NJË JETË, E PËRKUSHTUAR PËR ATDHEUN E POPULLIN TONË…

0
988
Rrahman Parllaku - Murat Gecaj, 17 prill 2017

(Festohet 98-vjetori i ditëlindjes së Gjen. Leit. Rrahman Parllaku, “Hero i Popullit” e “Nderi i Kombit”)

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues (*)

Sidomos në këta vitet e fundit, jam takuar disa herë me “legjendën e gjallë”, të dy periudhave historike të Atdheut e popullit tonë, Gjeneral-Leitnant (në pension), Rrahman Parllaku, “Hero i Popullit” e “Nderi i Kombit”. Kjo ka ndodhur, kryesisht, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit, në përvjetorë të shënuar, në festa ditëlindjesh ose në përurime librash nga autorë të ndryshëm. Dhe, përherë, më është shfaqur sa madhështor aq i thjeshtë, sa “hijerëndë” aq dashamirës e buzagas. Megjithëse mjaft i moshuar, ai ka dalur para auditorëve: energjik e i shkathët, si një “djalosh”, duke sfiduar moshën, që ka. Pra, ka folur në këëbë e jo ulur dhe pa iu dridhur dora dhe pa shfaqur asnjë lodhje.

Ja, të tillë e pamë këtë atdhetar e luftëtar të lirisë edhe dje, në një sallë, aty në afërsi të lokalit “1 Maji” të kryeqytetit. Kishin ardhur për të marrë pjesë në gëzimin e 98-vjetorit të ditëlindjes së tij: familjarë, veteranë të luftës, personalitete të arsimit, kulturës e shkencës; miq e dashamirë, nga rrethet Kukës, Has e Tropojë, nga Shkodra, Lezha, Puka e Durrësi, nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj.

Veprimtarinë festive e hapi publicisti Halil Rama. Pas tij, për të pranishmit u shfaq një film i bukur dokumentar. Në pamjet e tij, dëshmohen: jeta e thjeshtë, por heroike, e Rrahman Parllakut, që nga lindja, në fshatin Novosej të Kukësit, më 17 prill 1919; shkollimi dhe pjesëmarrja në luftimet për çlirimin e Atdheut; detyrat e rëndësishme udhëheqëse, që iu besuan pas çlirimit. Po kështu, tregohet dhe goditja e padrejtë e tij nga diktatura, me disa vite burgim, ashtu si dhe ndaj disa gjeneralëve të njohur të luftës partizane. Po kështu, aty flitej se ai ka vite që e drejton me aftësi dhe përkushtim, “Organizatën e Bashkuar të Veteranëve të Luftës së Popullit Shqipar” (OBVLPSH).

Me fjalë të zgjedhura e fakte të dokumentuara mirë, foli për aspekte të jetës dhe veprimtarisë së Rr.Parllakut, ish-drejtoresha e Arkivit Qendror Shetëror, studiuesja Nevila Nika, mbesa e Hoxha Kadri Prsihtinës. Ndër të tjera, ajo tha se, me tërë qenien e vetë, ai transmeton te të tjerët: trimëri e guxim, burrëri, besë e bujari, energji positive dhe dashamirësi për njerëzit e të gjitha moshave, urtësi e fisnikëri etj.

Emocione të forta shkaktoi te të pranishmit në sallë, poezia e autorit nga Puka, Xhemal Meçi-“MjeshtëriI Madh”, që ia kushton, me respekt të posaçëm, legjendarit Rrahman Parllaku dhe të cilën e recitoi bukur, mbesa e tij, studentja Denisa Meçi.
Megjithëse veterani Rrahman Prllaku i ka marrë titujt më të lartë, nga Presidentët e Republikës së Shqipërisë, pati emocone të veçanta, kur kryetari Aldrin Dalipi, në emër të kryesisë së Qarkut Tiranë, i dorëzoi atij një “Mirënjohje”, për të cilën ai e falënderoi përzemërisht.

Pa e zgjatur këtë ceremoni të thjeshtë, në mbyllje e mori fjalën vetë Gjen. Leit. Rrahman Parllaku. Ai i përshëndeti, folësit dhe gjithë të ftuarit në festën e ditëlindjes së tij, si dhe shprehu mirënjohje për familjarët, për bashkëluftëtarët e bashkëpunëtorët, për të gjithë miqtë e dashamirët e tij, si në Shqipëri e Kosovë dhe më gjerë.

Bisedat e ngrohta të pjesëmarrësve, si me veteranin legjendar Rrahman Parllaku dhe me njëri-tjetrin, vazhduan në koktejin e shtruar, me këtë rast. Ata e uruan përsëri atë, me shumë përzememërsi: për shëndet të mirë e jetëgjatësi, gëzime e lumturi, vetjake e familjare. Gjithashtu, aty u bënë shumë fotografi, të cilat do të mbeten një kujtim i paharruar për të gjithë pjesëmarrësit në këtë ditëlindje. Atyre personave, që nuk e kishin marrë më parë, iu dhurua libri i autorëve Halil Rama e Sakip Cami, botuar në Tiranë më 2014, “Rrahman Parllaku, një legjendë, në kufirin e dy kohëve”.

Tiranë, 18 prill 2017
———————–
*) Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë dhe përgjegjës seksioni, në Institutin e Integrimit të Kulturës Shqiptare-Tiranë.