Leonora Laçi
Në prag festash të fundvitit, të gjithë bëhemi nostalgjikë, që dhe një vit po ikën pa u ndjerë, ngjanë sikur e përzumë.
Në fakt ne përzëmë çdo vit, përzëmë njeri-tjetrin, përzëmë të vërtetën, përzëmë fatin, përzëmë të ardhmen e ftojmë të shkuaren, përzëmë të aftën, përzëmë të mirën, të mos harrojmë që përzumë dhe Zotin…
Këto ditë, në të cilat ndjehet gjallërimi mes shkelqimit të festave të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, në këtë vorbull gëzimi ndjej hidhërim. Hidhërim sepse Shqipëria kalon dhe një vit tjetër duke tërhequr këmbët zvarrë ndaj realitetit të dhimbshëm.
Ndjejmë gëzimin e ardhjes së mërgimtarëve, por ndjejmë dhe hidhërimin e ikjes së tyre se ne dëshmitarë të mbetur të këtij vendi, qëndrojmë e vrasim ditët. Ndërkohë që krenohemi për shqiptarët e suksesshem në mbarë botën, jemi me një sy duke parë mundësinë e parë të arratisjes nga ky realitet.
Nuk kemi shumë për të festuar, pasi problemet nuk i lëmë pas, por i bartim në vitin e ri, bashkë me ta bartim papunësinë, informalitetin, ëndrrat e ikjes, xhepat boshë, frikën, plagët e së shkuarës, armiqtë.
Po po, sepse edhe një shkendijë që studentët na demonstruan, ata e shuan, siç kanë shuar çdo zë këto tre dekada, siç kanë shuar çdo endërr, siç kanë shuar çdo murmurimë, çdo melodi, çdo përpjekje drejtësie, siç kanë përbaltur çdo kauzë apo njeri të ndershëm. Me sa duket duhet të presim dhe tre dekada të tjera për zgjimin e rradhës…
Por po e bëj urimin tim, urimin që kemi nevojë secili prej nesh.
Do doja t’i uroja shqiptarëve durim, sepse ai soset.
Do të doja t’i uroja shqiptarëve shëndet mendor e fizik, pasi do na duhet… Kohë edhe më të vështira po na presin.
Kohë të zymta sillen rreth nesh, e shpesh dhe dëshira për të festuar ikjen edhe të këtij viti më duket klishe. Pasi nuk dua që të ikë edhe një tjetër vit pa bërë asgjë, pa projektuar të ardhmen.
Do të doja t’i uroja shqiptarëve besim, i vetmi që na ka mbetur, besim në Zot, nuk ka rëndësi, se në cilën derë do e kërkosh, mjafton që Zoti është aty. Nuk po i uroj shpresë, sepse tashmë është një fjalë e huaj për ne.
Do të doja t’i uroja rinisë shqiptare, paçi dituri. Pa dituri nuk mund të dini të kuptoni të tashmen por as të ardhmen, paçi dituri të lexoni sa më shumë, të njihni botën. Dituri për të kuptuar që materialja është e përkohshme, ne vetë jemi të përkohshëm, por mund të shkruajmë përjetësinë.
Do të doja t’i uroja shqiptarëve forcë, vështirësitë e jetës kërkojnë njerëz të fortë për t’i përballuar, jo aq forcë fizike sa forcë shpirtërore, maturi, vetëdije të lartë, qetësi, guxim.
Pranojeni këtë urim të sinqertë !
Urimi Shoqatës “Trojet e Arbrit“ me rastin e festës së Krishtlindjes
Shoqata e Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbrit“ ju uron të gjithë shqiptarët katolikë anë e kënd trojeve shqiptare festën e madhe të Krishtlindjes. Kjo festë lë të ju shërbej shqiptarëve që të tregojnë në mes vete vëllëzerinë shqiptare që ka qenë dhe është gjithmonë e fortë dhe bujare.Urojmë që kjo festë e Krishtlindjeve të shërbej si urë lidhëse në mes të shqiptarëve që ta trasojmë sa më tepër rrugën Evropiane të popullit tonë shqiptarë.
Një urim i veçantë për të gjithë Intelektualët e Shoqatës “Trojet e Arbrit “pa dallim feje, krahine apo ideje që janë bashkuar rreth flamurit të Gjergj Kastriotit dhe me mendjet e tyre të ndritura po lënë gjurmët e shkrimeve historike duke punuar bashkarisht dhe shqiptarisht. Urime, gëzuar dhe festofshmi gjithmonë edhe shumë breza festën e Krishtlindjes, me urimin që këtë festë në vitin 2019 ta kremtojmë në një shtet të përbashkët në Shqiperinë Etnike.
Ne emër të Shoqatës së Intelektualëve shqiptarë festën e Krishtlindjeve ju urojn
Nue Oroshi, Kryetar
Besim Morina, nënkryetar