Nipi i dom Lazër Sheldisë viziton dhe vendos lule në varrin e axhës së tij në New York mbas shumë vitesh

0
2068

Klajd Kapinova

Bronx, New York. Këto ditë ishte për një vizitë në kishën katolike shqiptare Zoja e Shkodrës dhe kishën katolike amerikane italiane shën Lucia meshtari i ri dom Nikolin Toma (Sheldija), i cili, kishte ardhur nga Shkodra, për të rikthyer në vendlindje dorëshkrimet e axhës së tij meshtarit dom Lazër Sheldija.

Në kishën amerikane italiane dom Nikolini u mirëprit nga meshtari shqiptar dom Nikolin Pergjini, i cili, prej disa vitesh shërben si famullitar në këtë kishë klasike italiane, duke thënë meshën në shumë gjuhë të botës, për komunitetin e madh multi etnik këtu.

Dom Nikolini, sapo ishte kthyer nga një udhëtim dhe vizitë në kishat katolike shqiptarë të shën Palit e shën Pjetrit në Rochester Hills dhe kisha katolike Zoja Pajtore e Shqipërisë në Detroit të shtetit të Michigan-it, ku është takuar ngrohtësisht me meshtarët respektivë dom Fred Kalaj dhe dom Ndue Gjergji.

Të dielën e kaluar nipi i dom Lazër Shëldisë, meshtari nga Malësia e Shkrelit dom Nikolini tha një meshë për komunitetin shqiptar pranë kishës katolike Zoja e Shkodrës në Hartsdale New York.

Ditën e marte mbasdite ai u takua dhe zhvilloi një bisedë të ngrohtë në zyrat e famullisë me meshtarin, liderin dhe aktivistin e palodhur të komunitetit katolik shqiptar Të Përndershimin dom Pjetër Popaj dhe shoqëruesit e mikut nga Shkodra aktivistët e komunitetit tonë, studiuesi dhe publicisti Tomë Mrijaj dhe Klajd Kapinova editor i revistës kulturore Jeta Katolike, e cila botohet në New York prej vitit 1966.

Me një mikpritje tradicionale bujare si në sofrat e njohura tipike shqiptare deri me raki të mirënjohur nga Skrapari, dom Pjetri, në fjalën e tij mbasi falënderoj meshtarin për vizitën e njohu atë me historinë e kishës katolike shqiptare në New York.

Ndër të tjera, dom Pjetri, foli fjalë shumë të mira për meshtarin dhe mikun e tij dom Lazër Sheldinë, për të cilin ruante shumë kujtime të bukura.
Ai tha se dom Lazri dhe mons. dr. Zef Oroshi vinin nga Shqipëria e cila ishte e mbyllur dhe shtypur dhunshëm nga komunizmi dhe diktatura e Enver Hoxhës, e cila brutalisht kishte ndaluar ushtrimin e fesë, dhe po masakronte klerin katolik dhe popullin shqiptar, duke e kthyer Shqipërinë në shtetin e vetem ateist në botë.

Meshtari Popaj, shtoi se: “Dom Lazri i donte shumë shqiptarët këtu, sepse kishte mall për vendlindjen. Ai kishte një zemër të pastër dhe shumë bujare. Meshtari kishte një pasion për letërsinë dhe në veçanti për poezinë. Ai shkruante poezi dhe kishte dëshirë t’ia lexonte miqëve të tij, që vinin për ta vizituar në shtëpinë e tij. Dom Lazri i donte librat dhe kishte një bibliotekë shumë të pasur. Kur dom Lazri kaloi në amshim, një ditë famullia ku ai shërbente na telefonoi që të merrnim librat e bibliotekës së tij, të cilat i ruajmë edhe sot në kishën tonë në këtë dhomë që ju shihni tani. Dom Lazri, kishte një ëndërr të madhe për t’i bashkuar të gjithë shqiptarët rreth shtëpisë së Zotit.

Ai ishte një mikpritës dhe bujar shembullor. Çdo emigrant që ka shkuar për të kërkuar ndihmë tek ai, i ndihmonte pavarësisht besimit fetar që ata kishin, mjafton që ata të ishin shqiptare, sepse e kuptonte shumë mirë se rruga dhe mundimet e emigrantëve nuk kanë të sosur… Zona e Sheldisë së Shkodrës nga ai vinte, ka nxjerrë shumë meshtarë të nderuar dhe respektuar në trojet shqiptare dhe jashtë saj. Një prej tyre jeni edhe ju dom Nikolin, që po ecni nën shembullin e axhës tuaj, duke sherbyer si meshtar në Malësi të Shkrelit… Zoti ju ndihmoftë dhe ju falënderojmë edhe një herë për vizitën tuaj!”.

Gjatë gjithë kohës së udhëtimit me makinë drejt varrezave katolike në Saint Raymond’s Cemetery (is a Roman Catholic cemetery at 2600 Lafayette Avenue in the Throggs Neck and Schuylerville sections of the Bronx, New York City, United States), studiuesi dhe publististi Tomë Mrijaj tregonte episode me shumë kujtime plot emocione të bukura, që ai kishte përjetuar gjatë bisedave me meshtarin dom Lazër Sheldinë dhe mikun e dashur të tij mons dr. Zef Oroshin (1989-1912), themeluesin e Kishës së Parë Katolike Shqiptare, Qendrës Shqiptare dhe revistës kulturore Jeta Katholike Shqiptare (1966, sot vijon të botohet me emrin Jeta Katolike).

Për më tepër, studiuesi dhe publicisti Mrijaj, në një monografi historike shkencore kushtuar klerikut në emigracion mons. dr. Oroshit, me titull: “Monsinjor Dr. Zef Oroshi një jetë e shkrirë për Fe e Atdhe”, (Jetëshkrim), New York, 2009, për jetën dhe veprimtarinë fetare e atdhetare të meshtarit dom Lazër Sheldija, për herë të parë, ka shkruar një jetëshkrim historik prej 20 faqesh, të botuar në librin e cituar më lart.

Studiuesi Mrijaj, ndër të tjera tha, se: “Dom Lazër Sheldija, mbas 10 vitesh si misionarë në shërbim të Krishtit në Brazil (Amerika e Jugut), niset me një vizë turistike për në SHBA. Ishte vera e vitit 1973, kur ai zbriti për herë të parë në Californi, i ftuar nga një ish shok i klasës kur ishte me studime në Itali. Sërisht, me avion ai niset për një udhëtim drejt New York-ut, ku qëndron për disa muaj tek disa miq dhe të njohur të tij në Brooklyn dhe Manhattan. Meqenëse dom Lazri kishte ardhur për vizitë turistike, vendos të jetoj në SHBA, nga dëshira e madhe për të qëndruar pranë bashkëkombasve të vet, mbasi në Brazil nuk kishte pasur fatin të njihet me shqiptarë.

Mbasi i rregullon dokumentet e nevojshme të rezidencës, ai stabilizohet (vendoset) në fillim në Brooklyn pastaj në Bronx, NY, ku fillon ti shërbyei komunitetit katolik shqiptar në New York, në kishën amerikane Holy Rossary në Eastchester Road, Bronx, NY. Ai u interesua për formimin e Qendrës së Dytë Katolike Shqiptare shën Pali e Shën Pjetri, gjë që e vazhdoi deri sa humbi jetën tragjikisht. Për këtë tragjedi të madhe mediat ameikane kanë shkruan shumë…”

Falë bujarisë së tij karakteristike tipike shqiptare Tomë Mrijaj na fton për një vizitë në shtëpinë e re në Upstate New York, të cilin meshtari mik nga Shkodra e bekoi mbas vizitës së tij.
Dom Nikolin Toma (Sheldija), është nipi i meshtarit dom Lazër Sheldia, të arratisur nga Shqipëria gjatë komunizmit. Ai mbas shumë vitesh viziton dhe vendos lule në varrin e axhës së tij në New York. Dom Nikolini, është meshtar në kishën e Shkrelit dhe njëkohsisht kryen detyrën e Vikarit të Përgjithshëm, pranë Arqipeshkvisë Metropolitane të Shkodrës, ku shërben kryeipeshkëvi arbëresh Shkëlqësia e Tij imzot Angelo Massafra.

Kush është seminaristi i arratisur nga komunizmi dom Lazër Sheldia (1928-1988)?

Ai ka lindur më 15 janar 1928, në fshatin Sheldi, jo shumë kilometra larg nga qyteti i Shkodrës. Poeti i embëlsisë, martiri i shenjtë dom Ndre Zadeja, duke pikatur talentin dhe zellin për libra të Lazrit të vogël e ndihmon për të vijuar studimet për meshtari në Shkodër.
Në vitin 1941 ai filloj jetën studentore si seminarist jezuit, ku del me rezultate shumë të mira në mësime. Me mbylljen e seminarit, pas ardhjen në pushtet nga komunistët ateist, studenti Sheldia rregjistrohet në gjimnazin e shtetit dhe më vonë bëhet mësues.

Meqenëse në shkollë ai fliste për vlerën pozitive të doktrinës kristiane, ai bie në sy të forcave të Sigurimit të shtetit komunist, të cilët e kishin futur në rreth të kuq për ta arrestuar.
Duke e nuhatur rrezikun që e priste, ai mendoi të arratisej nga Shqipëria. Dhe një ditë ëndrrën e bëri realitet, duke shkuar drejt botës së lirë në ish Jugosllavi dhe më pas në vitin 1954 shkon në Vjenë (Austri). I riu Lazër për tu bërë meshtar shkon në Itali, ku regjistrohet në Universitetin e Urbinos, Propaganda Fide.

Në vitin 1960 ai bëhet meshtar. Duke parë nevojën e emigrantëve për meshtarë Selia e Shenjtë e emron meshtarë kapelan i shqiptarëve për Europën Perëndimore.

Tre vjet më vonë, në vitin 1963 ai dërgohet si misionar i Krishtit në arkidioqezin e Rio De Janeros në Brasil, ku punoi deri në vitin 1973.
Në muajin mars të vitit 1973 dom Lazri vjen në Californi (SHBA), ku qëndron 6 muaj dhe më pas udhëton drejt New York.
Nga viti 1973-1988, qëndroi në New York, ku për 15 vjet i shërbei komunitetit amerikan dhe shqiptarë, në kishën Holy Rossary, në Eastchester Road, Bronx, New York.

Më 22 nëntor të vitit 1988, ai gjendet i vdekur në shtëpinë e tij nga Policia e shtetit të New York. (NYPD). Ai varroset me nderime dhe respekt nga komuniteti shqiptaro amerikan, në varrezat katolike në Saint Raymond’s Cemetery, Bronx, NY.
Në rrasën e varrit të misionarit të Krishtit dom Lazër Sheldia gjendet e shkruar në shqip ky epitaf: “Në Përkujtim të Përjetshëm të Misionarit Katolik.”

Më 30 qershor 2005, në fshatin e lindjes në Sheldi të Shkodrës, u përurua monumenti i martirëve, që kanë shërbyer në Sheldi, ku tre pëllumba të bardhë simbolizojnë tre meshtarët: Dom Ndre Zadeja, dom Dedë Maçaj dhe dom Lazër Sheldia.