, “kërceu si zorra në prush”. Kjo u dëshmua edhe kur Dr. Naser Rugova, akuzoi kryetarin Isë, tashmë, formalisht, të dorëhequr, se nuk po heq dorë nga klanet, më sakt, klani. Dhe, Akademiku reagoi thekshëm, me nervozizëm, se “kurrë nuk kam pasur klan!” Ndërkohë që “edhe zogjtë e malit e dinë” se Isa Mustafa kryetarllëkun e filloi me klan, po vazhdon me klan, në përpjekje, edhe pas largimit, klani të vazhdojë pa Isën fizik, por, me Isën faktik!
Me gjithë kërkesat, vërejtjet, këshillat e sinqerta, drejtuar Akademik Isa Mustafës, ta lerë LDK-në, në hallet e veta, ai ngulmon të dirigjojë e intrigojë edhe mëtej. “Kandidaturat do të paraqitën vetëm në Kuvendin e 14 marsi”,- u zotua Mustafa. U pendua dhe vazhdoi me klanin e tij, për të imponuar kandidaturat! Në vend të një mesazhi shpresë-dhënës, ai zhgënjen dhe bënë ndërhyrje klanore, që, gjithësesi, do ta kenë efektin e kundërt. Ndërhyrjet e tilla intriguese, nuk favorizojnë rimëkëmbjen e afërt të LDK-së. Përkundrazi.
Lutja, sa e sinqertë, aq edhe kritike, e Prof. Dr. Enver Bytyçit, me shumë të tjerë, drejtuar Akademikut, duhet marrë seriozisht nga ai. Profesor Bytyçi, është njohësi i shkëlqyer i filozofisë dhe mendimit politik kombëtar, të Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugovës. Dhe, këtë e ka shprehur, në librin e tij studimor, shumë të vlerësuar nga bota akademike dhe shqiptarët e kudondodhur.
Përndryshe, po të kishte klane, do ta pamundësonin gjithë këtë batërdi, sakatosje brenda një partie, në rastin konkret, brenda LDK-së. Por, është vetëm një klan, që krerët e tij, ngulmojnë, madje, ethshëm, për ta ruajtur, qoftë edhe të retushuar! Bota e emancipuar demokratike, ka lejuar fraksionet legale, brenda partiake, pikërisht, për ta vëzhguar e kontrolluar partinë, të mos bëjë batakçillëqe, me klane, që do ta kompromentonin e dobësonin partinë, deri në rënie e debakël, siç ndodhi me LDK-në tonë.
Rrjedhimisht, edhe në politikë, kanë rëndësi numrat: njëjës dhe shumës. Pëndryshe, nuk do të kishim as këtë keqkuptim në mes të Rugovës dhe Ahmetit.