DEKLARATË PUBLIKE E NËNDEGËS SË LDK-SË NË ST. GALLEN TË ZVICRËS
Kryesia e Nëndegës së LDK-së në St. Gallen, në vazhdimësi i ka përcjell zhvillimet politike në Kosovë. Kjo nëndegë vazhdimisht mendimin e saj dhe të anëtarësisë e ka dhënë publikisht. Për të gjitha zhvillimet e ngjarjet politike, kjo nëndegë rregullisht ka reaguar për ato veprime që kanë rënë ndesh me interesin partiak dhe atë nacional, duke u munduar që të ndikojë për tu përmirësuar gjendja, kurse përfaqësuesit legjitim dhe kryesia e LDK-së të mos bien në grackë, dhe të mos bëjnë gabime të cilat do ti kushtonin Kosovës dhe të ardhmes së saj evropiane, ndërsa në mënyrë të veçantë tagrin e gabimeve do ta paguante vet LDK-ja.
Tashmë Kosova është para një ngjarje me rëndësi kombëtare siç është zgjedhja e Presidentit të vendit. Prandaj, kryesia e nëndegës si dhe anëtarësia e gjerë që veprojnë në kuadër të nëndegës së LDK-së në St. Gallen, janë kundër zgjedhjes së Hashim Thaçit për president të Kosovës. Ndoshta ma shumë se kushdo tjetër ne kemi arsye pasi Hashim Thaçi ka qenë azilant këtu në regjionin tonë, dhe në anën tjetër duke ia njohur të kaluarën dhe të tashmen e tij. Pastaj gjithë ato përfolje për te, dhe madje edhe akuza të rënda për krim politik e ekonomik, (e ndoshta deri në tradhti kombëtare?!), për të cilat tashmë po fliten me të madhe, nëpër shtypin e shkruara dhe nëpër rrjetet e shumta sociale, konsiderojmë se janë mjaft të njohura për opinionin që nuk po e shohim të arsyeshme t’i theksojmë edhe në këtë deklaratë, por mendimi i Kryesisë së Nëndegës së LDK-së në St. Gallen është se Hashim Thaçi nuk përfaqëson politikanin unifikues dhe as figurën emblematike për ta bashkuar spektrin politik kaq të përçarë. Zgjedhja e tij do të krijonte divergjenca dhe kontradikta edhe më të mëdha, prandaj ne kërkojmë nga deputetët e LDK-së, jo vetëm që të mos e votojnë, por as mos të jenë në sallën e kuvendit kur do të votohet Thaçi, në të kundërtën ata do të bëjnë një gabim shumë të rëndë me përmasa afatgjate e cila drejtpërdrejt do të reflektohet në karrierën e tyre politike në njërën anë, dhe në anën tjetër as nuk dëshirojmë që këto gabime të reflektohen edhe më shumë në vet Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Kryesia e ngushtë e LDK-së në krye me Isa Mustafën, dita ditës janë duke e degraduar dhe shkatërruar demokracinë e brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës, dhe vazhdimisht po veprojnë në kundërshtim të plotë me orientimin e anëtarësisë së gjerë në Kosovë dhe diasporë, sidomos ky veprim është thelluar pas kuvendit të VIII-të të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në prizmin negativ janë reflektuar vendimet e Kryesisë Qendrore në raport me dy degët e LDK-së në Zvicër dhe në Gjermani, të cilat si veprime dhe si qëndrime janë arbitrare dhe të papranueshme për konceptin gjithëpërfshirës që e ka kultivuar për vite te tëra LDK-ja, dhe natyrisht ky vendim është reflektuar drejtpërdrejt edhe në të tashmen kaq të tensionuar edhe brenda vet LDK-së.
Kulmi i injorancës dhe i qëllimit shkatërrues, sidomos për Degën e LDK-së në Zvicër, ka dal në pah kur me manipulime përmes disa individëve, të cilët tashmë nuk përfaqësojnë askë, por që e kanë zbuluar fytyrën e vërtetë të veprimeve antidemokratike, për të instaluar edhe brenda LDK-së koncepte dhe masa të detyrueshme, me tendenca të caktuara për ta bërë si akt faktik një veprim i cili është tipar i sistemeve arbitrare moniste. Nëndega e LDK-së në St. Gallen, e sheh si vendim arbitrar të vet z Isa Mustafa edhe vendimin për të mos i njohur zgjedhjet në këto dy Degë, jo pse nuk i kanë plotësuar standardet demokratike, por pse ato kuvende i kanë nxjerr kryetar dy figura të cilat nuk po i pëlqyeka Isa Mustafa, me çka ai haptas ka dëshmuar se është kundër demokracisë dhe votës së lirë.
Këta individ, që me servilizëm i zbatojnë urdhrat e një klani që e ka kapur LDK-në, edhe më tutje po thirrën si kryesi e Degës së LDK-së në Zvicër, duke u bërë sa qesharak po aq kanë zbuluar fytyrën e tyre në shërbim të klaneve dhe grupeve që kanë synim për ta shkatërruar LDK-në. Kryesia e Nëndegës së LDK-së në St. Gallen të Zvicrës edhe një herë ripërserit qëndrimin e saj se Kuvendi i VIII-të zgjedhor i Degës së LDK-së ka qenë i rregullt dhe konformë standardeve demokratike andaj tendenca e një klani në Kryesinë Qendrore për të imponuar forma të diktatit dhe anti demokratike, për ne janë të papranueshme.
E përsërisim se ai Kuvend ka zgjedhur një kryetar legjitim dhe një kryesi të cilët kanë përkrahjen e shumicës dërmuese të nëndegëve anë e kënd Zvicrës, në këtë kontekst kanë edhe mbështetjen e Nëndegës së LDK-së në St. Gallen. Prandaj kryesia e nëndegës kërkon dinamik ë më të shtuar nga Dega e LDK-së në Zvicër e cila në mënyrë të qartë duhet të dal me deklaratë publike për të shprehur opinionin e anëtarësisë së gjer se Dega e LDK-së në Zvicër, bashkë me nëndegët janë kundër zgjedhjes së Hashim Thaçit president i Kosovës, dhe kundër abuzimit me demokracinë dhe votën e zgjedhësve ashtu siç po bënë Kryesia e LDK-së në Prishtinë dhe një numër i caktuar edhe i Deputetëve të LDK-së që i kanë zënë ulëset në Parlamentin e Kosovës!
Me këtë rast kryesia e Nëndegës së LDK-së në St. Gallen, i përkrah dhe i përshëndet iniciativën e Nëndegëve në Dobërçan dhe atë në Ulpian të Prishtinës dhe njëkohësisht apelon te nëndegët tjera të LDK-së, tek Degët e LDK-së si dhe tek delegatët dhe deputetet e LDK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës që të jenë në gjendje për të sakrifikuar postin politik dhe vendin e punës kur është nevoja për ta mbrojtur kauzën kombëtare e cila tashmë çart shihet se po manipulohet nga kreu qendror i LDK-së.
Kryesia e nëndegës së LDK-së në St. Gallen(CH)
1. Sallah Januzi
2. Qamil Cekaj
3. Adelina Muhagjeri
4. Milaim Vokshi
5. Gjok M. Gjokaj
6. Shkurte Ajvazi
7. Sefedin Vokshi
8. Musa Hajredini
St. Gallen, 28.01.2016.