Isak AHMETI
Sapo ka dalë në dritë kompleti i veprave: NËNA TEREZE NË SHTATË VËLLIME, i shkrimtarit dhe studiuesit të njohur Anton Nikë Berisha. Me këtë komplet veprash, në shtatë vëllime, për Nënën Tereze, autori zbulon një tjetër hapësirë mundësish të pakufishme jo vetëm trajtime teologjike por edhe për kundrime eseistike, për persiatje të përshpirtshme dhe për zbërthime meditative.
Përpos kundrimit të figurës së Nënë Terezës në rrafshin artistik, nëpërmes romanit: Nëna e Dritës (2004), Ujvarë Drite në zemër (2010), dhe Dritë në shtjellën e gërbulës (2012), të përkthyera dhe të botuara tashmë edhe në gjuhën italiane, Anton N. Berisha, me veprat e tij studimore: Nëna Tereze në tri shpalime, Shën Maria dhe Nënë Tereze, Testamenti shpirtëror i Nënë Terezes etj. jo vetëm që e zbulon në një formë më të thelluar se disa autorë të tjerë, por edhe e përndriçon figurën dhe pasurinë shpirtërore të Nënës Tereze.
Me këto vepra autori në fjalë ka ndriçuar disa nga çështjet më të qenësishme të shpirtit, të veprës dhe të flijimit të Nënës Tereze për njerëzit, sidomos për të varfërit e më të varfërve, duke u dhënë vend parësor, para së gjithash, mendimeve, teksteve të lutjeve dhe letrave të saj si dhe vlerësimeve të bashkëpunëtoreve dhe bashkëpunëtorëve, barinjve shpirtërorë dhe teologëce për arsye se me to e përmes tyre dalin në dritë të vërtetë, nga njëra anë, pasuria e shpirtit të Nënës Tereze dhe nga ana tjetër, rëndësia e veprës që bëri dhe e mesazhit që ajo i la njerëzimit.
Duke u marrë me këto problemtika, pra me tekstet – mendimet e Nënë Terezes, autori, siç e ka thënë edhe vetë, është bindur për herë e më shumë se ato në qenësinë e tyre janë më të thella e më konplekse se sa të duken gjatë një leximi të rëndomtë, thellësi që brumoset-ngjizet besimi i saj i jashtëzakonshëm në Hyjin. Sipas optikës studimore të Anton N. Berishës del se vepra e Nënë Terezës ishte dhe mbetët një shembull i rrallë në historinë e njerëzimit për dashurinë që tregoi dhe për flijimin që bëri për tjetrin sidomos për të varfërit, për fëmjët jetimë e për të braktisurit.
Për këtë komplet veprash, më gjërësisht, shpresoj, në një rast tjetër!