NJË BUQETË ERËMIRË NGA SHPIRTI SHKODRAN

0
366
Pena e Shkodrës

– nga K. P. Traboini

Kur e hapa botimin “Pena e Shkodrës” dalë nga shtypi së fundi, në version elektronik, sepse librin e shtypun ende nuk e kam në dorë, mu kujtua koha e rinisë sonë, kur të pasionuar mbas letërsisë lumturoheshim kur delte botimi i periodikut të Klubit të Rinisë “Shtigje të çeluna”, që e redaktonte pedagogu i paharruem Hasan Lekaj. Edhe kësaj herë, ndonëse jena në një nivel tjetër e kohë të largët prej fillesave rinore, ndjeva me të vërtetë kënaqësi.

Jo se këtu kishte dhe krijime të mia poetike, por se kishte aq shumë autorë, poetë e krijues të cilët kam kënaqësi ti lexoj. Shkodra letrare vazhdon kësisoj një traditë të bukur, botimin e përmbledhjeve të krijimtarisë, që dikur në mos gabohem janë quajtun almanakë letrarë. Nën kujdesin e drejtuesit të shoqatës së shkrimtarëve shkodranë, Zija Vukaj, ka dalë pra ky botim simpatik “Pena e Shkodrës” e kjo është një vazhdimësi sepse shënon nr. 5 të këtij botimi, që më parë delte nën redaktimin e shkrimtarit Skënder Temali.

Në kohën kur veprimtaritë krijuese në rang kombëtar janë të vakëta, në Tiranë thuajse nuk ndjehen fare, dalje e këtij botimi në Shkodër padyshim që është një ngjarje e gëzuar. Po duhet vu në dukje se po në Shkodër biblioteka “Marin Barleti” boton almanakun “Gegnishtja”, kësisoj Shkodra ka një prumje të dobishme me ndikim jo vetëm në këtë qytet por edhe më gjanë. Për me hy sadopak në botën e shpirtit shkodran, ma kanda me përcjellë disa vargje të poetes mbresëlanëse Ledia Dushi:

ky asht zani mjegullor i liqenit n’ag
jehon përmbi secilin send t’drejtuem kah qiella
pezull pezull pezull përçudun përçudun përpjekun
këto janë jonet e bahen trup nëpër mjegull
e futen për çdo zgavër për çdo krye
tana mjeset e botës ndodhin pa mue
tanë bota asht nji liqen i mjegullt e i untë
me dega e shpi e zogj n’parzëm
t’merr sy e mend e zemër e tingëllon përhimt‘
botës asht mjes

( Ledia Dushi, “Pena e Shkodrës”, nr. 5 f. 179 )

Gjej rast me falënderu zotin Zija Vukaj se me të vërtetë ka ba një punë shumë të bukur duke përmbledh krijimet plot freski të krijuesve të sotëm shkodranë si një tubë lulesh erëmirë. Na ka nderu të gjithë ne që jena me krijimet tona në këtë almanak, por ka nderu edhe veten me punën e lavdërueshme që ka krye.

Është një gja e rrallë, por edhe e fort e çmueme, të kesh një botim në raftin e librave, ku afer afër gjenden Ledia Dushi, Alfred Çapaliku, Ridvan Dibra, Zija Çela, Ledri Kurti, Skender Temali, Mimoza Rexhvelaj, Shpëtim Kelmendi, Stefan Çapaliku, Arben Prendi, Arjola Zadrima, Shpresa Kapisyzi, Dimitrov Popoviq, David Boseta e plot të tjerë, por në mes tyre po e ndjej mungesën e poetëve të afirmuar shkodranë në rang kombëtar, Primo Shllaku, Fatime Kulli dhe Sokol Zekaj, prania e të cilëve do ta pasunonte dukshëm këtë almanak.

Shoqata e shkrimtarëve të Shkodrës gjithsesi meriton çdo lëvdatë, por po mjaftohem duke e mbyll me një fjalë: Ju lumtë! Shënimin po e shoqnojmë me parathanien e redaktorit Zija Vukaj në botimin “Pena e Shkodrës 5”.

K. P. Traboini, 31 janar 2021

PËR LEXUESIN

Ky libër është i pesti në serinë e vëllimeve antologjike botuar nga Shoqata e Shkrimtarëve Shkodër dhe është vazhdim i një tradite të krijuar kohë më parë nga drejtuesit e saj. Kësisoj, nuk mund të anashkalohet roli themeltar i shkrimtarit të mirënjohur Skender Temali, i cili si drejtues i atëhershëm i Shoqatës, ideoi dhe realizoi botimin e një organi të tillë që të shërbejë si hapësirë promocionale për krijimtarinë e pabotuar të anëtarëve të shoqatës dhe më gjerë.

Mendojmë se kjo antologji do të jetë mjaft e vlefshme edhe për vlerat artistike që përmban, por edhe si një fiksim dhe memorizim i krijimtarisë letrare në këtë periudhë. Nisur nga emrat me jehonë kombëtare që përfshihen në këtë libër mund të hetohen edhe prirjet e sotme të zhvillimit të artit të fjalës në të gjitha zhanret. Në këtë mënyrë antologjia “Pena e Shkodrës 5” mund të shërbejë edhe si hapësirë hulumtuese për studiuesit e letërsisë, për hartuesit e teksteve shkollore që duan të përditësohen me zhvillimet letrare, si dhe për mësimdhënësit e të gjitha niveleve.

Pjesët: poezi, tregime, studime, përkthime, kritikë letrare etj., janë redaktuar dhe renditur sipas rendit alfabetik të autorëve, të cilët i përkasin jo vetëm Shkodrës, por edhe hapësirave të tjera shqiptare. Gjuha e përdorur në këtë libër është më së shumti letrare, por është respektuar edhe dëshira e çdo autori, për t’u shprehur në dialekt e deri në idiolekt. Me bindjen se kemi vendosur gurin e radhës në një ngrehinë kulturore, u urojmë autorëve suksese të mëtejshme në krijimtarinë e tyre dhe lexuesve lexim të këndshëm.

Redaktori Zija Vukaj