Arsimi dhe kultura janë koplimentare të njëra tjetrës. Kur ato vihen në shërbim të njerëzve e komunitetit ka vetëm arritje dhe rezultate. Kështu ka ndodhur edhe me Nuriun, personazhin e këtij shkrimi. Pasioni për përhapjen e arsimit lidhet pazgjidhmërisht edhe me luftën për zhvillimin e kulturës, ruajtjen e traditës e promovimin e vlerave të saj. Nuriu ka një jetë që punon si mësues dhe drejtues shkolle, po kaq, edhe me kulturën dhe grupet artistike. E parë në këtë aspekt unë mendova të bëj një bisedë me Nuriun, për të mësuar më shumë rreth veprimtarisë së tij.
E premte datë 08.01.2021. Ditë me shi. Kovidi shqetësues, por ardhja e vaksinën jep shpresë sërish… Zgjerimi i Greqisë me 12 milje në Detin Jon e pa shqetësuese… Heshtje dhe vetëm heshtje! Presidenti i Serbisë kërcënon sërish me luftë… Ish udhëheqësit e UÇK-ndodhen në Hagë, ato nuk duhet dhe nuk mundet të dënohen për luftën… Për paqën le ti dënoi, gjykata e Kodovës nëse kanë bërë shkelje…Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme… Ka ardhur koha që president i Kosovës të zgjidhet Murat Jashari! Për mua, politikanët që “shitën” Çakorrin, Kullën dhe Zhlepin “kojshisë”, duhet të largohen me votë nga pushteti… Vështirë! Edhe mund të ndodhë!
Pavarëdisht kësaj biseda me Nuriun, në një lokal në Babrru qe e gjatë, e qetë, dhe shumë miqësore.
Nuri Asllan Gjoni lindi në fshatin Vilëz më 20.05.1956 në një familje të varfër por me tradita. Arsimin fillor e kreu në shkollën e Vilzës më 1968 me rezultate shumë të mira. Në këtë kohë shkolla Vilëz, qe vartëse e Shkollës 8 Vjeçare Zall-Mëner me drejtor, të ndjerin Naim Sula. Ai kujton me nostalgji mësuesin e parë Avdi Mali dhe punën e përkushtuar të tij. Vite të bukura, mësues të pa arritshëm – vazhdon ai… Po vite të arta për arsimin – ja kthej unë. Shkollën 8 vjeçare e fillon në Vilëz në vitin 1968 dhe e përfundon në vitin 1972. Drejtor shkolle qe Bedri Kamberi i cili hodhi bazat e arsimit 8 vjeçar në Vilëz. Në këtë periudhë shkolla kishte mësues shumë të përkushtuar si: Bardhyl Mancaku, Kastriot Shtylla, Bashkim Turbokova, Vitore Çekani, Dafina Gijka, Zina Jaupi etj.
Shkollën e mesme e filloi në Zall-Dajt në vitin 1972 dhe e mbaroi pa shkëputje nga puna në vitin 1976 në degën agronomi. Shkolla e Zall-Dajtit qe e kompletuar me laboratore, bazë prodhuese dhe bazë didaktike për mësim. Nga stafi pedagogjik Nuriu kujton mësuesit e përkushtuar: Ismail Lleshi, Ibrahim Hoxha, Lalo Dyrmishi etj.
Fillon punë si mësues i CF në shkollën vartëse Mal-Vilëz në vitin 1973 deri më 1976. Shërbimin ushtarak e kreu në zonën kufitare bregdetare në Divjakë më 1976 -’78. Vlerësohet me fletë nderi për punë të mirë në kryerjen e detyrave në ushtri.
Në vitin 1978 emërohet mësues i CF Mal Vilëz deri në vitin 1979. Ndërkohë vazhdon studimet pa shkëputje nga puna në Shkollën e Mesme Pedagogjike në Tiranë për mësuesi dhe i përfundon me rezultate të mira më 1983.
Më 1980 emërohet mësues në CF ne Bastar i Mesëm. Punon atje me drejtor Jani Mano dhe mësuesit e pasionuar Bestar Ruli, Bashkim Balluku, Sefide Mara, Sabrie Alldërvishi, Xhemal Allmuça etj. Një kolektiv pedagogjik i përkushtuar në punë, ku edhe unë kam pasur fatin të punoj me To. Vite të bukura!
Në vitin 1981 përsëri mësues në Vilëz në CL ku jep mësim në disa lëndë.
Emërohet drejtor shkolle në vitin 1992 në Vilëz deri në vitin 2002. Gjatë kësaj periudhe kolektivi dhe drejtori i ri arritën:
▪︎ Rregullimin e ambientit figurativ të shkollës.
▪︎ Pasurimin e klasave me bazë materiale e didaktike.
▪︎ Ngritjen dhe përsosjen e grupit artistik të shkollës.
▪︎ Organizimin e veprimtarive sportive në bazë shkolle dhe zone.
Në vitin 2002 emërohet drejtor shkolle në Bastar të Mesëm dhe vazhdon deri më 2004. Këtu gjen një kolektiv pedagogjik të përkushtuar dhe me to arrin ti shtyej dhe më para punët me nxënësit dhe veprimtaritë kulturore dhe artistike. Duke kujtuar këtë periudhë Nuriu shprehet: Ruaj shumë respekt e mirnjohje për atë kolektiv Pedagogjik!
Në viti 2005 emërohet drejtor shkolle përsëri në Vilëz. Vazhdoi me këtë detyrë deri më 2010.
Në vitin 1987 Nuriu vazhdon arsimin e lartë në degën Histori-Gjeografi pranë Universitetit të Shkodrës “LuigjGurakuqi”. E përfundon atë në vitin 1993.
Në vitet 2010-2012 punon mësues histori gjeografie në Vilëz.
Në vitet 2013-2015 emërohet përsëri drejtor shkolle në Vilëz. Punon me një kolektiv që përbëhet nga: Mejte Mali, Ibrahim Flora, Bilal Koçi, Nuri Bamja, Hasime Bumja, Fatmir Flora, Xhemal Nuzi, Gëzim Flora, Life Flora, Flutura Mancaku etj. Ky kolektiv është shumë kompakt, i përkushtuar në punë, dhe mbartin vlera…
Nga viti 2015 dhe në vijim Nuriu punon si mësues histori gjeografie. Krahas punës Ai ka ngritur dhe një kënd muzeal, të veçantë dhe i përvetshëm në krahinë.
Dhoma muzeale po të bënim një “ndarje” ka: Materiale nga mesjeta dhe periudha e krishtërimi i hershëm, materiale të kohës së sundimit osman, materiale që i përkasin kohës së pushtimi serb dhe atij austro-hungarez. Ai ka gjetur e grumbulluar heshta, helmeta, armë të vjetra artizanale etj. Në këtë Muze ka edhe materiale të traditës vendase e të përdorimit të përditshëm, të trashëguara në breza.
Nuriu krahas arsimit ka dhënë një kontribut me po kaq vlerë dhe në lëmin e kulturës. Në bisedë ai shprehet: “Kam filluar me grupin artistik të shkollës që në shkollën fillore me recitime, vjersha e këngë që këndoheshin në radio. Më pas në shkollën 8 vjeçare, duke kënduar këngë me grupin e shkollës dhe më vonë me grupin e fshatit. Në shkollën 8 vjeçare mësova ti bie çiftelisë dhe fyellit. Me vitet erdhi duke u rrit veprimtaria me këngën derisa u bë pjesë e jetës sime”. Nuriu në këtë bisedë ka një “merak”, të flitet dhe për bashkëpunëtorët në këtë fushë. Ky, është qëllimi shkrimit, pasqyrimi i vlerave i them unë… E këto vlera i mbartin shumë njerëz në krahinë e për këtë duhet një libër i tërë…
Në grupin artistik të fshatit Vilëz më 1967 bënin pjesë: Nuri Bumja, Ramazan Hyra, Asllan Durishti, Hysen Hyra, Nuri Gjoni, Qamil Gjikola, Nazmie Kodra, Naile Gjoni, Naze Huta, Hajrie Hoxha, Naile Gjiku, Nurie Doka, Nazime Gjoni, Zeqir Visha, Sile Doka, Haxhi Gjoni, Feride Gjikola, Nuri Gjikola etj. Një grup i kompletuar me instrumentistë të llojëve të ndryshëm, këngëtar dhe valltar e valltare të talentuara…
Vetë Nuriu, qe këngëtar, i binte çiftelisë, fyellit dhe ishte valltar i talentuar. Duke kujtuar këtë kohë Nuriu shprehet: “Shumica e këngëve qenë të politizuara, ishin të diktuara nga shteti i kohës por kishin vlera artistike. Unë thotë ai kam kënduar shumë këngë por dy kanë qenë origjinale dhe autoktone: Fshati rreze dielli, Kënga e Mullixhiut”. Disa nga vargjet e tyre:
● Fshati rreze dielli. Teksti Skënder Balla. Muzika dhe kënga nga Nuri Gjoni.
Sapo lind dielli
Lëshon rreze të arta
Bie përmbi male
Bie përmbi fshatra
Me rrezet e diellit
Nis dhe kënga ime
Partisë dhe Enverit
I urojmë gëzime
Kënga është e politizuar, ajo i kushtohej jetës së re të fshatit të atyre viteve. Natyrisht çdo meritë për arritjet i atriboheshin partisë dhe ushëheqësit. E tillë qe koha, çdo gjë me të!
● Kënga e Mullixhiut.
Teksti Sokol Angjeli. Muzika Nuri Gjoni. Këndon Nuri Gjoni dhe Vjollca Mullaj (Prezë).
O mullixhi
Ti mor djalë i ri
M’ka çu nana, m’ka çu baba
Për me blu ke ti
Mori Merushe
Ti moj vajzë e re
Grurin do ta bluj
Mulliri ka ujë
O mullijaxhi
Ti mor djalë i ri
M’ka thanë nana, m’ka thanë baba
Me ty të mos rri
Grunin blujma ti
Mori Merushe
Ti moj vajzë e re
Ti thushë nanës ti thushë babës
Grunin ‘smund ta bluj
Mulliri s’ka ujë
O mullijaxhi
Ti mor djal i ri
Unë vetë ty të du
Blujma grunin ti
Ne jemi të ri
Bashkë kemi dashni
Grunin do ta bluj
U bamë mullixhi
Kënga është kënduar në Kocertet e Majit. Nuriu citon: Kenga është e hershme e Malsisë së Tiranës, e ka përpunua tekstin, Sokoli. Eshtë këngë dashurie që trajton këtë temë, marrdhëniet djalë vajzë. Djali i jep të kuptoi vajzës se dashuron, vajza e provokon me fjalën e prindërve, dhe i jep të kuptoi se edhe ajo e don djalin mullixhi. Djali dhe vajza bashkohen dhe lidhin jetën me njëri tjetrin.
Dashuria triumfon kur është e sinqertë…
Nuriun ka një peng: “Kënga ime dhe e Vjollcës bëri jehonë në të gjithë Shqipërinë në koncertet e Majit – thotë ai, dhe unë – vazhdon ai u pengova me shkuar në FFKGJ më 1983”.
Jeta kulturore dhe artistike në krahinë në ato vite qe e gjallë. Krahina ka pasuri dhe ka thesare etno-kulturore. Shtëpitë e kulturës dhe përgjegjësit e tyre në vite kanë bërë një punë të shkëlqyer në mbledhjen, përpunimin, vënjen në skenë, ruajtjen dhe promovimin e këtyre, këngëve dhe valleve të kënduara. Nuriu duke kujtuar ato vite vazhdon: “Shtëpia e kulturës Zall-Bastar në dekadat e majit kishte grupin artistik që e përfaqësonte, grupi pasurohej me elementë të ri. Kishim këngët dhe vallet tona shumë të mira. Në grupin artistik kishte elementë të përzgjedhur nga gjithë fshatrat, qenë kohë të bukura për kulturën”.
Disa valle të grupit të burrave janë: Valle epike e Malsisë së Tiranës; Mylkja e Vjetër; Albelushja; Horja e Vjetër, Bastarçja e vjetër, etj. Si valltar Nuriu shprehet: “Vallen epike të Malësisë së Tiranës; në vite e kam kërcyer me: Hysen Hyrën, Beqir Hoxhën, Hysen Perën, Zeqir Vishën etj. Në grupin e burrave bënin pjesë edhe Sali Sala, Demir Ahmeti, Zeqir Selmani etj”. Në grupin e ahengxhijve të vjetër dhe të rinj Nuriu veçon: Demir Lugën, Lam Canin, Tahir Lugën, Ramazan Canin në daulle; Në cigon: Met Canin, Hysen Hyrën, Gani Lugën në cigon etj.
Po kështu veçon dhe lahutarin Sali Sala”. Natyrisht si këto ka dhe dhjetra të tjerë që meritojnë mirnjohje dhe respekt për ato çfar kanë dhënë për kulturën! Rasti i Sali Salës me lahutë qe dhe mbetet unik për Tiranën! Bashkë me Saliun “vdiq” dhe lahuta. Duke kujtuar Saliun Nuriu shprehet: “Sala personifikonte malsorin tiranas. FFKGJ, hapej me Saliun, ai është i pa përsëritshëm. Luante edhe në çifteli dhe fyell. Nuk kishte dasëm ku nuk ftohej ai. Ai këdoi këngë të vjetra me lahutë për Skënderbeun, për Isuf Pulën dhe Islam Lilën, për Lim Hoxhën”, Këngë kurbeti etj. Një këngë e Salës qe: O mor gjemitar.
O gjemitar (drejtuesi i anijes, vaporrit)
O mor gjemitar
Biro gjemitë
Kadal, kadal
Se mos le nënën pa djalë
Se mos le nusen pa marrë…
Në grupin e vajzave të Shtëpisë së Kulturës Zall-Bastar ndër të tjera bënin pjesë edhe: Nazmie Visha, Nazmie Kodra, Naze Huta, Sofie Cani, Naime Meta, Fatime Tafa, Naile Gjoni, Mane Visha, Anife Tafa, Lume Jamaku, Hajrie Ahmeti, Feride Gjikola Gjyze Tafa, Sajde Sala, etj.
Disa nga vallet e kënduara qenë : Vençja e grave; Hudha i lule në një ferrë; Vallja e humoristike e “Lepurit”, e interpretuar nga Zeqir Visha dhe vajzat e Bulçeshit. Një grup i kompletuar që ngjall nostalgji edhe emocione edhe sot për kulturën… Këto nuk ishin vetëm, ishin dhe grupet e mrekullueshëme të Zall-Dajtit, të Tomadhesë, të Bruz Malit e Cudhinit…E gjithë malsia është djep i kulturës popullore…Thesar me vlerë që fatkeqësisht po “veniten”, e nuk i dihet e ardhmja. Shteti duhet të investoi dhe të çohet më tej tradita!
Pas viteve ’90 edhe në Zall-Bastar brezi i vjetër u ndjek në shembullin e tij nga të tjerë. Dolën në skenë instrumentistë të rij si Nazmi Tarja, Agim Dërvishi, Hamit Lila, Destan Lila, etj. Po kështu dhe kërcimtar si Adriati Lila, Sabri Elqeni, Hasan Sulmeta, Kujtim Balliu etj. Brezat zevendësojnë brezat! Kjo të bën të shpresosh se traditat, ruhen dhe shoqëria ecë përpara…
Nuriu “ëndrrën” e mbetur në kujtesë e realizon në vitet 2009 dhe 2015. Ai merr pjesë në FFK GJ si valltar me vallet: “Bastarçja e Vjetër” dhe “Albelushja” së bashku me kërcimtarin Hysen Pera. Në lodër luan Jashar Disha dhe në cigonë Xhemal Heta dhe Musa Kabili. Vallet u mirëpritën dhe patë suksese.
Po me këto dy valle marrin pjesë në vitin 2015 në “Oda e Llapushës” në Kosovë. Vlerësohen me çmim. Grupi len përshtypje shumë të mira.
Me Qarkun e Tiranës shkojnë në Bullgari edhe Nuri Gjoni, Hysen Pera, Fiqirete Pera dhe Nazmie Dedja si valltar.Me lodërJashar Disha dhe me cigonë Xhemal Heta dhe Musa Kabili.
Në këtë konkurim marrin pjesë përfaqësues nga 12 shtete, të 3 kontinenteve. Përfaqësuesit tanë konkuruan me:
▪︎ Vallet epike; “Bastarçja e Vjetër” dhe “Horja e Vjetër”.
▪︎ Vallja “Vençja e vjetër e grave”.
▪︎ Melodi baritore e titulluar: ” Gurgullima e gurrave”.
Vendin e parë e mori grupi “Albania”, ku dhe përfaqësuesit tanë kanë meritën e tyre.
Motivi që më “detyroi” edhe më shumë për të bërë këtë shkrim, qe Nuriu edhe si krijues. Ai ka kohë që punon për një libër me poezi me tematikë të gjerë nga vendlindja. Libri i përfunduar është në prag botimi. Urime Nuriut edhe për botime të tjera, dallëndyshja e parë pasohet më pas nga të tjerat…
Libri ka mbi 200 poezi me vjersha për: Vendlindjen, për natyrën, relievin dhe pasuritë natyrore të saj, për prindërit e tij, për arsimin, kulturën, mjeksinë, për njeriun e thjeshtë, për bariun, për artistët, për shtëpinë e tij tanime të “lënë”, për valltarët e muzikën, për krojet plot freski, gurrat, për dashurinë etj. Gjithçka për vendlindjen, ajo e tërheq shumë edhe Nuriun…
IBRAHIM KABILI
Tiranë më 15.01.2021