KRISTAQ TURTULLI
novelë
I
Poshtë dritares oshtiu buria e makinës. Duke u përtypur u vesha dhe dola. Nuk munda të përfundoja së ngrëni. Para pesëmbëdhjetë minutash u ktheva nga pazari. Vehbiu më priste në këmbë përpara makinës, derën e ka lënë hapur dhe nga brenda del tymi i duhanit si oxhak kaldaje.
-Hello! -ia bëri dhe më shtrëngoi dorën fort. Shkundi ndenjësen prej pluhurit të duhanit, flaku bishtat e cigareve në koshin e plehrave dhe ma bëri me kokë të niseshim. Në makinë të mbahej fryma prej erës së rëndë të duhanit, por s’i rashë në sy.
Vehbi Çezma është vejan, burrë i vjetër, trupmadh, me pak kurriz të dalë, me syze të mëdha optike, skeleti metalik i mbulon dy qeskat e vogla poshtë syve. Flokët e bardha i qëndrojnë si iriq, të ngritura përpjetë.
-Erdha me ngut, -më tha Vehbiu. Preu makinën nga e djathta dhe hyri në autostradë, pa kthyer kokën nga unë shtoi:-Menaxherit të vilës së koleksionistit plak, i thanë të thërrasë të tjerë punëtorë, të mbledhin dhe ambalazhojnë rraqet e rrangullat.
-Shumë rraqe dhe rrangulla paska ky koleksionist plak?- e pyeta.
-Ç’e pyet. Një jetë e tërë, por këto rrangulla vlejnë miliona,- ia bëri Vehbiu. U mbështet mbi timon dhe shtoi:- Si thua, nuk është keq të bësh ca dollarë të thata, kesh?
-Shkëlqyer,- i thashë.
Po mbush vitin në Kanada dhe akoma nuk kam gjetur një punë të qëndrueshme. Shtrëngesa e ekonomisë, qiraja e lartë e shtëpisë dhe rritja e çmimeve është e pranishme në familje, çdo ditë, çdo javë dhe çdo muaj. Lekët e fituara prej shitjes së shtëpisë së të parëve dhe disa kursimet të tjera të sjella prej mëmëdheut avulluan sa hap e mbyll sytë. Unë akoma vazhdoj ti bëj me mendje, hesapet dhe blerjet, me shkëmbimin e detyruar që bëra para se të nisesha. Nga lekë tmerrësisht të zhvleftësuara në dollarë. Pra i binte një me njëmijë, ndoshta dhe më shumë… Nejse… s’qahem, jam më mirë, seç isha, por përsëri malli, nostalgjia…
Pa e kuptuar më shkoi mendja tek mëmëdheu, mijëra kilometra larg. Tek qyteti im në gji të maleve dhe te shtëpia ime që ngrihej mbi kodër, por që tashmë nuk është më e imja. Kundër dëshirës sime e shita, më duheshin të holla për të blerë biletat e shtrenjta të avionit, etj. Shtëpinë dykatëshe, solide, të ngurtë, të ngritur mbi shkëmb, e ndërtoi gjyshi me paratë e mbledhura nga kurbeti, kur u kthye prej Argjentinës së largët. Në atë shtëpi të ngurtë, me shumë dritare dhe plot dritë, lindi, u rit dhe u martua im atë. Atje lindën vëllezërit dhe motrat e mija dhe linda unë. U martova, u deha dhe linda fëmijët. Lanë frymën e fundit prindërit e mi dhe tani, në atë shtëpi të dashur, që dhe mbrëmë më doli në ëndërr, jetojnë të tjerët. Pa e kuptuar psherëtiva. Paçka se një miku im, me moskokëçarje dhe duke zbardhur dhembët e thotë shpesh; ne fakirët idealistë, na mundojnë nostalgjitë e dala mode. Dëgjomë mua vëllaçko, shtëpia dhe atdheu gjendet atje ku jetohet më mirë.
Vehbiu u kollit, si për të më shkundur prej përhumbjes. Buzëqesha si fajtor. Përpara tij, pranë xhamit të makinës, pashë një fotografi ku në të kishin dalë dy vajza të përqafuara, flokëgështenjë, të qeshura, të këndshme, hundë majuce. Më ngjanë sy dy dallëndyshka.
-Janë mbeskat e mija, -më tha Vehbiu me zë të qeshur. Mori fotografinë në duar e ledhatoi, e puthi dhe shtoi:- Kotelet e gjyshit. Më ka marrë shumë malli për to.
II
Vehbi Çezma brodhi për vite me radhë nëpër shtetet Evropës, derisa mbërriti në Kanada, së bashku gruan, Anën, një çifute të trupvogël, të kolme, me sy të mëdhenj, si filxhan, të bukur, mbetur jetime në moshë të njomë. u njohën në Belgjikë. Ajo punonte vullnetare në një shoqatë bamirëse, ai shofer. Sa herë e ndeshte në shkallë, ajo e vështronte rrëshqanthi me sy të habitur dhe atij i regëtinte zemra. Një pasdite e priti kur ajo po zbriste nga shkallë, e tërhoqi pranë vetes, e puthi në buzë dhe i tha:
‘Moj syçkë e bukur, do të marr për grua.’
Ana e vështroi ngultas e hutuar, dhe sytë e mëdhenj i u hapën, iu bënë si dy liqene të kulluar. I shpëtuan çarçafët nga duart dhe zëdredhur pyeti:
‘Më do ti mua?’
‘Të dua shejtane, të dua je si zymbyle. Je shkëndijë drite, je e vetme në këtë botë, si unë.’
‘Kur jemi njëlloj, të dy të vetmuar. Mermë,’ i tha.
Prindërit e saj ishin burgosur dhe djegur në krematoriumin famëkeq, gjerman të Dakaut. Çifutja Ana i qëlloi e mirë, besnike, i fali Elizën, një vajzë të imët me sy të mëdhenj dhe të bukur si e ëma, që vetën dinte të qeshte.
Ardhja e fëmijës në jetë, ja ngrohu shpirtin Vehbi Çezmës. Kur kishte kohë të lirë, luante me të, e merrte me vete dhe dilte parqeve. Por vajza ju rit shumë shpejt. Një ditë kur hanin drekë, u tha si me shaka:
‘ Babush mos u mërzit, por unë do iki prej shtëpie.’
Vehbiut i ngriu luga e gjellës në dorë dhe i foli zë ngjirur: ‘Çdo me thënë kjo, mos u mërzit! Ka mërzi më të madhe për prindin kur i ikin fëmijët. Ku do shkosh?’
Ajo s’foli dhe ai nuk e pyeti më. Besoi trill çupërie. Por pas disa ditësh u solli në shtëpi një djalë të ri, të ndrojtur dhe dy kordele të zeza, të gjata i vareshin faqeve. Me syze të rrumbullakëta dhe hundë majuc. Ai i përshëndeti, u ul në tavolinë dhe kërkoi të hante, si të ishte i shtëpisë, bile shkoi vetë dhe mbushi pjatën me gjellë. Vehbiu e përgjonte pa folur, i vinte të ngrihej, ta kapte për bythe dhe ta flakte jashtë. Anës iu skuqën sytë dhe hoqi dhe vuri tre herë kapësen me flutur nga flokët. Asaj kur i skuqeshin sytë e mbërthente nervozizmi. Vehbiu u detyrua ta zbuste vështrimin. Ana u kapërdi me vështirësi, fshiu sytë që i digjnin dhe ngriti vetullat e habitur:
‘Po, ky birbo, sikur po hapet ca si shpejt, si vaji në uthull?!
Vehbiu nuk donte të lëndohej e bija prandaj ia ktheu me sy: ‘Mirë bëri, bukë perëndie është…. ‘Bukën le ta hajë por vajzën mos na i marrë,’ ia ktheu Ana. Vehbiu hoqi syzet, fshiu qeskat e qullura poshtë syve.
Të nesërmen e asaj dite e gjeti Elizën kur po paketonte valixhen dhe iku si era, së bashku me kaçurrelin, në Izrael:
‘Do ktheheni shpejt?’ I pyeti Vehbiu duke e mposhtur me vështirësi trishtimin.
Anës shtrëngonte duart në gji me sy të rrëmbushur. Të dy të rinjtë vështruan njëri tjetrin dhe qeshën.
‘Qeshni,’ rënkoi Vehbiu. ‘I ikin prindit prej gjirit dhe pa pikë turpi qeshin. Po kjo pikë e zezë.’ Ai i mërzitur u tërhoq mënjanë, bërtiti, shau. Ana e mirë ndrydhi dhembjen e mori pranë e qetësoi, duke i thënë, i dashur, fëmijët janë si pëllumbat, i lind, i rit, i ushqen, i mëson si të fluturojnë. Dhe befas, ikin, fluturojnë, tutje, drejt vendeve të tjera siç fluturuam ne.
‘Ne u detyruam të iknim nga sytë këmbët,’ u grind Vehbiu:’ Ne ishim të dy të vetmuar që krijuam një çerdhe….
Dikur, Vehbiu bëri një tregti të vogël, e cila i eci mbarë, bile bleu dhe dy shtëpi të bollshme në qendër të qytetit. Por gruaja e mirë dhe e urtë Ana iu sëmur papritur, i zuri shtratin. Ai përkujdesej për të si fëmijë. Një mëngjes e shoqja e thirri pranë dhe i tha:
‘Kam qenë e mirë me ty o Vehbi, të drejtën më thuaj?’ Burri i drodh dhe i rrodhën lot.
‘Ç’më thua o Anushja ime, o lulja ime! E mirë ke qenë, shumë e mirë je, aq sa nuk të kisha dhe nuk të kam hak,’ i tha.
‘E ti ke qenë burrë i fortë, me huqe të mira dhe unë ndjehesha mrekullisht mirë, o pëllumbi im, o shqiponja ime. Shtrëngomë në krahë, si gjithnjë,’ i tha ajo.
Vehbiu e roku nga shpatullat e dobëta, e afroi pranë vetes, e ngjeshi pas gjoksit të tij. Frymëmarrja e saj po ngadalësohej. Pas disa çastesh trupi i Anës u lëshua, u var.
‘Ana,’ bërtiti Vehbiu, ‘Anaaaa!’
Heshtje, asnjë përgjigje. Ajo iku, sikur nuk ishte kurrë.
Vdekja e gruas e dërmoi shpirtërisht dhe ekonomish, falimentoi. Kur ajo i iku, e la vetëm, Vehbiu e kuptoi sa e kishte dashur dhe sa shumë qe lidhur me atë grua të vogël, të dhembshur dhe me sy të mrekullueshëm. I telefonoi Elizës, së bijës, iu lut, të kthehej, por ajo i tha, ‘Kam krijuar familje dhe kam vendosur të qëndroj në Izrael. Sidoqoftë ajo erdhi në varrimin të së ëmës. Ishte shëndoshur, bërë grua. Eliza qëndroi disa ditë me të dhe iku. Pas disa javësh e mori në telefon dhe i tha:
‘Baba, po të duash eja këtej nga ne, në Izrael të jetosh me ne.’ Vehbiu bëri dhe një operacion të paparashikuar zemre, që e rrëzoi shumë. I detyruar, i dërmuar i shiti të dyja shtëpitë dhe bleu një shtëpi të vogël në breg të liqenit. Nisi të kërkonte punë. Pas disa përpjekjesh për të gjetur një punë të përshtatshme me shëndetin e tij, disa miq çifutë, nga fisi i gruas e rekomanduan të punësohej si lulishtar tek një koleksionist pikturash dhe antikuarësh.
III
Isha i vogël kur dëgjova për ikjen e Vehbi Çezmës. Bëri bujë në qytet. Ai kreu një arratisje spektakulare. Kjo ikje u përfol në qytet për vite me radhë. Në fillim nuk u besua, pastaj u tha se nuk ka burrë nëne ti bjerë liqenit mes përmes, kur të pret e ftohta hidhur e nëntorit. Më vonë u besua se qe mpirë, e vdekur prej të ftohtit të ujit të liqenit dhe kishte përfunduar si të gjithë ikanakët e tjerë me peshqit në fund të tij. Disa thanë me përçmim, që plumbat e rojeve duhet ta kenë bërë fërtele tradhtarin e kapërcimit të kufirit të shenjtë shtetëror dhe flakur si lëvere në brigjet e shtetit fqinjë. Por pasojat më të hidhura qenë për nënën dhe të motrat, të cilat i shkulën me dhunë, në mesnatë prej qytetit dhe i internuan në një fshat të largët, të thellë malor. Fqinjët dashakeq thanë se po të ishte burrë, le të qëndronte dhe të pranonte pa kompromis fatin e parashikuar, burgun, pushkatimin, si të ish.
Ikja e Vehbiut ndodhi fill pas arrestimit të babait dhe të dy xhaxhallarëve, si familje e deklasuar dhe e lidhur me mbretin. Vehbiu u lajmërua prej nënës, e cila i la në duar një shishe të vogël me vaj dhe një biçak: ‘Po ti biesh liqenit, lyeju me këtë. Po biesh malit dhe nëse të dalin qentë ose ujqit prei me këtë’, e porositi. Iku, la pas dhimbjen e nënës, mori arratinë pa i dirsur ende mustaqja. I vetëm, i çakërdisur, pa pasur tjetër rrugëzgjidhje dhe si rrallë kush, në mes të natës, i ra mes për mes, me not liqenit të Pogradecit. Hënë nuk kishte, nata dhe uji qenë të zeza sterrë dhe ai voziste, voziste pa ndërprerë. Diku afër bregut e gjetën gati të ngrirë disa peshkatarë me peshkarexhe. E morën me vete. E fërkuan, ti lëvizte e ti nxehej gjaku. E mbështollën me batanije dhe e nxorën e në breg.
IV
Makina vraponte në autostradë. Vehbiut nuk e kishte shkulur prej dhëmbëve të vënë cigarishten bosh. Trup përkulur vështronte i menduar morinë e pafundme të makinave. Ishte mesditë dhe autostrada ishte plot me makina të llojeve të ndryshme. Më hodhi një shikim të shpejtë dhe tha:
-Koleksionisti plak ndërroi jetë para disa ditësh. Karusel është kjo dreq jetë dhe përgjatë rrotullimit ngelesh në vend. S’ më vjen mirë për ikjen e tij, e njoha nga afër, punova, u përkujdesa në vite për kopshtin e tij. Ai ishte një nga koleksionistët më të mëdhenj. Më duket se të kam folur për të, – tha Vehbiu dhe u kollit.
-Po, -i thashë.
Përnjëherësh mu kujtua novela e mrekullueshme: ‘Koleksionisti i padukshëm,’ i Stefan Svajgut. Frika, përulja, përvuajtja, varfëria e gruas dhe e vajzës së koleksionistit plak, dhe verbëria, mallëngjimi i tij për koleksionin e padukshëm. I cili besonte se kishte koleksionin më me vlerë dhe lëmonte me dashuri kartablet e zbrazëta. Ndërsa koleksioni i vërtetë i pikturave, ishte shitur dhe shpërndarë në të katër anët e botës qysh prej një kohe të gjatë.
-Ishte burrë i mirë merhumi. Nuk e ke idenë sa i pasur ishte, i krimbur në dollarë. Nuk kam përse të ankohem, më mbajti me bukë. Vetëm kohët e fundit kishte filluar sikur të çkallaisej. Përpara se të sëmurej, më vinte pranë kur punoja dhe më ankohej për vdekjen e artit, vyshken e luleve dhe të vlerave njerëzore. Kur përfundoja punë nuk më linte të largohesha. Më thërriste brenda dhe më tregonte koleksionin e tij. E ndiqja me vëmendje, e dëgjoja. Paçka se isha i lodhur dhe më flihej. Kopshtaria të kënaq shumë, por edhe të lodh. Nuk i ktheja fjalë vetëm e dëgjoja, se ndryshe do nxehej dhe do fillonte të shkulte leshtë e kokës. I gjori Oneili, i donte lulet! Iku. La pas miliona e miliona dollarë dhe si të gjithë, me vete nuk mundi ti marrë, – tha Vehbiu.
-Burrë i vjetër ishte koleksionisti Oneil?- e pyeta.
-I vjetër. I kishte nja tetëdhjetë, a nëntëdhjetë, mbase e njëqind. Kur mplakesh si ai, vështirë është ti çepkatësh vitet,- foli me indiferentizëm Vehbiu.
Makina la autostradën dhe u fut në një rrugë dyshe, me shtëpi dhe vila të mrekullueshme. Përpara shtriheshin lëndina, me bar të gjelbër dhe lulet shumëngjyrëshe të vendosura rreth tyre si korniza pikture. Mua nuk më ka rënë rasti, ngaqë nuk më del koha, të kaloj nëpër këto rrugë, pas ‘Kështjellës franceze’ dhe të shoh vilat e mëdha dhe hijerënda që fshihen mes pemëve të larta, qindra vjeçare. Rrugicat mes vilave ishin pothuajse të qeta, pa kalimtarë. Vehbiu ndaloi makinën përpara një vile të madhe, të rrethuar me kangjella të hekurta, të larta, të lyer me bojë të zezë dhe me derë të madhe të thurur me kangjella. Shtypi butonin që gjendej në krah të derës. Pas disa sekondash, dera e hekurta u shkund dhe lëvizi, u hap. Vehbiu më tha të zbrisja. Ai preu makinën majtas në një rruginë të shtruar me zift drejt garazhit të madh.
U gjenda vetëm në oborrin e madh të vilës, me rrugina të shtruara me zhavorr të imët. Në mes dhe nga të dy anët u hap një kopsht i madhërishëm, ku harlisen bukur lule të shumëllojshme. Përpara meje u paraqitën si një mozaik i gjallë, të gjitha llojet e ngjyrave të tulipanë; të bardha, të kuqe, të verdha, të gjelbra, ngjyrë vishnjë, ishte një kombinim i mrekullueshëm. Të mbahet fryma prej kënaqësisë. Pak më tej kishte llojesh të ndryshme trëndafilash të mëdhenj, të bardha, të kuqe, vishnjë etj, që nanurisnin gjithë krenari dhe delikatesë. Pak më tej valëzonin karafilat, borzilokët, shpatoret, bardhoshet, si dhe shumë lule të tjera, të gjitha ishin të mrekullueshme, dhe plot aromë. Në qendër të kopshtit të krijuar me lule të ndryshme, një metër katrore, dallova diçka të ngjashme me orën. Ngaqë mu duk sikur akrepi i minutave lëvizte.
– Vehbi, kjo këtu, sajuar me bar dhe lule, thua të jetë orë e vërtetë?- e pyeta Vehbiun kur më erdhi pranë.
-Orë e vërtetë është,- mu përgjigj ai, qeshi dhe pastaj shtoi:- Vite të shkuara shkova për vizitë në qytetin e Niagarës. Ndër të tjera, më tërhoqi vëmendjen një orë e madhe punuar me bar e lule, me shumë fantazi dhe shije të hollë. Nuk më rihej pa e krijuar një të tillë në kopshtin e koleksionistit. I cili kur e pa u kënaq pa masë.
-Ke bërë punë të mrekullueshme o Vehbi. Ç’ të them, çdo gjë që sheh këtu, të kënaq syrin dhe të jep përshtypjen sikur është qëndisur një qilim i madh me pe e gjilpërë dhe jo punuar trualli me shatë dhe prashajkë, – i thashë.
Ai u skuq nga kënaqësia.
-Po ma bën ca si shumë qejfin. Nejse, një farë mënyrë, ashtu është. Kopshtarinë e mësova rastësisht kur isha djalë i ri, në Belgjikë. Pasdite punoja për qejf kopshtin e vogël të shtëpisë së mbretit të ikur. Mbreti plak vinte në kopsht, ulej në bisht dhe së bashku shkulnim barishtet e këqija… Nuk më shkonte ndër mend se do më hynte në punë, në pleqëri, – foli mendueshëm. Heshti një hop dhe vazhdoi:- Bosi ynë ka qenë njeri me huqe dhe i djallëzuar si dreqi. Kur fillova punë, më vinte tre herë në ditë, me një stol të vogël. Ulej në mes të kopshtit, gjoja të bisedonte, në fakt më përgjonte, më kontrollonte dhe kur shihte ndonjë lule të vyshkur ose të këputur, tërbohej. Me sa morra vesh kishte ndërruar shumë kopshtarë, derisa më pranoi mua. Më ndiqte hap pas hapi, më dukej sikur e mbaja mbi shpinë. Kur e pa që punoja mirë, nisi të vinte më rrallë. Kur mërzitej, më ftonte të pinim së bashku kafe dhe më tregonte koleksionin e pafund… – Vehbiu ndërpreu fjalën dhe u përkul në gjunjë, kur pa kërcellin e varur të një trëndafili të kuq, të madh.
-Po kjo e urur lule përse qenka përkulur kështu, – u ankua me dashuri Vehbiu. Nxitoi, e ngriti kërcellin me kujdes, dhe e mbështeti pas gardhit rrethues, të sajuar enkas për mbështetjen e mbrojtjen e luleve. Prej nxitimit gjembi i trëndafilit i shpoi gishtin e madh, i doli gjak. Vehbiu futi gishtin në gojë dhe vështroi si prind, me përdëllim kërcellin, si të shihte një fëmijë të paditur që pakujdesish kishte bërë një gabim. Futi gishtin e madh mes gishtave të tjerë, e shtrëngoi pas tyre për të ndalur gjakun dhe tha:
– Ky kopsht është një pjesë e rëndësishme e jetës sime. I dua lulet, shumë i dua. Të dy kopshtet, para dhe prapa, i kam pastruar, mbjellë, ujitur, prashitur dhe përkujdesur çdo vit. Në pikun e punës nuk shkoja në shtëpi, flija me gjithë qejf në atë barakë që është në qoshe. Jam lidhur shumë me të dy kopshtet dhe me këto lule të bukura e delikate si vajza. E merr vesh ti, ngandonjëherë këto lule, më ngjajnë me njerëzit. Këtë e kuptoj kur i pastroj, i prashit, u heq barërat e këqija, i vadit. Më duket sikur lulet nisin gjallërohen, buzëqeshin, fërfëllojnë, përshkënditen dhe ngrenë kryet gjithë kënaqësi dhe mirënjohje. Nuk kanë gojë të gjorat, të ëmblat lule të flasin, por ato të dhurojnë pa kursim aroma të mrekullueshme. Ke dëgjuar çfarë tinguj të magjishëm lëshojnë? Jo?! Unë i dëgjoj çdo sekondë dhe minutë. O zot një botë e tërë më vete, -Vehbiu heshti një hop, pastaj shtoi:- Lus zotin që djemtë e plakut të nuk e shesin shtëpinë. Do Zoti më lënë të merrem me kopshtin, derisa të mos më bëjnë këmbët dhe duart. Nuk e di çfarë mendimi kanë. Djemtë e plakut janë të ftohtë, indiferentë si i gjithë brezi i ri. Ata e vizitonin të atin shumë rrallë. Nuk shkelnin kurrë në kopsht, u hipnin makinave dhe ikin si era. Nuk e di pse por unë u ligështova pak nga vdekja e koleksionistit, – foli me dhembje Vehbiu dhe fërkoi ballin e rrudhur.
Në qendër të oborrit ngrihej një shatërvan, në mes të tij një statujë vajzë, e cila mbante në sup një bucelë dhe prej saj derdhej uji. Vila ishte dykatëshe, madhështore, lyer me bojë të bardhë. Përpara me kollonata, me shumë dritare, ku nëpër qoshet e tyre kishte statuja të ndryshme të punuara me shije.
Vehbiu fshiu hundët me zhurmë dhe më tha të shkonin prapa godinës. Edhe aty shtrihej jeshillëku dhe hapej një tjetër kopsht i bukur me lule të ndryshme, të mrekullueshme. Me verandë në mes, kolltukë të bardhë luksozë dhe një tavolinë të madhe, katrore.
-I vetëm jetonte ky koleksionist plak në gjithë këtë vilë?- e pyeta Vehbiun.
-Oneili! I vetëm!- Mërmëriti Vehbiu dhe bëri përpara nëpër një rruginë të ngushtë duke ecur si patok. Qëndroi. U kthye nga unë në gjysmë profil dhe tha:- Dikur vinin dhe iknin makina të markave të ndryshme që donin të shihnin koleksionin e rrallë. Më vonë makinat erdhën duke u rralluar, derisa dera kërcëllinte me përtesë në hapjen e ndonjë makine të vjetër. Por koleksionisti ynë thoshte me krenari:
‘ Kush guxon të thotë se jam vetëm. Unë kurrë s’kam qenë dhe jam i vetëm. Kam shenjat e mbretërve dhe gjeneralëve. Kam mjeshtrit e mëdhenj, të cilët qëndrojnë me mua ditën e natën. Kam thesarin e madh, koleksionin. Jam mbret, jam i plotfuqishëm. Të gjitha këto vlejnë miliona dhe miliona. Ja shiko këtu, më tregonte ai, kjo është përkrenarja e Aleksandërit të madh. Kjo statujë është krijuar nga dora e Fidias, skulptorit më të madh të antikitetit Grek. Atje është shqyti i Jul Qezarit. Kjo është tabloja e Petër Paul Rubensit: ‘Danieli dhe luanët’. Tabloja atje është origjinale e Botiçelit. Këtë portret oficeri që shikon këtu është e Franc Halsit, etj. Këta janë si të gjallë, më flasin, grinden dhe më thonë se të gjithë janë të mëdhenj. Unë përpiqem ti qetësoj.’
-Kështu më thoshte merhumi i gjorë. Por ato që thoshte ai, nuk më hynin shumë në qese,- Vehbiu nënqeshi me keqardhje dhe shtoi:- Ç’të bësh, qejf e qejf kjo dynja. Haram dynja. Ça takëm i tërbon paraja. Shumë të tjerë, i mundon dhe u merr frymën fukarallëku. Hajt lëvizin, të mos bëhemi vonë. Më duket se llapa ca si shumë.
V
Menaxheri na priti i vrenjtur, mbështetur tek kanati i derës së pasme, e cila ishte me xhama me lule të derdhura. Ai ngjante si i hekurosur, sikur kishte gëlltitur okllainë, qe i gjatë, i hollë, hijerëndë, i ftohtë. Flokët e lyera me brilantinë i ndritnin. Mbante veshur kostum të zi, kravatë të zezë dhe këmishë të bardhë. Ai ndehu dorën përpara, na ndali, pastaj vuri gishtin tregues mbi buzë, për të na thënë mos bëni zhurmë dhe fjalë. Nuk i hodhi sytë fare nga unë, ngriti lart vetullën e majtë dhe tha:
-Ajo kineska u grind, bërtiti, u nxi, do të thërresë të sajtë, do ta bëjë..,- i pëshpëriti fare ulët e diçka tjetër Vehbiut , i cili pështyu dhe u nxeh.
-Le të sjellë kë të dojë, me kuçkë dhe me maçkë, në të së ëmës të vejë!- shau Vehbiu dhe kafshoi cigarishten e fildishtë:- Të thashë, e të them, këtë djalë e kam si veten, prej mëmëdheu.
-Mirë. Pa fjalë. Eshkë dhe barut mbete gjithë jetën,- ia bëri me bezdi menaxheri dhe i pëshpëriti Vehbiut, me zë të ulët e një gjë tjetër. Menaxheri rezervohej nga unë. Vehbiu ngriti supet dhe nuk i ktheu përgjigje. Menaxheri me një lëvizje të kokës, eci i parë dhe na futi në paradhomë. Në krye të derës kryesore qëndroi, më ktheu shpinën me nervozizëm. Më bllokoi krejt pamjen dhe vazhdoi të porosiste Vehbiun se çfarë duhej të bënim, duke i folur ultas sikur kish frikë se do të zgjonte të vdekurin. Asgjë nuk mora vesh se çfarë tha.
Hymë brenda. Na udhëhiqte menaxheri. Ai ecte ngadalë, gjithë delikatesë e ceremoni, si mbi pupla. Aq sa të acaronte nervat. Përpara meje u hap një holl i madh. Shumë orendi ishin ngritur, paketuar, mbuluar me çarçafë të bardhë, por dhe aty kishte një luks, mermer dhe madhështi që të linte pa mend.
-Hiqini këpucët,- na urdhëroi ultazi dhe ftohtë menaxheri:- Lërini aty, në qoshe.
Bëmë siç na urdhëroi. Hoqëm këpucët dhe veshëm një palë papuçe të buta me llastik poshtë. Ndërkohë menaxheri vazhdonte të na porosiste:
-Duhet kujdes, vëmendje në mjedisin ku punohet dhe, respekt e solemnitet për shpirtin e koleksionistit. Këtu akoma endet dhe ndjehet fryma i të ndjerit Oneil, njeriut të mrekullueshëm.
Vehbiu ma shkeli syrin pas shpinës së menaxherit. Vështrova përreth. Më tërhoqi vëmendjen muri përballë, aty ishte imituar mrekullia e natyrës, e Amerikës së veriut, ujëvara e Niagarës. Uji rridhte nga sipër me furi, gjithë shkumë dhe potere dhe të krijohej përshtypja sikur ishim brenda në të. Të dukej sikur rrjedha do shkulej prej murit dhe do merrte me vete gjithçka që do gjente përpara. Veçse zhurma ishte e butë, nanuritësh, çlodhëse, jo e potershme, shokuese siç është Ujëvara e Niagarës në të vërtetë. Ngela i mahnitur.
-Sa bukur!- më shpëtoi një pasthirrmë.
-Sigurisht bukur. Bosi ynë ishte gjeni. Nuk kishte të dytë burrë në botë si ai,- foli thatë menaxheri.
Menaxheri më dukej një lake i bindur, që adhuronte dhe hijen e zotit të tij. Ngado kishte orendi luksoze. Nëpër mure qenë varur piktura të madhësive të ndryshme, të piktorëve të shquar. Në qoshe të mureve dhe në krye të shkallëve kryesore që të shpinin në katin lart, qenë vendosur statuja të ndryshme me femra nudo, si nimfa, me lira nëpër duar. Gurë të zinj të gdhendur në artin surealist. Në të majtë ngrihej madhërishëm dhe një imitim i Davidit të Mikelanxhelos.
-Mos u shastis,- më pëshpëriti Vehbiu në gjuhën shqipe:- Menaxheri është skile, përgjon. Ai më pyeti njëmijë herë për ty, e njeh mirë këtë njeri? Aq sa më ngriti nervat. Këto që sheh rrotull kanë vlerë miliona dollarë.
Dreq, ia bëra me vete. Doja të protestoja. Burri i futur në kallëp akulli më përgjuaka! Unë po mrekullohesha, nuk po shastisesha. I kisha studiuar në shkollë rrymat dhe veprat e shquara të artit nuk mundja ti shijoja dhe tri prekja me dorë. Vija prej një vendi ku me krenari thoshim që jemi të varfër deri në dhembje, dhe thjeshtësisht të ndershëm. Këto salltanete dhe magji arti nuk i kishim ndeshur kurrë. Unë magjepsem me vlerën e paimagjinueshme të artit e jo me vlerën fantastike të shitjeve dhe shumën marramendëse të dollarëve që kalojnë nga njëra dorë në tjetrën. Vështrova nga Vehbiu gjithë ankim. Ai ngriti supet.
Ngado ndjehej një qetësi acaruese. Mu duk sikur më zuri syri një mi të vogël, të bardhë që vraponte i trembur mbi tapetin me lule të qosheve dhe humbi pas një kthine. Paska mi në gjithë këtë luks, veç me një ndryshim se miushi qenka i vogël dhe i bardhë. Pa e kuptuar as vetë mu qesh. Befas dëgjova një zhurmë të thatë. Instinktivisht u rrëqetha.
-Hej, dreq!- mërmëriti Vehbiu:- Sa gjynah!
-Çfarë?- pyeta gjithë ankim.
-E vrau, e shkeli me këmbë miun e bardhë të plakut,- pëshpëriti Vehbiu me trishtim:- Dikur merhumi ma dha dhe mua ta mbaja atë gjë një copë herë në dorë…
-Kush?! Kë?!- ia bëra si në ethe.
-Ajo.. atë..,- Vehbiut i mbeti fjala në mes, sepse atë çast erdhën dy shërbyese të shëndosha dhe sollën bokse të mëdhenj me çarçafë të bardhë e mjete të tjera ambalazhimi. Ato ecnin me ceremoni njëra pas tjetrës dhe menaxheri si robot, me një lëvizje të prerë të gishtit tregues, u bëri me shenjë të largoheshin.
-Duhet të lëvizni duart,- na porositi ftohtë menaxheri dhe na ktheu shpinën. Eci me hundën përpjetë dhe për pak sa nuk shkeli mbi miun shtypur, të bërë si petë. Pa me indiferentizëm dhe neveri gjakun e përtharë dhe zorrët e holla të nxjerra përjashta. Gromësiu, kthye nga unë dhe më urdhëroi shkoja të merrja farashën e ta mblidhja me fshesë.
Unë hezitova, më vinte pështjellë. Menaxheri u kollit me inat. Vehbiu pa vëngër nga menaxheri dhe më goditi me bërryl të mblidhja veten e të veproja si më urdhëroi i hekurosuri. Me zorrët në goja, mblodha me fshesë miun e shkretë e të brendshmet e shpërndara. Pështyva disa herë me radhë ngaqë e kisha në gojë pështirën. Lava dhe rrojta duart, pastaj shkova në ndihmë Vehbiut. Hoqëm kutitë e kartonit, i flakëm në koshin e plehrave. Çarçafët e bardhë i vumë në radhë mbi tavolinë dhe ndamë më vete mjetet ndihmëse plastike.
Diku në cep të hollit, në të kundërt të dritareve të mëdha, në gjysmë hije, më zuri syri një fytyrë të zbehtë gruaje, aziatike, flokë të prera shkurt, si kukull bebe. Me sy të mbyllura, me duar të kryqëzuara në gji, qëndronte në këmbë pa lëvizur. Po të mos e shihje që merrte frymë lehtë, do të ngjante njëlloj si statujat që ishin përreth. Akullsia e menaxherit dhe ngurtësimi i kësaj gruaje më shkaktuan të ftohtë. Por nuk e di sepse mu krijua përshtypja se, pas atyre syve të vegjël dhe gjysmë të mbyllura, kokërdhokët e syve lëviznin me shpejtësi marramendëse.
Filluam menjëherë nga puna. Hapnim çarçafët dhe mbulonim orenditë të shumta duke i lidhur nëpër këmbëzat e tyre, me llastika të buta. Me kujdes të jashtëzakonshëm filluam të hiqnin pikturat prej mureve, u fshinim pluhurin, i mbështillnim me celofan të përgatitur posaçërisht për këso punësh me vlerë dhe i vendosnin shtirë në raftin e përgatitur enkas për këtë punë deri në ambalazhimin përfundimtar. Pluhuri i shkaktonte Vehbiut alergji dhe kollitej pa ndërprerje.
Për herë të parë në jetën time po shihja së afërmi, po prekja, po ambalazhoja pikturat e mrekullueshme që i kisha mësuar në shkollë. Por që nuk ma merrte mendja ti shihja, ti prekja dhe aq më tepër ti ambalazhoja, për ti çuar në një drejtim të paditur. Pikturat e vjetra të realizuar me mjeshtëri të lartë, mbuloheshin trishtueshëm me letër të trashë, ambalazhoheshin me kartonë dhe celofonë.
Mendova për një moment, çuditërisht dhe vazhdimësish ka ndodhur në kushte të vështira, krijimtaria, shpërthimi i talentit, gjenia. Më pas ndodhi shurdhëria, memecëria dhe trishtimi i madh. Ambalazhimi dhe shtegtimi i pandërprerë i vlerave dhe afishuar nëpër mure antivlerat. Ato kanë bredhur nga një shtet në tjetrin, janë shitur, vjedhur, rishitur në shekuj dhe shekuj. Fatkeqësisht nuk kanë zë të ankohen, të protestojnë, këto vepra të mrekullueshme, të krijuar prej mjeshtërve më të mëdhenj të artit.
Statujat i lëviznim me shumë ngadalë dhe përgjegjësi prej vendit ku kishin qëndruar hijerëndë dhe madhështish vite me radhë. I vendosnim në një karrocë dore të sheshte me rrota. Ato ishin të rënda, shumë prej tyre qenë derdhur në bronz, të nxira prej kohës, disa ishin në gips. Vehbiu lodhej shpejt, mezi mbushej me frymë dhe herë pas here e mundonte kolla. Unë pa i rënë në sy mundohesha të mbaja peshën dhe ngarkesën më të madhe të punës. Isha mbytur në djersë.
Por çuditërisht më dukej sikur mbi shpinën time lëvizte, shfaqej dhe zhdukej një hije, që më mbante frymën dhe më shkaktonte lodhje akoma më tepër. Sa ngrija kokën të shihja, fësht hija shkiste dhe humbiste në korridoret shumta që kisha përreth. Dreq o punë! Mos endet akoma nëpër shtëpi shpirti i koleksionistit plak, që nuk do të shkëputet prej thesareve të veta të çmuara! Dhe ky shpirt i fandaksur na duhet tani, kur djersa na rrjedh çurg. Edhe pse shtëpia e madhe kishte ajër të kondensuar përsëri të mbahej fryma prej orendive të rënda dhe ajrit të ndenjur. Ndoshta për shkak edhe të hijeve…
Në çdo lëvizje dhe punë që kryeja, hija, lëvizja, tendosja, frymëmarrje e shpejtë e papërballueshme na qëndronte pezull mbi krye. Merr frymë shpirti i plakut?! Sa mundohesha ta shihja, ndodhte zhdukja e menjëhershme për korridore, duke tërhequr pas vetes një jehonë të shurdhër gjithë ankim. Kjo gjë po bëhej gjithnjë e më tepër e mundimshme. Doja ta pyesja Vehbiun, dëgjoj frymëmarrje. Merr frymë shpirti? Ç’po ndodh në këtë holl të thellë, të mbushur me shpirtra dhe hije? Por kishte rrezik që miku im i mirë të më merrte për të lajthitur.
Punuam pa ndërprerë dhe pa folur deri vonë. Vehbiu pa orën e madhe të lyer me ar që gjendej në krye të korridorit kryesor. Ishim tmerrësisht të lodhur, mua më shtohej këtu dhe pagjumësia. Po kalonte teta e mbrëmjes. Erdhi Stive menaxheri, edhe ai dukej i lodhur, por hijerëndë dhe i hekurosur si më parë.
-Ta lemë kaq për sot?- e pyeti Vehbiu.
-Prisni këtu ta pyes atë,- foli menaxheri i bezdisur dhe iku me të shpejtë.
Pas disa minutash menaxheri u kthye dhe me shikim të përhumbur na tha:
– Shkoni. Nesër duhet të vini herët.
Vehbiu luajti kryet në shenjë pohimi. Dolën jashtë. Qielli ishte i kthjellët, i mbushur plot me yje. Prej kopshtit vinte një erë e mrekullueshme. Vehbiu mbajti këmbët, hapi krahët dhe u mbush me frymë. Veprova dhe unë si ai. Në gjoksin tim të lodhur dhe të djersirë, ndjeva që hyri një fllad erë të mrekullueshme, lehtësuese.
-Për çlodhje dhe bukuri shpirtërore janë lulet dhe gjelbërimi ,- ia pat Vehbiu me zë të plotë dhe psherëtiu.
Mu bë sikur u hap dera kryesore, u zgjat një kokë dhe prej fashës së dritës që vinte nga brenda, dallova flokët e prera shkurt si kukull bebe.
-Eja ikim,- ia bëri Vehbiu i bezdisur dhe tha:- Të shkosh me linjë në shtëpi të vetë gjatë, do të çoj me makinë. Ke nevojë të mbledhësh kockat, të jesh i çlodhur për nesër.
-Si të duash,- i thashë dhe disi me rezervë shtova: – Vehbi, më duket sikur diçka nuk shkon në atë vilë.
-Në vilat e mëdha me plot korridore dhe dhoma, gjithmonë shumë gjëra nuk shkojnë..,- ia bëri Vehbiu me moskokëçarje.
-Kishte njerëz të afërt? – e pyeta.
-Kush Oneili, koleksionisti ynë? Ka o posi, djem dhe vajza. Të thashë ata i vinin rrallë, shumë rrallë. Ndoshta për shkak të nënës. Nuk e di mirë, nuk e gjeta gruan në vilë kur fillova punë në kopshtari. Por Kristina, shërbyesja e parë më tha, se gruaja e parë kishte qenë një grua e urtë, e heshtur, e pafjalë, i bindej verbërisht të shoqit. Gratë e mira janë çelës magjik, me prokopi në jetën e burrit. Fatkeqësisht i vdiq herët shkaktuar prej lindjes së fundit. Ndërsa gruan e dytë e takoi në një lokal nate, gjysmë të dehur, pas një tentativë të dështuar për të vrarë veten, shkaktuar prej dështimit të dhimbshëm të një koncerti. Urdhëroi shoferin ta çonte në vilën e tij. Pas disa javësh vunë kurorë në kishë. Ajo ishte një këngëtare që i kishte ikur zëri, femër e gjatë, trupderdhur, e bukur dhe më e re se ai, pijanece dhe nevrastenike. Kur grindeshin e ndiqte Oneilin me kopaçe, duke i bërtitur, unë jam me mish dhe me kocka, jam femër e gjallë, jo mumie. Kam nevojë për seks dhe thyente me inat reliket e shtrenjta. Oneili ulej në gjunjë dhe mblidhte copërat e thyera duke qarë. Çuditërisht qante dhe e shoqja. Qan për këto, e pyeste Oneili. Jo qan për veten, për fatin tim, për zërin e humbur, për mjerimin shpirtëror, për botën e pështirë, për gjithçka, i përgjigjej ajo. Flakte kopaçen dhe fillonte këndonte zëçjerrë nëpër korridore. Kristina më tregoi se e shoqja ankohej për vetmi të madhe, ngaqë Oneili qëndronte gjithë ditën me koleksionin e tij.
-Po fëmijët nuk jetonin në vilë?- E pyeta.
-Jetonin, por më të shumtën e kohës fëmijët qëndronin nëpër shkolla dhe konvikte. Kristina më tregoi se një mbrëmje bosi u grind keq me gruan dhe shoqja iku nëpër shi me shoferin e shtëpisë. Kur gruaja u kthye e penduar pas disa muaj, Oneili nuk e qasi në vilë. Asnjë nuk e di se ç’u bë me të shoqen,-Vehbiu heshti një copë herë dhe ndezi cigaren, kabina e makinës u mbush me tymit të duhanit, vazhdoi:- Ngandonjëherë bosi me trishtim më pyeste: ‘Të jetë e vërtetë o Vehbi që kur vdes njeriu, i ikën shpirti, ngjitet lart dhe lë trupin pas?’
Unë nuk dija çfarë ti thosha. Ai nuk më linte të vrisja shumë mendjen dhe shtonte:
‘Dua që shpirti im të jetë përherë këtu, me koleksionin tim. Është jeta ime.’ Tha Vehbiu dhe vazhdoi:- Oneili i shkretë nuk donte të ndahej prej koleksionit. Shpesh herë e shihja që fikte dritat dhe bridhte nëpër korridore duke mbajtur në duar shandanë të mëdhenj. E dëgjoja që bisedonte me zë të lartë, qeshte, bërtiste, çirrej. Pas e ndiqte në heshtje e gjora Kristinë, i lutej me dorë në zemër të kthehej në shtrat. Të dy vërtiteshin me penjuarët e natës dhe ngjanin si fantazma. Bosi e zbonte me dhunë, Kristina i lutej me lot në sy. Por lutjet e sinqerta të shërbyeses plakë e mërzitën Bosin dhe e zboi përherë në çaste histerie. Kjo tjetra që mori, i erdhi pas valles, e linte plakun të bënte çfarë të donte, e përgjonte, i qëndronte pas si hije. E vishte me armaturat e lashtësisë dhe e linte derisa ti binte zali, të shtrihej përdhe sa gjatë dhe gjerë. Një pasdite menaxheri Stiv, më tha ti çoja lule si zakonisht. E gjeta në mes të korridorit të madh, të zhveshur pothuajse lakuriq, ishte vetëm në të mbathura. Më erdhi shumë keq për të, më ngjau si skelet, ishte mjaft i dobësuar. Më bëri shenjë të mos bëja zhurmë dhe më pëshpëriti, se kish dalë të kërkonte besimin e humbur dhe shpirtin e gruas së parë. Pastaj shtoi se dhe koleksionit të dashur i kishin ikur zërat dhe zhurmat së bashku me besimin e shpirtrat.
’Hajde të çoj në dhomë, të qetësohesh i thashë.’ Ai ma bëri përsëri, shëëët dhe më pëshpëriti, të mos dëgjojë Olivën Cou, shërbëtorja e re. Ajo i bënte akupançë me gjilpëra në të gjithë trupin, kurë ala aziatike. Shërbyesja e re i kishte premtuar se ti sillte besimin e humbur së bashku me zërat e zhurmat e koleksionit dhe shpirtrat e tyre. Pas pak erdhi Olivia. Mi nguli sytë e vegjël e të zinj, si bishë, sikur do më hante të gjallë.
‘Po ti çdo këtu,’ më shfryu, mi rrëmbeu lulet dhe i flaku. Mori plakun për dore e përkëdheli nën mjekër dhe ai zgjati kryet si kone, e tërhoqi në dhomë. Prej asaj dite ajo nuk pranonte njeri ti afrohej dhomës së plakut.
VI
Të nesërmen Vehbiu erdhi dhe më mori herët në mëngjes. Nuk dukej shumë në humor dhe më ngjau më plak. Një rrudhë e gjatë ishte theksuar në faqen e djathtë, me siguri prej zhubrosjes së jastëkut. Kafen e porositëm në dritaren e lokalit, nuk u ulëm. I morën kafetë dhe u futën në autostradë.
-Turp nder, do ta ndez një cigare,- më tha Vehbiu kur makina ishte në lëvizje, pastaj shtoi i menduar:- Nuk është vetëm ta pi, se demek mu ça hunda për duhan, por…
Heshti. Pas disa minutash mbërritëm pranë vilës së madhe. Hymë brenda. Menaxheri i hekurosur na priti më ftohtë se dje. Hoqëm me nxitim këpucët, veshëm papuçet, u ngjitëm në katin e dytë dhe filluam menjëherë nga puna. Godina e madhe, muret, dritaret e larta, tavani i punuar me art dhe shije, gjithçka, po mbërthehej prej thonjve të një trishtimi të madh për shkak të boshatisjes. Ikja dhe boshatisja paralajmëron rrënimin e pashmangshëm të kësaj vile të bukur, kështu mendoja, ndërsa zbrisnim dhe ngjitnim shkallët e përmbytura prej letrave dhe hedhurinave.
Dreq o punë. Ç’po ndodh me mua. Kaq ma shpif, më mpin shpatullat! Kush, keqardhja dhe rrënimi, apo shpirti i keq që endet nëpër dhoma dhe korridore. Në çdo lëvizje a punë që kryej, më dukej sikur dikush më bie nga pas. Kthej kryet, dëgjoj një zhurmë të lehtë dhe asgjë. Kaq të thellë e ka shpirtin ky plak, sa dhe punëtorët e shkretë të ambalazhimit të koleksionit të tij nuk i lë të qetë, isha gati ti thosha Vehbiut.
Sa herë bëja ndonjë pushim të shkurtër, të mbushesha me frymë, dalloja të ngjeshur pas murit, herë një trup të gjatë e të hollë burri dhe herë trupin e vogël, si brumbull, të gruas, të zhytur në gjysmë errësirë. Domethënë hija e koleksionistit plak, hyrë si nuselale në vrimat e shpirtrave të tjerë, herë bëhet burrë dhe herë grua! Ndoshta dhe mi i bardhë, ku dihet..?!
Kërkova të shkoja në banjë. Vehbiu me përtesë më tregoi fundin e korridorit dhe gishtin tregues e përtheu nga ana e majtë.
-Gjithsesi ndiq shenjën,- me tha.
Dhe unë ndoqa shenjën e kuqe. Përpara më doli një korridor katror, në faqen kryesore të murit, lartohej portreti impozant i plakut, koleksionit, ulur në një kolltuk të luksoz. Me vështrim të ngulur, si skifter, një cullufe flokësh të thinjur, të ngritur përpjetë, fytyrëhequr, i plotfuqishëm, hijerëndë, i padepërtueshëm. Me duart të vendosura mbi dorezat anësore të kolltukut, njëlloj si Abraham Linkolni. Paske qenë ç’ paske qenë o plak, ia bëra me vete. Po hë, të gjitha i le pas.
Mu duk sikur pas shpine dëgjova, fëshfëritje, pëshpëritje të thellë dhe zhurmë dhe sikur portreti i plakut, i fyer dhe i nervozuar u shkund, lëvizi dhe sytë iu përskuqën. Pandeha se ai plak kokoroç i mbërthyer në kornizë po matej të dilte i fyer prej telajos dhe do turrej nëpër korridore duke kaluar mbi mua, që e nënvleftësova aq hapur.
‘Hej dreq, ia bëra me vete. Kjo vilë përrallore, qenka e shpirtrave të trazuara, jo e njerëzve.’ U largova me të shpejtë prej aty me një ndjenjë pasigurie dhe pështjellimi. Pa kthyer kokën nxitova hapat të shkoja në banjë.
Banja ishte e bollshme, luksoze e gjitha në mermer dhe plot dritë. Dhe ajo akullsi e pastërti, sikur më çlodhi dhe më largoi pasigurinë e pakuptimshme. I shkujdesur vendosa duart në mermerin e ftohtë dhe u vështrova një copë herë në pasqyrë me kornizën e madhe të nikeluar. Sa shpejt më kishin dalë qimet e mjekrës. Me mendimin se nesër përpara se të vija këtu dukej të ruhesha patjetër, ula pantallonat të bëja nevojën. Me këtë rast mund të lehtësohesha dhe çlodhesha pak. Djall o punë, sa maniakë dhe sa shpejt i mbledhin dollarët këta njerëz dhe nuk thonë kurrë mjaft! Më vetëtiu ky mendim në mendje dhe vara kryet.
Dëgjova hapa të buta gati të pandiera në korridorin katror të banjës. Kuptohet që nuk i kushtova rëndësi. Në banjë mund të hyrë kushdo për nevoja personale. Prandaj vazhdova cytje e mendimeve mbi pangopësinë e njerëzve për tu pasuruar, përlarë gjënë e tjetrit dhe ikjen e pashmangshme, duarthatë, nga kjo botë dhe të lehtësohesha. Befas, një pëllëmbë larg kokës sime pashë që lëvizi lehtë, majtas djathtas, doreza e bronztë e derës së banjës. Në fillim ngrita kokën i bezdisur, gati i acaruar, por kur mu kujtua lëvizja e hijeve nëpër korridore, më ngriu zemra. O zot! Edhe në banjë të ndjeka shpirti i ankthuar i plakut maniak! Doreza lëvizi dhe dy herë të tjera. Mora kuroja dhe u kollita fort, të tërhiqja vëmendjen, por më shumë të shkundja veten time. Heshtje. Nuk dëgjova hapa, as zhurmë, as asgjë.
Kur dola nga banja korridori dergjej në gjysmë errësirë. Kërkova çelësin dhe ndeza dritat. Mu duk sikur pashë një hije burri që humbi diku, më pas gruan e çuditshme diku nga e djathta e korridorit, ngjitur pas një statuje antike, pa krahë dhe pa kokë dhe një perde të rëndë, dhjetë metra larg. Qëllimisht kalova pranë saj. Sytë i kishte të mbyllura, fytyra e palëvizshme, si statujë dhe e veshur me errësirën e perdes së rëndë. Por kur eca përpara dhe e lashë pas, ndjeva që shikimi i saj më shponte shpinën si truelë.
Kur po lëviznim statujën e Mendimtarit të Rodenit. E ngrita pothuajse peshë dhe po e vendosnim në karrocën e sheshtë, Vehbiut gati sa nuk i shpëtoi statuja prej duarsh, të cilat ishin qullur prej djersës. Por unë me shpejtësi e mbërtheva përfundi. Vehbiu më falënderoi me sy, dukej i kapitur.
-Kujdessss!- dëgjova pranë veshit një zë fare të hollë, si klithmë shpendi, që vinte prej fundit të dheut aq sa më rrëqethi dhe statuja gati sa s’më shpëtoi prej duarve. Vendosa këmbën nën të. Bazamenti i statujës rëndoi mbi gishtat e mi. Me shumë vështirësi durova dhembjet, përqendrova vëmendjen dhe mblodha forcat e ngrita peshë dhe e vendosa mbi karrocën e sheshtë. Kush e lëshoi atë klithmë? Shpirti i munduar u koleksionistit plak? Djersët më rridhnin prej ballit dhe po më vishnin sytë.
Vendosëm me shumë kujdes ‘Mendimtarin’ e Rodenit në vendin e caktuar. Qëndruam, u mbushëm me frymë, fshiva djersët dhe vështrova përreth. Përsëri diku në cep të hollit, më zuri syri fytyrën e zbehtë, të gruas aziatike, me sy të mbyllura, me duar të kryqëzuara në gji. Ajo qëndronte në këmbë pa lëvizur. Më dukej sikur ishte e njësuar me murin e patinuar. Çfarë bën ajo gjë, aty në cep që s’lëviz dhe s’ flet? Pyeta veten. Ajo lëvizi rrëshqanthi dhe mu duk sikur luajtën të gjithë statujat së bashku me të.
Erdhi koha e pushimit. U ulëm të dërmuar mbi dy stola të vjetër dhe filluam të hanim bukë. Nuk më rihej pa vështruar atë grua të çuditshme që qëndronte për orë të tëra e ngurosur pas murit dhe symbyllur.
-Kush është ajo gjë, atje përtej, si statujë, si grua?- nuk mu durua dhe pyeta zë ulët në gjuhën shqipe Vehbiun.
-Cila gjë!- ia bëri Vehbiu i habitur.
-Ajo atje,-i thashë dhe i bëra me kokë.
-Shëët. Ajo atje? Mos u kthe, mos shiko andej. Ajo është Olivia Chu, është dreqe, me ato sy gjysmë të mbyllura, ngjan sikur fle. Edhe nepërkat mbajnë sytë gjoja të mbyllura, në fakt përgjojnë,-mërmëriti Vehbiu.
-Të gjithë përgjuakan këtu,- ia bëra me inat.
-Shëëët! – pëshpëriti Vehbiu dhe shtoi zë ulët:- Ishte shërbyesja personale e merhumit, koleksionistit plak, tani është gërhima e tij. Kur më thërrisnin të shkoja, ti çoja plakut prej kopshtit të tij, lule të freskëta. E gjeja atë milet të mbledhur rrumbullak, si mace në fund të këmbëve të merhumit dhe më dukej sikur hyja në frigorifer. Ngandonjëherë e shihja të futur në shtroje, ngjeshur pas plakut. Plaku pa një arsye e pushoi Kristinën, shërbyesen e vjetër e familjes dhe, kjo mori të drejtën për ta ushqyer, veshur, dhe ndërruar. Sesi iu tipos merhumit në kokë ajo gjë, mish me dy sy, asnjë nuk e mori vesh. E solli plaku me vete prej spitali dhe mbajti si kone në dhomën e tij.
-Po kush klithi?-fola gjithë ankth.
-Ajo klithi. Ajo vrau dhe miun e bardhë të plakut.
Pranë nesh u afrua flokë shpupuritur Stive menaxheri. Dukej i zbehtë, i këputur sikur ta kishin rrahur me dru. Ai nuk mbante më kostumin e zi, kravatën e zezë dhe këmishën e bardhë, që e bënin aq hijerëndë dhe rëndësor. Kishte veshur një palë tesha të thjeshta dhe papuçe si ne. Akullsia e tij ishte shkrirë, mu duk sikur ishte futur në ujë. Vehbiu u kthye nga ai dhe e vështroi me habi. Menaxheri u ndje i bezdisur.
-Çka bërë vaki zoti menaxher,- qeshi pa të keq Vehbiu:- Qenke veshur dhe papuçe!
-Mos më thirr menaxher, të lutem,- ia ktheu tjetri i nervozuar.
-Ashtu, mirë, si të duash, nuk të thërres menaxher, do të them Stive.
-Kështu më thirr, Stive,- tha dhe shtoi:- Ku ti gjesh dhe papuçet tani. Të gjitha po i merr plaku me vete.
– O Stive, plaku i gjorë nuk mori asgjë me vete. Të gjitha i la këtu,- ia bëri i menduar Vehbiu.
– Ke të drejtë. Por nuk e kisha fjalën aty. Të gjitha i mori lumi. Komandën e mori ajo. Ma komunikoi shkarkimin. Në fillim të muajit tjetër do më nxjerrin në pension.
-Ah,- mërmëriti Vehbiu. Nxori cigaren dhe e vuri në cigarishte:- eja dalin jashtë. Këtu me gjithë mend të mbahet fryma.
VII
Dolën jashtë, hymë në kopsht, i cili ngjante sikur kish një gjoks të madh, merrte frymë thellë dhe fërgëllohej prej erës së lehtë. Vehbiu kundroi një copë herë krijimin e tij dhe psherëtiu. U përkul, u mbajti erë trëndafilave dhe ledhatoi me dashuri tulipanët. Pastaj ndezi cigaren dhe e thithi fort. Nga xhepi i brendshëm nxori faqoren petashuqe me raki dhe lagu buzët.
-Ma jep dhe mua,- tha Stive.
-Ou!- i a bëri Vehbiu i habitur dhe i zgjati faqoren petashuqe,- që kur kështu ti!
-Lëre Vehbi, mos e nga,- rënkoi Stive dhe piu një gllënjkë:- Lart, në studion e madhe janë mbledhur të bijtë, të bijat, noteri, komisionari, juristi. Përpara se të vendosej të hapej testamenti noteri kërkoi të thërritej dhe shërbëtorja personale e plakut. Dhe kush, ajo dreq grua, që hyri si aliene tek ne,- pëshpëriti Stive
-Ah,- psherëtiu Vehbiu.
– Ika, do shkoj të mësoj se çfarë bëhet,- tha Stive dhe u largua me hap të shpejtë.
-Është fjala për atë grua që na përgjon hap pas hapi?- pyeta Vehbiun:- Që ngjan si kukull bebe?
Vehbiu luajti kryet në shenjë pohimi.
-Po, ajo grua,- tha dhe shtoi:- Nëse të ka mbetur akoma diçka për të ngrënë, ulu dhe përlaje, kemi përpara shumë punë për të bërë.
Pa e zgjatur çmbështolla letrën alumini, gruaja më kish mbështjellë një mollë starkinkë dhe një banane. Vehbiu bëri pak më tej, ndezi një cigare tjetër. U ul në bisht dhe nisi të pastronte disa fletë që kishin filluar të zverdheshin në fund të kërcellit të luleve. Pranë nesh erdhi gati me vrap Stive. Ai mezi mbushej me frymë.
– Atje lart, në studio po bëhet sherr i madh. Mësova që bosi ynë i ka lënë asaj gruaje me testament vilën dhe statujat. Të bijtë dhe të bijat protestojnë me të madhe. Kush është kjo grua, kjo shërbyese, që guxon të përvetësojë pronën tonë. Ne e shohim për herë të parë këtë njeri të huaj, në jetën e babait e në jetën e tonë. Ne njohim Kristinën si shërbese personale të babait. Nga doli kjo! Ata ngulmojnë, thonë se, shpërbërja e pronës së trashëguar nëpërmjet gjakut është skandaloze dhe në kundërshtim ne të gjithat normat dhe ligjet e shtetit. Mohimi i trashëgimisë së ligjshme të gjakut është i paparë ndonjëherë. Ky është mashtrim i ndyrë. Noteri tund si flamur, përpara syve të tyre testamentin e plakut të shkruar dhe të vulosur. Të bijtë dhe të bijat shtojnë se s’duhet besuar çfarë është shkruar dhe vulosur në testament, në muajt e fundit. Ata vështronin gjithë urrejtje gruan e huaj, aziatiken e panjohur, shërbyesen e të atit. Ndërsa ajo, qëndronte në qoshe të studios, si gur varri pa i lëvizur asnjë muskuj i fytyrës. Të bijtë dhe të bijat janë tërbuar, akuzojnë noterin për bashkëpunim me shërbëtoren, për mashtrim, e përvetësim prone dhe kanë të drejtë. Të drejtën e tyre do ta ndajë gjyqi, duhet të merret parasysh, atin i tyre prej sëmundjes ishte bërë matuf,- përfundoi Stive.
-Matuf!- ia bëri Vehbiu i përhumbur.
-Buf me zile,- ngriti zërin Stive.
-I paska lënë të bijtë dhe të bijat me gisht në gojë!- i pëshpërita Vehbiut:- Ajo femër nuk ka asgjë për të lënë mendtë.
Vehbiu ngriti supet pa ditur çfarë të thoshte.
-Më shumë se matuf, i çmendur. Hë, s’të vjen të pëlcasësh prej inatit!- dëgjova të fliste gjithë maraz Stive dhe ngriti e njëherë faqoren me raki.
Dëgjuan zhurmën e një makine që qëndroi përpara vilës. Stive dhe Vehbiu vështruan njëri tjetrin në mënyrë pyetëse. Pas pak u hap dera e hekurt e vilës dhe ne pamë një furgon të bardhë të hynte brenda. Makina u rrotullua pakujdes në rruginën e ngushtë të kopshtit, bëri prapa dhe rrëzoi të poçe me lule. Vehbiut iu prish fytyra prej dhembjes dhe u bë gati tu bërtiste:
-S’u plasën sytë. Nuk e panë saksinë me lule- mërmëriti.
Stive i bëri me shenjë të përmbante veten. Prej furgonit të bardhë zbritën me të shpejtë pesë djelmosha aziatikë.
-Kush ju a ka dhenë këtyre djemve kodin e hapjes së derës dhe hyrjes në vilë?- pyeti Stive zë holluar. Vehbiu ngriti supet. Atij akoma nuk i kishte ikur e zverdhura e fytyrës. Stive u bë pak më tutje, ngriti celularin dhe foli me zë të ulët, me shpinë të kthyer nga ne.
-Na falni!- thanë djelmoshat.
-Paskan mësuar të thonë e më falni,- u grind ultas Skoti.
Njëri prej djelmoshave u drejtua nga ne.
-Ju lutem na ndihmoni të takojnë Olivia Çou, – foli ai me një anglishte të çalë.
Stive futi celularin në xhep dhe u bëri me indiferentizëm, me kokë nga dera qendrore e vilës.
-Kërkojnë atë. Ajo, ju a ka dhenë kodin e hapjes së derës dhe hyrjes në vilë,- na pëshpëriti Stive.
Vehbiu s’foli. Djelmoshat aziatikë hynë brenda. Ne ndoqëm me sy nxitimin e tyre në shkallët e mermerta. Vehbiu shkoi drejt saksisë së thyer, mblodhi me kujdes copërat e poçes, i vuri mënjanë, pastaj filloi të mblidhte me duar dheun e shpërndarë.
-Lëre dreqin, ç’ i përlyen duart, çdo gjë këtu do bëhet dhe e pluhur,- foli Stive me nervozizëm:- Se sheh, sot kemi tjetër punë.
Stivit i ra përsëri zilja e celularit. Ai pështyu dhe shau me zë të ulët. E ngriti celularin dhe foli fare shkurt. E mbylli me të shpejtë, vështroi i përhumbur nga ne. Iku me nxitim, për pak sa nuk u gremis. U kthye i menduar dhe i kërkoi Vehbiut faqoren me raki.
-Mblidhe mendjen, më dukesh si i futur në ujë,- e këshilloi Vehbiu.
Skoti s’ foli, e pashë që nuk u fye. Unë vështrova orën e dorës dhe i pëshpërita Vehbiut se duhej të ngriheshim.
VIII
Pas pak dëgjuam që ra zilja e derës së jashtme. Pas kangjellave të trasha të derës së madhe, na zunë sytë një siluetë gruaje, që fërkohej pas hekurave. Stive vështroi i përqendruar andej. I ktheu Vehbiut faqoren dhe nxitoi drejt derës së madhe. Brenda në vilë hyri një grua e vjetër, e gjatë, me syze të mëdha dhe me kapelë të gjerë, të zezë në kokë. Ajo ecte me vështirësi mbi takat e holla, si të trembej e mos binte. Gruaja e vjetër mbante hedhur krahëve një rrobë të gjatë me vija dhe ngjyra. Më shumë më ngjau me kuvertën që mbajnë meksikanët. Vehbiu shkundi çibukun pas thembrës së këpucës dhe pëshpëriti:
‘Çdo kjo meksikane plakë në vilën e koleksionistit?’
‘Ah!’ ia bëri Stive dhe u turr drejt saj.
Stive dhe gruaja vjetër nisën të flisnin mes tyre, me zë të ulët. Ajo e inatosur bëri të kthehej, të ikte. Ai e mbajti pas bërryli dhe i tregoi me kokë katin e dytë. Gruaja lëvizi mjekrën çekiç, me maraz dhe me kryet e ngritur lart eci, me hapa të mëdhenj drejt shkallëve të mermerta. Stive mbeti prapa me trupin e ndehur nga ajo. Gruaja mesi mbushej me frymë, u lëkund, gati sa nuk ra. Përtheu gjunjët me vështirësi dhe u ul në shkallinën e parë e vari kryet. Stive vrapoi drejt saj dhe nisi ti fliste me duar dhe me këmbë. Ajo u ngrit duke u rënkuar dhe psherëtirë. Hapat e saj nervoze trokëllitën. Stive e shoqëroi disa hapa, pastaj e ndoqi me sy derisa ajo hyri brenda. Më pas u afrua pranë nesh pa e ndalë shikimin derës ku humbi gruaja plakë.
-Kush është ajo grua?- e pyeti Vehbiu.
– Kush? Ajo! Nuk e njeh, nuk e arrite!- ia bëri i habitur Stive.
-Nuk më kujtohet.
-Është e mrekullueshmja Matildë, gruaja e dytë e Bosit tonë.
-E dija të vdekur,- tha Vehbiu:- Nuk dëgjova të flitej ndonjëherë për të.
-E gjora Matildë, ka qenë e magjishme kur ishte e re. Dritë dhe epsh rrezatonte kur qeshte, kur ecte, kur të vështronte, kur të prekte. O Zot, gjithë vila rrëzëllente! E mjera bukuroshe për një kohë qëndroi e shtruar në spital, në çmendinë. Tani jeton në një shtëpi pleqsh,- foli Stive, pa e ndarë shikimin nga dera, ku kishte hyrë Matilda.
-Mirë, po çdo këtu?- E pyeti Vehbiu.
Stive skërmiti dhembët:
-Çdo këtu, pyet! Ore je në binarë! Atje lart, në studion e madhe bëhet gjëma, lexohet testamenti i kodoshit plak. Matilda ka të drejtë më shumë se gjithë të tjerët. Kjo vilë e ndyrë, e shpirtrave të këqij dhe pushti plak i shkatërruan jetën, i morën rininë, bukurinë, e futën në çmendinë. Tani ata skutha të mbledhur atje lart, do zgurdullojnë sytë si bufër, kur të shohin atë dhe të dëgjojnë hatanë e madhe. Bosi ynë që iu shiftë emri, aksidentalisht harroi dhe nuk e ndau ligjërisht Matildën. Shtrigani e dinte të mbyllur në çmendinë, ndoshta dhe të vdekur…
-Ashtu!- ia bëri Vehbiu dhe vështroi nga unë me qesëndi:- Të shkretën grua e dinin të vdekur?!
-Të gjithë e dinin të vdekur, përveç meje. Një mbrëmje dimri e ndihmova Matildën të arratisej prej çmendine. E gjora ishte dobësuar bërë si kufomë. Jetoi vite me radhë e fshehur me emër tjetër. U shërua, u bë si kokrra e mollës dhe erdhi të përfitojë të drejtën, të marrë thelën e merituar të saj.
Dëgjoja Stiven i nemitur.
-Qenka çorbë e madhe, – ia bëri Vehbiu dhe fshiu syzet. U kthye nga Stive e vështroi ngulët, pastaj i shkeli syrin duke i thënë: – Ose Stiv, të drejtën thuaj, sa shumë të ka tërhequr kërraba nga kjo e magjishmja Matildë?
Stive u ndje i bezdisur dhe i nervozuar:
– Ama pyetje bën dhe ti. Nuk kishte mashkull në botë të mos e lakmonte Matildën e magjishme. Unë vërtet isha një copë menaxher vile por nuk ndryshoja nga të tjerët. E mbaja mend kur hyri nuse, u shtanga prej bukurisë, gati sa nuk më ra tabakaja prej dore. E përgjoja kudo që shkonte, kur ecte, kur hante bukë, kur lahej, kur varte kryet prapa dhe i dilte qafa e hollë e mrekullueshme. E ëndërroja çdo minutë me gjithë shpirt. U mbaja erë teshave të saj, më vinte dalldi. Ngandonjëherë në inat e sipër ndëshkoja veten, si guxoja që mendoja dhe lakmoja gruan e bosit. Përsëri e ëndërroja Matildën natë e ditë dhe qaja në heshtje, në vetmi. Më hipi tërbimi kur ai e zboi Matildën prej vile. Nëse thuhej që shkonte me të tjerët, punë e madhe ajo ishte e mrekullueshme. Ai plak i kamur ishte krimb për të dhe nuk ishte në gjendje ti bënte hyzmetin. Isha gati ta mbysja me jastëk shtrigun, merhumin, dhinë e zgjebosur me bishtin përpjetë. Në pamundësi vrasje bastarde, e ndoqa me dhembje në zemër gruan që admiroja, nuk munda to ndalja kur të gjorën e lidhën dhe e futën në çmendinë. Ajo bërtiste, lëshomëni, si guxoni! Trupi më rrëqethej prej klithmave të dhimbshme të saj. Mrekullueshmja, fatkeqja Matildë…
-I gjori ti,- foli ultazi, me ironi Vehbiu:- dhe e mjera ajo!
Stive nuk dëgjoi çfarë tha Vehbiu. Dukej i përhumbur, fërkoi ballin me nervozizëm dhe me sy të picërruar vazhdoi:
-Edhe pse në moshë pak të shkuar, ishte e bekuar dita kur mora Matildën dhe e futa në shtrat. Më dukej sikur po hyja në parajsë, u drodha, u fërfëllova kur preka gjoksin e saj. Matilda e mbulonte gjoksin me çarçaf, më lutej të mos e prekja, s’ishte më e para, i ishte fishkur, por mua sisët e saj më dukeshin më të mrekullueshmit në botë, si dy portokaj magjikë. Me inat thashë:
’Shtrigu i dreqit, pa pikë turpi e mëshirë, nëpërkëmbi një bukuri si ty,e futi në çmendinë, kur duhet të mbante në pëqi.’ Matilda u prek shumë nga fjalët e mija, mu var në krahë dhe qau me dënesë. Qava dhe unë me të dhe me vete thosha; O Zot të jetë e vërtetë, kjo femër magjike është tërësisht e imja dhe mund të bëj çfarë të dua me të.’ Doja të ikja me vrap, të fshihesha diku dhe të qaja.
Kur vija në punë, i mbushur i ndërkryer, shihja plakushin që endej si somnambul nëpër korridore. I tretur, i dërmuar, i rrëgjuar, si trung i vjetër në kalbëzim. Më vinte ti ulërija në sy: ’Dëgjo mirë o shtrigan, Matilda është e imja, e mbaj në prehër. Është e imja vetëm e imja, plas po deshe.., – psherëtiu Stive dhe fshiu djersët.
-Nuk e kuptoj perse e urren kaq shumë?- e pyeti Vehbiu:- Bosi ynë nuk ka qenë dhe aq i keq.
-Përse e urrej! Ai plak më ka nxirë jetën, gjithnjë kam qenë i përulur, i fyer, i nëpërkëmbur,- foli me maraz Stive. Heshti një hop, i menduar. Skërmiti me dhëmbë majën thoit të gishtit të vogël dhe gjithë vrer shtoi:- Ta lemë atë, se iku me të shumtit, tani na doli një avaz i ri, kuçka, aziatikja, pa ngjyer gjë, vetëm sa i derdhi nja dy a tre herë kovën me shurrë të plakut, kërkon të marrë llokmën e madhe. Dreqi i verdhë ndoshta e ka rënë në vesh që Matilda jeton në shtëpinë time, prandaj më pushoi nga puna.
-Ashtu! Sikur the jeton në shtëpi pleqsh? -e pyeti Vehbiu.
-Gënjeva. Dëgjo të tregoj një të fortë: Një ditë përpara se të cofte shtrigu, e mora për dore Matildën dhe e futa tinës në vilë. I mora masat që më parë, Olivias, zvarranikes, i dhashë ilaç për gjumë dhe ajo u kokolos si mace zgjebanike në divan, mbledhur kutullaç, me gishtin me madh në gojë si biberon. Me Matildën për dore i ranë kryq e tërthor vilës. Ajo përgjërohej prej mallit, pastaj prej kuzhinës ngjitëm shkallët, kaluam në korridorin e ngushtë sekret dhe hymë në paradhomën e shtrigut. Hapa derën me ngadalë, me shumë kujdes. Më trembte zgjimi i befasishëm i Olivës. Hymë brenda në dhomën e madhe të plakut. Dikur nuk hyja brenda pa më lajmëruar dhe lejuar ai, sidomos natën. Nejse, kishte perënduar njëherë e mirë ajo kohë. Koka e plakut dukej tmerrësisht e verdhë, si kufomë, humbur në jastëkët e mëdhenj, gjithashtu të verdhë. Ia çova Matildën pranë shtratit. Ai kapsalliti sytë pa qerpikë. Ajo i shkoi i qëndroi mbi kokë, me lot në sy dhe me duar të mbledhura në gjoks. Merhumi shqeu sytë, gërhiti zëshuar dhe vuri dorën përpara, hapi gishtat si për të bllokuar figurën e shfaqur të gruas.
‘Fantazmë je apo çfarë je?!’ bërbëliti sy zgurdulluar akrepi plak.
‘Është Matilda,’ i thashë: ‘Më e bukur se kurrë dhe erdhi për të dhënë lamtumirën e fundit.
‘Jam Matilda,’ i tha ajo.
‘Çdo kjo Matildë e vdekur në shtratin tim. Gremisu fantazmë e keqe, vdekje. Ikë,ikë. Mos më merr, ku ta lë koleksionin tim?’ Ai po ngashërehej…
‘Do ta lësh koleksionin e shtrenjtë këtu, si të tjerët,’ i thashë unë me inat.
‘Ah,’ ia bëri ai me dhembje, ’mos…’
‘Jam Matilda, më beso,’i lutej ajo, ‘ja prekmë, jam me mish dhe me kocka.’.
’ Nuk je ajo, je vdekja, hiqu qafe, nuk dua të më marrësh. Ajo ka vite që ka vdekur dhe mirë ka bërë që ja vdekur.’
‘Më dëgjo, jam gjallë, jam Matilda’, i fliste gruaja e rrëmbushur nga lotët.
‘Jo nuk je… Ikë…Olivia, Olivia..!’ bëri ai të thërriste. Mua më ngriu zemra, nxitova ti zija gojën. Plaku u përdrodh, fytyra iu skuq prej mundimit, iu nxi e pastaj i ra zali. Mu duk sikur dëgjova zhurmë pas dere. Kujtova se shtrigu e zgjoi nepërkën Olivë. Tërhoqa me ngut Matildën nga erdhëm, ikëm.
‘Më erdhi shumë keq për të,’ më tha Matilda duke dënesur ultas dhe shfryu hundët me zhurmë. ‘ I gjori si ishte bërë.’
Nuk i ktheva përgjigje. Djallushe e madhe je Matilda, sa bukur e lot rolin, posi, tu dogj barku për të! doja ti thosha.
‘Mos i bëre ndonjë gjë të keqe?’ më pyeti ajo dhe shfryu përsëri hundët me zhurmë.
‘Ç’mund ti bëja, vetëm sa ja mbajta gojën të mos bërtiste. Sa zemër të dhembshur ke Matilda’, i thashë.
Ajo më mbështeti kokën e bukur në krah dhe psherëtiu. Besova i trembur se plakun e lashë të dergjur në shtrat dhe nuk pata kohë të përmendja. Megjithatë për një moment dëgjova grahma të mëdha pas shpine, kujtova se hija e plakur ishte ngritur prej shtratit, në këmishën e natën dhe na ndiqte me kopaçe nëpër në rrugë. Hipëm me vrap në makinë dhe i thashë Matildës ta ngiste sa më shpejt që të ishte e mundur.c
‘Çfarë ndodhi?’ më pyeti ajo e frikësuar.
Pandeha se shtrigu na arriti dhe po godiste xhamat e makinës me potere.
‘Të lutem ec,’ i thashë, zemra më rrihte e vrull.
Matilda më vështroi e çuditur dhe i dha gaz makinës. Për dreq na kapi policia, paguam dhe një gjobë të mirë për shpejtësi. Ç’të bësh, paraja dhe kënaqësitë bastarde të jetës janë kthyer në kult…
Vehbiu luajti kryet, ndezi cigaren dhe mërmëriti:
-Mirë bëre që gënjeve. Sikur the që Bosi ia ka lanë me testament shërbesës personale, Olivia Çout?
Stive largoi me dorë tymin e duhanit që vinte drejt tij. Fytyrë skuqur u kthye nga Vehbiu. Një damar i trashë blu i pulsonte në tëmthin e majtë:
-Ashtu thashë, se ashtu është shkruar, – tha, ngriti lart gishtin tregues dhe foli me ton solemn:- Por testamenti i një plaku të marrë duhet tu nënshtrohet ligjeve të mençura të shoqërisë së civilizuar. Dhe unë kam të drejtën time, më iku jeta për dhjamë qeni duke i shërbyer me besnikëri shtriganit plak.
– Ke të drejtë,- ia bëri Vehbiu dhe thithi cigaren i menduar.
IX
Drejt nesh duke u lëkundur po vinte Matilda. Është pa kapele dhe flokët e lyer në të kuq të ndezur i ishin shpupuritur. Stive shkundi pantallonat dhe i alarmuar u sul drejt saj.
– Matilda çfarë ndodhi që zbrite?
– Oh Stiv. Atje nuk durohet. Mu bë koka daulle,- ia bëri ajo, iu shmang dhe eci drejt nesh. Fytyrën e ka të rënduar prej pudrës, qerpikët e lyer me rimel të zi dhe faqet e skuqura, por dallohej për një bukuri të venitur. Ajo u afrua drejt meje dhe me delikatesë si koketë, zgjati dorën e vogël, të rrudhur drejt buzëve të mia, ta puthja dhe tha:- Stive i dashur, s’më njohe me miqtë e tu të këndshëm.
U hutova dhe hezitova për një moment. Qëndrimi i saj është shumë hijerëndë dhe imponues. Pa e kuptuar përkula kokën, sakaq ndjeva në ije goditjen me bërryl të Vehbiut, por koka e mori rrëshqitjen, por vendosa ballin në dorën e fishkur dhe të ftohtë. Matilda fërgëlloi prej kënaqësisë. Vehbiu zgurdulloi sytë, më luajti syrin dhe nënqeshi me ironi. Stive përdrodhi buzët me nënvleftësim dhe vështroi e mëri të fshehur nga unë. Siç dukej nuk i erdhi mirë që unë i putha dorën dhe u bë mik me ne. U përtyp dhe me nervozizëm tha:
-Matilda, e kupton, do ngelemi me gisht në gojë…
Ajo zbardhi dhembët e vënë dhe ia pat me inat:
-Oh, Stiv, të lutem. Ata sharlatanë më ngritën nervat. Sa hyra në dhomë të gjithë zgurdulluan sytë. Kujtuan se hyri një fantazmë. U zbythën drejt dollapëve me zemër në dorë. Kur u fola dhe e kuptuan që isha me mish e me kocka, jo fantazmë ulëritën: ‘Kjo e vdekur, dreq, arratisur prej çmendine çdo këtu!? Të lajmërojmë policinë, ti hedhim hekurat.’ Mu hodhën në fyt, më ngulën thonjtë. Për inat të tyre nxora dhembët si vampirë, u qesha në fytyrë, por në fakt u tremba. Fëmijët e shtrigut u bënë një me hardhucën shërbëtore kundër meje.
– Mos u tremb. Ardhja jote i futi ata si minj nëpër çargje,- ia bëri i paduruar Stive. –Pastaj…çfarë u the tjetër?
– Oh, Stiv! Ku di unë çfarë u thashë. Më zuri koka më hyri frika. Ja, dola të marr ajër të pastër. Shko ti atje. Më lër rri me këta miq të lezetshëm…
– Matilda, lëri marrëzitë. Do të mbetesh lypsare? Paraja është e mrekullueshme dhe e lakmojnë të gjithë. Matidla, të lutem, kthehu menjëherë,- i tha Stive.
– Po sikur të më futin përsëri në çmendinë. Oh Stiv, më mirë të vdes sa të kthehem aty!- foli ajo gati në të qarë.
– Mos u tremb, asgjë nuk ka për të ndodhur,- i fli ashpër Stive.
I futi krahun dhe e tërhoqi me forcë, gati zvarrë drejt derës. Ajo ngjante si një njeri që jep shpirt. Ai i tha:
– Matilda, e kam siguruar shënimin e shërimit nga doktori.
Vehbiu vështronte i vrenjtur, psherëtiu dhe ndezi cigaren. Befas e shoi cigaren dhe e theu më dysh. E flaku tutje me maraz dhe mërmëriti:
– Konopi i dreqit ja mori shpirtin së shkretës.
Stive qëndroi te dera e vilës dhe ndiqte me sy Matildën kur ngjiste shkallët mermerta për te studioja e plakut, ku qenë mbledhur trashëgimtarët. Pas një copë herë eci me hapa të ngadalta drejt nesh dhe mërmëriti:
– Belara të mëdha. Maskarenjtë duan të lajmërojnë çmendinën. Urrejtja ndaj një të treti i bëri një ujqit e dreqit. Hakmarrja e tyre është e poshtër, por mutin di t’ i hanë.
Qëndroi, vështroi nga dera e vilës dhe fërkoi mjekrën katrore me inat, i zverdhur në fytyrë. U ul dhe nis të vërtiste nëpër gishta guralecët e vegjël.
– Hë, se për pak harrova,- foli Stive pas pak, por pa vështrua nga ne:- Dhe për ty Vehbi, nepërka Olivia Çou vendosi të hedhë në rrugë. Më mirë vendos vetë të dalësh në pension një ditë me mua. Merre si të duash…
– Ah – rënkoi Vehbiu dhe i nemitur vështroi gjithë trishtim nga kopshti që shtrihej gjithë bukuri dhe madhështi përpara tij dhe saksisë me lule të thyer dhe të rrëzuar përdhe…
2010-2017
KRISTAQ TURTULLI