NGA LETËRKËMBIMI IM ME HANS-JOACHIM LANKSCH-in

0
265
Hans - Joachim Lanksch

Isak Ahmeti Isak A H M E T I

Si hyrje

Me albanologun e njohur gjerman, Hans-Joachim Lanksch, kam mbajtur një letërkëmbim, mjaft të shpeshtë e të frytshëm, që nga vitet e 90-ta e këtej. Ky letërkëmbim, sipas vlerësimit tim, është mjaft interesant jo veç për opinionin tonë letrar-kulturor por edhe për shumë krijues qoftë nga Kosova qoftë nga Shqipëria. Madje intersant për shumë arsye.

Së pari, ky letërkëmbim dëshmon për bashkëpunimin tim mjaft intensiv me një albanolog gjerman, që ka kontribuar shumë në fushën e albanologjisë, me përkthimet e tij.

Së dyti, në letrat që kemi këmbyer, ndonëse në kohën e okupimit serb, kur vështirë qarkullonin letrat (shpesh kemi qenë të detyruar ato t’i dërgojmë dhe t’i pranojmë nga Gjermania dhe Austria dhe nga andej n’dorë për Kosovë dhe anasjelltas për Gjermani), bëhet fjalë për letërsinë shqipe, për emra konkretë të kësaj letërsie me një pikëvështrim të veçantë, larg klisheve ideologjikë të soc-realizmit.

Në këtë letërkëmbim janë përmendur emrat e krijuesve të njohur në letrat shqipe, siç janë:
– Martin Camaj,
– Azem Shkreli,
– Jusuf Gërvalla e deri të Faruk Tasholli, Beqë Cufaj, Riat Ajazi etj.

Poashtu përmenden edhe emrat si: Lasgush Poradeci, Ali Podrimja, Fatos Arapi, Visar Zhiti, etj. etj. Lanksch është marrë edhe me penat shqiptare në Zvicër si: Agim Mala, Ymer Shkreli, Ndue Sinishta etj., të cilët edhe i ka përkthyer dhe botuar në gjuhën gjermane…

2. KUSH ËSHTË HANS-JOACHIM LANKSCH?

(1943-2019)

Hans-Joachim Lanksch është përkthyes i njohur i letërsisë shqipe në gjermanisht, ndonjëherë edhe i lirikës bashkëkohese gjermane në shqip.

Ka studiuar në fushat e filologjisë ballkanike, sllavistikë, kulturë popullore dhe albanologji. Studimi i thelluar i gjuhës shqipe, i kulturës dhe letërsisë shqiptare u përftua natyrshëm falë njohjes dhe miqësisë së tij me Prof. Martin Camaj, i cili atëbotë drejtonte degën e albanologjisë në Universitetin elitar “Ludwig Maximilian” në Munih.

Falë kësaj njohjeje dhe miqësie me Camaj, Lanksch më nuk u shkëput nga letërsia dhe lirika shqipe, duke botuar e përcjellë lëndën e saj në hapësirën gjermanofone. Pena e tij është lauruar me shumë çmime si psh. “Nikolaus Lenau” i Shoqatës së Artistëve në Esslingen (1999), “Penda e Argjendtë” (Tiranë, 2002), “Azem Shkreli” (2018), etj.

3. LANKSCH SULMOHET ASHPËR NË SHTYPIN SHQIPTAR – PSE?

Nga letërkëmbimi, që kam pasur me Lankschin, gjatë viteve të 90-ta, del se në shtypin shqiptar, te “Rilindja”, te “Rilindja Demokratike” te “Tribuna Demokratike”, e gjetiu, Hans-Joachim Lankach ishte sulmuar ashpër dhe ishte shpallë si emër i trilluar me pseudonimin “Hans-Joachim Lanksch”. Ishte sulmuar brutalisht dhe pa të drejtë, sepse e kishte thënë publikisht një të vërtetë për “atllarët e letërsisë së Realizmit Socialist në Shqipëri”, duke i krahasuar ata, dhe jo krejtësisht pa të drejtë, si “kalenxhinjt të regjimit nazist…”.

Shtypi shqiptar i Tiranës kishte shkuar aq larg sa kishte botuar edhe një shkrim skandaloz me titull: “KUSH FSHIHET PAS PSEUDONIMIT “HANS-JOACHIM LANKSCH?” – NEKROLOG!… Pavarësisht gjithë kësaj fushate anti-Lanksch, më vonë u kuptua se Hans-Joachim Lanksch është emri i vërtetë i një albanologu gjerman të çmuar, që ka kontribuar shumë në fushën e albanologjisë.

4. JEHONA E POEZISË SHQIPE NË PERËNDIM

(Sipas letrës të dt. 25 qershor 1996)

Në letrën e tij të dt. 25 qershor 1996, miku im dhe bashkëpuntori gjerman, Hans-Joachim-Lanksch, më shkruante, veç tjerash, edhe për jehonën e poezisë shqipe (në Perëndim), për botimet e kësaj poezie nëpër revistat letrare, më shkruante për botimet e poetit shkodran Primo Shllaku te revista: Literatur und Kritik, për botimin e vjershave të Azem Shkrelit dhe të Luljeta Lleshanakut, të Xhevahir Spahiut, të Lindita Arapit etj. te revista Info 3. etj.

Gjithashtu po në këtë letër më shkruante dhe më njoftonte për përkthimin e tij të parë të Anton Pashkut në gjermanisht. Po këtu më njoftonte se në Bernë të Zvicrës në Ditën e Shkrimtarëve të Burgosur do të lexojnë vjersha e tyre poetët si:

1. Shaip Beqiri,
2. Valdet Berisha,
3. Mustafë Xhemaili, etj.

Po në këtë vit (1996), më njofton se do botohet një antologji e “vogël” e poezisë shqipe.
Krejt në fund të kësaj letre të gjatë, miku im dhe bashkëpuntori i ngushtë për shumë vite, Hans-Joachim Lanksch me njofon se është duke u marrë me penat shqiptare në Zvicër si:

1. Agim Mala,
2. Ymer Shkreli dhe
3. Ndue Sinishta, të cilët planifikonte t’i botonte në Ch.

5. KONSIDERATAT E LANKSCHIT PËR PUNËN TIME PËRKTHYESE

Lanksch e ka çmuar tej mase punën time përkthyese dhe shi për këtë arsye, ai më kishte bërë një kërkesë dhe lutje, në njërën nga letrat e tij, për ndihmë, sugjerime, etj. Në letrën e tij të dt. 23.03.1995, duke më falënderuar për letrën time të dt. 23 mars 1995, veç tjerash, ai më shkruan edhe këtë, citoj: “Më parë kam dijtë për ju shumë pak dhe vetëm nga tri burime: nga botimi “Shkrimtarët e Kosovës 43′-83′, nga përkthimi gjermanisht i përkthimit të abtologjisë “Regen in einer Legende”. Nganjëherë kam gjetë ndonjë përkthim tuajin në periodikun kosovar, të cilin nuk e lexoj rregullisht“.

Qumështin e zi të agimit e kam pasë në dorë disa orë, Ali Podrimja ma kish dërguar për më e përcjellë zonjës Hilde Domin”.

Drejt me thanë: tue qenë i mësuar me punët që në nënqillin kosovar jo rrallëherë bahen shkel e shko, apo veç sa me dalë në nam isha mjaft i befasuem për cilësinë e këtij libri, jashtëzakonisht të meritueshëm.

Në letrën e tij të dt. 02 maj1995, Lanksch më shkruante: E mora antologjinë tuaj: “Qumështi i zi i agimit”. Lirikë e re gjermane (1988). Ju falemnderit përzemërsisht. Keni bërë një punë shumë të meritueshme. Di të çmoj aso pune dhe mundin e bërë”. Ndërkaq te intervista e tij me titull: LETËRSIA DHE KULTURA SHQIPTARE NUK JANË EKZOTIKE, te BUJKU, 3 maj 1997, fq.11, Lanksch përmend edhe antologjinë time: QUMËSHTI I ZI I AGIMIT, dhe në lidhje me këtë botim thotë, citoj: “Është kjo e vetmja antologji e poezisë moderne gjermanofone, që ekziston në Kosovë që ka merita shumë të mëdha“.

Kështu, prandaj Lanksch, duke e njohur për së afërmi punën time përkthyese-letrare nga gjuha gjermane, jo vetëm që ka shprehur, edhe publikisht, jo vetëm konsiderata të veçanta, por shi për këtë nuk ka “ngurruar” të më lutet dhe të më kërkojë për t’i dalë në ndihmë në punën e tij përkthyese letrare me, siç thotë ai: me propozime, me sugjerime dhe vërejtje (Letra e tij e dt. 25 qershor 1995).

6. REBELIMI I LANKSCHIT KUNDER SJELLJES SË ABDULLAH ZENELIT

Në letrën e tij të dt. 24 janar 1997, Lanksch, duke më njohtuar se po përkthente poezinë e poetes Rose Ausländer, m’u kishte lutur edhe njëherë për bashkëpunim dhe kishte kërkuar nga unë për të qenë redaktor i botimit shqip. Pas kësaj lutjeje dhe kërkese të Lankschit unë kisha kontaktuar me Abdullah Zenelin në Prishtinë por ky e kishte shpërfiillë kërkesën e Lankschit dhe gatishmërinë time për ta redaktuar librin – përkthim të Lankschit.

Kur mori vesh për këtë sjellje, gjithsesi jo korrekte dhe të papërgjeshme të Abdullah Zenelit, Lanksh ishte rebeluar dhe ishte shprehur shumë negativisht për personalitetin e A.Z. si botues dhe si njeri!…

Në lidhje më këtë sjellje jo korrekte të A.Z. me Lankschin kishim diskutuar gjatë dhe kishim përmendur atmosferën krijuese dhe klanet që përshkruhen edhe në librin “Morfologjia e një fushate” të Rexhep Qoshes.

Krejt në fund të këtij shkrimi le të theksojmë se Lanksch e ka njohur thellësisht atmosferën krijese ndër ne dhe për këtë shpesh kemi biseduar përnes letrave këmbyes, për të cilat mbase edhe njëherë tjetër.