Dr. prof. Nikollë Loka
Në romanin “Dy vdekjet e një jete” të shkrimtarit Fatmir Halimi krejt ngjarjet zhvillohen në kufirin kohor të dy vdekjeve, vdekjes jo të vërtetë dhe vdekjes reale fizike të Astrit Gashit, personazhit kryesor të romanit “Dy vdekjet e një jete”. Kemi dy perceptime të vdekjes. Për ata që e kishin njohur, Astrit Gashi kishte vdekur në luftë. Konceptimi i vdekjes së parë si reale, kishte bërë që njerëzit të sillen me të si me një të vdekur real. Ndërkohë në roman trajtohet dhe tema e dashurisë e cila ndërpritet fatalisht, pasi Valbera, e dashura e Astritit merr vesh vdekjen e parë, atë jorealen. Dhe kur Astriti rikthehet, duke e ruajtur të pacënuar dashurinë për Valberën dhe me projekte të bukura për jetën, ai e kupton se ai e kishte humbur atë dashuri, e kupton se askush nuk është përgjegjës për atë humbje, se martesa e të dashurës së tij ishte bërë në kushtet kur ajo e dinte të vdekur.
Autori Halimi nuk e cënon dashurinë e personazheve që mendonin se e kishin humbur në këtë jetë njëri-tjetrin, duke e ruajtur të pakëputur dashurinë, secili përmes kujtimeve të veta. Dashuria në këtë roman na vjen si dhuratë hyjnore që lind vetëm një herë në jetë. Ishte ndërprerja e lidhjes, por jo e ndjenjës, pasi Valbera kur e merr vesh vdekjen e pare të Astritit, ishte shprehur se nuk do ta harronte Astritin dhe dashurinë për të. Lidhja e re e Valberës me Burimin vjen jo si dashuri e re, por si nevojë për mbështetje.
Valbera martohet me Burimin, me të cilin ka fëmijë, e don, e respekton, por nuk e dashuron dhe ai e di këtë fakt. Nga ana tjetër, në një situatë tjetër, pas kthimit të Astritit në atdhe, Dafina e dashuron atë, megjithëse e di se Astriti vazhdon të ishte i dashuruar me Valberën, tashmë një grua e martuar dhe me fëmijë. Ngjarjet në roman nuk shkojnë drejt zgjidhjeve përfundimtare. Astriti e Valbera mbeten të dashuruar me njëri-tjetrin dhe ndërkohë në lidhje ose drejt lidhjes me një tjetër. Dashuria në romanin «Dy vdekjet e një jete» nuk është zotërim, mbizotërim, por më shumë një gjendje shpirtërore e lirë, ndonëse pa alternativë tjetër, sepse ajo vjen një herë në jetë dhe ushqehet brenda shpirtit njerëzor për aq kohë sa njeriu nuk gjen arsye ta braktisë. Shkrimtari Halimi transmeton idenë se nuk ka vërtet ndarje në dashuri. Dashuria, lidhja e çuditshme me të cilën dy ndjeshmëri janë prekur fort, mbijeton pas ndarjeve, madje edhe pas zive të vdekjeve.
Në romanin e Fatmir Halimit, në mënyrë të natyrshme dhe pa u kuptuar përballen dy dashuri të mëdha: Dashuria për Atdheun, që vjen në formën e gadishmërisë për të shkuar në luftë, duke parashikuar të gjithë pasojat e saj dhe dashuria për vajzën e zemrës. Ngjarjet në roman zhvillohen pa dilema, zgjidhjet as që diskutohen. Përparësi ka liria e Atdheut, me ose pa personazhin Astrit Gashi, si liri për kombin, e trajtuar nga autori me humanizëm, si një sakrificë që duhet pranuar.
Astriti i kthyer në vendlindje, pas zhgënjimit të thellë që pësoi me njohjen për fatin e familjes së vrarë dhe me humbjen e Valberës tashmë të martuar, e analizon veprimtarinë e tij jetësore dhe nuk gjen asnjë të metë. Ai, edhe po t’ia niste jetës nga fillimi, përsëri do të bënte të njëjtën gjë, të shkonte në luftë. Kështu, dashuria për Atdheun trajtohet si e përjetëshme, e pacënueshme, e pandryshueshme dhe e paqortueshme. Dashuria e Astritit me Atdheun është e lidhur me jetën dhe vdekjen e tij, kurse dashuria me Valberën është e lidhur vetëm me jetën, megjithëse ka një fill që e çon në përjetësi.
Përjetësia e dashurisë së Astritit për Valberën është racionale, në kuptimin se aty ku ka dashuri ka jetë dhe se dashuria e vërtetë nuk vdes, madje ajo e bën njeriun të pavdekshëm. Astriti beson në jetën e përtejme, jo si një fetar, por si një i dashuruar përjetësisht.Autori Halimi na kujton me këtë roman se dashuritë e mëdha lindin vetëm një herë në jetë dhe krahas këtyre ekzistojnë të ashtuquajturat dashuri të vogla që vijnë nga nevojat e njeriut për jetesë dhe mbijetesë. Dashuria e Astritit për Dafinën dhe horizonti i saj për t’u kurorëzuar në martesë, do ta kthente atë vajzë në analoge femërore të personazhit tjetër, Burimit. Dafina dhe Burimi duan me zemër, por nuk arsyetojnë me të dhe pajtohen me fatin se partnerët e tyre në dashuri vazhdojnë ta ruajnë dashurinë e tyre të jetës me dikë tjetër.
Në roman autori na kujton se kur dy të dashuruar ndahen, qoftë edhe përjetësisht, siç mendohej ndarja e Valberës nga Astriti, pas vdekjes së parë, ndarja nuk është përfundimtare dhe dashuria nuk mbaron me vdekjen, pasi ajo e kapërcen atë dhe në kuptimin e një gjykimi strikt përfundon vetëm pas vdekjes së dy të dashuruarve. Dashuria në romanin «Dy vdekjet e një jete» përvijohet si sakrificë sublime, si besnikëri që shkon përtej ndarjes që sjell vdekja, si një këmbëngulje për t’i falur tjetrit që mungon jetën tënde në formën e kujtimit të pacënueshëm të kohës kur ke jetuar me të. Personazhi i romanit, Astrit Gashi, ndërkohë që dashuron me të gjithë forcën e qënjes së vet, është zemërftohtë dhe beson që mendja duhet të udhëheqë zemrën dhe arsyeja duhet ta perfshijë edhe pasionin. Ai mendon në realitetin e jetës, për deri sa përpiqet në çdo kohë të bëjë diçka të mirë për njerëzit dhe vendin, në luftë si lufdtëtar, pas luftës si artist. Si humanist, ai nuk mund t’i shmanget nevojës për të bërë diçka të vlefshme në jetë, si detyrim ndaj shoqërisë, por edhe ndaj vetes, sepse ai nuk mund të jetojë kot. Në këtë mënyrë, besimi i tij te vetja varet nga përpjekjet e tij për të përligjur ekzistencën e vet dhe për t’i dhënë kuptim jetës së tij.
Astriti është i vetëdijshem se nuk është një qënie e përsosur dhe nuk perpiqet të shkojë përtej realitetit të talentit dhe aftësive të tij. Besimi realist te vetja e bën të baraspeshojë krenarinë me përulësinë, duke shmangur mbivlerësimin apo nënvlerësimin e vetes. Astrit Gashi, sakrifikon me bindje. Ai beson se shoqeria kosovare ka të ardhme, por është i vetëdijshëm se për ta afruar ardhmërinë duhen bërë sakrifica. Astriti kishte sakrifikuar për Atdheun dhe ishte gati ta bënte përsëri një gjë të tillë. Zgjidhjet e mëdha shoqërohen me sakrifica dhe dhimbje të mëdha dhe gjithnjë është i detyruar të bëjë një zgjedhje, alternativë tjetër nuk ka. Sartri është shprehur se «moszgjedhja është e pamundur. Edhe nëse vendos të mos bësh asgjë, ti e ke bërë zgjedhjen tënde, duke pranuar atë që po ndodh». Astrit Gashi nuk mund ta pranonte robërinë as në shkëmbim të një dashurie të madhe nën robëri.
Romani dy vdekjet e një jete është i veçantë për nga ndërtimi, tipizimi i personazheve, mënyra origjinale e trajtimit të ngjarjeve dhe personazheve, mënyra se si ata e konceptojnë botën. Personazhet e Fatmir Halimit në romanin « Dy vdekjet e nje jete » e plotësojnë egon e tyre në një dimension tjetër të kohës dhe hapërirës, në pavdekësinë e dashurisë së tyre për jetën dhe për njerëzit.