NGRITJE CILËSORE POETIKE

0
280
Zef Kakoca

Me rastin e kalimit në amshim të këngëtarit, poetit dhe intelektualit të shquar arbëresh, Zef Kakocës (Pina Cacozza) po e ribotoj këtë Parathënie për librin e tij “Album Fund shekulli”, të shkruar më 1994 në Kozencë.

Anton Nikë Berisha

Është gjë e natyrshme që vepra e re e një poeti të vlerësohet duke pasur parasysh ose duke e krahasuar me veprën ose me veprat e mëparshme të tij. Kjo përqasje bëhen para së gjithash për të parë sesa ai ka ngritur dhe e ka pasuruar botën e vet poetike: mënyrën e perceptimit e të shqiptimit të dukurive e të përsiatjeve, sistemin e të shprehurit, kontekstin poetologjik etj.

Në qoftë se veprën më të re të Zef Kakocës (Pino Cacozza) “Album Fund shekulli” e vëmë në rrafshin krahasues me veprën e parë të tij “Jemi një kulturë çë ngë mënd vdes” (1989), atëherë mund të them se ai ka bërë një hap cilësor përpara duke dëshmuar një botë të veçantë poetike.

Në “Jemi një kulturë…” bien në sy dy rrafshe kryesore të perceptimit e të shprehësisë artistike: kënga dhe poezia. Në rrafshin e parë struktura tekstore i nënshtrohet ligjësive të këndimit, pra tiparet e vargut që këndohet; mesazhi në to është i drejtpërdrejtë dhe pa fuqinë dhe ngjyrimin e mirëfilltë artistik, ndërsa në të dytin mbipeshon teksti dhe mesazhi artistik. Si e këtillë, kjo vepër e parë dha shenja të rëndësishme të botës poetike të këtij autori.

Me “Album Fund shekulli” Kakoca ridëshmoi prirjen dhe aftësinë krijuese poetike. Kjo vërehet në mënyrën e shtjellimit të objekteve artistike, në përftimin e strukturës së tekstit, të frymës e të ngjyrimit që i përshkon poezitë e këtij vëllimi. Derisa, fjala vjen, në “Jemi një kulturë…” mbipeshon këngëtimi, në “Album…” vërejmë poetin që para së gjithash gjakon shqiptimin artistik të dukurive të botës e të shqetësimeve të tij të brendshme.

Në vëllimin më të ri Kakoca pa pasuruar, edhe mënyrën e shqiptimit e të strukturimit të tekstit artistik, edhe sasinë e objekteve poetike; ka pasuruar mënyrën e shqiptimit të ndjesive dhe të reagimeve ndaj botës arbëreshe, por edhe ndaj jetës dhe fatit të njeriut në përgjithësi.

Poezia në këtë vëllim është poezi e shqetësimit (“Po s’kam paqe në shpirt”), e pakënaqësisë dhe e protestës (edhe pse, natyrisht ndonjëherë poeti trajton edhe ndonjë aspekt të jetës së bukur e të hareshme). Në qenësi kjo poezi është e drejtpërdrejtë, e rëndë dhe e ashpër. Shtypja e rëndë që bën jeta, shterpësia e saj, që autori i shenjëzon që në vëllimin e parë “Jemi një kulturë…” me vargjet “Kënga ime është e rëndë” dhe “Është poezi e dhezur dhe zemërore” në “Fund shekulli…” merr një përmasë edhe më të gjerë.

Kjo e ka bazën në vetë jetën dhe në fatin e njeriut, qoftë kur ndërlidhet me arbëreshin, qoftë me njeriun si qenie, me mendësinë dhe me veset që e cilësojnë. Pra, kjo poezi është shprehje e vetë jetës, përkatësisht e pakënaqësisë, e vuajtjeve dhe e tragjikes së individit në rrjedhën e gjallimit të përditshëm. Poeti e shqipton jetën e rëndë e të errët, të mbushura me të këqija e të papritura (se e errët ë’ jeta”); ajo ia ngushton frymëmarrjen, ia shprish mendimet, ia trazon shpirtin, prandaj “E nata s’të jep gjum, por milingona e dridhje” dhe “Ndër mes t’maleve jam i burgosur”. Thënë ndryshme, jeta është “e shkundur nga fati, me mjegulla e tëtime”, është vjeshtë së “mëdhezet mbrënda”.

Një jetë e këtillë ka nxitur e ka shkaktuar nevojën e gjallimit jashtë realitetit, prandaj poeti gjakon hapësira të tjera, një jetë e një hapësirë tjetër nga ajo e përditshmja.

Unë shëtis me hënën
dhe me ylzit ngalosh
në fushat e gjera të qiellit.
Me Ojionin shkoj dimrin e tërë (…)
Kështu konsumoj jetën.
(Jashtë realitetit)

Ose i kthehet ëndrrës, të përdorur aq shpesh nga shkrimtarët arbëreshë të traditës, gjë që, po ashtu, nënkupton kundërvënien jetës së tillë, përkatësisht edhe tragjiken e saj.

Ëndërrimi

është i nevojshëm.
Të ndihesh të mos plakohesh,
të fluturosh nga një mot e njëtër,
të bëhesh mbret i bukur,
personazh i mirëpritur,
të jesh si nuk je.

(Ëndërrimi)

Pra, poezia e Kakocës nuk është poezi e qetë dhe e hareshme, e butë dhe përkëdhelëse, por, si thamë, zemërore dhe e ashpër, është “rërë përvëluese”, ku ndër rryme ngjyrash të kuqe si gjak enden vargje (poeti thotë “fjalë”) që të goditin rëndë në shpirt, thuajse të rrënojnë. Ndonjëherë kjo formë e shqiptimit ka ndikuar në vetë shprehjen poetike, prandaj herë – herë vërehen edhe pohime që e zvogëlojnë mundësinë e komunikimit dhe të ndikimit të njëmendtë artistik.

Gjithë shqetësimi dhe pakënaqësia e poetit Kakoca bazën e kanë ose ndërlidhen me botën arbëreshe, meqenëse ka zënë e “shuhet zjarri arbëresh”. Këtë rrezik e këtë plagë, që e kanë ndier dhe e kanë theksuar thuajse të gjithë shkrimtarët arbëreshë, e ndjen dhe e bën objekt trajtimi poetik edhe Kakoca. Pikërisht gjendja e rëndë e fatit arbëresh – “degë e çarë” – e shqetëson thellë dhe e plagos shpirtin e poetit, por nuk e gjunjëzon, nuk e bën të dorëzohet.

Përkundrazi, ai është i vetëdijshëm për domosdonë e qëndresës, për të qenë e për të mbetur i vetvetes, për t’i ruajtur “rrënjët e lisit” e jo ashtu di e duan të tjerët “më duan qen besnik, pa sy e pa gjuhë”. Për këtë arsye ai ka besim se “zjarri arbëresh” do të vazhdojë të jetë i ndezur; vetë ai do të dëshmojë këtë duke qëndruar ai që është: arbëresh dhe në truallin e vet: “Unë dua të rri këtu / E mos me bëni faj. / Eni e më kërkoni / pa bën vaj.”

Format e shtjellimit të strukturës së tekstit poetik në këtë poezi janë të shumta e të ndryshme (brenda këtyre edhe soneti). Kakoca përdor vargun metrik e me rimë, por edhe vargun e lirë. Në disa poezi komunikimi artistik synohet të mbërrihet nëpërmjet elementeve stilistikë e të bashkëtingëllimit dhe të veçantive të vargut që këndohet.

Libri më i ri “Album Fund shekulli” i Zef Kakocës dëshmon për vlera të rëndësishme dhe kam plot arsye të besoj se me punën e mëtejshme krijuese ai do ta pasurojë e do ta ngritë edhe më tej rrafshin e poezisë së tij.

Kozencë, qershor 1994