NË VEND TË URIMIT, PËR DITËLINDJEN E BRUNILDA QATIP MARËS…

0
3021
Qatip Mara - Murat Gecaj

Ndoshta, vetëm prindërit lindin fëmijë,
por ka raste që fëmija rilindë prindërit!

(Nga: Qatip Mara-Nju Jork)

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1.
Përmes Internetit, sot jemi njohur me një mesazh urimi, falënderimi e mirënjohjeje, të kolegut e mikut, Qatim Mara, drejtuar bijës së tij shumë të dashur, Brunildës, për ditëlindjen e saj.

Ja mesazhi, i një lloji të veçantë, nga Qatip Mara, drejtuar së bijës:

Gëzuar ditëlindjen, e shtrenjta vajza ime, Brunilda!

Ndoshta, vetëm prindërit lindin fëmijë, por ka raste që fëmija rilindë prindërit. Me sakrifica të shumta, ti më risolle jetën e dytë. Ende nuk më besohet, që më shpëtove nga kthetrat e vdekjes, duke më rilindur. Mirënjohja ime është pakufi, nuk përshkruhet me fjalë.
Kjo ditëlindje e jotja erdhi së bashku me lindjen e mbesës sonë të dytë, dy ditë para ditëlinjdes tënde. Nënë e bijë, gëzofshi së bashku qindra ditëlindje! Zoti ju bekoftë, me lumturi!

Bayside, Nju Jork, 19 shkurt 2017”.

Brunilda, me babain, Qatip Mara
(Nju Jork-Amerikë)

2.
Gjithashtu, me këtë rast, në vend të urimit për ditëlindjen e saj, unë po ribotoj letrat, që kam shkëmbyer me Brunilda Marën. Ato janë botuar edhe në librin tim, “Kur flasin zemrat…” (Tiranë, dhjetor 2016).

“Letër: Brunilda Qatip Marës, bijës së dashur dhe të çmuar të kolegut e mikut tim, Qatip Mara, Nju Jork – SHBA

Të përshëndes përzemërsisht nga Tirana e Shqipëria, Brunilda dhe të përqafoj ngrohtësisht, me ndjenjë malli e vlerësimi të lartë, si bijën time, Mirelën.

Që të jem i sinqertë me ty dhe lexuesit e kësaj letre time, këto ditë kisha menduar dhe vendosur të shkruaja e nisja një letër të tillë. Isha i nxitur nga përkushtimi i madh e i merituar, që ke dëshmuar, gjatë tërë kësaj kohe, për babin tënd të shtrenjtë, por dhe mikun tim të mirë, Qatipin. Por ja që, sot në mengjes, për ketë gjë më erdhi në “ndihmë”, si me porosi, pikërisht ai, me mesazhin e ngrohtë dhe dashamirës, që më dërgoi. Përmes rreshtave të tij, mësova me kënaqësi se babi yt, pak e ngapak dhe gjithnjë e më mirë, po e merr veten, pas gjithë atyre shqetësimeve të jashtëzakonshme shëndetësore, si në Shqipëri e Itali dhe aty në Nju Jork.

Por, falë edhe shpirtit e karakterit të tij të fortë, guximit e vendoshmërisë dhe dashurisë së pafundme për jetën, pas kurimeve të shumta e intensive, por dhe ndërhyrjeve kirurgjikale, zemra e tij e bardhë dhe ku gjen dashurinë e një njeriu të veçantë, ka nisur të rrahë e të punojë, si më parë, pra me ritmin e zakonshëm. Sigurisht, së pari, kjo gjë është një mrekulli e fat i madh, si për vetë atë, por dhe për motrate tua, mamin tënd e familjarët e tjerë, si dhe për të gjithë ne, kolegët e miqtë dhe të njohur të shumtë të tij.

Ndërsa për këtë mrekulli të jetës, unë dua të veçoj ty, Brunilda, ashtu siç ka bërë babi Qatipi, në mesazhin,, që më ka dërguar.

Pra, pa u zgjatur, ty do të quaja një ndër shpëtimtarët e jetës së tij dhe “yllin mbrojtës”, pasi iu ke gjendur dhe po i gjindesh atij pranë, në çdo çast. Kështu, po tregohesh vajzë shumë e edukuar dhe e dhembshur, që ke trashëguar traditat më të çmuara të familjes suaj e të bijave më të mira shqiptare. Këtë gjë, që përmenda më lart, ti Brunilda, po e shprehë pa kursim ndaj njërit prind, në një kohë kur, për fat të keq, është lëkundur sadopak familja shqiptare, në përgjithësi dhe ndjenjat njerëzore të fëmijëve ndaj prindërve e gjyshërve po zbehen!? Këtu, po të rikujtoj një mësim të kahershëm të babait tim, i cili më thoshte se, mund të bëhesh njeriu më i dëgjuar, më i zgjuar dhe më i pasur, mund të shkosh edhe deri në fundin e botës, por askush nuk të bëhet, nëna e babai yt!

Qatip Mara, me dy vajzat e mitura…

Kam mësuar nga Qatipi se, megjithëse jeton me të mirat e jetës amerikane, pra në Nju Jork, ku edhe unë kam qenë disa muaj, më 1993 e 1994, por ti asnjhëherë nuk i ke harruar as nuk i harron vendlindjen e Atdheun tënd. Me krenarinë e një shqiptareje të vërtetë, ti e mban lart e me nder mbiemrin e krahinës, nga Kropishti i Vlorës, pra Mara. Ndjenjat e adhedashurisë, përmes mësimit të gjuhës amtare shqipe, ti po ua mëkon, edukon dhe mëson fëmijëve tu. Po kështu, me të drejtë, krenohësh duke e mbajtur pranë Flamurin tonë Kombëtar, me shqiponjën dykrenore në mes.

Për këto, mund të thuheshin shumë fjalë miratimi e përgëzimi, por këtu po mjaftohem vetëm, duke të thënë, nga zemra: “Të lumtë, Brunilda!”

Ndoshta, ndonjë ditë babi Qatipi do të tregojë se familjet tona kanë edhe lidhje krushqie, pasi një nip i imi është martuar me një bijë nga Kropishti. Por, kryesorja, është se, ne të dy, kemi kalitur një miqësi disavjeçare, të fortë, të sinqertë e të qendrueshme. Prandaj dhe kur ai pati gjendje të rënduar shëndetësore, me mundësitë e mia, iu ndodha atij pranë, në Tiranë. Aty njoha edhe mamin tënd, dy motrat tua, xhaxhain e familjarë të tjerë. Por dhe më pas, hap pas hapi, si në Torino e Milano, por dhe kur Qatipi erdhi në Nju Jork, jam përpjekur që të jem sadopak pranë tij e ta ndaj shqetësimin me të, sigurisht përmes Internetit dhe të mësoj ecurinë e gjendjes së tij shëndetësore.

Ja, për fatin e mirë të të gjithë njerëzve të shumtë, që don e respekton Qatip Mara, tani ai po shërohet. Kam shpresë e besim të plotë, që do të bëhët “si kokrra e mollës”, më pas, duke ardhur përsëri edhe në Tiranë e në Shqipëri.Babi yt, Qatipi më shkruante se dëshiron dhe po punon të shkruajë një libër të posaçëm, për rilindjen e jetës së vetë ose për fitoren e plotë mbi sëmundjen etj. Sigurisht, kjo është një gjë shumë e mirë, prandaj e nxiti dhe e përshëndes, në këtë drejtim. Por kam një këshillë vëllazërore e miqësore, si për atë vetë dhe për ju, familjarët e tij atje: Siç dhe e dini, çdo hap e çdo sforcim i tij, sidomos tani, mund ta përkeqësojë gjendjen shëndetësore. Për këtë arsye, si punën në kompjuter dhe lodhje të tjera të panevojshme, duhet t’i masë me peshoren më të saktë, për të mos e kaluar sadopak masën.

Mund të shkruaja edhe më gjatë, në këtë letër timen, Brunilda, të cilën, së pari, do ta lexojë babi Qatipi, pasi po e nisi përmes e-mailit të tij. Po, përmbledhurazi, dua ta shprehi edhe një herë falënderimin, respektin e dashurinë time ndaj teje, që ke dëshmuar dhe po dëshmon kujdes të jashtëzakonshëm ndaj babit tënd, duke marrë kështu mirënjohjen e të gjithë atyre, që e njohin atë.Uroj e shpresoj që, së shpejti, ty do të takoj në kryeqytetin tonë, Tiranë, bashkë me babin tend, aq të mirë e të dhembshur, të dashur e të mrekullueshëm, Qatip Mara.

Të përqafoj fort, nga larg, si bijën time dhe ju dërgojmë shumë të fala të përzemërta, unë e bashkëshortja, si në familjen tënde dhe në atë të babit:

Nga: Murat Gecaj
Tiranë, 29 qershor 2014

I nderuar miku i babit tim, Profesor Murat Gecaj!

Ju falënderoj për letrën humane prindërore, që më dërguat! Sigurisht edhe unë ju vlerësoj , respektoj e konsideroj së babin tim të shtrenjtë, që ju e keni mik e kaluar mikut, sepse miqësia provohet në ditë të vështira. Ashtu si më ka thënë mami im ,kur babi ishte i shtruar në spitalin gjerman në Tiranë, ju i nderuar mik i vërtetë, pa interesa përfituese, shkonit çdo ditë për ta takuar në spital , ju rridhnin edhe lotë ,gjë që dëshmon se jeni me vlera të larta shpirtërore. Edhe babi im ju vlerëson e respekton, me dashuri të pastër njerëzore dhe ju kujton me mall. Bota shpirtërore është pasuri më e madhe, se sa pasuria materiale. Sepse, kur largohesh nga jeta ,pasurinë materiale nuk e merr me vete, por shpirti hyjnor shkon tek i madhi Zot.

Faleminderit për vlerësimet, që keni shkruar në letër për personalitetin tim, të cilin me edukatën e familjes sime të shtrenjtë, e kam formuar në Atdheun tim, duke përvetësuar gjuhën e bukur shqipe, e cila është palca e shtyllës kurrizore e Kombit Shqiptar. Sepse, një komb, kur humbet gjuhën, po thuaj ka vdekur.

Në Atdheun tim u bëra 20 vjeçe, u arsimova, atje kam fëmininë e adoleshencën shkollore, të cilat i ruaj në botën time shpirtërore. Atdheu im është pasuri, që nuk shkëmbehet me asgjë, në këtë botë të trazuar. Kur largohesh nga atdheu, e ndjen më shumë mugesën e tij, e mbartë me vete, me shpirt, kudo që të shkosh,sepse nuk mund të duash atdhe tjetër. Mund të marrësh nënshtetësi tjetër, por kombësia shqiptare është e përjetshme, në zemrat tona.

Babi është në proces biopsie, që zgjatë një vit, me një rregjim të rreptë higjiene, me ushqim të përcaktuar nga spitali, sepse disa ilaçe shkaktojnë dëmtime anësore, si sëmundjen e diabetit. Bashkë me bashkshortin tim, mjek kirurg, kujdesemi për përmirësimin e shëndetit të tij, por sidomos për procedurat e biopsisë, që bëhen në laboratorin modern të spitalit, këtu në Nju Jork. Ato janë procedura të rëndësishme, për të mos lejojë që organizmi të kundërshtojë dhe mohojë zemrën e trasplantuar.

E fituam betejën me trasplantin, por beteja vazhdon, duke treguar kujdes, sipas këshillave të mjekëve, të cilët periodikisht kontrollojnë me biopsi e analiza gjaku, gjendjen shëndetësore të babit dhe ndryshojnë ilaçet, të cilat na i sjellin në shtëpi farmacitë, falas. Shërbimi mjekësor me siguracion është falas, në 10 muaj babit, kirurgët e spitalit amerikan, i bënë dy operacione shumë të vështira ,të cilat me lutjet tuaja, të miqëve dhe lutjeve tona, Zoti na ndihmoi, duke e rilindur jetën e babit tim të shtrenjtë

Faleminderit për këshillat tuaja, për të mos lejuar që babi të sforcohet e lodhet, duke shkruar librin, për të cilin do shkruhet pas një viti, kur të jetë konsoliduar shëndeti i babit.

Ju dërgoj përshëndetjet më të sinqerta: familjes suaj, juve mik e vëlla i babit tim. Ju uroj shëndet e gëzime në familje. Të jetoni sa më gjatë, për të gëzuar jetën e mbesës Dorela dhe të fëmijëve të tjerë, të fëmijëve tuaj të shtrenjtë!

Ju përqafoj nga larg, si prindin tim të respektuar. Edhe një herë, faleminderit për letrën prindërore, që më dërguat, e cila më solli shumë emocione gëzimi!

Me respekt, si vajza juaj:
Brunilda Qatip Mara
Nju Jork, 29 qershor 2014