NËNËS – poezi nga Zymer Mehani

0
2003

NËNËS

Zymer Mehani

1.
Nënë e dashur,
Nënë e mirë,
Ti ke zemër
Të dëlirë.

Fjalët tua
Më gëzojnë,
Jetën time
Ëmbëlsojnë.

2.
O Nënë, për çdo gjë,
Të detyrohem Ty.
Sa shumë orë kalove
Pa futë gjumë në sy!

Veç Ti e durove
Gjatë të qarët tim,
Ti je dritë e diellit,
Je vetë shpirti im.

3.
Nënë, veç Ti përherë
Me t’ëmblën dashuriuri
Më ke ledhatuar
Çdoherë me ngrohtësi.

Më ke mbajtë në gji,
Kurrë s’je lodhë me mua,
Çdo gjë që ka vlerë
Ti ma ke mësuar.

4.
Nënë, veç Ti m’tregove
Çdo sekret në jetë,
Mua ma mësove
Çdo gjë të vërtetë.

Që të jem i sjellshëm,
I disiplinuar,
I dashur, i urtë-
Ti më ke mësuar.

5.
Gjithmonë, deri sot
Ti më ke mbështetur
Edhe kur shumëkush
Kundër meje ish.

Nënë, Ti më ke falur
Çdo faj e gabim,
Prore për mua mbete
I vetmi ngushëllim.

6.
Ngrohtësi e zemrës Sate,
Moj e dashura Nënë!
Të tërin m’ qetëson
Mua n’ shpirtin tim.
-Dashuria e Nënës
Është e ëmbël,-thonë,
Është si rreze dielli,
Plot dritë e shkëlqim.

7.
Pa kufi Të dua,
Ty, o Nëna ime,
Se në botë më solle
Ti dhe vetëm Ti.

O Nënëz e shtrenjtë,
Ti je jeta ime,
Pa mbarim Të dua,
Ty dhe vetëm Ty.

8.
Kur i pushi zemra,
Ngadalë në dhe e lëshuam,

Lulet seç u thanë,
Fluturat fluturuan…

Trupi i saj i lehtë
Mezi e prekte tokën,

Ç’dhembje n’zemrën time!
Ç’lotë nga sytë më rrodhën!…

9.
Balli Yt-
Një Abetare.
Syri Yt-
Një Dritare.

Zemra jote-
Një Fole.

Yti emër-
Vulë në zemër.

10.
Në zemër
Kujtimi për Ty-
Zjarr

Në sy
Portreti Yt-
Vegim

Në jetë
Dashuria jote-
Ngushëllim.


TË DUA

1.
Vetëm Ty të dua,
Se je JETA ime;

Vetëm Ty të dua,
Se je DRITA ime;

Vetëm Ty të dua,
Se je SHPRESA ime.

2.
Ty të dua,
Për mua je KRENARIA;

Ty të dua,
Për mua je DHEMBSHURIA;

Ty të dua,
Për mua je DASHURIA.

3.
Pa ty
Jeta ime është VARR;

Pa ty,
Zemra ime E NDARË;

Me ty,
Jeta ime është AR.

4.
Të dua
Më shumë se JETËN,
Sa DRITËN dhe TË VËRTETËN.

Të dua
Sa DIELLIN, HËNËN,
Sa VËLLANË, MOTRËN, NËNËN.

Të dua
Sa SHQIPEN NË FLAMUR,
Sa KOSOVËN TRIME,
KALA GUR MBI GUR.

Të dua
Sa MALET MADHËSHTORE,

Të dua sa SHQIPËRINË,
TOKËN STËRGJYSHORE.

5.
Njëmijë vjet
Dita më bëhet pa Ty.

Një ditë u bëftë njëmijë vjet,
Kur të jem me Ty!

6.
Kur jam me Ty,
Jam si mal me borë.

Kur jam pa Ty,
Jam i mjerë, i gjorë.

7.
Ti, vetë jeta je për mua,
Je vetë zemra ime,
Të dua! Të dua!

8.
Do të jem pa zemër
Nëse për Ty s’kam dashuri

S’do të kem dashuri
Nëse s’e këndoj këngën për Ty

S’do të quhet qiell
Atje ku s’ka ylber me shtatë ngjyra

S’do të ketë diell
Aty ku s’përcëllojnë rrezet e dëlira

S’do të ketë ngrohtësi
Aty ku mungojnë t’ëmblat fjalë

S’do të ketë përkëdhelje
Aty ku ka nënë pa djalë

9.
Nëpër cilin shteg
Të shpirtit arrite
N’cilën derë u fute
T’paktën a trokite
Pa leje më erdhe
N’zemër më ke hyrë
Për t’mos dalë më kurrë
Brenda të kam ndryrë

10.
Më erdhe si furtunë e papritur
Në çastet e rënda të vetmisë
Ti gonxhe që di të çelësh
Dhe t’ rritesh n’ zemër t’ stuhisë
Më erdhe si pikë e nxehtë loti
Si det i gjerë valashumë
Në sytë e mi t’ mallëngjyer
Në netët e mia të pagjumë
Më erdhe porsi gurrë e dëlirë
Që qetë- qetë rrjedhë në lumë
Më erdhe në stinën e dashurisë
Braktise ëndrrën e qetësisë
Më erdhe kur këndojnë trishtilat
Kur rriten e harlisen zymbylat
Braktise rrugën e trishtë të vetmisë
U nisëm së bashku shtegtimit t’dashurisë.


VARGU IM

Atdhe dhe komb
Gjuhë e flamur
Këngë e guximshme
Mes brigjesh urë
I shtigjeve kalim-
Ti, vargu im

Mërgimtarësh mall
I votrës zjarr
I motrës lot
I nënës kujtim-
Ti, vargu im

E dëlirë gurrë
I hidhur kurrë
Ngado vërtitesh
Prore po rritesh
I dashnorëve takim-
Ti, vargu im

Ngadal po ngritesh
N’lartësi po ngjitesh
I fortë si gur
Shqipe n’ flamur
Dhe fjalë e nderit
Shkëmb i mermerit
Nga zemra burim-
Ti vargu im

Si loti i kulluar
Shkëlqim-
I kujtimeve të ëmbla-
Galdim
I ushqyer me bardhësi-
Plis
I fortë në shtrëngata-
Lis
Nga zemrat
I bekuar
I dashur
I uruar

Për çifte e dashnorë
Lule me kurorë
Dhe i bardhë-
Dëborë
Për heronj e dëshmorë

Për t’atdheut
Liri-
Kordel kuqezi
Kala
Gur mbi gur-
Kuqezi
Flamur

Në mendime
I thellë
I çiltër-
Dritë, diell
I fuqishëm-
Atdhetar
I besës-
Krenar

I guximshëm varg
Shigjetë edhe hark
Ar e qëndrestar
Në t’dimrit acar
Kalorës plot guxim
N’t’murlanit tërbim

Rrugëtimet e tua
S’kanë fund
As mbarim
Prore pa pushuar
Janë në fluturim
Ti, Vargu im-
Qëndresë,
Dashuri dhe besë.


EMRIN TËND TA SHKRUAJ

Emrin tënd Kosovë,
Ta shkruaj tek yjet
Ta shkruaj te fushat
Ta shkruaj te pyjet

Kosovë emrin tënd
Në gurra ta shkruaj
Në lumenjtë bilur
Në arat me grurë

Emrin tënd ta shkruaj
Në Shpellë të mermerit
Në krahët e Shqipes
Në ngjyra t’ylberit

Ta shkruaj tëndin emër
N’ kaltërsinë e qiellit
Në lulet e fushës
Në rrezet e diellit

Në çdo vend ta shkruaj
Kosovë, emrin Ty…
Me kreni e dhembje
Me shumë dashuri

Për ty, Kosovë shkruaj
Vargje trimërie
T’kanë hije rreth brezit
Si gjerdan lirie


I DASHURI ATDHE

Në ty, atdhe i dashur
U lindëm dhe u rritëm
Me zemër bujare
Dhe besën e traditën
Ku gjuhë dhe flamur
I dashuri atdhe
I kemi besë dhe fe
Ku shqiptari është mbret
Nga deti në det
Plisbardhë n’ shekuj shqim
Lulëkuqe në lulëzim
Me besë dhe betim
Për ty-sakrifikim
Prore të dalim zot
Si i madhi Kastriot
Se të kemi dashuri
Pasha këta dy sy
Në një çerdhe me shqipen
Shekujt na kalitën
Edhe pse plaga ende na lëngon
Edhe pse gjaku ende na pikon
Për ty çdo shqiptar
Kërkon Bashkim Kombëtar


DRITË E METEORËVE

(Dëshmorëve Shefki Kuleta e Shaban Avdiu)

Nëpër vargjet e thurura të poetëve
E n’pikturat e bukura të piktorëve
Vezullojnë fytyrat e dëshmorëve
Ndrit kudo dritë e meteorëve
E ne sot u vëjmë lule në lapidarë
Me besa besë për Ribashkim Kombëtar
Tufa lulesh të freskëta gjatë viteve
Vendosim përherë mbi krahët e Shqipeve
Që gjatë stuhish rrebeshesh dhe furtunash
Kaluar kanë mbi rafale plumbash
E sot emrat e dëshmorëve tanë Ty,
Atdhe i dashur hije po të kanë
Të skalitur në faqet kombëtare të historisë
Si gjerdan lirie në ballë të Shqipërisë.


TI, O ÇLIRIMTAR!

(Zahir Pajazitit)

Ti, o Çlirimtar,
Emër i lavdishëm,
Ar edhe thesar,
Kujtim i amshuar,
N’Flamur i lartësuar.

Ti, o Atdhetar,
Me t’guximshmen zemër,
Kujtim yti emër,
I fortë si çeliku,
S’të mposhti armiku.

Ti, o Burrë shqiptar,
Diellon rreze-ar,
Je yll shkëlqimtar,
Gjakun derdhe gurrë,
Për Shqipe dhe Flamur.

Ti, o Trim dai,
I shenjtë emër ti,
Mbushur plot lavdi,
E ndezur shkëndi
N’timen poezi.

Ti, o Zemërzjarrtë,
N’skëterrë dritë e artë,
Për ty n’zemrën time
Porsi det me dallgë,
Seç po jehojnë këngët
Lart edhe më lart.

Ti, o Trim kombëtar,
Ndër shokët i rrallë,
Prore je i gjallë
Si trimat e Motit
N’epikë dhe përrallë.

Ti, o Zemërburrë,
Shqipe në Flamur,
Pushka jote e gjatë
Mandatë për armikun,
Tradhtarin e t’ligun.

Ti, Hero shqiptar,
U bëre shpëtimtar
Si vullkan me llavë
I atdheut t’përgjakur,
T’ djegur e t’përflakur.

Ti, trim i uruar,
Nga Zoti i bekuar,
Je yll i pashuar
N’përjetësi i lartësuar.


MBI QERPIKUN TËND

1.
Mbi qerpikun Tënd
Porsi krah Shqiponje
Dua t’pushoj, ARBA
Mori vashë Kosove.
Mbi qerpikun Tënd
Dua t’më zërë gjumi
N’ëndërr të më shfaqesh
Me flatra pëllumbi
Zjarr i dashurisë
Dhe shikimi Yt
Zemrën ma ka grisë
Më ngjall a më mbyt
ARBA, vashë shqiptare
Me dy sytë e zi
Ti je jeta ime
Të kam dashuri

2.
Diku gjendet
Një zemër e braktisur
E gërvishur
Dhe e ndarë në dysh
Gjendet diku
Një zemër e drobitur
E plagosur
Dhe e sakatosur
Diku gjendet
Një zemër e trazuar
E lënduar
Dhe e krejt e trishtuar
Gjendet diku
Një zemër e shastisur
E fashitur
Dhe krejt e braktisur
Diku gjendet
Një zemër në pikëllim
Në vuejtje të thellë
Për Ty shpirti im

3.
Do të jem pa zemër
Nëse për Ty s’kam dashuri
S’do të kem dashuri
Nëse s’e këndoj këngën për Ty
S’do të quhet qiell
Atje ku s’ka ylber me shtatë ngjyra
S’do të ketë diell
Aty ku s’përcëllojnë rrezet e dëlira
S’do të ketë ngrohtësi
Aty ku mungojnë t’ëmblat fjalë
S’do të ketë përkëdhelje
Aty ku ka nënë pa djalë

4.
As plaket
As matet
As blihet
As falet
Kurqysh
s’ përfitohet
Por vetëm
dhurohet
Ajo është
prush
Ajo është
zjarr

Ajo të djeg
Të përvëlon
Kujdes
nga njerëzit
Që u mungon

5.
Nëpër cilin shteg
Të shpirtit arrite
N’cilën derë u fute
T’paktën a trokite
Pa leje më erdhe
N’zemër më ke hyrë
Për t’mos dalë më kurrë
Brenda të kam ndryrë

6.
Në dhomën e ftohtë
ora po troket,
Shkon tetë, nëntë,
dhjetë e njëmbëdhjetë
dot s’i numëroj,
po rri e përgjoj
Sa ngadalë pa ty
koha më rrëshqet
Pa dashurinë tënde
Fare s’ka lezet.
Sa ngadal kalon
tash koha pa ty
Ikën bash si era
me borë e stuhi,
Porsi trumbë me zogj
Është në fluturim
Po se si po shkon
Mua m’lë n’pikëllim
Le të shkojë ajo
Për të, s’dua t’ di.
Nuk më dhimbet fare,
Pasha k’ta dy sy
Se janë orë të rënda
që s’kalojnë pa ty.

7.
Mbi supe plot halle
Kaptoj fusha, male
Po nisem ndrejt Teje
Me shpejtësi rrufeje
N’Tëndin përqafim
ARBA, gëzimi im
Me plagë që m’kullojnë
N’duart që m’kërkojnë


DËSHMORI I LIRISË

(Ferit Currit)

Tënden jetë-
Atdheut dhuratë
Në këtë qiell arbëror
Ndrit si meteor
Jotja qëndresë
Fitore dhe shpresë
Ngadhnjyese prore
Fitore, fitore
I jetës sonë farkëtar
I vërtetë shqiptar
Me fuqi vigani
E zemër luani
Disfatë kurrë nuk njohe
Ti o zog Shqiponje
Para tëndit varr
Epitaf i gjallë
Kujtimi për Ty.
Dashuri na ngjall
Linde e u flijove
Për këtë tokë arbërore
Lirinë na e dhurove
Te Yjet u lartësove


LUMI LLAP

Nganjëherë m’i ngjan Kalit të Baladës
Me jelën e bardhë i mbushur gjithë shkumbë
Çfarë bart në shpinën tënde që kurrë nuk e kërruse
Cili qenka ai kalorës që të kalëron
E të ndalet s’dashka as n’paqë as n’furtunë

Edhe vashës mitare me lot në sy m’i ngjan
Ashtu me dënesje kë po e vajton
Kush po t’i shiton ato brigje tua
Melodinë nanuritëse kush po ta ndalon

Ti ngado që shkon je bashkë me përroskat në shoqëri
E unë kam dëshirat dhe ëndrrat për dashuri
Ti shkon e kthehesh e plagët t’ kthehen në lule
Kurse unë shkoj e s’vij e me plagë n’trup mbushem

Gjithmonë ecësh kah gjerësitë
Lumi im i Madh
Rroftë dashuria jote – e bukura gurrë me valë