Col Mehmeti
Mos-dekretimi i Cakës në krye të diplomacisë shqiptare âsht komplot me e sabotue projektin pivotal, që ka me e fytyrëzue gjeopolitikën e rajonit për dekadat e ardhshme. Komplotistat, që kanë si sufler Gjermaninë, janë për faqe të zez’: nji president hajn (Meta), nji sociopat grotesk (Kurti), nji parti nekrofile, që pos avatarit të Rugovës nuk ka asnji gja tjetër (LDK), nji manjat mediash, i ngritun mes krimit e parapolitikës (Buzhala)…
Cinizmi i Konicës se “Shqipëria bëhet, për inati të shqiptarëve” po provohet si fatmirësi. Me pas mbetë pavarësia e 17 shkurtit peng i trilleve e miopisë së politikave partiake, sot e kësaj dite Kosova kish amullue as e gjallë e as e vdekun në takime koti në Vjenë. Njisoj edhe për shkëmbimin e territoreve: sot u ardh koha me psherëti i lehtësuem, që kjo temë po vendoset në nivelet e epërme të politikës ndërkombëtare (intrasigjenca e administratës së Trump-it alejhi selam😎, miratimi francez, PO-ja ruse, ngurrimi britanik e rezistenca e kotë gjermane… kështu âsht bilanci i disponimit).
Shkëmbimi i territoreve nuk âsht copëtim, qysh munohen me e paraqitë spin-doktorët e meta-narrativave disfatiste. Po hjeken tri komuna me shumicë serbe e po shtohen dy komuna e gjysmë me shumicë shqiptare. Nji aritmetikë e thjeshtë: Kosovës po i hjeken 30 mijë serbë e po i shtohen 80 mijë shqiptarë plus. Me kalimin e Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, ato përfundojnë si komuna të përhumbuna të Serbisë e “veriu” zhbahet si rajon me relevancë. Me përfshimjen e Preshevës e Bujanocit, Kosova fiton qasje, ma shumë se 40 km, në aksin Danub-Egje. Vendi fiton nji dinamikë të re, nuk ka kushtëzime, nuk ka Asociacion, nuk ka shumicë të dyfishtë e favoritizëm etnik…
Kështu që këtu s’ka nevojë as për “burden-of-proof” se mbajtja e Leposaviqit dhe dy komunave serbe e mbrothëson Kosovën. Pasunitë e Trepçës mbetën jashtë? Jo! Kompleksi kryesor i Trepçës dhe thuejse krejt damari xehtar (Stantërgu) mbetet në Kosovë. Liqeni i Ujmanit? Nuk ka asnji shpjegim pse ai mbetet në Serbi kur e drejta juridike anon kah ne. Maja e Pançiqit (Kopaonik) bërtitke Albini në protestë. E çka që mbetet Pançiqi në Serbi? Paska me vendos Serbia raketa e me bombardue Kosovën? Oh ç’mon 😲
Kofederata Kosovë-Shqipni edhe tri-katër vjet larg 🇦🇱 282 km vijë kufitare me Greqinë e 380 me Serbinë.
Shkrimi i mësipërm u plotësua më pas me arsyetimin e mëposhtëm:
Pse shkëmbimi i Leposaviqit dhe Zubin Potokut nuk përbën copëtim
Nga Revista Drini – 12 Janar 2019
4 KONSIDERATA HISTORIKE PSE SHKËMBIMI I LEPOSAVIQIT DHE ZUBIN POTOKUT NUK PËRBAN COPËTIM
Salih Mehmeti – Coli / Shumica, për fat të keq, e beson narrativën se këmbimi eventual i Leposaviqit, Zubin Potokut e Zveçanit përban copëtim të Kosovës, nji akt tradhtie, nji shkëmbim i tokave shqiptare me toka të tjera shqiptare (sic!). Për dikë që âsht i zhveshun nga ngarkesat postemocionale, shkëmbimi nuk âsht as copëtim, as tradhti e as vithisje e shtetit. Qe pse:
§ Kosova i merr përgjithësisht konturet e sotme territoriale mas 1945-ës në kuadër të ridefinimit kushtetues e republikan jugosllav. Pas reformës kushtetuese të vitit 1953, prej vitit 1956 fillon intensivisht ravijëzimi i kufijve administrativë mes komunave, e më këtë rast edhe i Serbisë brenda të cilës ishte Kosova si «oblast» i saj. Statusi i saj nga «oblast» (rreth) në «pokrajinë» (krahinë), me ingerenca të nuancume autonomiste, ndodh me Kushtetutën e vitit 1963 (ku, mes tjerash, hjeket ndajshtimi «Metohi» prej emërtimit zyrtar).
§ Dy komunistët serbë, me të cilët asocion përcaktimi i brendshëm i kufijve të komunave, janë Petar Stamboliqi dhe Sllobodan Penezhiç – Kërcuni (ky i fundit shef i UDB-së për Serbi). Në vitin 1958, për arsye ende të panjohuna, ata vendosin që rrethit të Rashkës me ja shkëput nji grusht vendbanimesh rurale serbe e me ja bashkëngjit Mitrovicës.
§ Se bahet fjalë krejtësisht për nji aranzhim sekret dëshmohet nga fakti që nuk ka asnji vendim zyrtar dhe në arkivat shtetnore të Beogradit deri më sot nuk asht gjetë për bé asnji dëshmi e tillë. Dekada ma vonë, opinioni në Serbi e besonte legjendën se Petar Stamboliqi ja ka dhurue Leposaviqin Kosovës për çashtje votash që me u zgjedh delegat.
§ Në të gjallë të tij, Stamboliqi e ka mohue «zgjenimin» e Kosovës, tu u arsyetue se Sllobodan Penezhiqi e bashkoi Leposaviqin me qëllim të «rritjes së numrit të serbëve në krahinë». Zyrtarizimi i Leposaviqit si pjesë e Kosovës ndodh përfundimisht me 1959. Mendohet se Leposaviqi (që iu mor Rashkës) dhe Zubin Potoku (Studeniçanit) kanë pas nji sipërfaqe prej 197 km katrorë. Kjo vërehet edhe nga fakti se Kosova në vitin 1954 kishte nji sipërfaqe prej 10.690 km katrorë, kurse pas vitit 1958 gjithësia e saj territoriale rritet për afro 200 km katrorë (10.887 km katrorë). Së këndejmi, numri i vendbanimeve të Kosovës u rrit nga 1389 (sa ishin më 1954) në 1438 (1958), pra 50 vendbanime të reja me shumicë serbe.
Pra këto janë disa dromca për «tokat shqiptare» që nji dorë e tradhtisë po i shkëmben me toka shqiptare 😂 Tash merreni me mend përmasat e manipulimit kur del VV-ja me mëtime pa mbulesë se «Leposaviqi gjithnji ka qenë i Kosovës» ose ndonji klloshar si Gllogja që thotë «dëshmorët e kanë jep jetën edhe për Leposaviqin». Trashëgimia e Stamboliqit dhe Penezhiqit..
Shënim: Serbët ende thonë, se Kosova është pjesë e Serbisë. Kurse shqiptarët mundohen të racionalizojnë, si Coli… Pra, shqiptarët tërhiqen, synojnë të shkëmbejnë. Ne´, me Serbinë nuk mund të sillemi nga pozitat e më të fortit, se e kishte Kosovën deri para pak vitersh, pjesë të territorit, por prapë, duke parë sjelljen e tyre, duhet të sillemi edhe ne. Dikur edhe komunat me shumicë serbe të përmenduara në shkrim këtu ishin pjesë e tokave shqiptare, deri në Nish e Mollë të Kuqe. E të mos harrojmë as pjesën e Masbjeshkës, Sanxhakun etj. Por na i mori serbi, kështu pak nga pak, ata kanë ardhë duke na rrudhur. Prandaj, në qëndrimin politik shqiptar, duhet themeluar mendimi politik dhe vetëdija, se asnjë pëllëmbë toke shqiptare nuk i duhert dhënë, as Serbisë e as kujt tjetër. Kjo është me rëndësi! Sado racionale të duket arsyetimi në shkrimin më lart. /AÇ