NJË FJALI GJUHËSISHT E RRALLË E GURAKUQIT

0
400
Mehmet Elezi - Fjalori i Gjuhës së sotme shqipe

Mehmet Elezi

Shenimin vijues, pjesën në thonjëza, e mora me pak shkurtim nga profili i Albi Brahushës. Ai shkruan se e ka marrë prej profilit të Alban Xhaferit.

“Luigji ishte i shtruem në spital dhe nji mik i tij vjen me e pa. Mbasi çmallen Luigji e pyet mikun e vet per nji tjetër mik të përbashkët, që si duket s’e kishte marrë lajmin e shtrimit në spital dhe i shtron këtë kërkesë:

“Me kenë me mujtë, me pasë me shkue me i thanë me ardhë me më pa.”

Kjo asht fjali me bukuri unike, me shtatë folje pa emër, mbiemër, ndajfolje, që nuk gjindet e as mund të krijohet në asnji gjuhë te botës veçse në gegnisht. Dhe autori asht kryetari i Komisjes Gjuhësore të Shkodrës, legjendari Luigj Gurakuqi”.

(Këtu mbaron shenimi që mora).


Fjalia e mësipërme me shtatë paskajore rresht, pa asnjë pjesë tjetër të ligjëratës, qoftë edhe lidhëz, rrjedh si muzikë.

Dhe kjo paskajore është gjithnjë e dënuar me vdekje në atdheun e saj. Dijetarët bashkohen në një pikë: mënyra paskajore (infinitivi) përfaqëson kulmin e abstraksionit gramatikor në sistemon foljor të një gjuhe; ajo përbën formën më përfaqësuese të foljes përkatëse.

Kësisoj asgjësimi artificial i paskajores do të thotë asgjësim i vetisë më të lartë abstraguese gramatikore të gjuhës shqipe.
Kaq për lexuesin e gjerë.

Nëse dikush është i interesuar për më shumë, në vijim po botoj një fragment, shkëputur nga libri “Gjuha shqipe në bunker?!”, pikërisht nga nënkapitulli “Paskajorja: gjuha shqipe midis Perëndimit e Bizantit”. Libri është ribotuar edhe si parathënie e Fjalorit të Gjuhës Shqipe.

…Mënyra paskajore në gjuhën shqipe ka përdorim shumë të gjërë, si dhe në simotrat e mëdha europiane. Me paskajoren krijohen mënyra të tjera të foljes.

Ajo përdoret thjesht si dëftore:
Kur po hin njeri n’at kullë
Me kujtue se ka ndrrue jetë…” (Eposi i Kreshnikëve, Martesa e Halilit).

Në rol të ngjashëm gjindet dendur në anglisht.
Paskajorja përdoret me krijue mënyrën kushtore me ndihmën e foljeve me pasë, me qenë ose edhe pa to (kisha me shkue, të kisha pasë me shkue…):

Me e pasë pa Behurin gjallë
Shpirti tutësh u kishte dalë” (Eposi i Kreshnikëve, Muji e Behuri);

– Me e ditë vashë sa fort të due
Shet gjergjefin e m’merr mue;
– Me e ditë djalë sa fort të due
Shet jelekun e m’merr mue” (lirikë popullore).

Paskajorja e disa foljeve të veçanta si me bâ, me pasë, me qenë, shërben me ndërtue raste të veçanta të mënyrës kushtore. Kushtorja me foljen me ba përdoret vetëm përballë një mundësie, rreziku ose me ironi dhe mund të zevëndësohet me fjalitë në ndodhtë, nëse ndodh. Krahaso me ba me u çue vonë s’e kap trenin; por nuk mund thuhet me ba me u çue në kohë e kap trenin (përveçse me ironi).

Kushtorja me foljen me qenë përdoret
1. me shprehë një mundësi të dëshiruar, por të dyshimtë: me kanë (me qenë) me e gjetë nji punë të mirë, nuk luej prej qytetit tem;
2. thjesht në kuptimin po të jetë, në qoftë. “Pushka e shqyptarit flakon porsi dielli; pak e grrishtme me kenë, a me pa se e ka hangër ndryshku kund, ai s’e ven në krah” (Sh. Gjeçovi, Rrnesa…). Ndërsa kushtorja me foljen me dashtë përdoret thjesht në kuptimin nëse do të donte, nëse do të kishte dashur, po të dojë. Me dashtë ai i rregullon të gjitha. Me pasë dashtë ai e kish rregullue të tana.

Paskajorja përdoret me krijue mënyrën urdhërore në një trajtë të sjellshme, pa dhënë urdhër të drejtpërdrejtë, që njihet edhe si paskajorja ndaluese (“infitivi prohibitiv”):
“Me u çue burra” (Eposi i Kreshnikëve, Muji e Behuri).

Ose:

Mos me e lanë kurrqysh pa më marrë në tpanë” (Kanga e Ali Bukurisë).
Ndër to është edhe shprehja me më falë, e cila ndryshe nga më fal është jorutinore; është më e sjellshme, përmban maturi e dhimbje për atë që ka ndodhur, për të cilën lypet falje.

Fuqia shprehëse e mënyrës paskajore në poezinë shqipe shkon deri në kufijtë e magjisë. Në këngën e Aga Ymerit rrjedh si krua:

Kanë ardhë letrat për me shkue
Për me shkue n’at t’zezë ushtri
Për me shkue e mos me ardhë
Për me mbetë nana pa djalë
Për me mbetë gjoku pa zot
Për me mbetë sarajet shkret…
”.

Cila mënyrë lidhore ose e ashtuquajtur paskajore në trajtën “për të shkuar” mund ta zëvendësojë paskajoren gurgulluese të këtyre vargjeve, pa e përgjakur artin e baladës? Cila mënyrë ose trajtë foljore mund ta paralajmëronte tragjedinë kaq rëndë, pa oh-e e klithma, si paskajorja e këtyre dy vargjeve te Omeri prej Mujit:

Kish nevojë drita mos me dalë
Kish nevojë dielli mos me ra…
”?

Për mos me u ndalë te paskajorja e një kryevepre si Ajkuna qan Omerin, ku nga thellësia e vorrit djali u thotë yjeve:

Thuej m’kanë mblue me dhé të zi
Drita e juej mbrendë mos me hi
Vaji i nanës-o mos me u ndie
Lodja e nanës-o veç me mrri…
”!

Në një tjetër lirikë popullore vajza përshkruan bjeshkën e shkretuar të fillimvjeshtës, ku ka mbetur fillikat djali i dashur me dele:

Ka nisë bjeshka me u vetmue
Nis çetina me fishkllue
Kanë nisë kershat me u rrëzue
Ka nise gjêja me u afrue…
”.

Pamja thuajse e fundbotshme me vetminë e tutshme, me fishkëllimën vajtuese të veriut nëpër pisha e me shkëmbinjtë që shemben prej shkreptimash e shirash, ndërkohë që ujqët (“gjêja”) e uritur guxojnë me u afrue deri te stani, shoqërohet me jonen e grupit ue të paskajores. Vjen herë si orkestër harqesh e herë si si gjamë lugjesh, e merueshme, paralajmëruese se gjithçka mund të ndodhë. Besnik i kësaj gjetjeje poetike-muzikore e i përftesës estetike të saj, poeti i panjohur endet me të njëjtin lloj rime edhe nëpër përfytyrimet intime të çikës për të dashurin e vetmuar në atë vjeshtë bjeshke:

…S’ka kush shtratin me ta shtrue
S’ka kush qenit me t’i përvlue
Shkon te kroni ku më gjajshe mue
Nuk mun’ ndalesh pa lotue…
”.

Çdo rrekje me e zëvendësue paskajoren e kësaj lirike me lidhoren ose me formën “për të…” është kthisje e orkestrës, çakordim. Kjo lirikë ose qëndron kështu siç është, ose vdes.

Asgjësimi i paskajores është vrasje e shumë vlerave artistike të papërsëritshme e të pazëvendësueshme.

Ai prek edhe skajin tjetër të gjuhës: deri edhe vlerat krejt praktike të ligjërimit të thjeshtë, të përditshëm, të papërzgjedhur, edhe ato i zbeh; e varfëron edhe komunikimin më të zakonshëm, aspak estetik, thjesht njerëzor. Te shqipërimi i romanit “Shosha” të nobelistit Issac Bashevis Singer bie në sy një hollësi. Thirrjet e burrave “me trastë në shpinë” që kërkonin tesha të përdorura, shkrimtarja Helena Kadare i ka shqipëruar kështu: “Kush ka me shitë rroba, pantallona, këpucë të vjetra. Hajde rroba të vjetra, kush ka me shitë”.

Për t’i dhënë jetë gjuhës, shqipëruesja u detyrua me thirrë në ndihmë paskajoren. Instinkti i shkrimtares e ndjeu se atyre njerëzve do t’u ngatërrohej disi gjuha nëpër dhëmbë e kumti do të përcillej i përthyer, nëse do të thoshnin: “Kush ka për të shitur rroba të vjetra, kush ka për të shitur…”.

Paskajorja përdoret me krijue të ardhmen e dëftores (siç e ka argumentuar I. Ajeti e të tjerë, tipi i së ardhmes me kam + paskajore është më i vjetri në gjuhën shqipe).

“Kem me u vndue në vorr për të gjallë” (Murimi në Urë);

Eshtë rasti me u ndalë te një rol tjetër i paskajores në krijimin e kohës së ardhme me atë që mund të quhet pjesëz du, që përdoret gjërësisht në Veri të Shqipërisë, në Kosovë, në Rrafsh të Dukagjinit e në Maqedoni. Me sa di nuk është trajtuar deri më sot. Si pjesë e një realiteti të gjërë gjuhësor, së paku duhet njohur.
Eshtë trajta e tipit du me shkue. Rikujtoj se du nuk duhet ngatërruar me due/ dua “kam dëshirë, dëshiroj”.

(në libër vijon shtjellimi me përdorime të tjera të paskajores)