NGA HISTORIA SHQIPTARO-AMERIKANE: KORPORATA E PARË E KOMUNITETIT SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA

0
731

Frank Shkreli Nga Frank Shkreli

Komuniteti shqiptaro-amerikan gjatë viteve ka ardhur duke u shtuar në mënyrë të dukshme, sidomos, mbas shembjes së Murit të Berlinit dhe përmbysjes së komunizmit. Megjithëse nuk ka shifra të sakta për numrin e vërtetë të shqiptarëve në Amerikë, llogaritet se sot në Shtetet e Bashkuara mund të jenë disa qindra mijëra që e identifikojnë veten “me origjinë shqiptare” dhe shqiptarë të ardhur këtu nga të gjitha trojet shqiptare, gjatë dy tre dekadave të kaluara. Sot, në Shtetet e Bashkuara ka shumë organizata civile, kulturore, fetare dhe politike, që përfaqësojnë këto komunitete anë e mbanë Amerikës.

Diçka që pasqyron angazhimin e tyre politik, numrin dhe influencën e tyre në jetën politike të këtij vendi, sot shqiptaro-amerikanët kanë përfaqsuesin e tyre në Bashkinë e Madhe të Nju Jorkut dhe më heret janë përfaqsuar me delegatin e tyre të parë në Asamblenë e shtetit të Nju Jorkut, në personin e Mark Gjonajt. Duke marrë parasyshë numrin e madh të shqiptarëve sot këtu në Amerikë, ata nuk janë të përfaqësuar mjaftueshëm në jetën politike të këtij vendi, qoftë në nivel vendor, shtetëror dhe federal — por është një fillim i mirë dhe një shembull për brezin e ri të shqiptarëve këtu për tu bërë pjesë e këtij procesi politik, pasi dyzertë i kanë të hapura, duhet vetëm vullneti. Siç dihet, komuniteti shqiptaro-amerikan me organizatat e veta politike, siç ishin, ndër të tjera, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Liga Qytetare dhe Federata historike pan-shqiptare Vatra, kanë luajtur rol të rëndësishëm në mbështetje të interesave kombëtare të shqiptarëve në kohë të caktuara, në fillim të shekullit të kaluar e deri në fillim të këtij shekulli.

E gjithë kjo në rregull, por komuniteti shqiptar në këtë vend, sidomos udhëheqsit e tyre politikë dhe fetarë — e kanë ndie gjithmonë nevojën për një organizim dhe përfaqësim më të madh në jetën politike të këtij vendi, në mbështetje të interesave, të nevojave dhe mbrojtjes së të drejtave të komunitetit shqiptaro-amerikan, pa dallim. Nevoja për një organizim më të mirë e më përfaqsues, veçanërisht, përpara autoriteteve vendore, shtetëtore dhe federale amerikane, ndihet sidomos sot, më shumë se kurrë më parë, në komunitetin e madh shqiptaro-amerikan. Shpresojmë se brezat e sotëm të shqiptaro-amerikanëve, të cilët kanë numrin e madh të shqiptarëve që jetojnë në këtë vend, por kanë edhe mundësitë ekonomike dhe arsimore shumë më të mëdha se sa brezat e mëparshëm të këtij komuniteti në Amerikë do të bëjnë përpjekje për një angazhim shumë më serioz se deri më tani, për tu bërë pjesë funksionale e jetës politike amerikane, në të mirë të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, por edhe në dobi të bashkatdhetarëve të tyre në trojet shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Ndonëse, dikurë komuniteti shqiptaro-amerikan në këtë vend nuk i kishte as numrat dhe as njerëzit e përgatitur për tu bërë pjesë serioze e jetës dhe e proceseve politike të këtij vendi, ku shqiptarët jetojnë, për më shumë se një shekull. Por me gjithë se shqiptarët ishin një komunitet i vogël, në krahasim me komunitetet e tjera etnike këtu në Amerikë edhe ata ç’prej arritjes së tyre në këtë vend – megjithë pengesat dhe pamundësitë ekonomike dhe politike — e kishin ndie nevojën për një angazhim më serioz në jetën politike të vendit.

Ishte vjeshta e vitit 1973. Komuniteti shqiptaro-amerikan i pas Luftës së dytë Botërore nuk ishte më i madh se disa dhjetëra mijëra shqiptarë, kryesisht, refugjatë anti-komunistë shqiptarë që ishin arratisur në botën perëndimore – kryesisht këtu në Shtetet e Bashkuara — pasi nuk pranuan kurrë imponimin e regjimit komunist të Enver Hoxhës mbi shqiptarët. Komuniteti shqiptar në Amerikë, sidomos në Nju Jork, ishte i vogël, por nevojat ishin të mëdha dhe duhej punuar për një organizim më të strukturuar në krahasim me disa organizata të asaj kohe, për të ndihmuar emigrantët shqiptarë që vazhdonin të vinin në Nju Jork nga të gjitha trojet shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Kështu lindi ideja për një organizatë gjithëpërfshirse që do të përfaqësonte interesat e komunitetit shqiptar në qytetin e Nju Jorkut, ku ishin grumbulluar shumica e tyre, duke tërhequr njëri tjetrin. Pas disa përpjekjeve nga udhëheqsit e komunitetit të atëhershëm shqiptar këtu, Bashkia e Nju Jorkut aprovoi themelimin e një korporate që do të përfaqësonte në terësi komunitetin shqiptaro-amerikan, pa dallim. Sipas një njoftimi të lëshuar për mediat nga Qendra e Nju Jorkut për Punët Etnike (Vëllimi 1, Numri 1 i vitit 1973) një ent ky zyrtar i qytetit Nju Jork, thuhej se “Korporata Etnike për Komunitetin Shqiptaro-Amerikan të Nju Jork-ut, po miratohej me qëllim të organizimit vullnetar të shqiptaro-amerikanëve, si përfaqsuese e komunitetit në marrëdhëniet me autoritetet civile të qytetit dhe të shtetit Nju Jork, në dobi të gjithëve pa dallim. Çdo pjesëtar i këtij grupi etnik mund të bëhej anëtar, mjaftonte që të pranonte rregullat dhe të zbatonte ligjet që rregullonin korporatën, e cila para ligjit dhe për nga natyra e saj konsiderohej si një organizatë jo-fitimprurëse.

Qyteti i Nju Jorkut llogariste se në vitin 1973 në këtë metropol të Amerikës banonin rreth 30.000 shqiptarë, të cilët do të përfaqësoheshin nga korporata e re, ku përfshiheshin grupe të ndryshme fetare, arsimore, dhe kulturore të komunitetit shqiptaro-amerikan. Grupet kryesore që themeluan korporatën e re ishin Qendra Islamike Shqiptaro-Amerikane në lagjën Bruklin, Kisha Orthodokse shqiptare Shën Nikolla në lagjën Kuins dhe Lidhja Katolike Shqiptaro-Amerikane në lagjën e Bronksit. Përfaqsuesit e këtyre qendrave fetare të shqiptarëve në Amerikë, Imam Isa Hoxha, i Qendrës Islamike, Z. Lazarus Pillary përfaqsues i Kishës Ortodokse dhe Dr Zef Oroshi i Lidhjes Katolike Shqiptare punuan së bashku për themelimin e Korporatës Etnike për Komunitetin Shqiptaro-Amerikan të Nju Jork-ut, me ndihmën edhe të përfaqsuesve të grupeve të tjera.

Fillimisht, aktiviteti i përfaqsuesve të Korporatës Shqiptaro-Amerikane përqëndrohej në takimet me komunitetin, për të pasur një ide se cilat ishin vërtetë nevojat dhe interesat e pjesëtarëve të komunitetit shqiptar, të arritur në Nju Jork, sidomos në valën e madhe të fundit të ‘60-ave dhe fillimit të ‘70-ave. Përfaqsuesit e këtyre qendrave themeluese të korporatës, të caktuar nga qendrat përkatëse për komunikim të drejtë për drejtë me qytetin e Nju Jorkut, (Rexhep Kumbarçe i Qendrës Islamike, Xhim Liolin i Kishës Ortodokse dhe Frank Shkreli i Lidhjes Katolike Shqiptaro-amerikane), pasi zhvilluan disa takime me komunitetin për vlerësimin e nevojave të komunitetit në përgjithësi, zhvillonin takime me përfaqsues të qytetit dhe të shtetit Nju Jork për sigurimin e fondeve për nevojat e ndryshme me të cilat përballej komuniteti ynë në fillim të 1970-ave në Nju Jork, shumë prej të cilëve për mungesë të gjuhës, nuk kishin mundësi tjetër komunikimi me zyrat e ndryshme të qeverisë vendore.

Megjithëse në atë kohë kishte edhe organizata të tjera shqiptaro-amerikane, përfshirë ato të karakterit politik e që kishin caktuar vetes objektiva të tjera — siç njoftonte edhe Bashkia e Nju Jorkut në atë kohë — themelimi i Korporatës Shqiptaro-Amerikane në fillim të 1970-ave të shekullit të kaluar, ishte një shembull i mirë i llojit të organizatave që po formoheshin anë e mbanë Nju Jorkut për tu ardhur në ndihmë komuniteteve etnike të ardhura rishtas në këtë kontinent. Themelimi i kësaj korporate ishte pra një përpjekje e re e cila kishte për qellim për të bashkuar mbarë komunitetin, si të thuash, nën një flamur, për të vendosur mbi nevojat materiale, ekonomike, shëndetësore e të tjera dhe për të siguruar sa më shumë shërbime në mbështetje të komunitetit shqiptar në këtë metropol të madh. Në të vërtetë, fillimisht, korporata e re u pa si një shembull bashkpunimi, i organizuar nga tri qendrat fetare të shqiptarëve në këtë qytet të madh, të cilat kishin mirëkuptim të plotë mbi nevojat e bashkatdhetarëve të tyre dhe gjithmonë ruanin marrëdhënie të ngushta me njëra tjetrën, falë respektit që udhëheqësit fetarë të shqiptarëve në Amerikë kanë pasur gjithmonë për njërin tjetrin.

Megjithëse kanë kaluar disa dekada dhe komuniteti shqiptaro-amerikan është sot shumë më i madh në numër, në një nivel më të lartë arsimor dhe ekonomik dhe rrjedhimisht ushtron edhe një influencë më të madhe politike, bashkpunimi i ish-udhëheqësve të këtij komuniteti në vitin 1973 për themelimin e një korporate të tillë të përbashkët duhet të shërbejë edhe sot si një shembull se si duhet të veprohet duke bashkpunuar me njëri tjetërin për realizimin e objektivave të përbashkëta, për të mirën dhe në dobi të mbarë komunitetit shqiptaro-amerikan, pa dallim.