NIKOLLË P. GRABANICA – SIMBOL I ATDHEDASHURISË DHE KONTRIBUES I FOLKLORISTIKËS SHQIPTARE

0
751

Shkruan: Mikel GOJANI

Pak biografi

Njeriu me të cilin tradita, trashëgimia familjare dhe rrethi shoqëror brumosën vetëdijen e lartë kombëtare, mprehtësinë e mendjes e gjykimit, energjinë e veprimit dhe përkushtimit të paepur e plotë sakrifica për kolektivitetin, për lirinë e vendit dhe popullit të vet, veçori këto të cilat me tërë qenien e vë në funksion të ardhmërisë dhe lirisë, është njeriu që jeton gjatë, njeriu që nuk vdes kurrë. Ai do të jetojë edhe pas vdekjes, sepse veprat e tij e bëjnë të pavdekshëm. I tillë në mesin e shumë atdhetarëve të kësaj ane të Dukagjinit ishte dhe mbeti Nikollë Grabanica, nga Klina.

Nikollë P. Grabanica, u lind më 10.5.1926 në Shtupel të Komunës së Klinës. Shkollën fillore e kreu në Zllakuqan, ndërsa të mesmen të tregtisë në Pejë. Si i ri, për herë të parë u punësua në sipërmarrjen tregtare “Sremag” në Gurrakoc, ku pas dy vitesh u largua nga puna ngase i ati i tij Pjetri ishte antikomunist dhe e kundërshtonte kolektivin. Pushteti komunist të atin e Nikollës Pjetrin e dënoi gjashtë muaj me punë të detyrueshme në Deçan, ndërsa Nikollën e lanë pa punë deri në vitin 1959.

Pas dhjetë vitesh, me plot vështirësi Nikolla u pranua në punë në Kooperativën Bujqësore të Shtupelit, ndërsa si anëtar në LK e pranuan në vitin në vitin 1960 për ta mbajtur punën, mirëpo gjithherë ishte nën përcjelljen e udhëheqësve komunistë duke ia ndërruar vendet e punës duke e cilësuar si të papërshtatshëm, deri në vitin 1977 ndërsa edhe e larguan nga LK. Është pensionuar në vitin 1983. Aktualisht jeton në Klinë.

Nikollë P. Grabanica e ka trashëgim ruajtjen dhe kultivimin e folklorit, sidomos anekdotat qysh nga të parët e tij, përkatësisht xhaxhallarët, Mhilli dhe Gjoni dhe i ati Pjetri. Tërë atë pasuri folklorike të pleqve të tij e ka bartur në mendjen e tij deri me sot duke e pasuruar vazhdimisht me njësi të reja folklorike, sidomos me anekdota dhe fjalë të urta.

Nga çasti në çast, nga oda në odë, ai barti prozën e Lugut të Drinit, duke bërë krahasime të efektshme me prozën që tregohej në fshatrat e trevave të tjera të Kosovës.

Nikollë P. Grabanica – emër dhe simbol i madh i atdhedashurisë

Nikollë Grabanica – emër dhe simbol i madh i atdhedashurisë, tërë jetën e shkriu në kontributin e tij çështjes së madhe të popullit shqiptar, burrë i fjalës, i besës, i bujarisë dhe i përkushtimit për kauzën kombëtare. Në jetën e tërë në mision të demaskimit dhe luftimit të synimeve e veprimtarisë diskriminuese, përçarëse, pushtuese, ekspoloatuese dhe terroriste e shfarosëse shoveno-nacionaliste serbe, mbi dhe ndaj çdo gjëje shqiptare. Këtë e bënte në odën e burrave të Dukagjinit, me të rinjtë e të vjetrit, punëtorë, intelektualë – me fjalën e tij me peshë, me shpirtin e tij të madh e të bardhë, me shembullin e të palodhshmit dhe të pandalshmit – personifikim i familjes Grabanica.

Nipollë Grabanica ishte promotor i proceseve të mëdha që vitet e nëntëdhjeta që zhvilloheshin aq hovshëm në ato vite, ku rezistenca dhe përpjekjet për liri dhe pavarësi bënin jetën shqiptare.

Në aksionin e pajtimit të gjaqeve, që ishte aksioni më i madh i konsolidimit të shqiptarëve para stuhisë që do e sillte armiku, stuhi të cilën historia do e përsëriste për të satën herë, bashkë me shumë veprimtarë të tjerë, nuk pranë, derë më derë me burrat, me zërin e tij të ëmbël dhe me fjalën e tij të thellë e shumë domethënëse, pajtoi shpirtrat, shtriu duart e pajtimit në mes shumë familjeve klinase e dukagjinase.

E nderonin të gjithë, sepse te ky plak i urtë panë njeriun e palodhshëm, fjalëpak, të matur; njeriun që nuk kursente asgjë për të mirën e përgjithshme, njeriun që s’i merrte parasysh vuajtjet që kishte pësuar gjatë tërë jetës. Bashkë me veprimtarë të tjerë trokiti në shumë dyer shqiptare për të kërkuar Dorën e Pajtimit në mes familjeve të hasmuara e të gjakësuara. Në odat tona, në kuvende burrash e kuvende pajtimi, fjala e tij ishte melhem për plagë.

Ishte dashamirë i madh i arsimit e i dijes kombëtare, prandaj e përsëriste shpesh edhe Naimin:”Vetëm dritë e diturisë përpara do të na shpjerë”. Madje në të gjitha protestat që zhvilloheshin në mbrojtje të shkollës dhe arsimit shqip ishte prezent dhe disa herë nga policia serbe është rrahur dhe maltretuar.

Torturat udbeske të policisë fashiste serbe ishin çnjerëzore, nga të cilat më së shumti pësoi Nikolla, por ai mbeti i fortë, i pathyeshëm, krenar dhe dinjitoz, sepse kështu ai ishte i bindur, sikurse thoshte vetë, se po e kundërshtonte me të drejtë një regjim shtypës dhe një pushtues të egër. Këtë dashuri ndaj atdheut dhe lirisë e kishte trashëguar nga të parët e tij. Kudo që gjendej Nikollë Grabanica e mbronte vijën kombëtare, duke mos u përkulur asnjëherë. Ishte përkrahës i denjë i konceptit politik dhe filozofik të LDK-së, përkatësisht të Dr. Ibrahim Rugovës, të cilin koncept e ruan edhe sot e kësaj dite.

Dhe, sot, të gjithë ata që e njohin e falënderojnë dhe i janë mirënjohës për gjithë atë kontribut që ka dhënë për të mirën e popullit të tij.

Lërues dhe kultivues i zellshëm i tregimit popullor

Letërsia popullore është thesar shumë i çmueshëm që ka lënë njerëzimi gjatë shekujve. Letërsia popullore apo gojore është degë e folkloristikës ku përfshihen të gjitha krijimet poetike popullore. Nëpërmjet të formave të ndryshme letrare njeriu ka pasqyruar jetën shpirtërore dhe materiale dhe ka shprehur optimizmin e tij në jetë.

Zanafilla e letërsisë popullore është shumë e hershme. Atë duhet kërkuar në kohën kur njeriu si qenie shoqërore arriti të komunikojë nëpërmjet të folurit të artikuluar. Është e njohur se arti i parë ka qenë mjaft i thjeshtë dhe nuk ka njohur lloje dhe gjini letrare..
Në ato faza të zhvillimit të shoqërisë njerëzore nëpërmjet këngëve dhe formave tjera, njeriu ka shfaqur botën e tij të brendshme, reagimin e tij ndaj dukurive të ndryshme natyrore me të cilat është ballafaquar, por nuk ka pasur aftësi t’i shpjegojë.

Secili popull e ka krijuar letërsinë popullore, dhe nëpërmjet të saj në gjerësi ka pasqyruar jetën dhe aspiratat e veta për të ardhmen. Edhe ne shqiptarët e kemi shumë mirë të zhvilluar letërsinë popullore.

Dallimi në mes letërsisë së shkruar dhe asaj popullore qëndron aty se letërsinë

popullore e ka krijuar artisti popullor,është shpërndarë në popull gojarisht dhe gjatë shekujve ka pësuar ndryshime,kurse letërsisë së shkruar i dihet autori.

Shumë autorë të letërsisë së shkruar e shfrytëzojnë letërsinë popullore si burim frymëzimi për të krijuar tregime të mira të marrë nga thesari i pasur popullor.

Njëri prej atyre tregimtarëve që më përkushtim i është qasur këtij krijimi është edhe Nikollë Grabanica, i cili një jetë të tërë e ka kaluar duke gjurmuar në Lug të Drinit, Dukagjin dhe më gjerë me qëllim të grumbullimit të tregimeve të vjel nga njerëz të mençur duke i botuar në revista dhe libra të ndryshëm. Shumë nga këto tregime Nikollë Grabanica i ka ofruar njëherit më të mirë të kësaj fushe, Anton Çettës, i cili i ka përmbledhur në librat e tij.

Libri i N. Grabanicës, “Tregime odash” (1994), ngërthen vlera të rëndësishme dhe me interes dimensional

Nikollë Grabanica, në vitin 1994 botoi librin me tregime popullore me titullin “Tregime odash”, folklor, një libër që është pritur mirë tek lexuesit të kësaj fushe të letërsisë. Anekdotat, këto thënie të mençura, këto tregime të shkurtra shpotitëse e satirike, të cilat janë të kapërthyera në këtë libër, përmes së cilave interpretohen dukurit e ndryshme shoqërore, ndodhi të personaliteteve të njohura etj., japin një pasqyrim metaforik por edhe alegorik të realitetit tonë me të cilinë përballemi çdo ditë.

Çfarë shprehet tregimtari Nikollë P. Grabanica në parathënien e librit të tij? Libri, “Tregime odash|, qysh në prolog nis me një parathënie të autorit. Autori Grabanica, shprehet se më kujtohet kur isha i mitur, rrija në oda bashkë me babanë, Pjetër Grabanicën , e me xhaxhallarët, Gjonin dhe Mhillin dhe i dëgjoja kah bisedonin. “Bisedave të tyre, e sidomos kur qëllonte edhe ndonjë mysafir, nuk i kushtoja shumë kujdes, përpiqesha të shërbej sa më mirë siç e kërkon tradita e mikpritjes shqiptare.

Me kohë, duke u rritur, filluan të më tërhiqnin gjithnjë e më shumë bisedat e burrave që mblidheshin në odat tona mbrëmjeve të dimrit sidomos më tërhiqnin ngjarjet e tregimet e ndryshme që ata i rrëfenin për t’u kaluar koha e për t’u zbavitur.

Më pëlqenin sidomos kallëzimet dhe anekdotat, me të cilat pleqtë në odë i ilustronin në formë më të bindshme dhe figurative një të vërtetë apo një dukuri, një qëndrim apo bindje, një parim apo mësim, si dhe tregimet e anekdotat që zbavitnin për humorin e tyre të mprehtë e na bënin të qeshnim të gjithëve të pranishmëve në odë.

Kështu, këto ilustrime figurative, edukative e zbavitëse, që i jepnin shije bisedave burrash ndër ne, dita-ditës më bëheshin më të këndshme e më të dashura de fillova të shfaq edhe një interesim më të madh për to, duke u munduar t’i mbaj në mend sa më shumë sosh e duke i përdorur edhe unë vetë në biseda me moshatarët e mi, kur u rrita, dhe duke i çmuar gjithnjë e më shumë për kuptimin, domethënien dhe simbolikën e tyre të thellë.

U bëra edhe unë vetë dikur një tregimtar i dalluar i tyre ndër oda dhe, me anë të tyre shpeshherë i mbroja bindjet e mia dhe i rrëzoja disa bindje të gabueshme të të pranishmëve. Njëkohësisht kontribuoja që biseda të bëheshin më interesante dhe më zbavitëse.

Me kohë kontaktova dhe me punonjës dhe studiues të folklorit tonë. Këto takime qenë shumë të frytshme. Me një anë ata shënonin nga unë tregime të tilla që nuk i kishin shënuar më parë ndër fshatra të ndryshme për t’i bërë të njohur ndër botimet e tyre shkencore. Dhe i kanë botuar. Në anën tjetër ata më flitnin më me kompetencë për vlerën e tyre letrare, gjuhësore, sociologjike dhe edukative dhe për rëndësinë që ato kanë në folkloristikën tonë.

I inkurajuar gjithnjë e më shumë për vlerën dhe rëndësinë e tyre, në vitet e fundit fillova t’i shënoj edhe unë vetë kur më kujtoheshin herë pas here dhe bërë kështu një fond të thjeshtë tregimesh, i pasuruar edhe me tregimet që kisha dëgjuar edhe ndër fshatrat e tjerë të trevave të ndryshme të Kosovës”, është shprehur autori Grabanica.

Këto tregime të zgjedhura, që ishin karakteristikë komunikimi tek shumë popuj ballkanas në të kaluarën, e në veçanti në disa treva shqiptare (ku akoma janë prezent, edhe pse të zbehura nga evoluimi kohorë), arrijnë që përmes mesazheve të japin aspekte nga jeta, në dukje të vogla, por me vlerë përgjithësuese, duke i vënë në lojë klasat sunduese, pushtuesit, tradhtarët, qeveritarët, personalitetet publike etj., por duke mos lënë pa atakuar as problemet e ndjeshme sociale, ekonomike, politike etj.

Shkathtësia e këtij komunikimi të drejtpërdrejt me dëgjuesin dhe roli si mburojë a si shtizë ndaj kundërshtarit, i kanë siguruar anekdotave, por edhe aforizmave, fjalëve të urta etj. një vend të rëndësishëm në thesarin e kulturës shqiptare, por edhe një jetë të gjallë e aktive, me një humor të hollë e satirë therëse, edhe sot e kësaj dite.

Libri i Nikolë Grabanicës, “Tregime odash në brendi ka të konceptuar 173 anekdota, 26 përrallëza, 93 kallëzime dhe pleqni, 13 përralla dhe legjenda dhe në fund 197 fjalë të urta, si dhe fjalori popullor i kësaj lënde folklorike. Tregimet që janë të përfshirë brenda kopertinave të këtij libri janë tregime të vjela nga populli i trevës së Lubut të Drinit, por edhe nga treva të tjera kryesisht të Dukagjinit.

Libri me tregime popullore “Tregime odash” i autorit Grabanica në mënyrë të denjë paraqet thesarin e pasurinë e madhe e krijimtarisë gojore të këtyre trevave. Ky tregimtar odash e fut lexuesin në botën interesante të personazheve të urtë, të mençur, të cilët e kultivojnë qëndrimin kritik kundër veseve, të ligave, realiteteve të çoroditura dhe të shëmtuara. Prandaj, këto tregime odash, refeltktojnë humorin e shëndoshë e të këndshëm, satirës thumbuese dhe fjalën qortuese, alegorinë dhe qëndrimin kritik, ligjërimin anekdotik dhe formën karakteristike të shprehjes së kursyer popullore.

Aty dalin në pah anët e shumta të realitetit familjar e shoqëror, nacional e jetësor, ekonomik dhe atij historik. Prandaj në këto tregime tregimtari popullor do të reflektojë, po ashtu, mendjemprehtësinë dhe kthjelltësinë e mendimit. Protagonistët e këtij libri, kryesisht janë njerëz të thjeshtë, bashkëbisedues që e përfaqësojnë jo vetëm zërin e tregimtarit; ata janë bashkëbisedues të angazhuar me probleme dhe vështirësi të shumta të realitetit jetësor, me ç’rast vënë në thumb të metat dhe defektet negative që paraqiten në shoqëri.

Qerthulli tematik i tregimeve popullore që zënë vend në këtë libër, ngërthen pothuaj tërë botën fizike dhe shpirtërore që rrethon njeriun, që nga shtëpia e deri te atdheu dhe bota, që nga mençuria e deri te naiviteti, që nga fisnikëria e deri te harbutëria, që nga vlerat e larta njerëzore, si trimëria, besa, miqësia etj., e deri te antivlera, si frikacakëria, pabesia, armiqësia dhe më tej lufta dhe paqja, liria dhe robëria, veset dhe virtytet, fjalët dhe veprat, dinjiteti dhe përulja etj., etj. Ato përmbajnë filozofi psikologji, përvojë, mjekësi, jurisprudencë, diplomaci, etnografi, gojtari, sociologji, politikë… një univers të përvojës së madhe njerëzore.

Gjithë këto tregime të ngërthyera në brendinë e këtij libri janë krijuar nga njerëz të mençur e më gjykim të shëndoshë për të menduar qartë e për t’u shprehur po ashtu aq qartë. Njerëz të tillë kanë pasur talentin e rrallë për të përgjithësuar ngjarje dhe fakte të panumërta, për të qëmtuar ato dukuri që janë karakteristikë e natyrës njerëzore.

Ky tregimtar, por edhe bashkëbiseduesit e tij me syrin e tyre të mprehtë i vëzhgojnë, i kritikojnë edhe i satirizojnë njerëzit që ngritën lehtë në karrierë, përkatësisht në hierarkinë shoqërore pa merita;është ajo kategori njerëzish , të cilët duke qëndruar në pozita të larta, i shikojnë të tjerët nga lartësia e asaj pozite, për t’i siguruar vetes mirëqenie, kurse tjetrin për ta shtypur, shfrytëzuar dhe mashtruar. Prandaj, pos vlerës kritike këto tregime të odave do të shquhen edhe për vlera edukative e moralizuese.

Mjeshtëria e të treguarit të urtisë popullore

Shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë shqipe, Prend Buzhala, në shkrimet dhe studimet e tij e ka vlerësuar lart vlerat e këtij libri. Ai duke folur për vlerat e këtij libri theksoi se rrëfimi i këtyre “tregimeve odash” është i larmishëm, por edhe i pasur e i motivuar. “Ai nuk rrëfehet vetëm “në odë’, kurse ngjarjen nuk e merr vetëm “nga oda”.

Përkundrazi, e merr nga manifestimet e shumta jetësore, nga çastet e gëzuara të jetës, sikundër janë dasmat, festat, lojërat, fejesat etj., po e merr edhe nga bisedat familjare e shoqërore. Këta bashkëbisedues janë, prandaj edhe bariu, edhe blegtori, baba dhe djali. Nëna dhe vajza, dhëndri dhe vjehrri, burri dhe gruaja, fqinjët dhe të afërmit, por edhe njerëzit e zejeve dhe mjeshtërive të ndryshme; ata ligjërojnë, rrëfejnë, vetërrëfehen dhe veprojnë. Së këndejmi parakalojnë një galeri e pasur karakteresh, protagonistësh e bashkëbiseduesish.

Parakalojnë fytyra të dalluara që nga urtia e mençuria, po edhe njerëz të njohur, apo bartës të ndonjë vesi apo të mete. Mjeshtëria e të treguarit, kurdoherë, do të shquajë plasticitetin e rrëfimit, fqinjët e shprehjes, si dhe filozofinë popullore të ekzistimit. Veçoritë individuale njerëzore, puna, kursimi, përtacia, interesi personal, koprracia, ryshfeti, karakteret e ulëta njerëzore e të luhatshme, vjedhja, gënjeshtra, xhelozia, mburrja, kryeneçësia, frika; por edhe zgjuarsia, sinqeriteti, drejtësia, këshillat; të gjitha së bashku do të përbëjnë tematikën e gjerë të këtij vëllimi. këto krijime e mbajnë vulën e ligjërimit të këtyre anëve, me konstruktet shprehjore e sintaktike, duke e paraqitur, kështu, pasurin ë e madhe shpirtërore të brezave shqiptarë këndej”, ka konstatuar profesor Buzhala.

Tregime me vlera të veçanta

Në brendinë e këtij libri janë të shumta tregime që shquhen me vlerat e tyre. Me këtë rast po veçojmë disa prej tyre, si Fjala e urtë të nderon, Qysh i falin gjaqet burrat e dheut, Po e mbroj vatanin, Kur njeri nuk vdes kurrë, Ishalla s’të kthej kurrë këtë nder, Zoti ju gezoftë ju, sikur më keni gëzue ju mue, Mjeshtria don men t’holla, Dom Marku e Mhill Grabanica, Nastradini te berberi, Për dikan i drejtë, për dikan jo, E fali gjaksin, Marka Sneri e ramadan Shabani, Le t’dihet se a kanë Binak Alija, Rodi përtërihet edhe mas katërdhjetë vjete, Burrat e mirë bajnë shyhret kudo, , S’ka vend pa shqiptarë, Budallaku me t’leme, Vdis me faqe të bardhë Jarania e shejtit Shën Mhill, Synin e njeriut s’e ngin kurrgjë vetëm dheu etj.

Kështu, krejt në përfundim lirisht mund të konstatojmë se libri me tregime “Tregime odash” të autorit Nikollë Grabanica, është një libër me vlera të veçanta dhe që pasuron fondin e librave të këtij zhanri në letërsinë shqipe.

Dërgoi për publikim, Lekë Mrijaj, gazetar