NGA BOSTONI I SHBA SHKRUAN NAMIK SELMANI: ”KUR TË VESH XHAMADANIN VIJA-VIJA..”

0
965
Namik Selmani

Nga Bostoni i SHBA shkruan Namik Selmani:”Kur të vesh xhamadanin vija-vija..”

Kur të vesh xhamadanin vija-vija..
Përsiatje mbi këngën “Xhamadani vija-vijaija
Xhamadani vija-vija
Asht Kosova, o, asht Shqipnia
Rreh si zemër çiftelia
Oh, sa e madhe asht Shqipnia.

Nga Namik Selmani

Kam qënë shumë herë në stadiume, në sheshe, në shtëpi, në salla të rrëzëllitura nga dritat e forta, në dasma, gëzime, ditëlindje dhe kjo këngë më ka ndezur gjakun. Më ka sjellë pikëlotin e gëzikit herë të dukur te qerpiku e herë të fshehur brenda gjoksit si një përrua i blertë që nuk ia di se ku buron e se ku do të ndalë rrjedhën e tij. brenda syrit dhe zemrës. Një krenari e fshehur, gati tronditëse, më ka ardhur në vetëdijen time, pa vrapuar që t’ia them të tjerëve jo si foklorizëm, si fjalëbukuri më i mirë, si mëkat mirësie, por edhe si një margaritar zemre që dua ta përcjell kudo. në skena, avionë, autobuzë.

Po të them të drejtën, edhe obligimi për të dhënë sadopak atë frymë që të jep kënga nuk ishte i pakët . Madje mund të them se jemi të vonuar. Më shumë duhet të shkruajmë për këngë të tilla. Jo si kureshtje por dhe si frynë. Futuni pa në historitë e kryeveprave të muzikantëve të mëdhenj botërorë, Mbase duke e niasir që nga Verdi i Italisë. Me frymën e muzikës popullore të vendit të tij melodia e operës “Nabuko” do të bëhej himni për shekuj i Italisë.

…Këngë të tilla vënë dhe duhet të vënë në garë edhe kompozitorë të tjerë për të ecur në gjurmë të reja. Kurdoherë që e kam dëgjuar këngën –himn “xhamadani vija-vija” e kam kuptuar mirë se diçka më mungonte brenda vetes shumë më të vyer se morali që na bëjnë në ekrane opinionistët gazetarët, politikanët e të gjithë ngjyrave, e të të gjithë krahëve. Kam qenë sypërpirës kur e kam parë dhe dëgjuar atë në televizione të ndryshme shqiptare.

E sa herë që e kam dëgjuar më është dukur se e kisha për herë të parë. E sa herë që e kam dëgjuar kam dashur ta dëgjoj sërish. Më tej, e kam kënduar nënë zë, pa shqetësuar shqiptarin ose dhe të huajin që mund të kisha pranë. Në një shkallë stadiumi kam qënë pjesë e këtij kori gjigand, pasi kam patur në sup një flamur. Në krye një plis të bardhë shenjë e lashtësisë së kombit tim. Në sy. Në zemër ndiej valëvitjen e flamurit tim kombëtar.

Po e dini se cila është një mbresë e heshtur që më lind kur e dëgjoj atë? Më kanë ardhur në mendje jelekët e nënave, nuseve dhe motrave çame. Te jelekët me sërma që bëheshin në një copë të kadifenjtë aq sa kënga i mori në gjirin e saj

Jelekverdha kadife.
Faqe portokalle je.

Jelekët me ojna ose me temina, si i thonë diku. Nuk kishin mëngë. Sikur dukej se mënga do ua merrte bukurinë dhe finesën e tyre. E në atë hapësirë të vogël vetëm një pëllëmbë e ca ishte universi i bukurisë që shfaqej më shumë se i ylbertë para teje,donte jo një , por disa palë sy që ta shijonte brenda vetes. Për ta parë dhe shijuar deri në skutën më të thellë të shpirtit atë mrekulli. Ishte mrekullia e një dore nëne, vajze që këndonte nënë zë një këngë dashurie për trimin e saj që bredhëronte diku në shtigje lufte, në ara, livadhe, male, udhë kurbeti. Ajo, e ulur në një bar livadhi, në një hije ulliri, në një gur burimi, në një çardak ku dritarja i shfaqte bukuri të rralla.

Ishte valëzimi më mrekullor i shpirtit njerëzor të një vajze, të një gruaje, të një krahine, por edhe të një kombi. Ato sy që qëndisnin në atë jelek e atje më tej në një xhamadan, kishin brenda vetes bukurinë magjike të fëshfëritjes së ullinjve, kishin jehonën e këngëve të peshkatarëve, ehon e druvarëve, llokoçitjen e brumit në magjet e bukëve që më tej erëzonin në furra. Kishin dhimbjen e këngëve të kurbetit, kishin blerimin e përjetshëm të portokalleve dhe limonëve. Ato jelekë, edhe kur viheshin në sepete ose karsella si i thonin në Çamëri, kishin aromën e gjetheve të borzilokut që u vinin në duar nënat, gjyshet sa herë që pragun e kalonte një mik i largët.

E më tej në sy, na erdhi xhamadani. Natyrisht para se të vinte kënga. Se ajo Kënga e Xhamadanit e kishte të ngritur këtë shpirt të pamposhtur që do na jepte kënga nga fillimi deri në fund. Ajo rrobë që mund të ishteshumë më tepër se identiteti që të jep për kombin që e kanë fraku francez, kapelja e kitara meksikane. se buzuku grek. Se tamtamet e afrikanëve. Më shumë se një gëzof siberian madje shumë më tepër se kaq. Një xhamadan që edhe nga larg edhe nga afër e kupton se është veshja e një shqiptari. Bashkë me atë plisin e bardhë që vihet në krye ato formojnë dekorin më të bukur të maleve dhe fushave tona, të udhëve të trojeve tona shpesh edhe të përgjakura në sa e sa beteja shekujsh.

Bukuria e jelekëve çame, prizrenas, shkodranë, ulqinakë, tiranas, gjakovar, ulqinakë e bënte edhe më të bukur gjoksin e nuseve dhe të motrave shqiptare.Vijat e bukura të xhamadanit na sjellin më tej një flatrim të vetë shqiponjës në gjokset e burrave e trimave. A thua se kishte zbritur në ato gjokse djemsh shqiponja nga Taraboshi, Korabi, Sharri, Kolejsani, Tomori? A thua kishte puthur valët e dy Drinave, të Bunës, të Osumit, Matit, para se të vinte në ato gjokse? E duhej një këngë për këtë valëzim shqiponje në atë xhamadan të bukur.

Dukej se edhe karvanimi i vargjeve noliane sikur zbehej para vërshimit të Këngës së re të Xhamadanit. Të një vërshimi që është më i fortë se i cunameve, vetëm se me një ndryshim të madh. Cunami i këngës së Xhamadanit ngre zemra, ngre.

Shpirtërat e shqiptarëve në maja të reja. E të mos themi në qiell. Që i zbut dhe i bën edhe më të butë e jo për t’i bërë Don Kishotë në këtë botë dreqane ku jo gjithmonë kombet e vegjël janë të qetë që të bëjnë jetën e tyre të lumtur Është një lloj fashitje e bukur që të kujton atë djalin e vogël që pas së qarës së madhe lebetitëtëse të urisë, të heshtë e më vonë të buzëqeshë para tingujve të të madhit Mjeshtrit Laver Bariu me klarinetën e tij magjike.Oh, sa mrekullit! Edhe kënga “Xhamdani vija-vija është një vërshim i tillë. Një Drin me tinguj.

Një Osum. Një Vjosë. Një Jon. Një Adriatik. I forte. I kudondodhur në të gjithë mjediset shqiptare ku flitet shqip, ku këndohet ku mendohet shqip. Ku bien tingujt e zileve që ftojnë fëmijët shqiptarë në shkolla. Ku ka dhe morte, ku loket e Kosovës dhe nënat e Myzeqenë të Labërisë, të Çamërië dhe të Dibrës vajtojnë me ligje për të rënët e lirisë. Nuk ka rëndësi që të dini se kush e ka kompozuar e kush e ka bërë tekstin. Ndoshta është ndër të rrallët raste që autorët e këngës –himn kompozitorë orkestrues, poetë, dirigjentë, mund ta ”braktisin” të drejtat e autorit para atij ngazëllimi dhe force shpirtërore që marrinm të gjithë para saj.

Megjithatë për hir të së vërtetës, për kureshtje por edhe për një falenderim publik të atyre që e kanë bërë këtë këngë-himn po tregojmë disa të dhëna më konkrete për historinë dhe personazhet e kësaj kënge që nis në Shkodër e shkojnë në Kosovë e, më tej, në të gjjthë mjediset shqiptare.

Është shkrirë aq njësh me emocionet kombëtare, sa duket si një krijim i vjetër, me autor popullin, por nuk është kështu. Kjo këngë është relativisht e vonë dhe autorët e saj mund ta tregojnë shumë imtësisht historinë e krijimit të saj që pak njerëz e dinë. Të mërzitur që fama e tyre nuk është aq e madhe sa ajo e këngës? Ndoshta ky është i vetmi skenar, kur një artist nuk ndjen pengun e anonimatit, sepse ç’triumf më të madh mund të arrijë një krijues sesa kur krijimi i tij hyn bëhet e pjesë e shpirtit të publikut dhe e pëlqen i madh e i vogël?!

Këta krijues janë kompozitori Zef Çoba dhe poeti Alfred Çapaliku që ka krijuar vargjet, ndërsa këngëtarja që e ka sjellë e para, për të cilën edhe është krijuar kjo këngë, që titullin në origjinal e ka pasur “Kam një lot, m’pikon si ar”, është lauresha e Kosovës, e nderuar edhe me çmimin “Mjeshtre e Madhe” në Shqipëri, Shkurte Fejza.

Kënga është krijuar brenda një nate, në periudhën 1992-1993. Ishte udhëtimi i parë i Shkurte Fejzës në Shqipëri, pasi ishte bërë e njohur në Kosovë, si një këngëtare që kishte mbajtur gjallë shpirtin kombëtar dhe ishte persekutuar nga regjimi serb. Dhe ndërsa ajo vjen në Shqipërinë e ëndërruar, artistët shkodranë menduan të krijonin një hit që të bënte bashkë Kosëovën dhe Shqipërinë përmes artit.

Kompozitori Zef Çoba kujton “Unë ndërgjegjen time krijuese e kam shumë të lidhur me ndërgjegjen kombëtare. Kam studiuar shumë etnosin dhe folklorin tonë muzikor dhe kur krijova këtë këngë isha me një “ngarkesë” të tillë kombëtare. Kur isha në një koncert me një grup nga Shkodra, pata fatin të bija në kontakt me shqiptarët e Kosovës.

Emocionet dhe përshtypjet janë të jashtëzakonshme. Më pas, rashë dakord pë këngën me këngëtaren Shkurte Fejza dhe shkova menjëherë tek miku im poet Alfred Çapaliku. Ishte ora 22.45 dhe i thashë të çohej nga shtrati dhe të fillonim menjëherë punën. Atë natë kemi punuar deri në orën 4 të mëngjesit dhe në orën 5 të mëngjesit gjithçka ishte e mbaruar.”

Poeti Alfred Capaliku, autori i tekstit të këngës thekson “Në darkë më erdhën në shtëpi Shkurte Fejza me bashkëshortin dhe miku im Zef Çoba. I thashë gruas t’i shërbente mysafirëve dhe vetë u futa në dhomë për të shkruar i qetë tekstin e këngës. Mora frymëzim nga Shkurte Fejza dhe nisa tekstin si një udhëtim, udhëtimin që kishte bërë këngëtarja nga Kosova për të ardhur në Shqipëri. Më vjen mire, sepse kjo këngë po e humb autorësinë dhe po kalon në folk. Gjithashtu më ka rastisur ta dëgjoj këtë këngë në diskoteka dhe më vjen mirë që pëlqehet nga brezi i ri.

….Dhe futesh në hapësirat që të jep kënga për xhamadanin. Borë malesh, Drinat që lëvizin mes maleve dhe bashkohen si duar besatuese burrash në miqëinë e re dhe në pajtimin e tyre pas një gjakmarrjeje të gjatë. Dhe vijnë para teje tinguj çiftelishë, lahutash, eho malesh, gurgullima gurrash të ushqyer nga dimri i gjatë dhe i bukur, valle majëkrahu. Valle shpatash, bardhësi bore e, më tej, ortekë alpinë. Rudina bjeshkësh. Lule që çelin edhe mes shkëmbit. Vjen loti i artë i gëzimit për emrin që të ka dhënë toka, djepi babai, nëna, gjyshi djepi me një shqiponjë të gdhendur në të që e largon larg, e tret, e kall thuhet në Kosovë lotin e dhimbjes. Vjen ajo thirrje e bukur ndjellamirë “Jam shqiptar” që ka brenda edhe krenarinë edhe dhimbjen, edhe të ardhmen, edhe të sotmnen, edhe të kaluarën.

Dhe vjen në të Kosova dhe Shqipëria si dy Drinat të bashkohen diku. Më vjen pak keq që në variantin origjinal nuk është dhe Camëria që herë pas here edhe vihet në manifestimet e organizata në mjedise të ndryshme. Po edhe Çamëria është aty në mos me xhamadanët, është me jelekët e me shpirtin e paepur dhe me lirinë e munguar të një trualli që lëngon edhe tash e kësaj dite.

Dhe më tej vjen ajo gluha e Pjetër Budit, e Buzukut, e Naimit, e Petro Ninit, e Jani Vretos, e Konstandin Kristoforidhit, E Eqerem Çabejt, e Shaban Demirajt. Vështirë që të gjesh një këngë të këtyre përmasave që t’i këndojë gjuhës me këtë pasion, me këtë frymë entuziazmi dhe që të vë në detyrimin e madh që të bësh sa më shumë punë sakrificë për ta mbajtur gjallë gjuhën edhe në kontinentin më të largët të botës ku ka familje shqiptare.

Vjen si amanetet e gjalla e të shkruara në breza. Dëgjojeni këngën “Xhamadani vija-vija”! Lexojeni tekstin e saj! Asnjë urrejtje nuk ka në vargjet e saj, në tingujt e saj, në rrjedhën ku të fut karvani i tingujve. Asnjë fjalë për plumba, për vdekje. Është e butë si kadife, po dhe e fortë si gurgullimë malesh që nuk janë të pakta në trojet shqiptare kaq të lashta.

Rreh si zemër çiftelia
oh sa e madhe asht Shqipnia

Kënga është në një garë tepër miqësore të padukshme me himin Kombëtar. Duket se edhe ajo sikur e plotëson edhe më mirë atmosferën e Himnit. Këndohet si asnjë këngë tjetër në stadiume kur luan Kombëtarja, nuk mund të mungojë në çdo festë kombëtare, është pa asnjë diskutim hiti dhe himni jozyrtar i çdo organizimi formal dhe joformal të shqiptarëve. Është kënga që gjen vend në netët live të të rinjve dhe nga të paktat që dinë ta këndojnë edhe fëmijët e vegjël. Kënga edhe sot edhe më shumë se nesër i ngjan një gurgullime që ecën në brigje të njohura e të panjohura. Është një rrugë që poeti e thotë bukur në vargjet monumentalë.

Rrugës sime për Shqipëri
m’ka përcjellë një Drin i Zi
dhe u nisa për me ardhë

Dhe vjen më tej jehona. E keni dëgjuar mbase atë jehonë të zërit tuaj në një grykë pusi, në një luginë? Tregojnë se edhe Aleksandër Moisiu në rininë e tij e provonte zërin si jehonë në Shkëmbin e Kavajës.
Kënga e Xhamadanit ka një jehonë të çuditshme, të bukur, gati të pabesueshëm epër atë ngarkesë që ka brenda sinorëve të saj artistikë.
Po e nisim me një artist amerikan. E dini se cka bërë ai?

Dasmën e tij madhështore që kushtonte një lumë më dollarë e ka bërë me tingujt e këngës “Xhamadani vija-vija”. Bëhet fjalë për amerikanin Daniel Cook, i cili është i martuar me një shqiptare ka sjellur verzionin e tij të këngës “Xhamadani vija vija”, një ri-krijim mjaft i bukur dhe i lehtë.

Këngëtarja nëntëvjeçare me origjinë nga Kosova që ka mahnitur Francën, Erza Muqolli. Bashkë me kënaqësië e saj ajo bëriqë edhe francezët të lumturoheshin me tingijt e kësaj kënge të bukur

E kur malet m’i mloj bora
Për atdhe kangës ja mora

Pa dyshim jehona më e madhe e këngës është tek sporti. Të futbolli. Mjaft futbollistë që lozin në Evropë kanë një privilegj që para se të nisin lojën në një skuadër futbolli kanë të drejtë që të këndojnë një këngë. Cilën të duan ato, angleze, franceze, natyrisht edhe shqiptare.

Po përmendim të paktën tre raste të tilla që të emocionojnë vërtet. Edhe pse luan për kombëtaren e Zvicrës, mesfushori shkupjan Pajtim Kasami asnjëherë nuk e ka fshehur krenarinë për origjinën e tij shqiptare. Pas festimit me shqiponjë ne mes të Greqisë kur ishte pjesë e

Olimpiakosit, 25-vjeçari ai u rreshtua në një skuadër zvicerane
Kur ai firmosi me Sionin e Paolo Tramexanit bëri detyrën si shqiptar i mirë. Siç e kërkon tradita, futbollistët e rinj duhet të këndojnë një këngë përpara shokëve të skuadrës. Një moment sa interesant aq edhe gazmor. Kasami i befasoi të gjithë me këngën e përzgjedhur për t’u prezantuar, teksa këndoi këngën e famshme shqiptare “Xhamadani vija-vija”. Videoja u postua në instagram nga mbrojtësi i Kombëtares, Ermir Lenjani

Më tej ka ndodhur një rast i ngjajshëm me Florent Hajdërgjonaj, djaloshin nga Deçani. Kur ai nisi të luajë me “Huddersfield” nga gjermanët e Ingostadt. siç e do zakoni, 22 vjeçari ka kënduar para bashkëlojtarëve te skuadra e re një këngë të re.
Shokët e skuadrës prisnin me siguri ndonjë këngë në gjuhën angleze, Hadërgjonaj zgjedh një këngë shumë emocionuese dhe domethënëse për shqiptarët “Xhamadani vija-vija’.

Një tjetër rast simbolik. Kikboksieri Faton Vukshinaj triumfoi në duelin e tij të radhës kundër Mika Tahitu. Faton Vukshinaj, po vazhdon të korrë suksese në ringun e Superkombat.

Vukshinaj ka arritur të shënojë një tjetër fitore, kësaj radhe kundër holandezit, Mika Tahitu. Ky duel fitoi vëmendje të madhe, teksa do të transmetohet edhe në Eurosport. Edhe Vukshinaj në ring hyri me këngën: ‘Xhamadani vija vija’, teksa gjithashtu për të këndoi këngëtari, Valton Krasniqi.

asht një qiell që na bashkon
e një diell që na burrnon
asht një gjuhë që flasim tan-e
e nji tok që th’rrasim nan-e
ësht një gjuhë që flasim tan-e
e nji tok që th’rrasim nan-

Në rrjedhën poetike ku të fut kënga “ Xhamadani vija-vija” fjala nganjëherë është e varfër për të dhënë vlerat . Ajo është edhe shkollë atdhetarie, është emocion, është histori, është poezi, është kala me bedena të larta, është elegji për baballarët që vdiqën me ëndrra të bukura shqiptarie, për të rënët, është alfabeti i parë i shqiptarisë, është zjarri ku duhet të ngrohen fëmijët e fëmijëve tanë . Është një copë vetvete e përtërirë dhe më e forte, më e bukur. Se vitet që jetojmë dhe do të jetojmë kanë dhe sfida të reja . Sfida që këngë të tilla i bëjnë edhe më të lehta për t’i fituar.

Boston, 21 tetor 2017