Fatmire Duraku
Cep më cep nga rrjedh gjaku
Do të fluturojë shqiponja
Andej nga shëtisin zanat
Andej nga lidhen Serish në valle
Në një etje
Në një sfond
Cep më cep nga rrjedh gjaku
T’i ndiesh gjymtyrët gjallë
Të rritesh në shiun e vjetër alb
Me lulen e kuqe në sy
II
Pa gjakun të kremtosh pa besimin
Të kremtosh përgjysmë
Pa njërin sy pa njërën dorë
Pa zotin e tokës pa zotin e ujit
Krejt në natë nga ulërin ujku
Kurmit zoti im nuk i dhembte veç prerja
As qenësia i dihej, as kuptimi i zjarrit
Të kremtosh, ndaras,
I mbyllur në natë të acartë
Çdo ditë me plagë të re
III
Lojë e verbër qe natë
E vrasjes së ngadalshme qe
Tik-tak tik-tak tik e tak
Vrasje në tru
Vrasje në hu
E pikonte gjak
E binte shi kaq vjet,
Me natën e mërisë
Mes thoit e mishit
E plaga gjithherë e hapur
Në ty dhe në mua
Kështu copëtuan
Ndërruan rrënuan
Çdo gjë
Mbeti megjithatë zemra
T’i rikthehemi vetes
Dhe zjarrit të fshehur,
Të shohim prapë veten të ecim
Vertikalisht, të zgjohemi
Botërisht, në flakën e vjetër
Cep më cep
Nga rrjedh gjaku