Nga sot jemi në borxh me Tokën

0
457

Dita, 1 gusht 2018

Që nga vitet ’70 konsumojmë më shumë se ajo që natyra është në gjendje të prodhojë. Dhe këtë vit ka ndodhur e njëjta gjë.

E mërkura e 1 Gushtit është dita e rezervave të Tokës, dita kur bota do të hyjë në borxhin ekologjik, dhe sipas të dhënave të bëra publike nga Rrjeti Global për Ndikimin ekologjik, rezulton se Shqipëria është në borxh me Tokën.

Dita e borxhit ekologjik është ajo ditë kur kërkesat e njerëzimit ndaj natyrës tejkalojnë mundësinë e ekosistemeve të tokës që të rinovohen brenda një viti.

Organizata ndërkombëtare e kërkimeve “Global Footprint Network” ka llogaritur datën, kur ne kemi konsumuar të gjithë sasinë e frutave, perimeve, mishit, peshkut, ujit dhe drurit që Toka na vë në dispozicion për 365 ditët e vitit.

Por jo të gjithë popujt kanë të njëjtat zakone, pasi nëse e gjithë popullsia globale do të jetonte si Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të duheshin pesë planete Tokë për të përmbushur nevojat. 4.1 nëse të gjithë do kishim stilin e jetesës së australianëve, 3.5 nëse do ishim si koreanojugorët, 3.3 për rusët, 3 si gjermanët e kështu me radhë.

86 për qind e banorëve në botë jetojnë në një vend që ka një borxh ekologjik me planetin Tokë. Në frontin e kundërt ka shtete si India, dhe nëse do të jetonim si indianët atëherë burimet natyrore do të ishin më se të mjaftueshme.

l.h/ dita