NË VIZITË TEK AUTORITETI PËR INFORMIM MBI DOKUMENTET E ISH-SIGURIMIT TË SHTETIT 1944-1991

0
1096

Në takim në zyrën e AIDSSH, me Zonjën Gentiana Sula dhe me antarin e AIDSSH, Zotin Simon Mirakaj, gjatë procesit të aplikimit për informim mbi dosjen që kishte krijuar për Frank Shkrelin, ish-Sigurimi i Shtetit.

Nga Frank Shkreli

Gjatë vizitës që bëra në Shqipëri në fillim të shtatorit me qëllim promovimin e tre vëllimeve të librit, “Demokracia Nuk Pret”, kisha vendosur që të mos largohesha nga Tirana pa vizituar Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shteteit 1944-1991 (AIDSSH). Siç dihet ky Autoritet, i themeluar sipas ligjit të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë me 30 Mars, 2015 – është i hartuar kryesisht në bazë të përvojës dhe modelit të ligjit gjerman mbi regjistrat e Stasit, policisë sekrete të ish-Gjermanisë Lindore, “Me pëgjegjësinë për mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, i përbërë nga 5 anëtarë, të zgjedhur nga Kuvendi”.

Unë pata nderin dhe kënaqësinë që mu dha rasti të takohesha me Kryetaren e AIDSSH) Zonjën Gentiana Sula dhe me antarin e Autoritetit, Zotin Simon Mirakaj, të cilët i falënderoj përzemërsisht për pritjen miqësore dhe për respektin që treguan, si dhe për gatishmërinë e tyre për të më asistuar në procesin e aplikimit për nxjerrjen e dosjes që kishte përgatitur për mua ish-Sigurimi i Shtetit, gjatë sundimit të regjimit komunist.

Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet
e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991

Me të hyrë në ndërtesën e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e Sigurimit të Shtetit tek Garda e Republikës së Shqipërisë, vizitori vëren se në muret e katit të dytë të koridorit që të çon drejtë zyrave të drejtuesve të këtij enti, janë vendosur poema të disa ish të pushkuaturve dhe ish-të përndjekurve të regjimit komunist — disa prej të cilave po ia bashkangjis këtij shkrimi modest, sa për ilustracion. Është një ndjenë, të pakën për mua ishte e tillë, se megjithse gjëndesha në një ndërtesë qeveritare, e ndjeva veten në një mjedis disi më njërzor se në ndonjë ndërtesë tjetër qeveritare të Shqipërisë, të cilat i kam vizituar gjatë këtyre 28-viteve komunizëm.

Vetë emri i Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, të bën të mendosh se më në fund, diçka po ndodhë në këtë drejtim: drejt ballafaqimit me të kaluarën fatkeqe komuniste për të cilin shoqëria shqiptare ka aq shumë nevojë. M’u duk se e vërteta e asaj të kaluare të tmershme, më në fund, nepërmjet punës së këtij grupi fisnik të kryesuar nga Zonja Gentiana Sula, ka filluar ta shohi dritën e diellit me hapjen e dosjeve – të pakën atyre dosjeve që kanë mbetur aty pa u zhdukur, më heret.

Duke folur për punën e Autoritetit me Zonjën Sula dhe me Z. Mirakaj — megjith vështirsitë e shumta me të cilat përballen ata dhe stafi i tyre – u largova me përshtypjen se shteti shqiptar, më në fund, duket se po i merr përgjegjësitë e veta, në këtë fushë. Por, kjo mbetet për tu pa, përfundimisht, se sa serioz janë qeveritarët e sotëm dhe ata të nesërm, sidomos për nga angazhimi buxhetor i tyre për zbatimin e plotë të ligjit mbi dosjet dhe të realizimit të plotë të objektivave që përcakton ky ligj. Një mungesë kjo e vullnetit politik të kësaj klase politike, ndaj të cilës unë shpeshëherë kam hedhur kritika në llogari të qeverive të ndryshme të këtyre 28-viteve të fundit. Vizita tek Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991 përfundoi pas aplikimit, falënderës stafit të Autoritetit, në hapjen e dosjes time, brenda një periudhe të shkurtër, dosje të cilën, natyrisht e lexova me vëmendje, por që pothuaj asgjë nuk më habiti nga ato që kishte brenda.

Në takim në zyrën e AIDSSH, me Zonjën Gentiana Sula dhe me antarin e AIDSSH, Zotin Simon Mirakaj, gjatë procesit të aplikimit për informim mbi dosjen që kishte krijuar për Frank Shkrelin, ish-Sigurimi i Shtetit.

Dokumentimi, identifikimi dhe hapja e dosjeve për individë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, është një objektiv me rëndësi i punës së përditshme të Autoritetit. Por nuk është vetëm hapja e dosjeve. Në strategjinë e përpiluar për tre vjetët e ardhëshme 2017-2020, AIDSSH ka përcaktuar objektivat dhe aktivitetet e tjera që do të zhvillohen në fushën e veprimtarisë së tij, siç theksohet në Raportin Vjetor për vitin 2017, të botuar në fillim të këtij viti. Një ndër këto aktivitetet e tjera të këtij enti ishte edhe përkujtimi i ngjarjes tragjike të dënimit të grupit të deputetëve dhe botimi i një libri doracak, përmbledhës i dokumenteve për këtë krim të ish-regjimit komunist të Enver Hoxhës — dokumeta këto që ndodheshin në dosjen e dënimit të këtyre martirëve të lirisë. Me të drejtë AIDSSH e konsideron botimin e dokumenteve të tillë si diçka me, “Një vlerë të madhe dokumentuese dhe shkencore që i shërben edhe vetndërgjegjësimit tonë për të kaluarën e regjimit totalitar”, siç shprehet edhe Prof, Dr. Gjergj Sinani në parathënien e botimit të posaçëm, “Deputetët”.

Përkushtimi me të cilin flasin Zonja Sula dhe Zoti Mirakaj për viktimat e komunizmit, mund të përmblidhet pak a shumë me fjalët, e vërteta, drejtësia dhe kujtesa për familjarët e të burgosurve dhe të internuarve, por edhe për shoqërinë në përgjithësi. Të bindin se ata vet si individë dhe stafi i Autoritetit për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit, si zyrtarë dhe si shqiptarë të lirë — disa prej të cilëve janë ish-të përndjekur vetë ose që rrjedhin nga familje të dënuara nga regjimi komunist — nuk kërkojnë asgjë tjetër veç zbardhjen e së vërtetës dhe drejtësi për viktimat, nepërmjet zbatimit të ligjit mbi hapjen e dosjeve, për tu dalë në skaj objektivave që përcakton ligji. Të lënë përshtypjen se suksesi i punës së Autoritetit për të cilin ata punojnë dhe arritja e objektivave përfundimtare të përcaktuar me ligj, do ta bënte vetëm më humane shoqërinë shqiptare në përgjithësi dhe qeverinë dhe shtetin shqiptar më njerëzor, gjithashtu.

Unë u largova nga vizita në zyrat e AIDSSH në Tiranë, shumë më optimist se kur hyra brenda. Fillimi ka qenë i vështirë për ta, por megjithëkëtë ashtu siç është shprehur edhe Kryetarja e AIDSSH, Zonja Gentiana Sula, deri tashti duket se: “Hapat e ndërmarrë janë konkretë. Shoqëria e sotme – e cila mban peshën e të pathënave të së shkuarës, e asaj që ka mbetur pa zbuluar, pa dalë në dritë, e fateve të lëna në mes, e fëmijëve të rritur pa prindër që u zhdukën brenda natës, e pasardhësve që nuk identifikohen me të parët se u është tjetërsuar mundësia për ta bërë këtë, – duket se është gati të përgjigjet dhe të marrë përgjegjësi. Ajo është shprehur gjithashtu se, “Jam optimiste sepse tani e shoh që puna jonë disavjeçare ka arritur diçka dhe uroj ta bëjmë më të mirë shoqërinë ku jetojmë dhe rrisim fëmijët tanë, nëpërmjet së vërtetës, transparencës dhe respektimit të dinjitetit njerëzor”, ka thënë Zonja Sula.

“Duhet pra një fillim i ri për gjithçka…dhe të vendosen themele të reja të lirisë — ashtu siç thekson edhe Prof. Dr, Gjergj Snani në parathënien e librit “Deputetët. “Ne na duhet të rimësojmë kurajon për të qenë të përgjegjëshëm”, ka shkruar ai dhe ka paralajmëruar se “Nëqoftse nuk do e kemi këtë kurajo, atëherë nuk do të ishte vetëm Kombi që do të humbiste, por vet njeriu i sapo dalë nga “njeriu i ri” i socializmit” dhe se “Si njerëz të lirë, ne duhet të bëjmë (çdo gjë të mundur) që të çfaqet e vërteta, pasi kështu mund të rivendoset besimi tek njëri tjetri…dhe kështu mund të rivendoset solidariteti edhe në rastin kur jemi radikalisht opozitarë”, shkruan Prof Gjergj Sinani.

Jam i bindur se si rezultat i punës serioze dhe përkushtimit të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit — pikëspari falë dedikimit të tyre ndaj lirisë dhe zbulimit të së vërtetës — shoqëria shqiptare do të jetë shumë më e mirë dhe më njerëzore. Jam i bindur gjithashtu se me përballimin serioz të shoqërisë shqiptare me të kaluarën komuniste, përfshirë hapjen e dosjeve, ashtu siç e kam theksuar shpeshëherë edhe në të kaluarën, shoqëria shqiptare në veçanti dhe Kombi shqiptar në përgjithësi, do të gëzonte një ringjallje shpirtërore, dhe do të siguronte më shumë paqë dhe respekt për njëri tjetrit, pa marrë parasyshë të kaluarën.

Disa poezi nga ish-të përndjekur të vendosura në mjedisin e Autoritetit për hapjen e dosjeve, në Tiranë: