Shkruan: Florim Zeqa, 29.09.2020
Politikanët garojnë për pushtet duke u thirrur në parime dhe premtime megalomane, me kauza të rrejshme dhe akuza të ndërsjella, ndërsa bëhen bashkë pas zgjedhjeve duke shkelur parimet dhe tradhtuar elektoratet partiake. Ngjashëm edhe kur largohen nga pushteti shajnë dhe akuzojnë njëri-tjetrin sikur mos të kishin qenë bashkë asnjëherë!
Partitë politike dhe politikanët tanë kur janë në pushtet pajtohen lehtë me gjithçka që ju ofron Serbia dhe Brukseli, ndërsa në momentin kur e humbin pushtetin bëhen atdhetar të “fortë” duke mos pranuar asgjë!
Këta politikan të papërgjegjshëm dhe këto parti të dështuara politike pa dallim pushtet dhe opozitë, jo vetëm që nuk e kanë problem cenimin e integritetit shtetëror, nuk e kanë problem as tkurrjen territoriale dhe sovranitetin e shtetit, pasi synim e kanë mbajtjen, gjegjësisht marrjen e pushtetit për pasurim dhe përfitime personale, për punësim të familjarëve dhe klientelave partiake.
Politikanët e pas luftës në Kosovë, nuk e kanë as idenë minimale si të punohet për shtet pa marrë asgjë prej tij dhe as t’iu shërbejnë ndershëm qytetarëve pa haraç dhe mit-marrje, thuajse shteti është pronë private e tyre e jo shtëpi e përbashkët e të gjithë qytetarëve.
Sikurse gënjeshtra dhe mashtrimi që janë bërë standard i përbashkët i kësaj klase politike, edhe hajnia është bërë zanati numër 1 i tyre. Ai që vjedh pak një herë, në momentin që i ipet mundësia vjedhë edhe më shumë dhe më mirë sesa herën e parë.
Po të mos ishte kështu, nuk do të bëhej kaq e ashpër lufta për pushtet në mes partive politike dhe politikanëve në përgjithësi. Madje lufta e parë dhe e pakompromis për pushtet bëhet brenda llojit (partisë), se cili do të renditet i pari në listat për deputet apo këshilltarë komunal, e të mos flasim për postet më larta partiake apo shtetërore, ku konkurenca bëhet më e ashpër dhe jo lojale.
Kapja e tmerrshme e sistemit të drejtësisë nga politika, ka bërë që politikanët, sa më shumë të vjedhin aq më komod ndjehen në luksin e pushtetit. Në vend që politikanët hajdut t’ia kenë frikën drejtësisë, përkatësisht prokurorëve dhe gjykatësve, këta të fundit ndjehen të frikësuar nga kërcënimet e kusarëve politik!
Sikur të ishte ndryshe, që dy dekada rresht, korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk do të ishin kryefjala dhe kallxuesi i politik-bërjes kosovare!
Krimi i organizuar dhe korrupsioni kanë shtrirje vertikale dhe horizontale në të gjitha partitë politike varësisht prej madhësisë dhe kapaciteteve zhvatëse të politikanëve dhe pjesëmarrjes në pushtetin qendror dhe lokal.
Ndryshimi nuk do të vjen asnjëherë me parti politike dhe politikan që e vëjnë interesin partiak dhe personal para interesit të shtetit dhe qytetarëve. Shteti nuk bëhet me politikanë që inatin e vëjnë para respektit ndaj meritave dhe sukseseve të tjetrit, që gjelozinë dhe urrejtjen e vëjnë para dashurisë vëllazërore.
Shteti nuk mund të bëhet me egoist dhe karrierist të pangopshëm për pushtet, nuk bëhet as me lakmitar të parasë dhe pasurisë shtetërore që rropën e ç’rropën gjithçka mundën për dy dekada rresht nga pasuria shoqërore dhe shtetërore e Kosovës.
Për ta nxjerrë shtetin nga kthetrat e uzurpatorëve dhe kusarëve politik, në dekadën e tretë të lirisë, Kosovës i duhet një fillim i ri, me njerëz të rinjë dhe ide të reja për ta ndryshuar mentalitetin aktual qeverisës, gjegjësisht të marrjes gjithçka nga shteti në atë të dhënjes gjithçka për shtetin, për t’u shkëputur një herë e mirë nga të gjitha dukuritë negative.
Në përfundim të këtij shkrimi, lexuesve të këtyre rreshtave po ua shpalosi dëshirën time jetësore e cila nuk ndërlidhet me karrierë politike, por që t’iu tregoj politikanëve lakmitar sesi punohet për shtet pa marrë asgjë prej tij dhe t’iu dëshmoj sesi u shërbehet qytetarëve ndershmërisht pa dallime partiake, ideologjike apo fetare.
Dyzet vite i kalova duke i shërbyer atdheut tim dhe bashkatdhetarëve pa marrë asgjë, duke dhënë gjithçka nga vetja për të mirën e përbashkët.
Kjo ma shton ndjenjen e krenarisë dhe pasurisë shpirtërore njëkohësisht.
Zoti e bekoftë atdheun tim, Republikën e Kosovës!
Zoti i bekoftë bashkombasit e mi, në vendlindje dhe Diasporë!