Sot, para shtatores së Naim Frashërit në qendër të qytetit të Tetovës, Drejtoria e Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë ”Ditët e Naimit”, mbajti homazh për poeten, prozatoren dhe përkthyesen Silke Liria Blumbah, anëtare e Drejtorisë së Festivalit. Në këtë përshperitje përkujtimore merrnin pjesë anëtarët e Drejtorisë së Festivalit, poetë dhe studjues të letërsisë, drejtues institucionesh kulturore etj.
Pas dhënies së një minut heshtje për vdekjen e Silke Liria Blumbah, fjalën kryesore e mbajti drejtori i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë ”Ditët e Naimit”, Shaip Emërllahu, i cili në mes tjerash theksoi se, “Silke Liria Blumbah i takon komunitetit të të huajve që në takim të parë me botën shqiptare u mahnitën e ranë në dashuri, siç janë Edit Durham, Lord Bajroni, Franc Nopça, Robert Elsie e shumë të tjerë. Ajo është njeriu, që një jetë ja fali letërsisë dhe kulturës shqiptare. Është shkrimtarja, që proza dhe poezia moderne shqipe pa tekstin letrar të saj është e mangët, ndërsa historia e kulturës kur do të flasë për operatorin e njohur kulturor ndërkombëtar “Ditët e Naimit”, gjithsesi se, emrin e saj do ta shenjoj me shkronja të mëdha, për kontributin e çmuar që dha në fushën e përkthimit dhe organizimit të tij.”
Më tej, ai u ndal në shkollimin e saj dhe mësimin që mori për gjuhën shqipe dhe shqiptarët. “Silkja Liria Blumbah, u lind në një ditë të diele, të 13 dhjetorit të vitit 1970, në qytetin e Gottingenit, në Gjermani. Studimet për përkthimin me gojë i kreu me sukses të shkëlqyeshëm në Universitetin e Haidelbergut, ku diplomoi për frengjisht, anglisht dhe portugalisht.” … Fëmijëria e vështirë, e vajzës 8 vjeçare që kishte bërë poezi, e mbush ate me ankth deri në mohim të vendlindjes e të vendit të saj.
Ky shpirt me dhembje jete, me zhgënjime dashurie, vendos të gjej stacionin e paqës për jetën e saj të trazuar. E ky stacion do të jetë Shqipëria dhe trojet shqiptare. “Kam përjetuar shumë gjera të vështira, por ajo që më ka dhënë gjithmonë kurajo ishte lidhja ime me botën shqiptare dhe vetëdija se, ndonjë ditë do të vendosem ne Shqipëri për të vepruar për të mirën e shqiptarëve” – do të shprehet Silke.
Në vitin 1994, Silkja fillon të interesohet për Shqipërinë, apo siç thotë vetë, dëgjon “për herë të parë thirrjen e shqiponjës”. Lexon shumëçka mbi shqiptarët. Magjepset pas gjuhës dhe kulturës shqiptare. Mëson në mënyrën autodidakte gjuhën shqipe. Dhe tani, më shumë se kurrë, i çelet udha që të lëvizë drejt Shqipërisë. Më, 5 tetor 1998, shkel tokën shqiptare. Në dhjetor të 1998-ës, Silkja, realizon ëndrrën… në Universitetin e Tiranës jep provimin e gjuhës shqipe. Gjatë kësaj kohe, ajo njeh realitetin e metropolit shqiptar, Tiranës, ”me rrudhat dhe buzëqeshjet e popullit tim”, siç thotë në një varg.
Pra, ajo, tashmë e transformuar, ndjen ngrohtësinë dhe prek mikpritjen e njohur shqiptare. Ndjehet e vlerësuar, e nderuar, e frymëzuar ngado që shkon. Vazhdon të zgjeroj gjeografinë e lëvizjes, duke zbritur më 10 janar 1999, në “Sarandën time”, siç thotë gjithandej shkrimeve të saja. Edhe më qartë “dallgë vezulluese në bregun e harrueshëm të Sarandës – qenkam unë” do të nënvizoj në poezinë “UNË JAM”. Pranohet në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Në vitin 1999, boton në shtëpinë e njohur botuese “Naim Frashëri”, në Tiranë, vëllimin me poezi “Dyzet vdekje në Sarandë”.
Në vazhdim Shaip Emërllahu ndalet në ardhjen përherë të parë në Tetovë dhe angazhimin e saj në Drejtorinë e FNP “Ditët e Naimit”.
Më 2001, Silke/Liria vjen në qytetin e poezisë, e prek skenën dhe emocionet e Festivalit… Përshëndetet dhe pritet ngrohtësisht nga publiku tetovar dhe jovetëm. Në Tetovë gjen shtëpinë e re të saj, shtëpinë e poezisë, ku lidhet edhe më shumë me poetët shqiptarë dhe ato të huaj. Silkja/Liria bëhet bashkëpuntore dhe më vonë anëtare e Drejtorisë së Festivalit. Ndihmon në përgatitjen e edicioneve të shumta të Festivalit për dy dhjetëvjeçarë rresht.
Në shtëpinë botuese “Ditët e Naimit” do t’ia botojmë tre libra; dy prej të cilave me poezi dhe një me proza të shkurta. Librat e Silke Liria Blumbah të botuar në Tetovë, janë “Karavela e fundosur”, 2002, “Lumi që rrjedh drejt burimit” 2007, dhe libri me proza të shkurta “Një vit pas vdekjes”, 2017. Të gjitha këto libra janë interpretuar dhe vlerësuar lartë nga emra të njohur të kritikës si Moikom Zeqo, Agron Tufa, Ahmet Selmani, Remzi Salihu etj. Këta, Silke/Liria Blumbah e quajnë shkrimtare me talent të rrallë, me imagjinate të veçantë, ku vendin në letërsinë shqipe ajo e ka të skalitur përgjithmonë… Poetja Silke/Liria është përfshirë dhe nëpër antologji dhe revista të ndryshme në gjuhën shqipe dhe ate të huaj. Ajo është fituese e çmimit letrar “Qiriu i Naimit”, Tetovë, “Flaka e Janarit”, në Gjilan, “Naji Naaman”, në Bejrut, (Liban) etj.
Në vitin 2010, ajo boton në Tiranë, librin “Ditari i një kthimi“, ndërkaq vëllimin me poezi “Beyond the bos of the heart” e boton në gjuhën angleze në SHBA. Silke Liria Blumbach përktheu për shtëpinë botuese “Ditët e Naimit”, një numër të madh emrash të njohur të poezisë botërore si laureatët e Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Silke Liria Blumbach, gjithashtu, ka dhënë një kontribut të paçmuar, duke përkthyer nga gjuhë të ndryshme në gjuhën shqipe, afro 15 antologji të Festivalit.
Në fund, drejtori i Festivalit Shaip Emërllahu, tha se Silke/Liria vdiq në Berlin, 15 minuta pasi akrepat shkelën ditën e 12 qershorit. Aq, sa i duheshin për të kënaqur dëshirën e saj, që vdekja ta nxënë në Ditën e Lirisë së Kosovës, që punoi dhe e deshti aq shumë. Liria, emër të cilin ia dha vetes.
Silke/Liria, siç thamë, ishte e lidhur fort me poezinë, me shqiptarët, me Tetovën, Sarandën, Prizrenin… Ajo dha shumë në afirmimin e tyre. Qyteti i Prizrenit kaherë e ka shpallur “Anëtare nderi” të qytetit. Shpresoj që edhe Komuna e Tetovës, do të reflektojë dhe do t’ia japë një titull të tillë mëse të meritueshëm. Pse jo, edhe një rrugë e këtyre tre qyteteve do të ishte nder për ta, të pagëzohet me emrin e saj.
Urojmë që të gjejmë mundësi, si dhe në të ardhmen të punojmë fort, që eshtrat e saj t’i sjellim në trojet shqiptare, të cilën i deshti aq shumë, …nga se, na e la edhe amanet “vendvarrimi: në trojet shqiptare”.
Më pas, profesori Xhelal Zejneli, në fjalën e tij theksoi se, “Lajmi për vajtjen në amshim të Silke-Lirie Blumbah, për të gjithë ne që e kemi njohur ishte pikëllues. Ajo ishte një prej veprimtareve më të devotshme dhe anëtare e Drejtorisë së Manifestimit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Për të vazhduar më tej se, Silke-Liria na e përkujton studiuesen e famshme dhe legjendare të botës shqiptare, Meri Edit Dyrhamin, autoren e disa studimeve për ne dhe gadishullin. Silke-Liria i kishte e rënë kryq e tërthor botës shqiptare sikur dikur autorja e “Brengës së Ballkanit”.
Ajo, tha profesor Zejneli se, ”Silke/Liria nuk imponohej kurrë. Kishte kulturë komunikimi. Ishte plot shpresa për ne shqiptarët. E donte Kosovën të lirë dhe sovrane. I donte shqiptarët të bashkuar. Thoshte se, ëndrra shqiptare për bashkim kombëtar kurrë s’ka për t’u venitur. I shihte shqiptarët në familjen evropiane. Me lashtësinë shqiptare krenohej më shumë se vetë shqiptarët. Çmonte lartë Gjergj Kastriotin dhe rolin e tij në historinë shqiptare dhe evropiane. Emocionohej kur dëgjonte fjalë për Nënë Terezën. Nuk ndalej së theksuari se Ismail Kadareja është përkthyer në 45 gjuhë të botës. E lexonte dhe e rilexonte.”
Në fund, një fjalë të shkurtë mbajti edhe poeti Salajdin Salihu, i cili nënvizoi se, Silke Blumbach, ishte mike e mirë, poete dhe përkthyese e shkëlqyer, njeri i dashur, që rrezatoi dashuri mahnitëse për njerëzit dhe kulturat e ndryshme. Njerëzit si Silke, nëse i referohemi një poeti, nuk shuhen, por vetëm e ndryshojnë adresën. Adresa e re e Silkes prej tani është eterike, qiellore, e ëndërrt. Atdheu i ri i saj tani është qielli. Silke i deshi pafundësisht shqiptarët, por edhe shqiptarët e deshën, vazhdojnë ta duan e do ta duan dhe nderojnë përgjithmonë.
Më tej, ai nënvizon se, “Shqiptarët duhet ta duan vendin, kulturën, gjuhën e tyre, ashtu siç i deshti Silke. Të jenë të kulturuar, ashtu sikurse ishte Silke. T’i vlerësojnë bukuritë e vendit të tyre, ashtu sikurse i vlerësonte Silke. T’i çmojnë vlerat e sistemeve tjera kulturore, ashtu sikurse i çmonte Silke. Ajo i adhuroi shqiptarët, sepse e njohu historinë dhe kulturën e tyre. Ajo u ndje krenare me identitetin e ri të saj, përkundër shumë shqiptarëve të tjerë, që ndjehen të fyer dhe të nënçmuar për shkak të këtij identiteti. Ajo deshi shqiptarëve t’u jepte ngrohtësinë e saj, vargjet e saj, por edhe t’u sillte në shqip vargje poetësh nga bota. Lamtumirë mikja ime e mirë, Silke! E meriton që një rrugë të mbajë emrin Tënd në qytetin Tënd, në Tetovë.”
Në këtë homazh, përkujtimi aktori Arsim Kaleci lexoi dy poezi të saj kushtuar Tetovës dhe Sarandës, ndërsa violinist Shkëlzen Pajaziti ekzekutoi në hapje të ceremonisë një pike mortore.
Tetovë, 18 qershor 2020 – Dimal Hadri