NGREHINA E PASHKATËRRUESHME E LIRIBËRJES

0
1094
Sheremet Prokshi

Sheremet Prokshi

Pikërisht sot e një vit më parë, kam bërë promovimin e veprës përkushtuese “FORTESA E FUNDPRILLIT ‘99”. Në shenj përkujtimi për 85 të rënët e fshatit Fortesë nga Drenasi, do të lexoni vështrimin e shkrimtarit e kritikut të njohur letrar Prend Buzhala.

Prend BUZHALA NGREHINA E PASHKATËRRUESHME E LIRIBËRJES
(Në vend të recensionit)

Sheremet Prokshi, me vëllimin poetik “FORTESA E FUNDPRILLIT ‘99”, në të cilin ka përfshirë edhe tekste publicistike e përkujtimore, na dëshmon se mënyra më e mirë për t’i kujtuar bëmat dhe ngjarjet e luftës, është fjala artistike. Në fakt, qe një dekadë e gjysmë, ne e dëgjojmë, e përjetojmë dhe e këndojmë këngën për UÇK-në e për të rënët e saj. Ende te populli ynë mbizotëron një etos i veçantë kombëtar, ai i heroizmit, trimërisë dhe guximit. Pothuajse trimëria proverbiale e shqiptarit është ngritur në kult, mit, legjendë. Gjithnjë në këtë frymë këndon edhe Sheremet Prokshi.

1. Identifikimi poetik me të rënët Tashmë në letërsinë tonë, tematika e luftës po fiton gjithnjë e më tepër vendin e saj të nderit. Ka kaluar më shumë se një dekadë e gjysmë nga lufta e fundit çlirimtare, kurse brezat e lindur pas luftës, këta -16 vjeçarë, dhe brezat e lindur në luftë, që ishin foshnje, këta 18-20-vjeçarë, rrëfimet për luftën dhe ndodhitë e saj ose i dëgjojnë prej prindërve të tyre, ose i lexojnë nëpër shkrime të ndryshme, nëpër libra dokumentarë, publicistikë e letrarë. Ngjashëm, dikur janë përcjellë gojë më gojë, ashtu janë përcjellë brez pas brezi bëmat heroike të luftëtarëve në sheshin e betejës. Dhe, ashtu si këngët, përrallat, legjendat, gjëegjëzat që janë përcjellë gojë më gojë, ashtu janë përcjellë brez pas brezi edhe bëmat heroike të luftëtarëve në sheshin e betejës.

Duke kënduar dhe duke i evokuar poetikisht familjen Jashari, tetëdhjetë e pesë martirë e dëshmorë, duke evokuar dhe kënduar për të rënët pa dallim, si Ilaz Kodra, Antigona Fazliu, Haki Prokshi, Ajet Rukiqi, Sejdi Krelani, Mehmet e Muhamet Tafalecit dhe babait Brahim Tafaleci, apo si Shpëtim Prokshi me babain Rizahin dhe me xhaxhain Ismet Prokshin dëshmorë, për Rizah Tikun, Naim e Besim Tikun, Mustafë, Brahim, Muhamet e Ibush Shalën dhe Ramadan Shalën, apo për nxënësin Armend Gashi, që ra së bashku me gjyshin e me babai, për të rinjtë Ylber O. Kastratin, Arsim Z. Kastratin, Afrim A. Kastrati, apo për Shemsi, Azem, Osman, Beqir e Ibrahim Kastrati, që nga mosha 84 vjeçare e deri në moshën 47 vjeçare, të rënë për një ditë dhe në tjetrën lagje të fshatit Fortesë (Vërboc), për Demir Prokshin, Rrahim e Nexhmedin Prokshin, Betim Prokshin 13 vjeçar, Tahir e Bekim Prokshin, Luan e Rexhep Kastratin, për vëllezërit Ahmet e Milaim Istogu, mandej për Rexhep dhe Ramadan Rrukiqin, Rafet e Valon Rrukiqin, Sefer e Rexhep Tafaleci, baba e bir, Behlul Prokshi, dhe 13 martirë të tjerë të rënë në lagjen Dobra, mandej Ymer Zhushi, Gani Krelani, Adem Krelani etj, aty vjen dhe një poemë për 7 fëmijë, 4 dëshmorë dhe 13 martirë të lagjes Gllareva të rënë me 30.04.1999 në fshatin Vërboc të Drenasit.

Krahas këndimit të tragjedive, që pllakosën Atdheun, kënga shqiptare ishte ndihmesë në beteja, që i jepte kulm mirënjohjes e besimit të madh ndaj luftëtarëve të lirisë, porse tashmë ky heroizëm nuk është vetëm individual, po masiv, gjithëpopullor. Të duket sikur poeti e shkruan vëllimin e tij, si një kronikë poetike mbi luftën, duke u identifikuar me të gjithë këta të rënë: Afër meje rrinë, Flasim bashkë Kam gishtat fidak, fëmijë jam këtë çast, Jam Betim, Shpëtim, Afrim e Arsim Ylber e kam emrin,jam Armend, Rafet Sylejman, Burim, Arton, e Lulzim. (…) Dëfrim jam o miq Djalë trembëdhjetë vjeçar. (…) Jam gjysh edhe gjyshe Jam nënë e Izetit Që s’lëshoj shtëpinë Pa ju shembë mbi kokë, Njëherë tha, m’kanë thënë Malësore e fshatit Nuk iku nga pragu kurrë pasha këtë tokë! Diku tjetër, shkas i kësaj kujtese për të rënët, është një përvjetor rëniesh, një lapidar, një rrëfim a një varr, siç është poezia për lapidarin e ngritur për dëshmorin Ajet Rukiqin.Pothuajse, të shumtë janë dëshmorët, të cilëve u është ngritur, së paku, një këngë a një lapidar.

2. Ritmet e të madhërishmes dhe jehona e tragjikes së ngjarjeve Përmes vargjeve, të cilat shpesh marrin trajtë narrative, poeti arrin ta ngërthejë brenda një sinteze lirike, përvojën historike dhe përvojën krijuese në vetë aktin artistik. Brenda një poezie poeti vë në gërshet esencën e heroikes e të luftës çlirimtare me gjëmimin e armëve, kur në çdo hap je i rrethuar prej vdekjes; kur hapësirat e ekzistimit janë ngushtuar e ngushtuar rrënqethshëm. Poeti i ndien ritmet e baladës së kënduar posaçërisht kur ka të bëjë me fëmijët e rënë, ish–nxënës të tij. Këto ritme lartësojnë të madhërishmen dhe i japin jehonë tragjikes së kësaj kategorie të së madhërishmes, duke ia artikuluar fuqishëm gjëmimet e oshëtimat e shpirtit. Mos më lëni vetëm- Thoshte Armendi, Vello mbi kokë mos më hidhni.

Janë vargje nga poezia “MOS MË LËNI VETËM” që i kushtohet Armend Gashit, ish nxënësit të poetit-mësues, që ka rënë së bashku me gjyshin e babën e tij më 30 prill ’99 në moshën 15-vjeçare. Të prekshme janë edhe ato të poezisë “A KËPUTEN LULET ENDE PA U RRITUR”, një poemë për shtatë fëmijë katër dëshmorë dhe 13 të tjerë të martirizuar, të gjithë të lagjes Gllareva. Ai evokon me radhë emrat e të rënëve, nëpërmes një trajte këlthitëse bashkëbisedimi dramatik, duke mallkuar vrasësit: Kush ju mori, kush Me dorën mizore Filizave të ri Kush ua ndali rritën, Si nuk t’u shemb toka Ty o sllav karpatesh Rrezeve të diellit Kush ia fiku dritën?…

A këputen lulet Ende pa u rritur Në fushë duke lozur A vriten fëmija? Kur erdhe këtu Ti djall i përhitur A ke lënë familje Atje te shtëpia?… Së këndejmi, në sfondin e tyre të përgjithshëm poetik bashkjetojnë ende jehonat e gjëmimet e shpirtit dhe shenjat e rezistencës anteike. Holokausti, eksodet biblike, martirizimet. Zemërimet e poetit për ta gjykuar barbarinë, janë të pafund. Ndërsa poezia na vjen si dëshmi e gjurmë shpirti, e përbiruar nëpër vuajtje e vdekje, nëpër rrënime e tmerre, nëpër gjakimet poetike të shpirtit e nëpër shkretëtirat e mundimeve kolektive. E, mbi të gjitha, poezia dëshiron ta shquajë edhe një dëshmi tjetër: dëshminë e mbijetesës, dëshminë e kikave (majave ndërlidhëse) të etnisë: E ti zonja Shqipëri Rri aq larg e bijt të vriten, A do marrësh n’doj’herë fuqi Çdo armiku t’ia zësh priten?!…

Kur do mbjellësh farë trimërie Kur do e hapësh më shumë syrin, Fol moj fol se e gjallë je Pse nuk e zgjeron kufirin?… E ke krahë gjithë Kosovën Luginën me Iliridë, Ulqinin, Malsinë e Madhe E në jug gjithë Çamërinë. (…) Kemi rrënjë e një trung kemi Jemi një, një gjaku jemi. E si do t`ishte ndryshe, pra, kur kjo kohë lufte ishte e vetmja frymëmarrje dhe e vetmja gjuhë, e vetmja histori dhe e vetmja gjeografi; do të thotë- e vetmja kulturë e jetës? Të duket sikur i gjithë prodhimi krijues i kësaj periudhe më shumë do të mbështetet në bëmat njerëzore për liri.

3. Trajtat e ligjërimit poetik Nuk është e çuditshme prandaj, pse figurat e dëshmorëve të luftës së fundit çlirimtare vihen në plan të parë, më shumë se sa vetë ngjarjet e asaj kohe. Poeti gjithnjë ligjëron në shumës, si dëshmitar kohe: E duke rënë, i kemi parë Shqipet tona, Fundprillit nëntëdhjetë e nëntë Ndanë arës poshtë E shpatit lart matanë I kemi parë, Ilaz Kodra,Antigona, Hakiu syngulitur diellit të lirisë Gur u bëra aty pranë Kur po shihja plagë Atje lart Te Dheu i Kuq Kishin rënë Tre trima çlirimtarë. Pra, figurat e të rënëve, tashmë u shtrinë e u shkrinë në përmasat e gjithë Atdheut me artin fisnik në portretizimin e heronjve e të luftëtarëve, po edhe në portretizimin e të afërmve të dashur.

Kudo në hapësirat shqiptare lufta përjetohet me dhimbjen e pafund për të rënët, por edhe me krenarinë e madhe të qëndresës shqiptare e mbinjerëzore të popullit. Në krijimet e tilla nuk ka “seleksionim figurash” apo “taborre dëshmorësh”, të martirizuarish a fëmijësh të ndarë nga njëri-tjetri. Kurrsesi. Ata, të gjithë së bashku, në këtë testament lënë një gjurmë nderi a një vazhdë të ndritur shpirti.

Shpesh poeti, duke marrë rolin e folësit lirik, ligjëron nga disa pozicione kohësh, e funksionalizon estetikisht kujtesën: Prej memories nxjerri kujtesën N’rreth të hekurt ai vend si zihej Dhe shoh flakë, tym, pështjellim Ku bijnë trimat e fshati digjej. Dëgjoj zërin E thirrjes tënde… Herën tjetër ai identifikohet plotësisht me lëndën e vjershërimit: Jam zë i fjalëve në përvjetorë Jam çlirimtar prej kaq vitesh. Mbylli pak sytë Dëgjoje ritmin Jam rrënjë, jam syth, farë përjetësie Dëshmor jam me shumë të tjerë. Herën tjetër, rolin e folësit lirik e trajta e kuvendimit lirik e dëshmorit me të motrën: Ti buzëqeshur Më përqafove, A të kujtohet moj motër?!…

Poeti gjendet në rolin e ndërlidhësit të kohëve, të vënies së urave të komunikimit mes luftës dhe lirisë, Tash gëzohu të lirë jemi Në Kosovën e çliruar. Do të bëjmë një dasmë të madhe Në oborrin e bleruar, Ti e di sa e mbaj fjalën Edhe pse pak, jam vonuar ! Diku tjetër, ky folës lirik, duke marrë rolin e dëshmitarit, rrëfen me tone balade: Atë ditë po ecnim para tytave E ajri frymen ua zënte Filizave të ri, Pyesja veten: Janë krijesa apo çfarë janë Ata horra të zi ?!…. Rridhte gjaku kokës Dhëmbja mpinte dorën Deri në asht të prerë, Përbrenda kallte etja tërbuese Fundprill i kobshëm Në atë pranverë.

4. Sfida estetike, ruajtja e esencës poetike Sheremet Prokshi e ka përballuar sfidën estetike kur këndon për luftën, duke qëndruar në kërkesat e në esencat e poezisë. Kundruall kohës e shkatërrimeve të mëdha, poeti e spikat më të mirën, vetëflijimin njerëzor për tokë, atdhe, liri e vlera njerëzore liridashëse. Aty e lexojmë identifikimin e plotë të Poetit me Të Munduarit e me të rënët. Poeti dëshiron t’ia falë artin e tij bartësve të luftës, të rënëve të saj, që i dhanë kuptim të thellë e që u bënë ngrehinë e pashkatërrueshme të liribërjes, apo fortesë që u ngrit në një fundprill, si e emërton poeti vëllimin e tij. Kërkimi i lirisë përtej të pamundshmes… mund të arrihen vetëm në artin e magjishëm të lirikës; ashtu sikundër e bëjnë këtë kërkim liribërësit me anë të vetëflijimit.

Prend BUZHALA, shkrimtar e kritik letrar Nëntor 2015