KRISTAQ TURTULLI
Poemth
Nën mësalla,
Nënqeshi mëhalla,
Kur unë linda.
Hëm.., gërhiti: polli plaka,
Borgjezka.
Halleshumë Nëna,
flokëbardha,
E bukura, fisnikja,
S’kish mbushur tridhjetepesë pranvera.
Lule qershie në ciknë,
E thinji injoranca, smira.
Në kullën e hirtë,
Trishtimi ndehu petkun e brymtë,
S’kish qumësht nëna,
Veç djersë të plumbtë në qerpikë,
Por në gji fshihte një dritë.
Në pyllin e argjende të nënës, u rita.
Në rrugën e kalldrëmtë gjunjët dërmova.
Më ndoqi pas përgjimi i pistë…
U kërrus Nëna e vogël u bë,
Prej lodhjes dhe punëve rënda.
I puthja duart e rrudhosura:
I vogël flori por e madhe është vlera,
I thosha.
Qeshte dhe luante kryet e argjenda.
Mos u var te nata,
Më tha Nëna
Para se të mbyllte sytë,
Mbështetu te nesërmja, drita.
Dritë s’pashë, ndaj ika…
Mbështetur në dy brigje përvëluese.
Kërkoj fjalë qetësuese lehtësuese,
Në cep të një bote, pranë akullnajave,
Erërat polare pikturojnë,
Imazhin e prindërve,
Në shtegun e përçapjeve.
Kokën vë,
Të shenjtën fjalë: ‘NËNË!’
Ajri bëhet më i lehtë,
Lëviz në shinat e ndjenjave,
Udhë merr në hapësirë,
Gjithçka bëhet e portokalltë,
Dëshirë e pambuktë,
Dhe ja!
E ëmbla e papërsëritshmja,
E vogla, flokëbardha,
Madhështorja
NËNA,
Më del përpara.
Gjithnjë,
Edhe pse ka vjet njëzetepesë,
Që s’është mes të gjallëve…
Më prek lehtë, butë,
Dridhen si gjeth në vjeshtë,
Rrëketë në trup sërish gjejnë udhë.
Si diell i ngrohtë më puth në sytë.
Bir, a ke të ftohtë?
Mërgimi s’është i lehtë,
Por anija jonë velë bardhë,
Është mësuar të lundrojë në det të egër me dallgë,
I qetë mbyll sytë.
Iku NËNA, re si më parë u bë…
Pas la puhizë të lehtë,
Pulëbardha u bënë avujt në kujtesë.
E di e ëmbla ime,
Do vish prapë…
E lashtë është dashuria jote.
Fllad, puhizë,
Shpresë.
Gjithësi.
Pjesë e rëndësishme e jetës sime je ti.
Shkurt 2012-2019