Nexhat Halimi botimi i dytë i “Mollës së fshehur”

0
490
Nexhat Halimi - Molla e fshehur

Një libër i vonuar njëzet vjet

Shaip Grabocvi

Shtëpia Botuese “Fad” e Prishtinës para ndonjë dite ribotoi librin e parë me krijime për fëmijë “Molla e fshehur” të Nexhat Halimit. Ky libër është kompozuar nga krijimet e para të autorit në poezi, të botuara në vitet e largëta 1963, 1964 e 1967 në gazetat “Rilindja për fëmijë”, “Pionieri”, “Shëndeti”, “Flaka e vëllazërimit” etj. Libri do të dorëzohet në Shtëpinë Botuese “Rilindja”, për botim më 1968.

Redaktori i shtëpisë botuese “Rilindja” atëherë Mehmet Gjevori e vlerësoi mirë librin dhe shkroi për të një recension pa asnjë vërejtje, ndërsa recensenti Rrahman Dedaj e vlerëson prurje të re që sjell risi në letërsinë për fëmijë, duke u përqendruar sidomos te poezitë për muajt e vitit. Recensenti i dytë qe Rexhep Hoxha dhe ai e refuzoi librin me disa porosi për autorin se si duhet të shkruajë. Kjo ndikoi te redaksia që libri të mos botohej.

Njëzet vjet më vonë dorëshkrimi dorëzohet për botim te e njëjta shtëpi botuese, atëherë te redaktori Rifat Kukaj, i cili përveç vlerësimit të mirë të poezisë vuri kusht që libri do të botohej vetëm nëse hiqet poema për Skënderbeun. Natyrisht, libri botohet pa atë vjershë, ose nuk do të botohej fare.

Libri “Molla e fshehur” u botua dhe u vlerësua mjaft mirë nga shumë autorë të dalluar, siç janë Ramadan Musliu, Veli Veliu, Hajro Ulqinaku, Rizah Grajçefci, Rrustem Berisha, Ragip Syla, etj. Madje, H. Ulqinaku e radhit librin mes tre librash më të suksesshëm në poezi te ne, “Gjithkush mund të shkruajë për fëmijë,- thekson ai, – por të shkruajë bukur poezi, prozë nuk është aspak lehtë. Këtë mund ta bëjnë vetëm të rrallët, vetëm poetë të rrallë.

Në letërsinë tonë për fëmijë veprat më të mira i shkruan Adem Gajtani “Lule më lule”, Shkup 1972, Vehbi Kikaj “Shtëpia ime ka sy”, Prishtinë 1972, Nexhat Halimi “Molla e fshehur”, Prishtinë 1989. Kjo vepër e shkruar gjatë viteve të `60-ta dhe e dorëzuar për botim më 1969, do të botohet njëzet vjet më vonë, për shkak të dorës së censurës, e cila bënte përpjekje t`i ndalte rrjedhat më të suksesshme në krijimtarinë letrare shqiptare.

Ramadan Musliu, duke analizuar librin ”Molla e fshehur” potencon se “Te Nexhat Halimi, si rrallë te ndonjë poet tjetër, mbase vetëm te Adem Gajtani, ndeshim një lirizëm të semantizuar… Pjesa më e madhe dhe më e suksesshme e poezisë janë të këtij tipi, disa prej të cilave edhe mund të sistemohen si ekzemplarë antologjik…” , ndërsa Rrustem Berisha nënvizon se “Nexhat Halimi është krijues me stil të veçantë dhe krejt origjinal për çka vepra e tij do analizë serioze. Këto vepra i shquajnë karakteristikat e tyre specifike: zgjedhja e tematikës, format e reja shprehëse, zgjedhja dhe krijimi i figurave stilistike, tërë leksiku poetik i freskuar me fjalë e krijime të reja …Sintaksa e gjuhës së Nexhatit është vetëm sintaksë e ligjërimit të tij dhe e asnjë krijuesi tjetër”.

Botimi i librit “Molla e fshehur” i Nexhat Halimit priti njëzet vjet, që ta përjetojë lexuesi dhe ta radhis ndër librat e suksesshëm te ne, ndërsa kritika dhe ata që e duan poezinë kaq më vonë ta thonë fjalën e tyre.
Pse kjo vonesë?
Përgjigje nuk ka.

Ja, tashmë e kemi përpara botimin e dytë, të plotësuar dhe të redaktuar. Ndoshta autori ia ka dalë të rizgjojë mozaikun e vet të hershëm me ndonjë prekje që nuk e ka lënduar librin, ngase shumë herë dora e dytë e autorit mbi librin e vet e ka dëmtuar poezinë.

…Po,megjithatë duhet nënvizuar se libri vetëm mund të vonohet, kurrë të dëmtohet më shumë. Prapë gjendet rruga të arrijë te lexuesi, siç arriti “Molla e fshehur” dhe natyrisht u pëlqye pas dy dekadash e kjo vonesë e fillimit e librit me vargje aq te bukura, vetëm shërben si një dëshmi për gjeneratat e reja, se në një kohë ka qenë e rëndë të flasësh lirisht, ka qenë e vështirë të jesh poet!

Tashmë libri është ribotuar dhe mund të vazhdojë jetën me ata dhe për ata për të cilën është shkruar me sakrificë dhe dashuri të paepur.