NËNA FISNIKE E VENDLINDJES SIME, HAJDINE VELI REXHAJ, NËPËR DALLGËT E EGËRA TË LUFTËS SË KLASAVE

0
460
Nënë Hajdine

Hajdine Rexhaj 1914 – 1995

Nëna fisnike e vendlindjes sime Hajdine Elmazi Rexhaj, bijë nga fshati Mazhër Lapardha Vlorë, ishte martuar në familjen fisnike Hadër Mahmut Rexhaj në lagjen Komlysh Kropisht Vlorë. Në familjen fisnike Hadër Rexhaj kishte gjetur dy djemtë e tij nga martesa e kaluar. Që në fillimet e jetës familjare kishte përjetuar shumë hidhërime nga kuçedra komuniste. Nusëria e saj ishte mbuluar me rroba të zeza… Në gushtin e vitit 1943, pasi ishte prishur “Marrëveshja e Mukjes” ishte pushkatuar pa gjyq nga PKSH djali Isuf Hadër Rexhaj dhe mizorisht u zhduk trupi tij.

Kalvari i persekutimeve kishte vazhduar me egërsi, për të likujduar kryefamiljarin Hadër Mahmut Rexhaj. Prindi fisnik Hadër Mahmut Rexhaj u arrestuan dhe ishte dërguar në burgun torturues të Gjirokastrës. Në qelitë e errëta të burgut me lagështirë ishte sëmurë rëndë nga turbekulozi. Kishte kryer një vit burg dhe ishte liruar nga biruca e vdekjes. I sëmurë kishte shkuar në familje. Pas tre muaj qëndrimi te familja e tij e dashur, e arrestojnë përsëri. Diktatura komuniste, me hanxharin e luftës së klasave, e dënoi me 10 vjet burg.

Në kushtet e vështira të burgut, i ishte përkeqësuar shëndeti nga sëmundjet e shumta. E kishin shtruar në spitalin e burgut Vlorë. Pas 6 muaj jetë të mjeruar në skëterrin e burgut, në korrik të vitit 1945 kishte vdekur në spitalin e burgut, mes vetmisë,trishtimit e dhimbjes, pa asnjë pjestarë të familjes pranë. Familja nuk ishte thirrur për të parë kryefamiljarin as në çastet e fundit të jetës. Por nuk mjaftoi me kaq dhimbja,sepse diktatura nuk e njeh dhimbjen njerëzore, por vetëm etjen për pushtet, për të sunduar me hekur e gjak..Nuk dihet se ku e kanë varrosur. Edhe sot fëmijët e tij nuk e dinë ku ndodhen eshtrat e babait të tyre Hadër Mahmut Rexhaj.

Pa kaluar tre muaj nga vdekja e kryefamiljarit Hadër Mahmut Rexhaj, dora e errët e diktaturës komuniste masakroi djalin katërmbëdhjetë vjeçar Fari Hadër Rexhaj, i cili si fëmijë ruante bagëtinë e familjes në livadhet e korijet e fshatit Kropisht. Në tetor 1945, në mbrëmje djali katërmbëdhjetë vjeçar Fari Hadër Rexhaj nuk u kthye në shtëpi. Bagëtia qe kthyer pa të zotin, që i kulloste dhe i ruante për të përballuar jetën ekonmike. Kur bagëtia kishte shkuar në shtëpi, ishte shqetësuar nëna hallemadhe Hajdine Rexhaj, e cila kishte njoftuar burrat e fisit Rexhaj të kërkonin djalin Fari Hadër Rexhaj, sepse fëmijët e tjerë ishin të vegjël, nën moshën dhjetë vjeçare. Kishin dalë për të kërkuar burrat e fisit Rexhaj dhe e kishin gjetur të vrarë me sëpatë në kokë.

Një krim makabër kundër jetës së një fëmije djalin katërmbëdhjetë vjeçar, tregonte egërsinë e Partisë Komuniste, një parti terroriste, e komanduar nga sllavët e Beogradit titist, të cilët prishën “Marrveshjen e Mukjes”, për të ndezur luftën civile, që shqiptarët të vriteshin me njëri tjetrin dhe të mos krijohej Shqipëria etnike”. Nëna Hajdine Rexhaj, së bashku me fisin Rexhaj, e përcollën me dhimbje në banesën e përjetshme, fëmijën katërmbëdhjetë vjeçar Fari Hadër Rexhaj. Ata ishin trishtuar shumë që kryefamiljarit Hadër Mahmut Rexhaj dhe djalit të tij njëzet e katër vjeçar Isuf Hadër Rexhaj iu kishin zhdukur trupat diktatura komuniste.

Nëna heroinë Hajdine Rexhaj, në moshën 30 vjeçare, kishte mbetur me gjashtë fëmijë jetimë, të cilët ishin në moshë të mitur, vajza e madhe dhjetë vjeçe dhe e vogëla foshnjë në djep. Nënë Hajdinea ishte përballur jo vetëm me vështirësitë ekonomike, për të rritur me mundime gjashtë fëmijë, por duhej të përballonte luftën e egër të klasave. Kuçedra komuniste nuk ishte ngopur me vrasjen e tre pjestarëve të familjes, por kishte marrë vendimin për ta nxjerrë nga shtëpia e banimit. Ja kishin marrë shtëpinë, duke e përshtatur për shkollë fshati për disa vjet. Nënë Hajdine Rexhaj, me shumë optimizëm, si grua trime, u qëndroi me burrëri të jashtëzakonshme vështirësive. Ishte e detyruar për të rritur gjashtë fëmijë jetimë, të punonte në ndërmarjen rruga ura në mirëmbajtjen e xhades Sherishtë–Drashovicë-Kotë.

Me mundime e sakrifica nëna fisnike Hajdine Rexhj kishte përballur luftën e egër të klasave, duke rritur 6 fëmijët jetim.pesë vajza e një djalë… Një nënë me kurajo burri, me shpirt qëndrestar, edukoi vajza model dhe djalin e vetëm, të dashur, Qemal Hadër Rexhaj. Nëna Hajdine u gëzua që vajzat e saja të edukuara krijuan familje. Ajo u lumturua kur krijoi familje djali i saj i vetëm Qemal Rexhaj, i cili tregonte kujdes e shumë dashuri për nënën e tij të shtrenjtë. Ajo kujdesej me shumë dashuri për djalin e saj të shtrenjtë Qemal Rexhaj, e shikonte si dritën e syrit të saj.

Djali i nënë Hajdine Rexhaj, Qemal Rexhaj kishte hedhur trup, me shpatulla të gjera, i fortë fizikisht dhe ishte edukuar me shumë dashuri për jetën. Në moshën e bukur të rinisë, djali i shtrenjtë i nënës Hajdine Rexhaj, Qemal Hadër Rexhaj kur kishte mbushur moshën 20 vjeçare kishte energji të forta fizike dhe shpirtërore. Me tingujt e fisarmonikës, që i binte pasditeve, tregonte shpirtin e tij melodioz, plot dashuri për jetën. Ishte i pari që kishte blerë radion me bateri, duke treguar kulturë për ta shijuar jetën dhe për të sfiduar hijet e luftës së klasave. Në fshehtësi, njerëzit e diktaturës thurnin intriga për ta shpalluar armik.

Fytyra e tij e qeshur, me zërin e embël, shprehte botën e tij dashamirëse për të jetuar me harmoni në shoqëri e miqësi. Punonte në punët më të vështira, rezistonte dhe sakrifikonte në emër të një jete më të mirë, shpresa për të cilën nuk e braktisi kurrë. Edhe pse nuk kishte mbaruar shkollë të lartë, ishte i zgjuar, me vizione të qarta, për të jetuar në mënyrë aktive e të kulturuar. Ndonëse lufta e klasave e survejonte dhe spiunët e ndiqnin këmba këmbës, duke përgjuar bisedat që zhvillonte, ai ishte i guximshëm për të përballuar çdo provokim që i bëhej. Ishte i sinqertë për të thënë të vërtetën.

Nuk e duronte padrejtësinë dhe fodullëkun e disave që ishin të veshur me autoritetin e partisë e pushtetit komunist, të cilët me ligësi e gjurmonin se si ta ndëshkonin si armik. Dhe nuk vonoi dita që do ta shpallnin armik. Ishte 15 gushti vitit 1966, kur partia e pushteti i fshatit Kropisht, me ndihmën e institucioneve shtetërore të diktaturës komuniste, e shpallën armik, për ta izoluar edhe nga shoqëria. Shpallja armik ishte hapi i parë i ligësisë, sepse synimi organeve të diktaturës komuniste ishte burgosja e birit të vendlindjes Kropisht Qemal Rexhaj…

Qemal Rexhaj me nënën Hajdine Rexhaj

Nëna fisnike Hajdine Rexhaj ishte trishtuar. Ajo nënë e rrallë e vrarë në shpirtë nga lufta e klasave mundohej të sakrifikonte edhe jetën e saj për jetën e të birit të shtrenjtë Qemal Rexhaj. I kishte plagët të freskëta të humbjes së jetës dhe të zhdukjes të trupit të bashkshortit të saj Hadër Rexhaj. Nëna Hajdine Rexhaj me qetësi e butësi qëndronte e fortë përballë shqetësimeve të sulmeve të luftës së klasave kundër djalit të saj të shtrenjtë Qemal Rexhaj. Skenarët e shpifjeve, intrigave të përfaqësuesve të partisë e pushtetit e kishin ndjekur hap pas hapi djalin e saj Qemal Rexhaj.

Ishte zbatuar skenari për burgosjen Qemal Hadër Rexhaj me qëllim që edhe djalin e vetëm të nënë Hajdine Rexhaj ta eliminonin,ashtu si kishin bërë edhe me babain e vëllerzërit e tij. Vdekja është ligji natyrës. Të gjithë janë të vdekshëm. Askush nuk i shpëton vdekjes sepse jetën na i merr Zoti. Pse duhet që robi ti marrë jetën robit?! Pse kjo urrejtje midis bashkfshatarëve kropishtjotë ?!

Kalvari vuajtjve të djalit të nënës Hajdine Rexhaj, Qemal Rexhaj është me shumë ngjarje të hidhura që duhet roman për ta shkruar. Ishte foshnjë kur babai tij Hadër Rexhaj ishte arrestuar e burgosur e humbur edhe trupi tij nga diktatura komuniste dhe nuk pati fatin të merrte përkëdhelje e ledhatime at’rore.

Në shkurt të vitit 1969 me intriga e shpifje e kishin akuzuar dhe dënuar penalisht me 5 vjet heqje lirie. Nëna Hajdine Rexhaj ishte pikëlluar nga dënimi djalit të shtrenjtë. Me ndihmën e vëllezërve të saj kishte kërkuar me guxim në istitucionet qëndrore të drejtësisë të rikishkohej masa e dënimit. Me sy të lotuar shikonte nga dera e shtëpisë ti vinte djali i shtrenjtë Qemal Rexhaj. Me optimizëm e realizoi uljen e dënimit nga 5 vjet në 1 vit. Pas një viti në 10 prill 1970 nëna fisnike Hajdine Rexhaj u lumturua që i erdhi në shtëpi djali shtrenjtë Qemal Rexhaj.

Me ndryshimet e sistemit në vitet 90 nëna fisnike Hajdine Rexhaj u gëzua që djali saj i shtrenjtë Qemal Rexhaj ishte zgjedhur kryetar i këshillit të fshatit Kropisht.

Bashkëshortët Aneta Rexhaj & Qemal Rexhaj

Me shpirtin e tij demokrat human djali nënës Hajdine Rexhaj nuk e përdori detyrën për urrejtje apo hakmarrje ndaj atyre që e kishin persekutuar e burgosur, por me zemërgjerësi, në kohën që ndryshuan sistemet politike dhe mori detyrën e Kryeplakut të fshatit, me vulën e pushtetit punoi me ndershmëri, pa përdorur mllefe apo inate për të kaluarën.

Kujtoj e nderoj me respekte nënën e dashur, Hajdine Rexhaj, e cila na falte ngrohtësi e na jepte dashuri prindërore. Nënë Hajdine Rexhaj ishte një nënë e dashur, e urtë, me një dashuri të pakufishme për familjen e saj, për fëmijët, për nipër e mbesa, për fisin Rexhaj dhe për kropishtjotët. Kur të takonte, i ndriste fytyra nga gëzimi; edhe pse brengat e luftës së klasave e kishin hidhëruar, ajo të takonte me një buzëqeshje të bukur dashamirëse, me zemër dlirësie nëne. Ajo priste me gëzim e shumë dashuri nipër e mbesa, të cilëve iu jepte dashurin e gjyshes dhe merrte prej tyre shumë dashuri.Nëna e dashur Hajdine Rexhaj ishte gojëmjaltë, fjala e saj të ëmbëlsonte shpirtin e të jepte frymëzim për jetën.

Djali i saj i shtrenjtë Qemal Rexhaj me bashkshorten e tij dinjitoze Aneta Rexhaj kujdeseshin me shumë dashuri për jetën e nënës të shtrenjtë Hajdine Rexhaj. Nëna fisnike Hajdine Rexhaj jetoi me optimizëm, duke përballuar shumë vuajte deri në 27 mars 1995, kur arriti të shikonte ndryshimin e sistemit politik. Kishte lindur në stinën e bukur të pranverës më 18 prill 1914 dhe u largua nga jeta përsëri në fillim të stinës së luleve dhe gjelbërimit, me datë 27 mars 1995. Ishte përcjell me shumë dhimbje në banesën e fundit nga fëmijët e saj të shtrenjtë, nga nipër e mbesa, nga fisi Rexhaj, miqtë e kropishtjotët.

Qoftë i paharruar kujtimi nënës së dashur Hajdine Rexhaj!
Ti rrojnë gjithë trashgimtarët e saj!
Nderime kujtimit të ndritur të NËNËS FISNIKE HAJDINE REXHAJ!

Qatip Mara
Nju Jork, 19.08.2021