Politikë – Opinion.al – 06/10/20
Bashkëpunimi i deputetes Rudina Hajdari me Nismën “Thurje” nuk do të vazhdojë përpara, pasi kjo e fundit nuk do të kthehet në parti politike.
Aktivisti i Nismës “Thurje”, Pano Soko tha në një intervistë në Euronews Albania, se Nisma ‘Thurje’ nuk do të kthehet në parti politike pas ndryshimeve të Kodit Zgjedhor që u miratuan dje në Kuvend.
Soko shtoi se mos hapja e listave e bën të pamundur vijimin e këtij projekti bashkëpunimi të menduar prej Nismës “Thurje” dhe deputetes Hajdari.
“I kërkuam listat e hapura për një arsye; cilësia vendim-marrëse e politikës në Shqipëri ishte shumë e ulët. Mekanizmi që do t’i jepte mundësi të gjithë atyre njerëzve me vlera, që të përfshiheshin në vendimmarrje ishin listat e hapura. Mekanizmi që kishim menduar ishte i bazuar i gjithi në këtë filozofi. Me rënien e projektit, edhe kjo gjë nuk është më e mundur, se nuk ka më terrenin, ku mund të zhvillohet bashkëpunimi. Ishte një projekt që do të mundësonte të shkonin në parlament njerëz të shkencës dhe dijes. Në këto kushte nuk ka më mjedis për ta zhvilluar, formacionet janë sërish politike dhe gara do të jetë e tillë”, – tha Soko. /Opinon.al