Nisi bujshëm bashkëpunimi mes dy shkollave të Kosovës

0
1787

BASHKËPUNIMI MES SHKOLLAVE TONA FILLOI MREKULLUESHËM ME PROGRAMIN E PËRBASHKËT ARTISTIK, NË DOBLIBARË

SHFMU “DËSHMORËT LLESHI” e Doblibarës së Gjakovës dhe SHFMU “DOM MIKEL TARABULLUZI” e Stubllës së Vitisë filluan të bashkëpunojnë në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, me nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit, në një program kulturo-artistik të përbashkët, në Doblibarë. Pas programit, mikpritësit shtruan një drekë vëllazërore, në restorantin “Dasmori” në Doblibarë.

Shkruan: Engjëll KOLIQI
Stubëll, qershor 2018

Ish famullitari i Stubllës, tani famullitar i Doblibarës së Gjakovës, Dom Albert Jakaj, në vjeshtën e kaluar ka nxitur bashkëpunimin në mësime dhe në aktivitete të lira – kulturo-artistike e sportive, mes shkollave fillore dhe të mesme të ultë – “Dëshmorët Lleshi” nga Doblibara dhe “Dom Mikel Tarabulluzi” nga Stublla e Karadakut, në Komunën e Vitisë. Pikërisht më 17 nëntor 2017, të shoqëruar nga Dom Alberti, erdhën në Stubëll, për të shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit, drejtori i SHFMU “Dëshmorët Lleshi, Gjokë Uka dhe mësuesi Simon Lasku. Me shumë kënaqësi, unë iu bashkova drejtorit tonë Marjan Ukaj, në pritjen e mysafirëve të dashur dhe me shumë gëzim vendosëm të bashkëpunojmë.

Drejtori Gjokë Uka e kishte zgjedhur Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve për të nënshkruar dhe zyrtarizuar Memorandumin e Bashkëpunimit, solemnisht, në programin e përbashkët kulturo-artistik, që do të organizohej në shkollën “Dëshmorët Lleshi” në Doblibarë. Sapo morëm ftesën, ne u përgatitëm dhe në mëngjesin e 1 qershorit ia mësyem Doblibarës, delegacioni i shkollës sonë “Dom Mikel Tarabulluzi”, i përbërë nga shtatë nxënës, katër mësimdhënës dhe drejtori Marjan Ukaj.

Kur arritëm në Doblibarë, na pritën me shumë dashamirësi, të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit e SHFMU “Dëshmorët Lleshi”. Në ambient të hapur, para hyrjes së shkollës, u shfaq një program i përbashkët kulturo-artistik, me vallëzime, humor dhe recitime. I mrekullueshëm ishte humori i shfaqur nga nxënësit e shkollës mikpritëse, shumica e aktorëve ishin nxënës të klasës së VI. Nga shkolla jonë u paraqitën tri recituese, Mirlinda Zefi, nga klasa e VII dhe Rinesa Tomaj e Elisa Demaj, nga klasa e IV, të cilat u pëlqyen shumë nga të pranishmit dhe morën komplimente.

Me një fjalë rasti kanë kontrubuuar shumë, dy drejtorët – Gjokë Uka dhe Marjan Ukaj, të cilët u përshëndetën nga të pranishmit me duartrokitje të gjata. Ishte në program të përshëndeste edhe famullitari i Doblibarës Dom Albert Jakaj, por në mungesë të arsyeshme, fjala e tij, shumë e rëndësishme, sidomos për historinë e Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë, në Stubëll, të legalizuar nga famullitari ynë i parë, Dom Mikel Mësues Tarabulluzi, emrin e të cilit e mba, me krenari, shkolla jonë, u lexua nga mësues të shkollës mikpritëse.

Pika më e ndritur e programit ishte nënshkrimi solemn i Memorandumit të Bashkëpunimit, nga të dy drejtorët. Siç kanë shpieguar të dy drejtorët, bashkëpunimi do të bëhjet, realizohet dhe kultivohet mirë, në fushat e arsimit dhe të edukimit, në ndihma të ndërsjellta reciproke, duke shkëmbyer përvoja, në veprimtari të përbashkëta kulturore, artistike dhe sportive, edhe me karakter garash. Dhe filloi kështu, pikërisht në ditën e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit, sepse në programin kulturo-artistik të nxënësve të Doblibarës, janë angazhuar edhe tri recituese të shkëlqyeshme nga Stublla.

Gjithçka ka filluar mbarë dhe besoj do të vazhdoj mbarë e me plot suksese, bashkëpunimi mes këtyre dy shkollave, që mëtohet të bëhet tradicional dhe të vazhdohet shumë gjatë.
Drejtori Gjokë Uka, me këtë rast, të fillimit të bashkëpunimit, edhe me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve, ka nderuar disa MËSIMDHËNËS VETERANË TË shfmu “Dëshmorët Lleshi. Të nderuarit me mirënjohje për punë dhe kontribut të jashtëzakonshëm janë: Gjokë Quni, Mësuesja Mediha dhe Mësuesja Dritë.

Pas përfundimit të programit, vizituam të gjitha objektet e shkollës mikpritëse e pastaj, të gjithë bashkë, shkuam në restorant “Dasmori” në Doblibarë, kur drejtoria e shkollës së atjeshme ka shtruar një drekë vëllazërore.