NJË INTERVISTË QË NUK U SHKRUA

0
1243

Ndue Lazri

Në ditëlindjen e ROLAND GJOZËS

Më kujtohet, ishim studentë dhe po kryenim muajin e stërvitjes ushtarake. Na kishte qëlluar që e bënim bashkërisht me ata të fakultetit të filologjisë, ku studionin edhe studentët gjuhë-letërsisë. Në një nga pushimet para se të hanimj drekën, diku para mencës shikoj një ushtar me kaçurrela të verdha, që ishte ulur e lexonte gazetën “Drita”. – Është Roland Gjoza,-më tha shoku im i kursit në degën e gazetarisë, Bashkim Hoxha.

Edhe sot, kur kanë kaluar 44 vjet e mbaj mend atë moment. Dhe Rolandi më ka mbetur në kujtesë me atë imazh, bjond, pak eseninian. Vetvetiu më vinte krahasimi me lirikun e madh rus, sepse sapo kisha lexuar vëllimin poetik me lirika “Mozaik”, që ishte libri i parë i Rolandit. Ai e kishte publikuar kur ishte ende gjimnazist, vetëm 18 vjeç. E në atë kohë, kur seleksionimi për të botuar një libër ishte drastik dhe botimi një ëndërr tepër e largët, Rolandi 18-vjeçar kishte tërhequr vëmendjen e lexuesit, të kritikës dhe të qarqeve letrare që nga organet “Drita” e “Nëntori” e deri tek lidhja e shkrimtarëve dhe shtëpia botuese “Naim Frashëri”. Ai libër edhe sot e kësaj dite është në bibliotekën tonë familjare në Tiranë, bashkë me vepra të tjera të mëvonshme të Rolandit.

Libri i fundit që më kanë sjellë nga Tirana është romani i tij “Pikaso prej ajri”. E lexova pasi kisha marrë lajmin e gëzueshëm për shpalljen e Rolandit “Shkrimtar i vitit” nga Shoqata e Botuesve të Kosovës për librin “Zogjtë e Hiçkokut”. Më kishte mbetur në mendje edhe lakonizmi i tij i njohur në të vetmen frazë falenderimi që shqiptoi në atë rast: “Falënderoj Kosovën, se në Shqipëri më kanë harruar”…

Po a nuk ka qenë Kosova që i ka rikthyer letërsisë shqipe shumë autorë të shquar shqiptarë, të cilët vendi i vet i kishte lënë në harresë?

E kisha lexuar me një frymë “Pikason prej ajri”. Madje për ta shijuar më mirë iu riktheva. Vetëm një mendje dhe një penë si ajo e Roland Gjozës mund të skaliste figura të tilla sa reale, aq surrealiste e gati fantazmagorike si ajo e Jezuit. Reale, sepse Jezui në jetën e zakonshme është një emigrant i rëndomtë shqiptar i arritur në Amerikë me tërë barrën e halleve e shqetësimeve të rëndomta të çdo emigranti, me përpjekjet rutinë për të gjetur rrugët më të shkurtra për t’u bërë me dokumente të rregullta e për të vënë pak pasuri, qoftë edhe nëpërmjet një martese jo fatlume. Kurse e jashtëzakonshmja, surrealja, postrealistja qëndron në vizatimin prej Jezuit të figurave në ajër, figurave me fantazinë dhe talentin pikasian, të cilat arrin t’i shohë e madje t’ i fotografojë një fotograf i madh si Gjon Mili.Me penelatat në përshkrimin e ngjarjeve e personazheve, me filozofinë e hollë që përcjell përmes tyre, pa e kursyer edhe ironinë, alegorinë e sarkazmën, Roland Gjoza shfaqet me këtë roman si një Salvador Dali i prozës shqiptare.

Bëra një fluturim pindarik nga libri i parë tek libri i fundit që kisha lexuar nga krijimtaria e Rolandit. E midis tyre është një periudhë e gjatë kohore, mbi 4 dekada. Mbi 40 vjet në të cilat nuk jemi parë më me Rolandin, sepse rrugët e jetës ishin të ndryshme. Atë lirikun rebel, kur të gjithë mendonim se do e emëronin në një nga organet e Lidhjes së Shkrimtarëve në Tiranë e degdisën mësues në Pukë.Me sa duket ndokush në qarqet politike pas plenumit të 4-t famëkeq për letërsinë e artet, e kishte ndalur majën e penës edhe tek emri i Rolandit. E kaq mjaftonte në atë periudhë të errët që të të flaknin atje ku nuk e prisje. Duke lexuar për jetën e shkrimtarit të talentuar Faik Ballanca që vrau veten, gjej edhe këta rreshta: “…në këtë kohë në mënyrën më kriminale iu sul diktatura të quajturit “grupi i të rinjve kundër vijës së partisë në art e letërsi”. Suzana Selenica dhe Ahmet Golemi u arrestuan, u torturuan dhe pësuan tronditje të thellë psikologjike. U arrestuan Sadri Ahmeti, Pirro Kuqi, Zyhdi Morava, u internuan Roland Gjoza, Namik Mane me akuzën e përbashkët: “agjitacion e propagandë në art e letërsi”.

Puka e Migjenit. Mbase fakti që shërbente pikërisht në atë qytet ku kishte punuar e jetuar poeti ynë i madh, ishte i vetmi ngushëllim (nëse mund të kishte një ngushëllim) për Rolandin. Ato vite të ashpra lanë gjurmë në jetën e tij e në krijimtarinë e tij. Kam parasysh një tregim që ai ka shkruar për Lulin e Vocërr të Migjenit. Të gjithë ne e kemi lexuar Lulin dhe e kemi ruajtur në kujtesë. Kurse Rolandi e ka takuar atë në Pukë dhe e ka risjellë në letërsi nëpërmjet një tregimi të mrekullueshëm. Po sa tregime, poezi, synopse për filma artistikë e dokumentarë do të lindnin atje në Pukën e largët ku thuajse gjysma e vitit ishte me dëborë e do të shkarkoheshin pastaj organeve të shtypit e ekraneve të kinemasë e televizionit, kur Rolandi zbriti si skenarist në Kinostudion “Shqipëria e re” ?.

Nuk kam ndërmend të bëj këtu listën e mbi 20 librave e mbi 10 filmave artistikë e dokumentarë ku është dora, medja e talenti i spikatur i Rolandit, sepse do të duheshin artikuj të tërë për t’i shkruar e vlerësuar siç e meritojnë. Por desha thjeshtë t’ i kujtoja sot që është ditëlindja e tij. Do të doja ta kisha pranë e t’i bëja një dhuratë, mbase të bisedonim duke pirë një gotë verë sëbashku, për ta falenderuar për kaq vepra që ai na ka bërë ne dhuratë si miq e si lexues të tij.

Eh, more Landi. Emigrant mbete tërë jetën. Emigrant në vendin tënd nga Tirana në Pukë e emigrant pas së ashtuquajturës Demokraci, nga Tirana në Amerikë. Po ja që emigracioni të sjellka mbarësi të paktën në krijimtari. Se prej andej kanë ardhur pjesa më e madhe e veprave të tua, vepra që tregojnë pjekurinë tënde si krijues, mjeshtërinë e lartë artistike, të cilën ta njohin lexuesit, paçka se qarqet e sotme letrare në atdhe krijojnë juri e komisione me njëri-tjetrin e çmimet ja japin po njëri-tjetrit. Ti nuk ke qenë kurrë nga ata të vlerësimeve me hatër, ndaj ke mbetur rebel edhe tani që kaçurrelat bjonde kanë marrë ngjyrën gri.

Ti e hedh fjalën të rëndë, me peshë prej guri, a ajo ashtu si guri zë vend. Kam parasysh kur u kundërvihesh atyre që mendojnë se bëjnë emër duke kritikuar Kadarenë: “…Kadare, hape rrugën, flasin me zërin e murgjve, që të prekin zemrat, lëre rininë të ecë përpara.. e ke bllokuar fushën e letrave, Kadare, erdhi koha për rishikimin e vlerave, për përmbysje, të shpluhurosim të harruarit..Dhe centauri Kadare, gjysmë i përgojuar e gjysmë i lëvduar përshkon botën e madhe, po këta të lënët në hije prej tij, kujtojnë se endet Myzeqesë e Tomorrit. Jo or jo, ai i ka lënë me kohë pas këto rrugë për poshtë e për lart, për ju, që s’bëni hije ende, se vetë është nga s’ja u pret mendja, midis korifejve të gjallë e të vdekur, në eternitanë e shenjtë”.

U rigjendëm edhe pse në distancë në këto vite të emigrimit. Ajo eksperienca në klubin e gazetarëve të Nju Jorkut, ku shkëmbenim krijime e mendime me njëri-tjetrin na afroi aq shumë. E na dukej sikur mblidheshim e bënim hoka edhe me Golen e Vaidin. Ti zhdukeshe herë pas here, siç e bën edhe tani në fb. E pastaj vije me një vandak me shkrime, poezi, tregime, esse, ndërsa shtëpisë botuese “Buzuku” i çoje ndonjë roman të ri. Eh ç krijime!. Na mbushje për ditë të tëra me entuziazëm, me ciklet me poezi lirike, me tregime për vajzat ruse apo pariziane, me esetë për Kadarenë, Lasgushin, për kineastë e regjisorë. Përherë bujar në fjalën për të tjerët. Po a nuk është zemërgjerësia një tipar i artistit të vërtetë?.

Komunikonim nga larg e na dukej sikur çmalleshim. Një herë të çova me Albanën një shishe verë italiane. E ti më dërgove foton e lokalit ku e kishit pirë sëbashku. Detaje miqësie, e cila mbetet e tillë edhe pa u takuar nga afër.

Pas leximit të “Pikasos prej ajri” të kërkova të bënim një intervistë. Dhe ti ma refuzove. Jo me keqdashje, por siç mund te refuzohet diçka midis dy miqsh që mirëkuptohen edhe pa folur. Më shkrojte: “Ndue i dashur, faleminderit për fjalët inkurajuese. Letrari gjithmonë mbetet i pastër në emocione si një fillestar. Veçanërisht më gëzon që më ke pëlqyer romanin. I dashur mik, nuk më kanë pëlqyer asnjëherë intervistat. Nuk e di përse. Ndoshta ngaqë u mësuam të lexojme intervista duke mbajtur poza. Kush nuk del në një intervistë sot, edhe Cuf Leshi. Më kupto drejt. Jam në një moshë që s’ndjej më gëzim. S’më bëjnë më përshtypje gjërat. E kam shumë vështirë të emocionohem, veë po më tha ndonjë grua e bukur; Jo, Roland, ç’thua, ti je vërtet i bukur! A e bën dot? Jo! Faleminderit shumë që do të më bësh intervistë pikërisht ti, i nderuar mik, duke ta ditur dhe kualitetin, seriozitetin, dorën e sprovuar, por është tepër vonë për mua, të thashë, nuk ndiej pikë emocioni. E lemë këtë punë mik, të falënderoj dhe njëherë. Gjithmonë je i respektuar prej meje”.

E unë të kuptova në heshtje.
Veç sot, në ditëlindjen tende do ma falësh këtë shkrim. Shkruajta pak a shumë ,për ato gjëra që do flisnim edhe në intervistë. Ti je poet rebel, por edhe ne gazetarët jemi kryeneçë. Kur na mbetet diçka në mendje e gjemë mënyrën ta realizojmë.

Gëzuar Ditëlindjen miku im!

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar