NEVOJA PËR VEPRIME PRAGMATIKE

0
398

Letër ambasadorëve (4)

Problemet e brendshme në Kosovës janë të zgjidhshme, vetëm se duhet vullneti i Amerikës dhe aleatëve të saj nga vendet e BE-së!…

Shkruan: Shefqet DIBRANI, 22 gusht 2019

Sot ka ndodhur një gjë e keqe në Kosovë, u shpërbë Parlamenti i Kosovës dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Në këtë demokraci është humbur shpresa se do të bëhet mirë, për vet shkakun e riciklimit të të njëjtit produkt, të të njëjtit brumë, prandaj populli ka humbur shpresën se me njerëzit e provuar radhazi do të bëhet mirë, do të kenë mundësi për ta nxjerr vendin nga kriza ata të cilët vijnë edhe nga sistemi i kaluar duke paralizuar partinë dhe Kosovën.

Këtë dëshpërim të kosovarëve nuk e përmirëson deklarata e Ambasadorit Amerikan në Kosovës, sepse me njerëz të njëjtë do të kemi fatin e ngjashëm, me figura të konsumuara e të demoduara nuk bëhet shteti, me prijës të dështimeve zinxhirore, me struktura të krimit dhe me mbetje të LKJ-së kurrë nuk mund të përparoj Kosova. D.m.th sot ndodhi një fatkeqësi e radhës për Kosovën. Me budallenj dhe injorant, aq më pak me servilë mund të bëhet mirë, mund të zhvillohet vendi. E kam theksuar edhe më parë se një vend është në krizë të thellë kur heq një qeveri të keqe, kriminale dhe të korruptuar, dhe vendos një tjetër edhe më të keqe.

Nuk bëhen reformat kështu duke u sistemuar injorantët, analfabetët dhe bandat e kriminalizuara. Kjo s’ka logjikë. Vendi del nga kriza vetëm me njerëz të mirë, të aftë dhe të pa korruptuar. Si mund të ngazëllehen struktura e PDK-së dhe ato të LDK-së, si mund të dalldisen thuaja se ky popull nuk i njeh. Këto dy parti sivjet i kanë mbajtur zgjedhjet partiake, të dyja me diktat, deri sa në PDK u zhvilluan zgjedhjet me pedanteri që do t’ia kishte lakminë edhe diktatori i Koresë Veriore, në LDK zgjedhjet kanë qitur në pah tërë llumin e proletariatit komunist të LKJ-së të cilën me porosi Isa Mustafa e ka sjell në këtë parti, për të cilën dikur thuhej se është parti e vlerave dhe elitës intelektuale. Sot është katandisur e tëra.

Nëse zhvillimet politike në Kosovë i kundrojmë nga ky prizëm, mos interesimi për t’i vëzhguar zgjedhjet partiake, d.m.th. tua besosh bandave që i kritikon për t’i sistemuar brezin e dytë dhe të tretë të kriminelëve, analfabetëve dhe injorantëve që po vijnë. Nga ky prizëm duhet të kritikohen të gjithë Ambasadorët dhe trupi diplomatik, pse nuk u interesua për t’ia këputur avazin të keqes, e cila tash ka lëshuar rrënjë nëpër parti, kurse në këto zgjedhjet e ngutshme vetëm sa do thellohen të këqijat pasi qartë shihet se po riciklohen problemet. Nga ky prizëm është parimore të kritikohet hapur nxitimi i Ambasadorit të ShBA-ve në Kosovës, për ta uruar Isa Mustafën për riciklim të problemeve të cilat si duket janë të pranueshme për këtë Ambasador, ose komplet Administrata e ShBA-ve është manipuluar nga stafi këshillues që mund të jenë kosovar etnik.

Nuk mundet as Zoti me ia mbuluar bëmat 40 vjeçare Isa Mustafës, pra as Ambasador, as Amerika dhe as Bashkimi Evropian. Isa Mustafën si strukturë e LKJ-së që nuk i ka sjellë kurrë të mirë vendit e njohin të gjithë, por mekanizmi i nëntokës po ka sukses pasi aty këtu po mbështet, përkrahet dhe po pranohet edhe nga faktori ndërkombëtar. Thjesht nuk ka forcë dhe as individ që do të ketë fuqinë e Zotit për t’ia mbuluar bëmat 40-vjeçare një komunisti të rafinuar, dhe në të njëjtën kohë ta bind popullin e Kosovës, veçmas elektoratin e LDK-së, se ma në fund një invalid në “3D”, do të bënë atë që nuk e bëri për dyzet vjet me radhë.

Sipas parashikimeve, në zgjedhje pritet të dalin diku 30% e popullsisë me të drejt vote. Ky 30-35%, do të përpjesëtohet në bazë të votave të fituara që i bie për faqe të zezë. Me një fjalë Kosova po shkon në zgjedhje të ngutshme në një situatë të rënduar. Prandaj kush i gëzohet këtij realiteti ose është i marrë ose ka probleme psikike. Vërtetë një magji e zezë e ka mbuluar Kosovën, pasi është hera e parë që administrata e SHBA-së partneritetin e saj në Kosovë e ka kthyer kah e majta komuniste. Në këto raste askush nuk mund ta thotë se cili qenka hapi i rëndësishëm t’iu rikthehet strukturave të LKJ-së, dhe çfarë suksesi do t’i sjellin Kosovës ato struktura të kriminalizuara, të cilat i kemi provuar në këto 20 vitet e fundit.

Në këto rrethana kaq të shtendosura i apelojmë Ambasadës Amerikane në Prishtinë që bashkë me aleatët e saj që janë Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia, dhe ndonjë shtet tjetër, duke mos përjashtuar as Zvicrën, të themelojnë urgjentisht një Task-Forcë, e cila do t’i largonte nga listat të gjithë ata që kanë rënë në konflikt me ligjin, të gjithë ata që në mënyrë antistatutare dhe klandestine janë futur nëpër listat udhëheqëse të partive politike nëpër zgjedhjet e brendshme partiake, sepse me ata që bartin mëkatin për gjendjen e tanishme nuk del nga kriza Kosova. Në këtë rast, nëse diplomacia Amerikane dhe ajo e Besë, dëshirojnë ta shpëtojnë Kosovën, do të ishte mirë qysh tani të vepronin, duke ua pamundësuar të gjithëve me u futur nëpër listat zgjedhore. Në këtë llupë verifikimi duhet të futen edhe manipulantët dhe gënjeshtarët, ndaj shokëve brenda sistemit partiak, të gjithë ata që kanë tradhtuar koalicionet dhe i kanë shantazhuar proceset në dëme të pragmatizmit Amerikan dhe koncepteve demokratike të Bashkimit Evropian.

Nëse Bashkësia Ndërkombëtare do të merrte këtë hap, atëherë do të ishte një shembull jashtëzakonisht i mirë, ku brenda dite do të mobilizohej popullsia e gjithmbarshme, kurse pjesëmarrja në zgjedhje do të ishte shumë ma masive. Nëse administrata Amerikane në Kosovë, dëshiron dhe ka vullnet, ajo e ka mandatin dhe mbështetjen e popullsisë e cila është lodhur, ndërsa në anën tjetër të gjithë ne e dimë se Amerika është sponsorizuesja kryesore e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. E nëse edhe vendet e Bashkimit Evropian, dëshirojnë t’ia ngritin moralin BE-së, duhet bashkë me SHBA-në të veprojnë për ti larguar nga listat zgjedhore të gjithë manipuluesit, rrenacakët dhe dallaveraxhinjtë e zgjedhjeve brenda partiake, pra të gjithë ata që janë futur nëpër struktura të partisë nëpër rrugë klandestine dhe antistatutare.

Nëse SHBA-ja bashkë me vendet e BE-së, kanë vullnet, kësaj radhe duhet ta tregojnë pragmatizmin e tyre për ti përjashtuar nga lista këtë kastë politike kaq e paaftë e cila është përgjegjëse pse e ka sjell vendin në këtë gjendje. Të paaftit, servilët dhe injorantët janë duke e rrezikuar projektin Amerikan për një Kosovë ndryshe, për një Kosovë të zhvilluar. Po ashtu ky legjislacion që ishte dhe këta që janë zgjedhur nëpër parti duke u mbështetur në intriga dhe dallavere po e rrezikojnë synimin e BE-së për ti bërë vendet e Ballkanit të demokratizuar dhe të zhvilluara.

Nëse edhe kësaj radhe SHBA-ja bashkë me BE-në, do të lejon që nëpër listat zgjedhore të futen të njëjtit dhe brezin e dytë të kriminelëve të sistemuar nëpër parti, atëherë të mos shpresojmë se zgjedhjet prodhojnë kualitet. Përkundrazi, nëse garën për postet qeverisëse do ta bëjnë të njëjtit, çfarë rëndësie kanë zgjedhjet, përveç shpenzimeve milionëshe, për të krijuar imazh të ndryshimit, me ata të cilët për 20 vjet nuk janë ndryshuar, nuk janë emancipuar dhe as nuk do ta zhvillojnë e ndryshojnë Kosovën nëse edhe për 200 vjet të tjera ua garantojmë qeverisjen.

Një hajn që vjedh në Evropë, ai do të vjedh edhe në Vatikan

Çfarë mund të pret Amerika nga struktura të LDK-së të cilat i ngazëllehen shpërbërjes së parlamentit kur vet kanë ardhur në struktura të LDK-së jashtë rregullave dhe protokollit partiak. Pra “një hajn që vjedh në Evropë ai do të vjedh edhe në Vatikan”, pra të gjitha strukturat e ardhura në mënyrë antistatutare dhe në shërbim të Isa Mustafës, kanë për ta zgjeruar të keqen edhe në udhëheqje të shtetit. Nuk ka asnjë mundësi, që njerëzit me moral të ulët të udhëheqin shtetin me duar të pastra, kur dihet se shumica sish janë pasuruar në fatkeqësinë e Kosovës, prandaj duke qenë strukturë e LDK-së që nga themelimi i saj, e shoh më të moralshme t’iu bëjë thirrje publike përfaqësuesve diplomatik të vendeve mike se çfarëdo aleance me Isa Mustafën, është vrastare dhe e dëmshme për të gjitha proceset.

Pikërisht këtyre ditëve mediat e shumta shkruajnë për aferat e tij me parat e “FONDIT TREPËRQINDËSHIT”, dhe të fondeve të tjera nga të cilat ai është bërë shumë i pasur. Kjo që po themi është e lehtë për tu verifikuar nga organet kompetente të Kosovës dhe ato të Bashkësisë Ndërkombëtare nëse janë të interesuara.

Ia vlen tua theksojmë miqve dhe aleatëve tanë, se qysh në vitet e tetëdhjeta, atëherë kur radikalizmi serb ishte në ofensivë, atëherë kur Serbia nisi ndryshimet e saja kushtetuese, Isa Mustafa mbante anën e Serbisë, bile e garantonte popullin e Kosovës se të gjitha ndryshimet në favorin e Serbisë nuk prekin interesat e Kosovës dhe as të shqiptarëve, tamam sikurse deklarohej edhe për kufirin e Kosovës me Malin e Zi.

Pasojat dihen, por Isa Mustafa, kurrë nuk u ndërgjegjësua dhe kurrë nuk ka kërkuar falje. Nuk dihet qysh e kush, por është e vërtetë se pa e dorëzuar librezën e LKJ, pa qenë as strukturë e partive që kanë dalë nga zgjedhjet e viteve të nëntëdhjeta, ai do të zgjidhet Ministër për Ekonomi dhe Financa në Qeverinë e Bujar Bukoshit. Të gjitha përçarjet dhe shantazhet e asaj kohe, lidhen me emrin e tij. Avazi i tij kundër institucioneve të Kosovës, Presidencës, Qendrës për Informim të Kosovës, më së miri i dinë strukturat e organizuara të LDK-së. Tash me mision ka ardhur në krye të LDK-së, dhe askush nuk mund ta thotë si ia arriti qëllimit.

Po ashtu edhe për të gjitha paret që mblidheshin në atë kohë, Isa Mustafa, i ka garantuar bashkatdhetarët se deri në qindarkën e fundit ai do të jap llogari se ku dhe kur janë shpenzuar. Çuditërisht qe 20 vite ai kridhet kudo nëpër postet politike pa u merakosur të jap raportin e premtuar. Edhe për “Huan Popullore”, Isa Mustafa ka garantuar se të gjithë bashkatdhetarëve do t’iu kthehen borxhet. Tash le të flas dikush, (duke përjashtuar vetëm bandat e tij), kujt iu kanë kthyer ato para?! Aferë tjetër është themelimi i Kolegjit “RIINVEST”, në kohën kur ai ishte azilant në Gjermani. Kolegji “RINVEST”, është themeluar për interesa të Serbisë, për ta pushtuar më mirë sistemin ekonomik të Kosovës. E them këtë, sepse pikërisht në ato vite Isa Mustafa dhe Bujar Bukoshi, i kanë shantazhuar të gjitha udhëtimet e Ibrahim Rugovës drejt Amerikës dhe i kanë shantazhuar të gjitha përpjekjet politike e diplomatike të Degëve të LDK-së në Evropën Perëndimore dhe në Amerikë për të krijuar aleanca të qëndrueshme të cilat iu gjeten Kosovës në ditët ma të vështira të saj.

Nga mediat dhe ekspertet e Kolegjit “RIINVEST”, suksesi i Ia Mustafës, në qeverinë e përkohshme të Bujar Bukoshit, matet me mbledhjen e taksave dhe parave nga bashkatdhetarët, duke mos ia përmendur keqpërdorimet dhe përçarjet që i bënte. Por me një llogari të thjesht qeverisja e Isa Mustafës, diku 7-9 vjet, dhe aftësia e tij që në “FONDIN E TREPËRQINDËSHIT”, të grumbulloj diku rreth 650 milion Marka Gjermane, që i bie rreth 350-400 milion Euro të sotme.

Nëse kësaj shume ia shtojmë edhe po aq miliona manipulime, përsëri nuk mund të quhet sukses, pasi sipas shtypit perëndimor thuhej se: “Një ditë e bombardimeve të NATO-s, mbi trupat serbe në Kosovë, aleancës i ka kushtuar dita NJË MILIARD DOLLAR”, prandaj elita e llastuar politike, që sillet rreth Isa Mustafës, rolin e saj duhet ta sheh karshi këtyre sukseseve dhe gjithmonë të krahasohet me shpenzimet amerikane që i ka bërë qoftë gjatë Luftës në Kosovë, por edhe gjatë këtyre 20 viteve. Nëse ky disproporcion, në para të gatshme, është kaq i madh le të llogarit dikush cili ishte disproporcioni i armatimit që kishte UÇK-ja në raport me arsenalin e NATO-së që ka përdorur gjatë atyre bombardimeve. Prandaj të gjitha problemet e ngatërruara në Kosovë, janë kollaj të zgjidhshme, vetëm se duhet vullnet i Amerikës dhe i BE-së. Natyrisht se nga shqiptarët duhet një mendje që di me i implementuar këto procese, të cilat vazhdimisht duhet të monitorohen nga një ekip të cilit gjithsesi duhet t’i prijnë amerikanët, për të mos u shndërruar në hakmarrje dhe linçime të llojit që i ka aplikuar Isa Mustafa në partinë e tij.

Aventurat e Isa Mustafës kanë vazhduar edhe pas luftës kur është kthyer në Prishtinë, bile me duar në xhepa, siç thotë populli pa therë në këmbë. Ky terren i pakontrolluar atij do t’i krijon mundësi për ta bërë shtrirjen dhe sistemimin e rrjetit mafioz të strukturave të LKJ-së, që ishin kryesisht bijtë e komunistëve të rafinuar. Ky brez kryesisht është trajnuar në Kolegjin “RIINVEST”, bashkëthemelues i të cilit është Isa Mustafa, në kohën kur ai ishte azilant në Gjermani dhe kur Serbia i nxori nga objektet e shkollave dhe universitetit, të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit shqiptar, kurse Isa Mustafën e ka privilegjuar për të themeluar Kolegj për nevojat e veta.

Edhe titujt akademik janë me shumë të panjohura, sepse askush nuk mundet të flas cila janë vlerat e punës së tij shkencore për tu bërë edhe anëtarë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, prandaj as vet akademi nuk ka mundësi të flas për kontributin shkencor që paska dhënë Isa Mustafa për këtë institucion dhe Kosovën, por jemi të sigurt se Akademia i ka dhënë para (rrogë) të rregullt atij.
Marshimi i tij drejt sukseseve politike pa qenë fare strukturë e LDK-së zgjidhet Kryetar i Prishtinës, me që rast aty ka punësuar e sistemuar tërë Kolegjin “RIINVEST”, dhe në anën tjetër ka trasuar udhën për ta pushtuar LDK-në pa qenë kurrë më parë anëtarë i kësaj partia, duke shënuar rezultate për Libër të Genisit, sepse këto zhvillime kanë ndodhur përpara syve të Bashkësisë Ndërkombëtare.

Një detaj shumë i rafinuar që u manifestua në Kuvendin e IX-të Zgjedhor të LDK-së është e dhëna se ai për interesa personale afroi, sistemoi dhe avancoi familjar të figurave qendrore të LDK-së të cilët janë vrarë ose nuk janë më gjallë. Nga një prizëm human, duket si veprim i mençur i Isa Mustafës, por shtrohet pyetja Kosovën nga kriza e nxjerrin njerëzit e dijes apo klane e interesa meskine dhe familjar të atyre që nuk janë më në mesin tonë?! Tash mund të shtrohet pyetja a vlen kjo formulë edhe për Klinikën Kardiologjike dhe repartet tjera, nëse vdes njëri nga mjekët kardiolog, nëse edhe aty duhet t’ua sistemojmë familjarët. Siç është zemra për trupin, dija është për zhvillimin e Kosovës, por jo farefisi patriarkal që ka lëshuar rrënjë përmes Isa Mustafës edhe në LDK.

Shikuar nga ky prizëm i vlerave tejet të ulëta, sistemimi i klaneve primitive, i kuadrove nga “RIINVEST”, atyre politikanëve që iu kanë nënshtruar Isa Mustafës, ardhja e Isa Mustafës në pushtet, asgjë nuk e ndihmon Kosovën, përkundrazi do të thellohen krizat. Partitë tjera, me ndonjë përjashtim shpërfillës, janë edhe më keq, prandaj me struktura kaq të dyshimta, dhe me elementin kaq të kriminalizuara, kurrë përparim s’ka me pas Kosova edhe sikur në çdo tre muaj organizohen e mbahen zgjedhje.

Tashmë dilema për prezantimet e falsifikuara po bëhet edhe ma groteske, sepse nëse këto veprime të Isa Mustafës do t’i ishin përkthyer e prezantuar si duhet para administratës Amerikane dhe asaj të Bashkimit Evropian, as Ambasadori i Amerikës por askush nga Trupi diplomatik nuk do ta mbështeste në mënyrë publike, por marrëdhëniet e SHBA-së me Isa Mustafën do të sofistikoheshin ashtu siç kanë ditur t’i sfidojnë të gjithë krerët komunist nga vendet e lindjes.

Përgjegjësia bie mbi të gjithë ata shqiptarë që në mënyrë të falsifikuar po japin imazhin e keq për Kosovën, e në këtë plan sigurisht janë shquar komunistët ose bijtë e tyre disa prej ëmave të njohur publik që nuk po prajnë duke shprehur defetizëm, janë bijtë e inspektorëve federativ e republikan të sigurimit shtetëror, ku për këto 20 vjet po i drejtojnë mediat ma të fuqishme në vendin tonë pa iu munguar asnjë qime floku?!

Duke e parë situatën kaq të tendosur iu bëjmë thirrje përfaqësuesve diplomatik për ta ushtruar ndikimin e tyre politik e diplomatik, sidomos përfaqësuesit e Amerikës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë, për të ndikuar drejtpërdrejt në listat zgjedhore, qoftë duke autorizuar Gjykatën Speciale për ti fshirë të gjithë ata që i kanë dosjet e hapura, dhe janë të dyshuar e provuar. Në të kundërtën deklarata se qenka krijuar mundësia për krijimin e një qeverie të re, dhe sugjerimi që kandidatët të ofrojnë ide të reja mbi bisedimet me Serbinë, sundimin e ligjit, dhe zhvillimin ekonomik, i kemi provuar edhe herëve të tjera, por të gjitha proceset politike ekonomike dhe diplomatike kanë pësuar degradim në të gjitha planet e saj!

Vijon…

St. Gallen, 22 gusht 2019.

*Sh. Dibrani, është autor i 25 librave të cilët kryesisht i trajtojnë zhvillimet politike në Kosovë. Ai prej më shumë se tre dekadash jeton dhe vepron në Zvicër.