Një jetë në shërbim të arsimit

0
142

Ibrahim Kabili Një ditë e bukur vjeshte, data 12.10.2021. Së bashku me Shpëtim Hoxhën, kryetar i fshatit, bëjmë një vizitë te Selman Muça. Shtëpia e tij është e vetmuar, në faqen jugore të kodrës, në majë të saj, në një pyll të përzier, por me shumë dru frutor të kultivuar e prodhime të bollshme të tyre. Arrjmë në shtëpi dhe na presin me shumë dashamirësi çifti i të moshuarve, Selmani dhe Bukuria. Edhe këtu ndihet shumë mungesa e të rinjve. Migrimi dhe emigrimi ka bërë punën e tij… -“Unë nuk do të largohem kurrë nga vendlindja, edhe kur të ikë pa kthim, këtu e kam e kam caktuar vendin.

Punova një jetë në arsim, ndërtova një jetë të bukur këtu. Lindëm 4 fëmijë por kohët ndryshuan dhe fëmijët u larguan. Unë megjithë këmbënguljen e tyre për të shkuar pas tyre, nuk largohem. Më vjen keq se “pengova” edhe bashkëshorten dhe e “ndava” nga fëmijët”. Migrimi dhe emigrimi është kthyer në sistem në këto vite të demokracisë. Kjo është një dukuri shqetësuese për gjithë shqiptarët, po kështu edhe për banorët e zonës tonë. Ky është vetëm fillimi, fundi nuk i dihet… Politika duhet të shqetësohet… Politika, një e keqe e domosdoshme që na ka çorientuar shumë këto tridhjet vitet e fundit. Na ka lodhur me këtë tranzicion sfilitës që nuk po mbaron kurrë! Shpresojmë.

Selman Ahmet Muça lindi në një familje të madhe, të njohur dhe me tradita në krahinë më 27.01.1936 në fshatin Shupal të rrethit Tiranë. Ai lindi në një kohë të vështirë për vendin dhe krahinën. Kushtet ekonomike dhe shoqërore për kohën qenë shumë të vështira. Kjo reflektohej dhe te famjlja e tij me pesë fëmijë. Selmani si fëmijë qe i prirur për shkollë dhe babai i tij Ahmeti me gjithë vështirësitë e mëdha ekonomike të familjes tregojë kujdes për shkollimin e tij.

Shkollën fillore e filloi në Shupal Kodër me mësues Irfan Qylafkun dhe e mbaroi në Zall-Dajt më 1946 me nota shumë të mira. Shkojë për shkollim të mëtejshëm në Medresenë e Tiranës. Atje pati si mësues kujdesrar Hafuz Dashin i cili u kujdes shumë për ecurinë e tij në mësime. -“Në Medresenë e Tiranës kishim mësues shumë të mirë, shumë kërkues, mjaft të përgatitur, metodista të mirë dhe shumë të përkushtuar në punë me ne nxënësit.

E mbarova këtë shkollë me nota shumë të mira dhe me fletë nderi. Për vetë kushtet e vështira ekonomike të familjes nuk pata mundësi të filloj një shkollë të mesme pas medresesë. U futa në punë për ti ardhur në ndihmë famjljes, por dëshira për arsimim te unë qe e madhe”, – përfundon Selmani. Në vitiet 1955-57 ka kryer shërbimin ushtarak pranë Repartit 7210 në Sazan. Në këtë repart ai u dallua për përgatitje të lartë ushtarake në dhe u emërua nënoficer. Duke kujtuar atë kohë Selmani vazhdon: “Isha komandant i topit dhe kisha edhe togën time. Bëmë qitje dhe e qëllova me të gjitha predhat objektivin. Mora pikët maksimale dhe për këtë më dërguan për shkëmbim përvoje 10 ditë në Republikën Popullire të Kinës. Pas kthimit nga Kina na priti udhëheqja më e lartë e partisë dhe u dekorova” – përfundon Selmani.

Në vitin 1965 Selmani vazhdon Shkollën e Mesme Pedagogjike “17 Nëntori” në Tiranë pa shkëputje nga puna. E përfundon atë në vitin 1969. Përfiton shumë nga shkollimi në shkollën pedagogjike në aspektin shkencor e profesional. Kjo u reflektua më pas në punën e tij në vazhdim. Vazhdon punë si mësues i CU -së në shkollën fillore Bastar-Murrizë në vitin 1960 dhe vazhdon deri në vitin 1962. “E kisha pasion arsimin. Kur u emërova aty më dukej vetja si në “qiellin e shtatë”. Megjithëse pa përvojë dhe pa arsimin përkatës punova shumë dhe pata rezultate me fëmijët. Nxënësit e këtij fshati qenë shumë arsimdashës, mësonin shumë dhe kjo më obligojë të punoj më shumë si mësues i ri e pa përvojë që isha”, – citon Selmani. Në vitin 1962 trasferohet në shkollën fillore të Bulçeshit. Kjo shkollë ishte vartëse e Zall-Mënerit. Këtu pati ndihmën e mësuesit me përvojë Tomorr Hoshi.

Në vitin 1963 emërohet mësues në CF në fshatin e tij të lindjes në Besh dhe punon aty deri në vitin 1991, vit në të cilin del në pension. Duke kujtuar punën e gjatë e plot pasion mësuesi pensionist Selmani Muça, citon: – ” Punova 28 vjet në këtë shkollë, një jetë të tërë këtu. Për mua kjo shkollë qe shtëpia ime e dytë dhe unë u përkushtova me gjithë fuqitë e mia në punën me nxënësit. Kam punuar me shumë dëshirë, në mënyrë sistematike, dhe kam pasur mbështetje të madhe nga prindërit. Koha ecte përpara, kërkesat në arsim rriteshin, metodat e mësimdhënjes evoluonin ndaj më duhej të studioja shumë që të isha i përgatitur nga ana pedagogjike e shkencore me nxënësit. Duke e parë me të gjitha treguesit mund të them se arrita rezultate. Kam punuar me një numër të madh mësuesish dhe drejtor shkollash.

I falenderoj për punën e bërë dhe ndihmën që më kanë dhënë. “Peng” më mbetet arsimimi im i lartë që nuk arrita ta vazhdoja”, – përfundon Selmani. Mësuesi Selman Muça është dalluar për punë plot përkushtim dhe rezultate sistematike me nxënësit e ciklit fillor në vite. Selmani ka një bibliotekë të pasur në shtëpi me libra shkencor, artistik, metodik dhe fetar. Ky është një tregues që flet shumë për Të. Ai dhe tani, megjithëse në moshë shumë të thyer vazhdon të lexojë shumë. Për të gjitha këto, edhe pse në pension prej 30 vitesh, ai gëzon respektin dhe kujtohet me nostalgji nga ish- nxënësit e tij dhe komuniteti. Selmani është vlerësuar edhe nga institucionet shtetërore dhe është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me: “Urdhërin Naim Frashëri” të klasit të Parë, dhe klasit të Dytë.

Dekorata më e mirë për të është respekti që merr pa “kursim”, si vlerësim për punën e bërë. Unë e përgëzoj me shumë respekt për punën e bërë në arsim, dhe i uroj të rrojë sa ti “dojë qefi i tij”, mësuesin 85 vjeçar Selman Muça! Në aspektin familjar Selmani është martuar me Bukurie Moqin në vitin 1962. Ata kanë lindur katër fëmijë; Hasimen, Menxinen, Gëzimin dhe Durimin. Tre prej tyre kanë mbaruar arsimin e lartë.

Në rezultatet e Selmanit një kontribut të çmuar ka dhënë edhe bashkëshortja e tij. Ata janë një familje mikpritëse, shumë bujare dhe kanë pritur e përcjell shumë njerëz në vite, përfshi këtu edhe drejtues të shtetit të kohës. Mësues Selmani i bën nder arsimit fillor për kohën kur punoj. Ai do shërbejë si model për gjeneratat e reja të mësuesve, natyrisht në rrethanat dhe kohët e reja të zhvillimit të arsimit.

Ibrahim Kabili
Tiranë më 16.10.2021