Në zgjedhjet e 25 Qershorit shqiptarët duhet të deshmojnë se janë të denjë e të gatshëm për t’u pranuar në familjen Europiane

0
565

Zef N. Brozi

Dita e votimeve ka një të vecantë të bukur, të rrallë dhe shumë domethënëse: ne qytetarët e thjeshë që shkojmë për të votuar ndihemi të pushtetshëm, ndihemi të barabartë me pushtetarët e politikanët. Sepse vota jonë ka po aq vlerë sa vota e presidentit, kryeministrit, kryetarit të Parlamentit dhe cdo pushtetari e politikani tjetër. Fushatat zgjedhore janë mbase të vetmet ditë kur politikanët, të pozitës dhe opozitës, u përulen qytetarëve duke iu lutur për votën e tyre.

Prandaj ju bëj apel të gjithë qytetarëvë që kanë të drejtën e votës të shkojnë e të votojnë me 25 Qershor dhe të mos ia privojnë vetes qenien të pushtetshëm për të vendosur për Qeverinë dhe Parlamentin e tyre. Vota e seicilit ka vlerë të pazëvendësueshme. Të dashur votues: Mos e nënvleftësoni e cvleftësoni veten duke mos votuar, apo duke e shitur votën tuaj!

Fatkeqësisht më se 1/3 e votuesve janë ne imigracion (si dhe unë) dhe nuk votojnë dot.
Zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit marrin një rëndësi të vecantë edhe për të ardhmen e Shqipërisë. Nëse zgjedhjet do jenë të lira e të ndershme Bashkimi Europian do të fillojë procedurat për anëtarësimin e vendit tone. Por nëqoftëse zgjedhjet do të manipulohen e fallsifikohen, pra nëse nuk do jenë zgjedhje të lira e të nderëshme, BE mund tia mbyllë dyert Shqipërisë edhe për shumë vite të tjera. Politikanë të korruptuar e të papërgjegjshëm mund ti japin vendit përsëri drejtimin Anti-Perëndimor.

Prandaj shteti dhe të gjithë qytetarët duhet të jenë edhe më shumë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm e të garantojnë zgjedhje sipas standarteve demokratike. Partitë dhe drejtuesit e tyre kanë detyrim ligjor dhe përgjegjësi politike që të mos provokojnë dhunë a bien në grackën e provokimeve. Vota e lirë e qytetarëve le të vendosë edhe vlerat reale dhe fatin politik të cdo partie.

Unë përshëndes me shumë dashamirësi votuesit të cilët vitet e fundit kanë dëshmuar se i janë larguar militantizmit të verbër partiak dhe kanë treguar më shumë pjekuri politike e civilizim qytetar.

Por politizimi absurd i administrimit të zgjedhjeve shpesh ka krijuar tensione e deformime në këto 27 vite. Uroj e shpresoj që kjo të mos ndodhë në këto zgjedhje dhe le të jënë këto të fundit zgjedhje që bëhën me këtë Kod Zgjedhor partiak.

U bëj apel sidomos policisë dhe prokurorive të të gjitha instancave që të marrin të gjitha masat për të garantuar qetësinë dhe rendin gjatë fushatës, ditën e votimeve, gjatë numërimit të votave e shpallje së rezultatit të zgjedhjeve. Prokuroria dhe gjykatat duhet të japin ndëshkimin më të ashpër sipas ligjit dhe pa asnjë tolerim për këdo që shkel ligjin, që tenton të blejë a shesë votën dhe të manipuloje zgjedhjet, për këdo që ushtron dhunë a kërcënime për të ndikuar mbi votuesit. Qofshin ata kandidatë për deputetë, pushtetar, politikanë, komisionerë të zgjedhjeve, apo qytetar të thjeshtë.

Me 25 Qershor qytetarët dhe Shqipëria duhet dhe mund të dëshmojnë se janë të denjë për në familjen Europiane, se janë të vendosur në reformat jetike të ndërtimit të shtetit të së drejtës, progresit të gjithanshëm dhe begatimit të vendit.

Le të jetë 25 Qershori 2017 një ditë e bukur shprese për të gjithë qytetarët e Shqipërisë sonë të dashur!