NGATËRRESAT E STISURA DHE ARTIFICIALE ME SFOND POLITIKËN DESTRUKTIVE TË SALIUT…

0
95
Goran Bregoviç
Arben Çokaj
Arben Çokaj

Arben Çokaj

Saliu, dashje pa dashje, e ka marrë dënimin e tij nga populli shqiptar dhe aleati ynë më i fortë, SHBA. Shumëkush kërkon një dënim më të rëndë për të. Edhe kjo që ka ndodhur javët e fundit kundër këngëtarit kroato-boshnjak, Bregoviç, është tipar i asaj, që Saliu ka bërë në këto 30 vjet: pengimin e demokracisë dhe krijimin e konflikteve të stisura nga hiçi, si e si për të krijuar shkatërrime e destruktivitet. Si e si të mos e lërë të qetë këtë vend. Si një i sëmurë mendor, ai harxhon energji të tepërta, për gjëra koti, duke bjerrur veten dhe mbështetësit e tij, se rezultati në fund është zero. U mbars mali, e podhi një mi!

E veçanta kësaj radhe është, se kësaj fushate denigruese të Saliut, iu bashkua edhe Albin Kurti. Në fillim u duk se këtë fushatë e orkestroi Albini me mbështetësit e tij revanshistë, fyes e talebanë, por si në rastet e tjera, “festën” e vjedhë në fund Saliu, i cili nuk mundet të rrijë mënjanë, pa dalë në dritë si 7-ta spathi. Futja e konflikteve mes shqiptarëve është specialitet i tij, përçaj e sundo, këtë radhë u shtri më gjerë, krijim konfliktesh për gjëra koti mes shqiptarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Pafytyrësia e Saliut dhe injoranca e tij, mund të shihet edhe në ngjashmërinë, që Bregoviç ka me të shoqen e tij Lirinë. Edhe Liri Berisha (Sllobodanka) e ka të ëmën serbe, si Bregoviç, ajo babain shqiptar, e Bregoviç katolik kroat. Racat ndërthuren në Ballkan. Kështu që nëse ne duam të krijojmë probleme, si deri tani, kemi arsye plot t’i bëjmë ato, por a ia vlen dhe sa ia vlen kjo gjë? Ndërthurja e racave ishte më e theksuar në Bosnje, atje u bënë edhe krimet më të mëdha nga ushtria e Millosheviq.

Këngëtari kroato-boshnjak Bregoviç po vjen në Korçë në festën e birrës, i ftuar nga pronari i birrës Korça. Protestuesit duan ta implikojnë Ramën në këtë histori – nëse Rama nuk ka dorë, le ta bllokojë pra, të mos e lërë Bregoviçin të vijë! Kjo është logjika e tyre e imponimit bajat. Se kështu duan kosovarët e Albinit, i cili së fundi ua hoqi edhe pensionet ushtarëve të UÇK-së nga Shqipëria, ndërsa flet për lidhje më të forta me njëri-tjetrin. Jepi Albin jepi, se pushteti i ndryshon njerëzit, nuk je ti i pari. Albini nuk mund t’i bëjë të dyja, nuk ka para për të gjithë, edhe për paramilitarët serbë në veri, të cilëve ua paguan rrymën, etj. edhe shqiptarëve që luftuan për UÇK-në.

Saliu e quan si “Bregoviçi i Edvinit”, harroi se ky në kohën e tij ftonte nipin e shefit të shërbimit sekret serb në mbledhje qeverie dhe e fuste edhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, kaq jaran të madh e kishte – me bizneset e tij në Shqipëri merrej studio ligjore e të bijës, Argitës. Quhej Damir Fazlliç. Sa shpejt harron edhe ky Saliu, nga mosha, apo e ka harresë të qëllimtë, interesash? E me siguri, në fund zgërdhihet, se i duket vetja gjeni.

Nga ana tjetër paraqitet ai me këta që sulmojnë Bregoviçin si lapera. Tjetri është ftuar të performojë në festën e birrës, dhe këta i vërsulen si spurdhjakë, pa nder e dinjitet, pa mikpritjen e shqiptarit. Dakord nëse Bregoviç do të ishte një kriminel, por kriminelët si Arkan, Saliu i do, i ka për zemër, sepse e vrau një shqiptar nga Maqedonia (Ramiz Hoxhën) vetëm se thuhet që e dekonspiroi një takim të tij me Millon e Arkanin…

Sikur Saliu të mos bënte një politikë destruktive, historia e Shqipërisë në këto 30 vjet do të ishte pak më ndryshe. Mund të ishim vend i BE-së si Kroacia. Por Saliu edhe kur Rama aplikoi për fillimin e negociatave me BE-në, u bë me ata që ishin kundër e zgërdhihej nga frëngjia e tij, duke thënë se Shqipëria nuk është gati për të hapur negociatat.

Janë disa gjëra që vihen re në jetën e veprimtarinë e një politikani, e Saliu nuk mund ta blejë historinë e tij. Ai ka lënë gjurmë. DASH e shpalli non-grata edhe pse ai kujton se ia hedhë duke e konsideruar vendimin e DASH si të bazuar mbi trillime e shpifje. Të njohin mirë Sali, të njohin mirë. Tani po përpiqesh ta bësh edhe Albinin si veten. E nëse Albini nuk ka mend më shumë, Kimetja ia tregoi fundin e tij… Do të përfundojë si ti!

Gjatë kësaj kohe, turbopatriotët e Saliut – ndër ta edhe – mendimi opozitar – që gjithmonë implikohet me valën e goditjeve të çoroditura të Saliut, e dështon bashkë me të, u përpoqën të na akuzonin, shanin e denigronin, të gjithëve ne, që nuk ishim dakord me ta, që kishim arsye dhe nuk shkojmë pas turmës si dele, si ata. U përpoqën të flisnin në emër të patriotizmit – edhe pse e dinë se patriotizmi është strofulla e fundit e horrave – na thanë se nuk paskeni ndjeshmëri e empati për humbjet në Kosovë nga lufta e fundit e serbëve atje, dhe se Bregoviçi ishte çetnik, e jo këngëtar. Implikuan edhe gazetarë të huaj në këtë sipërmarrje.

Pra, i bënë gjërat bashkë, për të justifikuar sulmin e tyre, imponimin që vinte nga Kosova ndaj Shqipërisë, shqiptarëve dhe kryeministrit Rama, e secilit prej nesh. E ngatërojnë nga injoranca por edhe me qëllim iniciativën për “Ballkanin e hapur” me Dialogun Kosovë – Serbi. “Të kërkojë falje Serbia” – thonë shkretanët. E ku është fitimi nga kjo? A i ngjallë kjo të vdekurit? Pse bëheni emocionalë, e tregoheni budallenj?

Serbisë i shtrohen kërkesat nga pala kosovare në dialogun Kosovë – Serbi. Tani kemi edhe një kryeministër patriot e trim, që ka mundësi ta tregojë veten dhe ta bëjë këtë. Kurse te Ballkani i hapur, mos e vidhni shfaqjen. Bëhet fjalë për 6 vendet e Ballkanit aty, janë tema tjera për diskutim, e jo vetëm për Kosovën. Kështu që ndani punët, mos i bëni lëmsh!

Krimet serbe dihen në Kosovë, në këto 20 vjet, Kosova ka bërë shumë pak për t’i denoncuar ato, e për të dënuar përgjegjësit e atyre krimeve. A duhet tani ne ta lëmë të kaluarën tonë, të na pengojë edhe për të ardhmen? Me gjithë respektin për humbjet e shkaktuara, ne duhet të mos i harrojmë ato, por edhe të mos i lëmë të na pengojnë të mendojmë se çfarë është më mirë për ne, për të ardhmen tonë! Për zhvillimin ekonomik dhe paqen në Ballkan. Jemi gjithmonë të vonuar. Nuk duhet të vonohemi më!

Prandaj, të mos e humbim kohën kot me ngatërresa të përjetshme, me gjëra palidhje e pakuptim, me nacionalizma emotivë e primitivë, t’i ruajmë interersat tona më të mira, por me arsye dhe të ecim përpara.