Nimfa

0
733
N - ilustrim nga Dea Halimi

Ilustrimi nga Dea Halimi

Dea HALIMI

Nga libri “Yjtë farfuritës” tregimi për shkronjën N

Dea Halimi
Dea Halimi

Ka tre ditë që isha në fshat.
Unë e Nora prisnim gjyshin Neli ta mbante premtimin e të na shpinte te lumi.
– A mund të nisemi tash, – i thoshim orë e çast unë e Nora, kureshtare të shkonim te lumi e ndoshta ta shihnim ndonjë nimfë.
Nora me mëngjes kishte përgatitur trastën, në të cilën kishim futur ushqim dhe disa lodra.
– Lodrat mos i merrni, – tha xha Neli. – Nuk do të keni kohë për lodra fare.
– Unë, pra, – ia bëra, – do ta marr shkopin e peshkimit dhe një libër…
Arritja te lumi qe një kënaqësi e papërshkrueshme. Herë unë e herë Nora kërcenim të lumtura dhe përqafoheshim. Pa humbur kohë pastaj mora shkopin e peshkimit, vura karremin në grep dhe e hodha në ujë. Shkopin e përforcova në një dy grremç druri dhe e hapa librin të lexoja.
– Çfarë po lexon aty, – më tha Nora.
– Po lexoj një tregim për nimfat e lumit.
– Çfarë janë nimfat, – më pyeti Nora.
– Nimfa është një perëndeshë, që përfytyrohej në mitologjinë e vjetër greke e romake si një vajzë e bukur, e cila banonte në ujëra, në pyje e në male…
– A mendon se lumi ynë e ka nimfën e vet.
– Po, sepse kush do të ishte kujdesur për rrjedhën e lumit, për muzikën e valëve, për gjallesat që jetojnë aty.
– Sigurisht,po, – kërceu me gëzim Nora. – Pa nimfat, lumi nuk do të qe kaq i pastër siç është, apo jo.
– Nuk do të kishte as peshk këtu nëse lumi do të ishte i ndotur, – e vëreja shtupën nga dridhej mbi ujë. E hodha librin mbi trastë dhe e kapa shkopin e peshkimit.
– Ndodhi diçka, – më pa me habi Nora.
– Ra një peshk në grep. Duhet ta nxjerr jashtë… – psherëtiva dhe fillova ta mbështjell spangon në çikrik. Peshku kërcente mbi sipërfaqen e ujit, i argjendtë. E tërhiqja pak nga pak dhe e solla te bregu, ta rrëmbeja fuqishëm me dorë. E shkëputa nga grepi dhe e lëshova në qeskën me ujë, pastaj vura karrem të ri në grep dhe e hodha në lumë. Prisja të binte në grep peshku tjetër…
– Oo… Darkën do ta kemi të begatë, – qeshi xha Neli dhe e shikoi peshkun në qeskë.
– Ndoshta, – ia bëra dhe e mora librin të vazhdoja të lexoja.
-Lere librin, – m`u afrua Nora. – Jetoje bukurinë që e ofron lumi… Peizazhi përgjatë lumit ka rënë kaq me besnikëri në syprinën e ujit! – kërcente ajo.
Ika shikimin në syprinën e ujit të kaltër dhe njëmend ajo që shihja ishte tepër magjike, një pamje që përjetohet rrallë herë.