Hashim Baftiari: Autori, studiuesi dhe adhuruesi i librave
Shkruan: Xhemail Peci
(Fragmente nga një shkrim më i zgjeruar)
I. Në Tetovën e Mit’hat Frashërit
Gjithmonë më ka bërë përshtypje thënia profetike e ideologut të shqiptarizmës, Mit’hat Abdyl Frashërit: ‘Do të vijë koha kur politikat ndërkombëtare do të verifikojnë dhe do të ndreqin veten në Kosovë. Qendër e tyre do të jetë Prishtina, fjalën e fundit do ta thotë Tetova.’
Në librin e tij “Shqiptarë e Sllavë” Lumo Skendo (alias Mit’hat Frashëri) shkruante se “qyteti i Tetovës dhe tërë kazaja e saj përgjithësisht kanë qenë një nga qendrat më aktive të propagandës nacionaliste shqiptare, ku u shfaq shumë shpejt vullneti për të luftuar kundër tendencave pan-turke dhe pan-sllave”.
Nuk është rastësi që profecitë e poetëve të një kombi bëhen pjesë e ardhmërisë së tij. Nga ky prizëm, më kujtohet Nositi i poezisë shqipe, Lasgush Poradeci, me thënien e tij e cila ushqeu shpresat e breznive orëmira: ‘Do të vijë një kohë, kur do të vemë në dasmë e do të urojmë: Mos e pifshim këtë gotë, po të mos bashkohemi me Kosovën! Dhe do të vemë në vdekje dhe do të ngushëllojmë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën…Do të vijë një kohë kur dollia do të fillojë me këto fjalë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën.’
E sërish, edhe një mendim tepër transparent nga një shkrimtar emblematik në letrat shqipe, ku zë vend përsëri Tetova. Pyetjes: ‘Në cilin vend dëshironi të jetoni në hapësirën e banuar me shqiptarë?’, Ramiz Kelmendi i është përgjigjur: ‘Jo vetëm një vend kam ku do të dëshiroja të jetoja në trojet shqiptare. Në Shqipëri kam Shkodrën, në Kosovë-Gjakovën, në Maqedoni-Tetovën, në Mal të Zi-Ulqinin, në Kosovën Lindore-Preshevën, në Çamëri-Pargën, ndër arbëreshët e Italisë-Makjin e De Radës.’
1. Hashim Baftiari: Njeriu, studiuesi dhe adhuruesi i veçantë i librit
Hashim Baftiari, me shkrimtarin emblemë Ismail Kadare
Një përurim librash për krijimatrinë letrare dhe publicistike kushtuar shkrimtarit Ramiz Kelmendi, në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, qe bërë një ogur i bardhë që të njiheshim së bashku dhe që atë ditë, me studiuesn dhe adhuruesin e librit Hashim Baftiarin, kemi mbetur miq.
Një njeri modest e gjithmonë i fjalës, një studiues i përkushtuar dhe një adhurues i madh i librit, ai gjithmonë mbetet një mik i rrallë të cilin ke dëshirë ta takosh për të këmbyer mendime e rrahur tema të ndryshme. Ndërkaq, librat si ‘Fjalimet e nobelistëve’ (përkthyer nga Avni Spahiu), Petraq Kolevica ‘Me Mitrush Kutelin’, si dhe ate të Vedat Kokonës ‘Nga Tirana në Stokholm’, të siguruar nga ai me një përpjekje të veçantë, i mbajë si librat nga më të çmuar në bibliotekën time, për çka i mbetem gjithmonë mirënjohës: pafundësisht.
E veçanta tjetër që e shquan atë është fakti se në komentet e tij, në analizat e tij, në shfaqjen e mendimeve dhe në shpalosjen e vlerësimeve të për libra të botuar, për letërsinë si dhe për dukuri e fenomene të ndryshme në rrjedhat tona kulturore, në takime letrare apo edhe në përurime librash, Hashim Baftiari ka dëshmuar sa prirjen e tij për librin po aq edhe dashurinë ndaj librit, duke bërë përshtypje gjithmonë me fjalën e tij të peshuar mirë si dhe me gjykimin e mprehtë e të drejtë krtiko-letrar. Në radhë të parë ai ka dëshmuar dashurinë ndaj gjuhës shqipe si dhe ndaj kulturës kombëtare shqiptare, por gjithmonë të shoqëruar me një zell të pareshtur për leximin, si dhe me një kërshëri të gjallë për dijen dhe kulturën në përgjithësi.
Hashim Baftiari, duke folur për letërsinë
2. Duke shijuar bukuritë e Tetovës
Pasi kalojmë kufirin shqiptaro-shqiptar të Kosovës me Maqedoninë, me makinën e Agimit, në një pasite të bukur qershori, soditnim rrugën e cila shpesh nga të dy anët shfaqej me drurë të shumtë e me hije të cilat t’i kishte ëndja t’i shikoje.
Për mua ky udhëtim ishte i ndarë në dy kohë (dje dhe sot), e gjithashtu, në dy pjesë. Sa ishim në pjesën e Kosovës, shpesh, shumë shpesh më shfaqej pjesa e parë e mendimit jashtëzakonisht profetik të Mit’hat Frashërit: ‘Do të vijë koha kur politikat ndërkombëtare do të verifikojnë dhe do të ndreqin veten në Kosovë. Qendër e tyre do të jetë Prishtina’, si dhe pjesa e dytë e këtij mendimi sa transparent po aq edhe lapidar: ‘fjalën e fundit do ta thotë Tetova.’
Kisha një kërshëri të veçantë për pjesën e dytë të mendimit të Mit’hatit, më fundit-nga më të mëdhenjtë e Frashëllinjve. Doja ta shihja përfytyrimin e tij, doja ta prekja me dorë, dëshiroja që ta përjetoja një ndiesi të tillë të flamurtarit të shqiptarizmës së rishlindur, siç do të shprehej profesori Selamn Riza.
Tetova po shfaqej dalëngadalë, sa me historinë po aq edhe me gjeografinë e saj, me krenarinë e saj të ligjshme sa dhe me bukurinë e saj. E rrethuar me kodrat të cilat sikur ia shkelin syrin, Tetova sikur po kredhej në kujtesën e saj historike, me aq shumë ngjarje, me aq shumë të bëma, me aq shumë lufta, me aq shumë qëndresë. Tetova e pushkës dhe e penës, Tetova e gjakimit për dijen univesritare si dhe Tetova e manifestimit letrar ‘Ditët e Naimit’.
Sa më shumë që shikoja pamjet e Tetovës dhe kodrat rrotull saj, aq më shumë më kujtohej Tanusha e eposit të kreshnikëve, dhe sa më shumë që soditja pamjet e saj, aq më shumë më shpaloseshin në kujtesën time emra që lanë gjurmë të pshlyeshme në historinë e Tetovës trime.
Në fund të udhëtimit për në Tetovë, takohemi me mikun e çmuar, i cili na pret me përzemërsi dhe na shoqëron duke ecur këmbë, për të shijuar pamjet e qytetit të Tetovës, ku bie në sy ritmi i gajllërisë së jetës. Duke ecur dhe duke biseduar së bashku, me bujarinë e tij të shquar ai na fton për drekën e shtruar gjithë begati, e ku bie në sy rregulli, shija dhe pastërtia…
Hashim Baftiari, Agim Bejiqi, Xhemail Peci
Në Restorantin ‘Arbi’, në Tetovë
Nga balkoni i Restorantit ‘ARBI’ sodisim pamjet që shfaqen përpara. Bisedojmë shtruar e kënaqemi me sfondin e kodrave përreth. Z. Hashim shprehet plot pietet për pronarin e restorantit, z. Xhelal Idrizi: ‘Një mbështetës i sinqertë i arsimit, kulturës dhe sportit shqiptar, adhurues dhe përkarahës i pashoq i përpraimit shqiptar në të gjitha sferat…’
Mbarojmë drekën, pimë kafetë dhe përsëri rendim nëpër rrugët e Tetovës, disa prej të cilave të tërheqin vëmendjen me katrorët e shtruar aq bukur e që përbëjnë një mozaik të veçantë me hijeshinë e tyre.
Pa dyshim se një nga përshtypjet e rralla, ishte vizita në Xhaminë e Tetovës, brendësia e së cilës me pamjet e saj të mrekullueshme si dhe me një kaligrafi të rrallë, e cila të mahnitë. Pasi na dëfton se miku ynë, albanologu Robert Elsie, ishte mrekulluar me bukuritë e enteriorit të Xhamisë, i them z. Hashim se paska pasur plotësisht të drejtë! Pamje që të bëjnë për vetë me magjinë e artikteturës, të luleve, të shkronjave, të hapësirave, të proporcioneve simetrike, të qëndismave, pastaj shkallët që shpiejnë lart: çdo gjë e rregulluar me një shije dhe me një kulturë që dëshmon përkushtim dhe adhurim ndaj së bukurës dhe së madhërishmes, ndaj dijes dhe dritës, ndaj mëshirës dhe së përjetshmes…
Bëjmë ca fotografi për dëshmi, e syri nuk ngopet me pamjen që shpaloset përpara, etja sikur nuk shuhet me gurrën e ujit të freskët, e gjuha e gurit flet me gjuhën e shekjve dhe të mijëvjeçarëve. Gjuha e gurit dhe gdhendja e tij, latimi me kujdes, dashuria për gurin dhe për veprat e artit. Një arkitekturë në gurë që ka lënë gjurmë, dhe një krua që ka rrjedhur e do të rrjedhë sot e mot. Kohët sikur flasin me njëra tjetrën, e djeshmja me të sotmen dhe e sotmja me të nesërmen. Sikur flasin diçka mes vetë dhe mëtojnë të thonë, të dëshmojnë për të kaluarën, për të tashmen dhe të ardhmen tonë.
Sakaq, një sfond lulesh shfaqet me gjithë bukurinë e vet. Gjuha e luleve dhe gjuha e krojeve është mbase më e veçanta, nga më domethënësja, e gjithsesi edhe nga më mbresëlënsja.
Janë pamje që të bëjnë për vetë, pamje që nuk harrohen. Ato thadrohen në kujtesën e vizitorëve dhe sikur të ftojnë me heshtjen e tyre, sikur duan të të marrin për dore në soditjen që të falin. Gjithsesi, sa një magji po aq edhe një madhështi, një bukuri dhe një hijeshi e rrallë, por edhe një qetësi që të shtynë të mendosh e të meditosh pa pra.
Pastaj dalim që aty dhe sërish marrim rrugën për tek vendi kur do të përurohen veprat e mikut tonë. Sodisim kështu rrugët, sheshet dhe kuadratet e qytetit të Tetovës, për të arritur deri tek vendi i përurimit.
Hashim Baftiari & Xhemail Peci: Në Xhaminë e Tetovës
Agim Bejiqi & Xhemail Peci: Në Xhaminë e Tetovës
3. Sofia Loren
Agim Bejiqi dhe gjakimi për ta pirë një cigare me Sofia Lorenin
Në hyrje të godinës ku do të bëhej përurimi, është Agimi ai që vë re një befasi të këndshme. Është portreti i aktores me fame botërore, një profil i saj, e gjithsesi një emër kumbues në artin e kinematografisë botërore: e paharrueshmja Sofia Loren. Bie në sy vështrimi i syve, sfondi i ballit dhe pamja e fytyrës së saj, e veçmas lëvizja e gishtërinjve të dorës përplot art, duke thithur jo thjesht vetëm një cigare, por duke shijuar një pjesë të jetës e cila ikën vrik!
Lexojmë në anglisht dhe e përkthejmë mesazhin e saj kuptimplotë: ‘Bukuria është ajo që ti ndien brenda teje dhe e reflekton atë, me sytë e tu’.
Vështroj sytë e Sofia Lorenit dhe sakaq më kujtohet shkrimtari Ramiz Klemendi. Vizita e tij në Luvër dhe pamja e syve të Mona Lizës, të cilët do ta ndjekin gjatë gjithë jetës së tij:
‘Më joshin mbi të gjitha sytë e saj, një palë sy që mbeten enigmë për shekuj. Sy që qeshin. Do të më ndjekin gjithmonë dy palë sy. Sytë e Mona Lizës!’
Me vetë përshpëris: Ramiz, njësoj është edhe me sytë e Sofia Lorenit. Më shfaqen kudo dhe kurdo!
E sakaq më bie ndërmend zemër-klithja e De Radës: ‘Përse të vien mendimet kah deti, zemra ime?’
De Rada. Ramizi. Pastaj vetvetiu, edhe poezia që kisha shkruar për një palë sy – krejt si të Mona Lizës, poezia e titulluar ‘Sofia Loren’:
Çdo natë nga rrugëtimi i saj i gjatë ajo vjen e në kujtesë kthen
me lëkurën e rreshkur nga dielli e me sytë e bukur ngjyrë qielli
çdo ditë zërin e zemrës së saj më të thekshëm ia gjenë
e agimi në dritën e syve të saj natën me yjet zë dhe e përbenë
kështu shfaqet me fytyrën ezmere engjëllore dhe gjithë ten
kopja e saj e gjallë: Sofia Loren!
Herë si Li Salome e herë si Me West kujtime zë e bjen
nata i rrëshqet përmbi flokët kur gjumi në kujtime e zen
e prapë dita e plotëson atë çka nata mangut e len
me zërin e saj parajsës i bie mes për mes
nga agu në muzg e nga muzgu në mëngjes
del sërish nga fotografia e kokën kah engjëjt e kthen
kopja e saj e gjallë: Sofia Loren!
Si vetë Anabel Li me ritmin e takave si pikat me shi
zë bilbilash e këngë kanarinash në një melodi shkri
kur shterret uji ndër kroje krojet tek hojet nisin me pi
e zëri i merr flatra si eshka e djegur në Shkëlzen
tryeza e eposit të kreshnikëve Tanushën të tretet s’e len
kënga e lahutës e shuan mallin kur ballin ia lëmon në refren
kopja e saj e gjallë: Sofia Loren!
Kthehet nga udhëtimi i gjatë ditë për ditë e natë për natë
me qerpikët e butë e then dhe tehun e më të mprehtës shpatë
në fytyrën e buzëqeshur goja i rri si një amforë prej qielli
e në lëkurën e rreshkur si një disk i valë rrëshqet vetë dielli
dy diej i bartë mbi supe e kristalet e zërit si rrjedha në Erzen
si Jerina – Mbretëresha e Luleve kur Fishta ia gjet vendin n’Eden
kështu ditë e natë shfaqet e rishfaqet si engjëll kur shkëlqen
kopja e saj e gjallë: Sofia Loren!
Një ‘pritje’ e tillë nga Sofia Loren ishte mbase edhe një befasi tjetër e këndshme në Tetovë. Por më tepër se kaq, portreti i saj në murin e një godine, dëshmonte për dashurinë e publikut për artin dhe madhështinë e tij, për gjuhën universale sa dhe të magjishme të artit në përgjithësi. Ai portret sa fliste për shijen e njerëzve për artin, po aq fliste edhe për dashurinë e tyre ndaj së bukurës dhe të madhërishmes. Gjithsesi, njerëzit që ia kishin mësy vendit të përurimit dhe që po futeshin brenda, dëshmonin se Tetova gjithmonë ka pasur dashurinë e saj të veçantë për librin, sepse dashuria për librin është vetë dashuria për dritën, për diturinë, e së fundi edhe për lirinë.
4. Saadiu: Librat janë nuset e mendimeve
Saadiu, poet i lashtë i Persisë: Librat janë nuest e mendimeve
Duke marrë fjalën, z. Salajdin Salihu foli me plot pietet, si për autorin Hashim Baftiari, ashtu edhe për shkrimtarin Ramiz Kelmendi. Ndërkaq, lidhur me librin ‘Ramiz Kelmendi-Humorist dhe satirik’, ai tha:
‘Është shumë e rëndësishme në një shoqëri, komikja, për shkak se i ç’tensionon situatat dhe të gjitha problemet që krijojnë gjithë atë tension në shoqëri. Zakonisht, shoqëritë diktatoriale e urrejnë humorin dhe ata kategorinë estetike të komikes ose siç e quante Kanti e pritshmja e madhe e kthyer në asgjë e zëvendësojnë me kategorinë e të madhërishmes ose në njëfarë mënyre të frikshmes së bukur. Nëse i shikoni të gjithë sistetmet diktatoriale do të shihni që ato kanë parada të mëdha. Diktaturat janë armike të humorit dhe përgjithësisht e stimulojnë kategorinë e të madhërishmes.
Është shumë e rëndësishme që Ramiz Kelmendi iu kthye komikes sepse është komikja ajo që e karnevalizon jetën dhe na e paraqet jetën lakuriq si te përralla e Andersenit.
Një autor kaq i madh u zgjodh për t’u studiuar nga Hashim Baftiari, dhe kam bindjen se ka bërë një studim me shumë kompetencë, me shumë dije, me shumë kulturë.’
Duke u ndalur më tej, tek antologjia tematike ‘Njëqind poezi dashurie’ të Hashim Baftiarit, Salihu vur në pah se:
‘Antologjitë janë libra të domosdoshëm për çdo sistem kulturor. Ato i shërbejnë qoftë lexuesit që e kanë pasion letërsinë qoftë studiuesve të letërsisë ose studentëve, sepse njihen me krijime letërsish të ndryshme të verifikuara si vlera të pakontestueshme artistike. Përpilimi i antologjive qofshin të përgjithshne ose tematike, në rend të parë, kërkon dije dhe kompetencë të përzgjedhësit të krijimeve artistike. Antologjitë bëhen referenciale falë përpiluesit të tyre, pra seriozitetit të tij, dijes së tij, kulturës së tij.
Hashim Baftiari është njëri prej autorëve që me librat e tij, të kësaj natyre, është dëshmuar në këtë sferë. Ai është njohës i mirë jo vetëm i letërsisë kombëtare, por edhe asaj botërore. Antologjitë e tij janë pritur mirë nga lexuesit shqiptarë. Së fundmi ai ka përgatitur antologjinë tematike ʺNjëqind poezi dashurieʺ. Janë poezitë më të njohura të dashurisë nga letërsia botërore, të përkthyera në gjuhën shqipe nga mjeshtrit më të mëdhenj të përkthimit. Kjo antologji është përgatitur me kompetencë e dashuri të pashoqe nga autori, Hashim Baftiari.
Falë këtij përkushtimi sistemi ynë kulturor tashmë është pasuruar edhe me një vepër të domosdoshme. Është vepër që sjell në një vend perla nga sisteme të ndryshme letrare që njëkohësisht dëshmojnë për fuqinë e gjuhës shqipe, si gjuhë kulture. Autori i sjell lexuesit poezitë më të bukura që nga antikiteti deri te poezitë e krijuara në shekullin njëzet. Gjithashtu jep të dhëna të shkurtra dhe të sakta për secilin autor që ka përfshirë në këtë antologji. Pa asnjë mëdyshje propozoj që ky libër të botohet, me bindjen se do të receptohet gjerësisht nga lexuesi dhe do të shërbejë si libër ndihmës edhe për studentët e letërsisë.’
Referuesi tjetër, Remzi Salihu, lidhur me librin ‘Kjo dashuri-poezi dashurie te gjuhës frënge’, u shpreh me një konsideratë të veçantë dhe me një analizë të hollësishme:
‘Kur flasim për kulturën franceze pa dyshim se mendimin e përqendrojmë mu në krijimin e artit të mirëfilltë. Franca me praninë e krijuesve dhe artistëve të vet zë një vend të merituar në tërësinë e kulturës botërore. Poezia erotike franceze është përgjigjja më e devotshme e frymës ndikuese nëpër të gjitha letërsitë e popujve të këtij kozmosi. Ajo është fenomeni më tipik refleksiv që me frymën e saj hyn nëpër të gjitha poret e ndjeshme të individit. Pa dyshim se Franca me autorët e saj të shumtë është bërë vendi më i njohur i artit të mirfilltë. Kështu edhe letërsia me të gjitha zhanret e saj, të emancipimit kreativ njerëzor, ia ka hapur shtigjet e shumta civilizimit. Shumë drejtime letrare e kanë edhe prejardhjen e vet nga ky vend i ndritur.
Mbase edhe poezia lirike si forma më e vjetër e shkrimit letrar artikulon shijen e veçantë të ndjeshmërisë. Ajo ka filluar shumë herët të kultivohet atje. Lirizmi si forma më e dalluar letrare jep sublimimin e intimitetit dhe gjithnjë nxitë kërshërinë e përhershme te lexuesit. Të gjithë poetët nga Kristine de Pizan e deri te Jacques-François Dussottier sjellin dallgë dashurie, me një elegancë të zjarrtë intimiteti. Madje secili poet me performansat artistike provokon dhe përmbush shpirtin ledhatues të lexuesit, dhe secili në mënyrën e vet ngjall emocione që nuk harrohen kurrë në jetë. Pra, lirika franceze është një thesar i çmuar që bën kureshtarë të gjithë lexuesit, të cilët duan të shijojnë veçantinë dhe vokabularin letrar të autorëve të të gjitha kohërave. Këto vargje e ngazëllejnë me mesazhe erotike lexuesin dhe e stimulojnë ndjenjën e jashtëzakonshme të intimitetit individual.
Nuk është tepër të themi se, ky lirizëm i këtyre poetëve francezë, bëhet motiv senzacional erotik për çdo njeri. Nëse themi se dashuria është një pëshpëritje e theksuar prej zemre në zemër, gjithsesi se këtë mrekulli komunikimi shpirtëror të përjetuar nga shumë njerëz, poetët francezë kanë ditur ta shkruajnë recentin artistik më ndikues për veten dhe të tjerët, prandaj poetët për dashurinë e tyre kanë përdorur fjalët më magjike, për të përfituar gjininë e kundërt, duke bashkëdyzuar frymën dhe aromën kimike me anë të fjalëve të veçanta, latuese për personin që ia dedikon tundimin erotik imagjinativ të këndshëm.’
Me thekse të veçanta, z. Remzi Salihu u ndal tek poentat kryesore të kësaj përzgjedhjeje poetike, si dhe tek vlera e përkthimeve:
‘Antologjia e lirikës erotike franceze “Kjo dashuri” sjell një mozaik autorësh të shumtë që nga shekulli pesëmbëdhjetë e këtej. Hartuesi i kësaj antologjie na shpie në horizontin erotik poetik francez me një përzgjedhje autorësh që vijnë nga të gjitha kohërat e veprimit të tyre artistik. Përmes kësaj tërësie figurash stilistike e vargjesh të përzgjedhura, lexuesi zbulon shtegun erotik të lirikës së përgjithshme të letërsisë botërore. Në këtë prirje të ndjeshme janë të përfshirë autorët më të njohur që janë përkthyer në gjuhën shqipe. Personalisht disa përkthime nuk më kanë lënë përshtypje të posaçme, ngase u ka munguar përshtatja dhe bartja artistike nga gjuha franceze në shqipe.
Përkthyesit duhet të kishin pasur kujdes më të madh gjatë bartjes së saj në gjuhën shqipe. Përkthimi i mirë kërkon përgjegjësi të dyfishtë. Sepse përkthimi nganjëherë na del si rikrijim. Përkthimi ngandonjëherë mund të na duket si ndonjë batanije e kthyer nga prapa. Por ka përkthime që shkëlqejnë edhe më bukur se origjinali. Përkthyesi duhet të ketë shumë kujdes ndaj origjinalit. Por gjithsesi se në këtë tërësi kemi edhe vargje të përkthyera kujdesshëm. Pos këtyre poezive të përkthyera, përpiluesi për të thyer monotoninë e vargjeve ka futur edhe poezi erotike origjinale.’
Pjesa tjetër e cila ishte e veçantë në qasjen e këtij referuesi, ishte vlerësimi lidhur me poezinë erotike franceze dhe efektet e saj në raport me lexuesin:
‘Përmes këtyre vargjeve lexuesi të duket se shpalos lirinë e vet intime, sikur ky arsenal lirik t’i kushtohet atij, ngase erotizmi është dritë që të mundëson çlirimin e individit nga errësira e vetmisë. Në këtë mendim poezia erotike franceze është pishtari i emocioneve shumta. Ajo është ndjenjë e sofistikuar sublime në stilin francez, e cila me lirizmin e saj të shpie këndshëm në teatrin e sforcuar të ndjenjës dhe mallit.
Kozmosi me lirikën erotike e përmbush parajsën e ndjenjës së përjetshme. Kjo formë e përjetuar e lirikës është shumë e afërt me individin, sikur ajo t’i dedikohet atij, sepse dashuria nuk është vetëm etje e njëanshme, personale, por është edhe një etje e përgjithshme sublime përjetuese, kur lejon që kjo poezi të duket, sikur gjithçka merr formën e dritares së hapur që përndjek një shikimin erotik në çdo çast të jetës. Të duket se përmes kësaj poezie intime dashuria e individit bëhet më e plotë. Përmes kësaj ndjenje erotike të largësisë dhe afrisë gjejmë gjurmët e mallit të pashuar individual. Këto vargje janë imazhe erotike të ndërtuara me stile të veçanta franceze.
Ajo çka e tërheq autorin Hashim Baftiari është arti poetik dhe vlerat estetike të këtyre poezive të përkthyera nga shumë autorë shqiptarë, madje e tërheq bukuria e shumëllojshme e lirikave, si dhe muzikaliteti, gjetja metaforike, ekspresiviteti i vargut, dhe sidomos të atyre vargjeve që shpalojnë ndjenja të forta për ta shijuar të bukurën estetike të rrallë. Kjo antologji mund të jetë një mirëseardhje për lexuesin e kohës sonë, ngase lexuesit të interesuar për këtë letërsi të madhe franceze, i ka munguar një mundësi e tillë.
Besoj se kjo përmbledhje sado pak do të gjejë lexuesin e vet shqiptar, për t’i shijuar fjalët e bukura të autorëve dedikuar dashurisë, e cila si e tillë mund të përmbushet vetëm duke përvetësuar përvoja të ndryshme. Ne si lexues mbetemi t’i shijojmë këto vargje kur ta kemi në duar këtë antologji. Andaj secili do të ketë mundësinë të krijojë në vete gjykimin dhe vlerësimin e këtyre vargjeve të autorëve të përfshirë në këtë antologji.’
Salajdin Salihu, Hashim Baftiari, Xhemail Peci
Ndërkaq, duke u përpjekur të them dy-tri fjalë lidhur me studimin e veçantë që Hashim Baftiari i ka bërë veprës humoristike të Ramiz Kelmendit, u përpoqa të vinja një paralele mes vlerësimit të Ernest Koliqit për Lazër Shanton: ‘Stili plot hir dhe xixa humorizmi i Shantojës. Dom Lazër Shantoja nji ndër stilistat ma të ndritshëm të letërsisë shqipe.’ dhe stilit të veçantë krijues të Ramiz Kelemendit.
Duke pohuar se: ‘Letërsisë sonë, jo vizatuesa e rravizatuesa me laps ari, por i duhen ndertuesa që të dijnë kur me e përdorë n’vjershë mjestrinë e çekanin arenzi’, Ernest Koliqi i ndante poetët në dy grupe, në ata të kalemit dhe në ata të polemit, kurse Dom Lazër Shanton, ai me të drejtë e quante: ‘Nji vizatues me laps në dorë.’
Duke theksuar më tej se nuk është rastësi pse nderohet sot një krijues i cili ka nderuar të tjerët, përmenda tutje vlerësimin e veprës së Ramiz Kelmendit dhe vendi që zë ai në letërsinë shqipe. Me thekse të veçanta u ndala gjitashtu tek Ramiz Kelmendi si mbrojtës i gjuhës shqipe, si dhe tek aktualiteti i veprës së tij shpalosur nga studiuesi i veprës së tij:
‘Ramiz Kelmendi ka botuar studimin e tij ‘Tregimi ynë humoristiko-satirik’. Studiuesi Baftiari, duke qenë i frymëzuar në gjurmët krijuese të Ramiz Kelmendit, jo pa shkas e ka marrë për temë të magjistraturës veprën humoristiko-satirike të Ramiz Kelmendit: ‘Ramiz Kelmendi humorist dhe satirik.’ Baftiari ka përkujtuar se vepra e Molierit ka pasur për qëllim efektin e një ‘katarsisi komik’. E tillë është edhe vepra e Kelmendit, të cilit profesori dhe studiuesi Prend Buzhala ia ka falur dy prej epiteteve më të merituara, duke e quajtur atë ‘Molieri i letrave shqipe’ dhe ‘shpëtimtar i dashurisë.’
Ai mbetet një kolos i heshtur, sepse Ramiz do të thotë Rilindas. Rilindas i kombit të vet, i cili na kujton thënien e Koliqit: ‘Kur në heshtje e në vetmi e reshton shpirtin tonë eti i mrekullueshëm i poezis’, për ta shuem, i hyjmë leximit të krijuesve të mëdhenj letrarë.’
Gjithsesi, të mbledhur sonte këtu, për Ramiz Kelmendin mund të themi atë që e ka thënë Ernest Koliqi për Fishtën, se veprën e tij e përshkon një sarkazëm me hov idhnak dhe se: Hija e tij asht midis nesh!
Ndërkaq, autori Hashim Baftiari jo vetëm që e ka studiuar veprën e Ramiz Kelmendit, por ai edhe e ka nderuar atë e po e nderon edhe sot. Ramizi e ka dashur Tetovën dhe Tetova po e nderon sërish sot atë, njeriun që me humorin e tij krejtësisht të veçantë, përjetësoi ndjenjën e dashurisë së veçantë:
‘Edhe unë fillova me dashtë çka don ajo. Madje dëshirojsha edhe frymë me marrë – si ajo. Ajo kërkoi vetëm një akullore. E unë dojsha me ia dhanë krejt një ambëltore!’
Hazbi Lika – një urti e lartë
Mes tjerëve, nderoi përurimin e librave me praninë e tij edhe z. Hazbi Lika. Një emër të cilin e kisha dëgjuar nga nderimi tepër i veçantë për Kongresin e Manastirit, për të cilin z. Lika qe shprehur me gjithë pietet dhe konsideratë, duke e quajtur atë si simbol i identitetit dhe përbashkimit, për të shtuar gjithashtu se:
Z. Hazbi Lika, Hashim dhe Valbona Baftiari
‘Historia kombëtare shqiptare është përplot me ngjarje madhështore, me ngjarje që kanë peshë të madhe, që shënojnë pikë kthese në zhvillimin e kombit, në rrugëtimin e tij civilizues dhe bashkëkohor. Një ndër këto ngjarje historike dhe kulturore është edhe Kongresi i Alfabetit të gjuhës shqipe i mbajtur pikërisht në këtë qytet, si njëri nga qendrat administrative e kulturore në atë kohë dhe një qendër e një shembulli të një bashkëjetese mes komuniteteve në kohën e sotshme i cili duhet të grumbullojë fuqi, të merr guxim dhe të mbajë përgjegjësi për krijimin e kushteve për të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë. Kongresi i Alfabetit mbetet një nga veprimet strategjike ekzistenciale për ngritjen e vetëdijes në rrafshin kombëtar dhe për përforcimin e identitetit kulturor’.
Nga fjala e tij dukej qartë dashuria e theksuar për gjuhën shqipe si dhe vlerësmi i drejtë lidhur me ngjarjen e madhe të dijes kombëtare, e cila u hapi rrugë zhvillimeve të tjera kulturore e politike. Veçori tjetër e fjalës së tij, ishte prirja e natyrshme për të bërë sintezën e ngjarjeve përmes krahasimeve historike, duke shquar për kah pesha e unitetit Kongresin e Manastirit me Kongresin e Drejtshkrimit:
‘Alfabeti unik i shqiptarëve, pa dallim të përkatësisë rajonale- krahinore apo fetare është simbol i identitetit të përbashkimit, ndërsa kësaj ngjarje i paraprinë shumë zhvillime politike, ekonomike dhe arsimore. Formësimi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe nuk ishte vetëm fenomen gjuhësor, por ishte veprim i urtë politik në drejtim të rrafshimit të dallimeve mes shqiptarëve, por edhe zgjimit të tyre në dimensionin kombëtar, ndërsa për këtë ngjarje u angazhuan shumë intelektuale, klube e shoqëri kulturore shqiptare të asaj kohe. Vendimet e Kongresit të Manastirit janë historike në aspektin gjuhësor dhe kulturor.
Ishte një akt përparimtar që u vendos për alfabetin latin, pasi në këtë mënyrë u dëshmuan aspiratat properëndimore të shqiptarëve, ndërsa fakti që shqiptarët u përcaktuan që kenë alfabet të përbashkët njësoj siç e kanë gjuhën ishte hap shumë pozitiv edhe në drejtim të ruajtjes dhe afirmimit të identitetit shqiptar në përmasa ballkanike dhe më te gjera, europiane dhe botërore. Ata që formuan, pra njësuan alfabetin e gjuhës shqipe janë patriotët më të mëdhenj pasi bashkuan shumë alfabete në një të vetëm.
Prandaj konkludojmë se dy janë ngjarjet më të mëdha njësuese kombëtare shqiptare në fushë të kulturës shpirtërore që shënojnë epokë: Kongresi i Manastirit i vitit të madh 1908, që i dha shqipes një alfabet a një fytyrë të vetme shkrimore dhe Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972, që kurorëzoi me sukses të plotë standardizimin e shqipes së folur dhe shqipes së shkruar’…
* * *
Pas përfundimit të përurimit, pas një kokteji të shtruar enkas dhe pas takimeve tepër vëllazërore sa dhe të përzemërta e përplot shkëmbime mendimesh, sërish në këmbë përshkuam rrugët e Tetovës, dhe shoqëruar nga një shi i imtë, biseduam gjerë e gjatë në kafenenë ‘Dinette’.
Mbresa të veçanta na la jo vetëm takimi, por edhe biseda të cilës i priu z. Hazbi Lika. Duke folur për luftën dhe për paqen, për Tetovën dje, për Tetovën sot, si dhe për Tetovën nesër, për librin dhe për leximin e tij, për punët e bëra dhe për ato që kanë ende për të bërë shqiptarët, z. Hazbi Lika pa dyshim se fliste sa me elokuencë po aq dhe me erudicion. Ai flet me akullin e arsyes dhe jo me zjarrin e emocioneve, siç do të shprehej shkrimtari shquar Ramiz Kelmendi. Pa dyshim, se me z. Hazbi Lika, ashtu si dhe me mikun Hashim Baftiari, na lidhë edhe fushave e studimeve – ajo e letërsisë dhe e gjuhës shqipe, por ajo që e shuan z. Lika është fakti se ai është një urti e lartë, gjë e themi me krenari të ligjshme, po aq sa kemi edhe kënaqësi.
Krejtësisht në fund, duke u përshëndetur e uruar që të takohemi e shihemi prapë me të mira e për gëzime, m’u kujtua Testamenti i shkrimtarit Ramiz Kelmendi:
‘Populli që nderon njerëzit e vet të mëdhenj, njerëzit e vet të rrallë, shkrimtarët, artistët, shkencëtarët, para së gjithash e mbi të gjitha-nderon veten. Një popull që u ngre përmendore figurave dhe personaliteteve të veta më të nderuara, ai popull, para së gjithash e mbi të gjitha, i ngre përmendore kulturës së vet, qytetërimit të vet, historisë së vet. I ngre përmendore vetvetes.’
Po përshëndesheshim me Tetovën, të bindur se sfondin e saj një ditë do ta mbështjellnin fjalët profetike të Mit’hat Frashërit, e që së bashku me Testamentin e Ramizit me flatra të fjalës shqipe, pa dyshim përbënin mermerin më të bukur monumental në tokën bujare të gjakut iliro-arbëror…
II. Studiuesi i letërsië dhe pëpiluesi i antologjve
1. Struktura e një studimi të veçantë
Kur takohet shkrimtari me studiuesin e tij:
Hashim Baftiari me Sokol Halilin e letrave shqipe,
kreshnikun e fjalës së ëmbël, shkrimtarin Ramiz Kelmendi
Studiuesi Hashim Baftiari zbërthen vlerat të veçanta ideo-estetike, krahason personazhet me njëri-tjetrin, zbërthen satirën e Ramiz Kelmendit, shpalos vlerat e humorit të tij, dhe kështu ai arrin në konkluzionin e drejtë se satira e Ramiz Kelmendit është një fshikullim me zjarr përvëlues.
Për studiuesn e veprës së tij, Ramiz Kelmendi është mjeshtër virtuoz, por edhe i natyrshëm i komikes në letërsinë bashkëkohore shqipe: ‘Ramiz Kelmendi si spirituoz sui generis i humorit e satirës, ithtar i pakompromis i lirisë, të vërtetës, humanizmit e progresit. Satira e tij është e ashpër e shkatërruese…’, duke theksuar më tej se: ‘Ramiz Kelmendi ‘vetëm te novela ‘Suzana’ krijoi një vepër krejtësisht humoristike.’
Nga qasje studimore e Hashim Baftiarit, kuptojmë fare qartë se Ramiz Kelmendi në veprën e tij ‘Letrat prej Ulqini’ i ka thurur apologji gjuhës shqipe. Në këtë vepër, ai i ka parashikuar ngjarjet që do të vinin më vonë, sepse në këtë vepër, termi i shfaqur si ‘KONTRAREVOLUCIJA’ do të rishfaqet në pranverën e vitit 1981 edhe në Kosovë, kur demonstratat e përgjakshme do të karakterizoheshin si ‘kontrarevolucion’…
Ndërkaq, tek ‘Suzana’ ai me të drejtë shprehet kundër anglizimit të gjuhës shqipe, sikurse Filip Shiroka në poezinë ‘Si po prishet gjuha shqype’, apo edhe si Ernest Koliqi në poezinë për gjuhën shqipe, me zemërthirrjen e tij krenare: ‘O gjuhë e folun tre mijë pranvera!’
Pra, Ramiz Kelmendi ishte kundër bjerrjes së gjuhës shqipe.
Nga prizmi krahasimtar, satira e Ramiz Kelmendit kundrohet e lidhur me llojin e doktoraturës, e cila ka të bëjë me temëm ‘Boza si një ndër elementet me interes të posaçëm shkencor për zhvillimin e mëtejmë të krahinës sonë’, e që vetvetiu është e një prizmi fshikullues me satirën e Çajupit për Dr. Adhamudhin dhe Adhamudhët e shumtë.
Më tej, lidhur me personazhin e Rexhep Kupës, Baftiari vëren me hollësi se ky personazh krijon mjaft analogji me Gregor Zamzën e Franc Kafkës: ‘Zamza ra në gjumë njeri, u zgjua kandërr, ndërsa Rexhep Kupa ra njeri e u zgjua robot.’
Baftiari thekson se po me zjarrin e satirës: ’Në komeditë e tij, Gogoli demaskonte burokracinë e korruptuar të Rusisë cariste të asaj epoke’. ‘Revizori’ përfundon me klithjen tepër domethënëse: ‘S’ka skenë!’ Njëlloj edhe Ramiz Kelmendi demaskoi e ia çorri keq maskën perandorisë në provincë.
Duke vlerësuar kështu veprën e Ramiz Kelmendit, studiuesi Hashim Baftiari vë në pah se ‘për veprat ‘Njerëzit dhe kërmijtë’ dhe ‘Suzana’ kritika është treguar e verbër përballë tyre’, duke theksuar më tej se: ‘Vepra e Ramiz Kelmendit paraqet pa dyshim një rast interesant dhe intrigues për studimet albanologjike’ (Hyrje)
Hashim Baftiari në studimin e tij ia ka dalur ta kapë thelbin e veprave të Ramiz Kelmendit. Duke shpalosur në mënyrë aq lakonike kapitull për kapitull, duke analizuar personazh për personazh, dhe duke gjykuar vepër për vepër, Baftiari dëshmon se kemi të bëjmë me një penë elegante, me një gjuhë të latuar, me gjykime të argumentuara, me një mprehtësi mendimi e me një thellësi gjykimi për t’u admiruar.
Studimit mjaft analitik për vepërn humoristike dhe satirike të Ramiz Kelmendit, i kanë parapri dy kapituj mjaft të veçantë: Doktrinat estetike mbi komiken (ku flet për tre teori: Teoria e superioritetit, me përfaqësues Platonin, Aristotelin, Kuintilianin dhe Tomas Hobsin; Teoria e mospërshtatjes, me përfaqësues Frencis Hetçesonin, Imanuel Kantin, Artur Shopenhauerin, Soren Kierkegardin dhe Henri Bergsonin; Teoria e lehtësimit, me përfaqësues kryesorë Herbert Spenserin dhe Zigmund Frojdin; si dhe kapitulli Komikja gjatë shekujve, duke u ndalur me thekse të veçanta tek komedia greke me përfaqësues kryesor Aristofanin, si dhe tek komedia romake, ku me të drejtë shquan një poet të veçantë:
‘Poet i madh satirik ishte edhe Juvenali. Satira e tij u drejtua kundër tiranisë së shtresës aristokratike, kundër zakoneve dhe moralit të kohës. Duke pasur parasysh këtë gjendje reale të shoqërisë romake është e famshme thënia e tij: ‘Dhe sikur të mos kesh talent, vargun e lind nevoja.’
Studiuesi i përkushtuar Hashim Baftiari, me një lëvizje të lehtë të penës së tij të mprehtë përshkon epokat dhe shekujt:
‘Në Mesjetë teatri laik e gjeti shprehjen e vet më thelbësore në zhanrin e komedisë laike. Degëzimet kryesore të komedisë janë farsa, moraliteti dhe sotitë.
Pasues të Plautit në epokën e Rilindjes italiane ishin poeti Ludoviko Ariosto dhe Nikola Maikaveli, të cilët krijuan komedinë erudite e cila u quajt edhe komedi letrare.’
Duke përshkruar kështu shekujt letrarë, Baftiari nuk lë pa përmendur gjeniun anglez Shekspirin dhe kontributin e tij të veçantë në komedi, për të kaluar pastaj tek Klasicizmi francez me përfaqësues të shuqar si Molieri (të cilin me të drejtë e quan ‘komediografi gjenial’, i cili shquhej për ‘katarsisin komik’, duke u përqëndruar ‘te zbërthimi psikologjik i karaktereve dhe situatës.’) apo edhe si Bomarsheja ‘pasardhës i Molierit’, e nga i cili autori ka shkoqitur një thënie sa aktuale po aq edhe kuptimplote, duke iu referuar paraqitjes së ‘shtresës së tretë’ pa privilegje: ‘Ky teatër i ri duhet të shkruhet jo në vargje, por në prozë, mendon Bomarsheja, sepse proza mund t’i japë pjesës thellësinë e ideve dhe njëkohësisht thjeshtësinë e të shprehurit.’
Tek është ndalur më thekse të veçanta tek shekulli XIII në Itali, kur u shfaq Komedia e artit (komedia dell’arte), Baftiari ka përkujtuar Karlo Goldonin, për të cilin është shprehur se ‘njihet në historinë e teatrit botëror si një ndër komediografët më prodhimtarë në botë (shkroi 276 pjesë, prej të cilave 155 komedi, 18 tragjedi e tragjikomedi, dhe 94 librete e opera serioze e komike). Goldonit i takon merita se ai në dramaturgjinë e tij ndikoi që në Itali të zhvillohet vetëdija e bashkimit kombëtar’.
Kapitulli i dytë përmbyllet duke theksuar rolin e Gogolit me ‘trilogjinë dramaturgjike e përbërë me komeditë: “Martesa”, “Kumarxhinjtë” dhe “Revizori”, e cila shënoi një kthesë të rendësihme në historinë e teatrit rus.’, për t’u ndalur pakëz edhe tek Servantesi: ‘Një ndër gjenitë e komikes në gjininë epike në prozë është Migel Servantesi me kryeveprën e tij “Don Kishoti”, dhe së fundi duke vlerësuar lart kontributin e Fransua Rablesë me veprën e tij humoristiko-satirike “Gargantua dhe Pantagrueli” ‘
Përfundimisht, në këtë kapitull, autori përkujton autorët më të shquar të këtij zhanri letrar:
‘Autorë të rëndësishëm që kanë krijuar vepra letrare humoristike dhe satirike janë edhe Lukiani, Horaci, Bokaço, Erazmo i Roterdamit, Xhonatan Suift, Voletri, Bajroni, Çehovi, Çarls Dikens, Anatol Franc, Oskar Uajld, Mihal Bulgakov, Xhorxh Oruell, Mark Tuen, Rei Bredbëri, Jarosllav Hashek, Gunter Gras, Henri Xhejms, Xhejms Xhojs, E. M. Forster, etj.’
Duke u ndalur në kapitullin e tretë, tek vepra ‘Letra prej Ulqini’, Baftiari vë në pah: ‘Është e tepërt të themi që, vlerat estetike të veprës qëndrojnë para së gjithash te shtresa fiktive që i ka mundësuar autorit jo vetëm të transponojë në ndodhi qesharake, të shëmtuara e groteske ngjarje reale por, edhe i kanë mundësuar atij të modelojë tonin ironik dhe denoncues të satirës së tij. Për dhunën e egër flitet vetëm në pak raste, por edhe kur flitet për të, ajo ‘zbutet’ duke e treguar me shaka të hidhur që afrohet me humorin e zi.’
Për Hashim Baftiarin, Ramiz Kelmendi është ‘si pirituoz sui generis i humorit dhe i satirës’, por njëkohësisht ai ka theksuar se: ‘Ramiz Kelmendi, si ithtar i pakompromis i lirisë, të vërtetës, humanizmit e progresit, nuk ka mundur të rri indiferentë ndaj gjithë asaj katrahure që ka parë në jetën e popullit të vet. Ai reagon me penë “në një kohë kur fjalët ishin të ngjashme me armët dhe duhej t’i përdorje për të mbrojtur Atdheun”.’
Studiuesi Baftiari ka theksuar kështu se: ‘Vëllimi satirik ‘Letra prej Ulqini, lexohet pa ndonjë vështirësi të madhe, por e veçanta e saj qëndron te fakti se kjo vepër është e pamundur të harrohet, ngulitet thellë në shpirt dhe nuk shqitet prej aty dhe për të është e pamundur të flasësh e të shkruash në mënyrë shteruese.’
Duke e ritheksuar sërish mëndimin e mësipërm se: ‘Për këtë vepër, sado gjatë e gjerë të mundohesh të flasësh e të shkruash, prapseprapë nuk do të mund t’i thuash e shkruash të gjitha ato që përmban e reflekton ajo.’, autori Baftiari me të drejtë pohon se kjo vepër satirike mbetet ‘një dëshmi e një kohe trazirash shoqërore me shumë vuajtje, persekutime e deformime, si një pasqyrë ngjarjesh dinamike e dramatike.’
Baftiari vë në pah faktin e rndësishëm se: ‘Vëllimi me tregime ‘Ahmet Koshutani’ është një ndër veprat më të arritura të Ramiz Kelemndit.’
Ndërkaq, në pjesën përmbyllëse (Përfundim) të librit, studiuesi Hashim Baftiari vlerëson drejt krijimtarinë e Ramiz Kelmendit:
‘Edhe pse proza humoristike dhe satirike nuk përbën krejt krijimtarinë letrare të Ramiz Kelmendit, ajo është pjesa më intriguese, mbase edhe më e rëndësishme e tij.’, duke shtuar krejt në fund se:
‘Ramiz Kelmendi me krijimtarinë humoristike dhe satirike, pa dyshim që sjell risi në aspektin stilistik, por edhe e pasuron letërsinë humoristike dhe satirike shqipe edhe ashtu mjaft të varfër. Ndërsa vepra e parë satirike e autorit lidhet ekskluzivisht me një periudhë historike jo fort të largët, pjesa tjetër e veprës humoristike edhe satirike e autorit edhe pse është dëshmi e një kohe dhe e një vendi të caktuar, megjithatë me tematikën dhe vlerat artistike do të mbetet e përjetshme: derisa të mos zhduken veset në shoqërinë tonë.’
Në kapitullin e katërt, Shtatë persona ndjekin autorin, autori Baftiari vë në pah se vepra në fjalë ‘është një roman satirik që thyen konvencat tradicionale teoriko-letrare në lidhje me fabulën, kompozicionin por edhe me titullin…Vepra nuk përmban një linjë të vetme rrëfimi por, ajo ka shtatë rrëfime të veçanta dhe të ndryshme në të cilat vetërrëfehen shtatë personazhet e saj.’
E duke u ndalur tek secili personazh dhe duke i analizuar ata me hollësi, (Smirak Haseti: ‘Xhelozia e tij patologjike shkon shumë larg dhe prek edhe emrin e Artan Çelikut; Smirak Haseti me shokët e tij smirakthë, smirën e shpifjen e kanë ngritur në piadestal mjaft të lartë, e kanë bërë institucion e kala, prej nga do t’i bëjnë sulmet e tyre smirëzeza kundër njerëzve si Artan Çeliku’), Mahir Pehlivani: ‘Mahir Pehlivani gjatë rrëfimit të tij tregon se si ai gjatë gjithë jetës së tij ka mashtruar të tjerët për realizimin e përfitimeve personale’, Fitim Rahati: ‘Këtij personazhi nuk i bëhet vonë aspak për nderin, dinjitetin e integritetin e tij moral, por shqetësohet vetëm për interesin e tij meskin’, Burim Kasneci: ‘një sharlatan që preferon të impresionojë me gojëtarinë e tij të shquar boshe çdo të panjohur që takon…Burim Kasneci përpiqet me çdo kusht të jetë në trend, në modë, të duket modern, bashkëkohor, liberal, përparimtar, atdhetar. Ka ngjashmëri me Smirak Hasetin: të dy janë shpifës, mikroborxhezë, intrigantë, përbuzës.’
Selami Kallajxhiu në penën e studiuesit Hashim Baftiari cilësohet si: ‘Personazhi që del në kapitullin e pestë, Selami Kallajxhiu është simbol i poltronit, karrieristit, abuzuesit, parazitit e lapërdharit i cili kudo e kurdo na paraqitet i maskuar. Rrëfimi i tij ka të bëjë me konfliktin që ka ai me alter egon e tij.’
Lame Lita cilësohet kështu: ‘Lame Lita, personazhi i kapitullit të gjashtë, përfaqëson tipin shqoëror të snobit, të mburravecit, byrokratit e teknokratit, të cinikut, “të atij që patriotizmin e ka bërë profesion, zeje e strehim…Lame Lita është pesronazhi më i sofistikuar në kamuflimin e ligësisë, egoizmit dhe demagogjisë nga të gjithë personazhet e romanit. Dhe kjo gjë i ka shkuar për dore në saje të elitizmit të shtirur dhe të jetës prej sketi që gjoja bën.’
Ndërkaq, Demë Goga në vlerësimin e studiuesit analizohet në plotninë e tij:
“Demë Goga hiqet si humanist, demokrat e patriot, ndërsa del që është injorant, kodosh e diktator në shpirt. Ai përdor shumë shpesh, vend e pa vend shprehjen e mirësjelljes “ju lutem shumë”; hiqet edhe si i ditur, ndërsa ngatërron kuptimet e fjalëve: në vend të alergjik përdor energjik dhe në vend të preokupon – okupon.
Ky personazh ka mjaft veti të shëmtuara me Lame Litën, por dallon nga ai në një aspekt: artin e kamuflimit nuk ka arritur ta përsos, kështu që në fund zbulohet, demaskohet e diskreditohet edhe në sytë e atyre që i besonin më parë.
Demë Goga shqetësohet për faktin që shoqëria po degjenerohet dhe dehumanizohet sepse po jepet shumë pas qejfeve të vogla materiale, lëndore, duke lënë në harresë ato shpirtërore.’
Në zbërthimin e këtyre personazheve, Baftiari është treguar mjaft i kujdeshëm edhe në përzgjedhjen e fragmeneteve nga vepra e Ramiz Kelmendit, si fjala vjen:
“Smira, specialiteti i kuzhinës sonë a la Kosovo.
Lapidar i provincializmës.
…
Sinonim i mohimit.
Abetarja e të ligut.
Kryevepra e xhahilit.”
Apo edhe kur ka shkëputur pjesë nga ligjërimi i Mahir Pehlivanit:
“Edhe dele edhe dash. Edhe dritë edhe hije. Edhe gusht edhe vjeshtë. Edhe hekur edhe beton. Edhe pulë edhe gjel. Edhe edhe edhe.’
Është po kjo shije dhe po kjo vëmendje e hollë sa dhe e përqëndruar, e cila e ka shquar autorin në vazhdimësi, tek e ka vlerësuar shkrimtarin dhe humoristin Ramiz Kelmendi:
‘Autori me një mjeshtëri lehtësisht të dukshme ka ditur t’i ekspozojë personazhet e tij, duke i vendosur në ato situatë, apo duke rrëfyer ato anë të jetës së tyre apo duke trajtuar ato tema në dialogët e monologët e tyre, që janë esenciale për aspektin karakterologjik që përfaqësojnë.’
Ky vlerësim shkon edhe më tej, duke u argumentuar në mënyrë mjaft analitike:
‘Ramiz Kelmendi në romanin “Shtatë persona ndjekin autorin” përdor mjete të ndryshme gjuhësore e figura stilistike për përfitimin e satirës së tij të ashpër e shkatërruese, si shkanë e hidhur e lojën e fjalëve, ironinë e parabolën, por edhe alegorinë, parodinë, invektivën, hiperbolën e simbolin.’
Në vlerësimet e tij, studiuesi Hashim Baftiari dëshmon sërish se kemi të bëjmë me një autor të veçantë dhe me një dhunti të veçantë krijuese:
‘Romani “Shtatë persona ndjekin autorin” paraqet satirën më të fuqishme e më shkatërruese në të gjithë letërsinë shqipe nga fillimet e deri në ditët tona në demaskimin dhe poshtërimin e tipave më destruktive të shoqërisë sonë. Kjo vepër është sprova më serioze e një anatomie të destruktivitetit njerëzor në Kosovë.’
Në kapitullin e pestë, Abrakadabra në vëllimin me tregime, Ahmet Koshutani, autori ka tërhequr një paralele mes veprave të tjera dhe kësaj vepre të Ramiz Kelmendit, duke pohuar se: ‘Vëllimi me tregime “Ahmet Koshutani” është një ndër veprat më të arrira artistikisht të Ramiz Kelmendit. Ky vëllim me shtatë tregime është edhe vepra më e studiuar nga kritika.’
Gjithashtu, ai ka tërhequr një paralele me vend duke vënë përballë personazhet që ka krijuar shkrimtari:
‘Abrakadabra për nga karakteri afrohet në një aspekt me Mahir Pehlivanin (personazh në romanin “Shtatë persona ndjekin autorin”): të dy janë pehlivanë, dine të qëndrojnë gjithmonë në këmbë, dinë të notojnë nëpër tokë e të ecin nëpër det.’
E përderisa thotë më tej se: ‘Abrakadabra ideologjinë e tij jetësore përpiqet ta vendosë mbi baza “shkencore”, mu ashtu sikundër veprojnë edhe disa personazhe të romanit “Shtatë persona ndjekin autorin” ‘, dhe përderisa thekson vrojtuar në prizmin karahsimtar se: ‘Ahmet Koshutani nuk e honeps dot tipin e Abrakadabras, e urren dhe e përbuz atë, ndjen neveri ndaj tij’, për shkrimtarin shprehet se: ‘Ramiz Kelmendi me një gjeturi të paparë në letrat shqipe ravijëzon tiparet e karakterit të Abrakadabrasë në mënyrë mjaft të mprehtë e koncize.’
Në kapitullin e gjashtë, Njerëzit dhe kërminjtë, po nga ky prizëm krahasimtar, autori ka gjykuar se: ‘satira në këto tregime nuk del e njëjtë dhe njëlloj e ashpër e shkatërrimtare sit e romani që përmendëm më lartë, por këtu kemi një shkallëzim të fshikullimit satirik, që është përcaktuar nga shkalla e dëmit a rrezikut që paraqet dukuria komike negative që stigmatizohet. Kështu, qëndrimi kritik i autorit varion nga ironia e hollë, qesëndia e lehtë e deri te serkazma e invektivat e ashpra e asgjësuese.’
Në këto tregime, vë në pah autori, shkrimtari Ramiz Kelmendi ka krijuar personazhe si lakmitari Adem Kaçamilli, Rremë Kapuçi (i cili i ndërron kapelat si zonjat fustanat, përkatësisht siç ndërrojnë tregtarët e flamujve flamujt në tregimet e Ernest Koliqit), Zeroshi, tipi i spiunit në tregimin e titulluar “Djalli” (si metaforë), për të cilin Baftiari shprehet mjaft qartë: ‘Djalli në këtë tregim është jo vetëm obskurantist, por edhe një vasal i devotshëm i serbosllavizimit. Nuk e ndërron Beogradin me asgjë, e ka Mekë e Medinë, Jerusalem e Piemont.
Është në gjendje t’i shkelë me këmbë të gjith shkollarët shqiptarë vetëm që ta ketë mirë me Beogradin.’, apo edhe personazhin si Rexhep Kupa: ‘Ai ndiqet e përgjohet nga hafijet e pushtetit dhe kështu jeta e tij në atdhe bëhet ferr mbi tokë. Ai i shtrënguar nga dhuna e terrori detyrohet të largohet nga atdheu. Ky personazh krijon mjaft anologji me Gregor Zamzën e Franc Kafkës. Zamza ra në gjumë njeri, u zgjua kandërr, ndërsa R. Kupa ra njeri, u zgjua robot.’
Në përmbyllje të këtj kapitulli, studiuesi Baftiari vlerëson me të drejtë se Ramiz Kelmendi ‘e ka pasuruar galerinë e personazheve të tij me tipa perversë e të neveritshëm si, Kaçamilli, Rremë Kapuçi, Zeroshi, njeriu në formë topi, tipi i hafijes, që këtu dalin mjaft të skalitur për kah karaketri që përfaqësojnë dhe të nguliten në kujtesë, simbole të ligësisë njerëzore, të shëmtisë, të përdhosjes, të tradhtisë, vazalë të djalli.’
Në kapitullin e VII-të, Suzana, autori që në fillim vë në pah se: ‘Novela humoristike “Suzana” e Ramiz Kelmendit është një ndër veprat e rralla, në mos e vetmja për të cilën kritika nuk ka denjuar të japë mendimin e vlerësimin e vet.’
Ndërkaq, duke vlerësuar krijimtarinë e shkrimtarit, studiuesi i vepërs së tij ka theksuar se: ‘Ramiz Kelmendi edhe pse krijimtarinë letrare komike (satirike) e fillon që më 1966 e për ta vazhduar intenzivisht deri në fund të viteve ’80, ai vetëm me novelën “Suzana” krijon një vepër krejtësisht humoristike, ku mmbizotëron një atmosferë gazmore dhe e hareshme, plot dritë, shpresë e optimizëm. Faqet e kësaj vepre janë të mbushura me shaka e qyfyre, humor e gallatë, qeshje e përqeshje humoristike.’
Duke u ndalur tek personazhet e novelës, Baftiari vlerëson se: ‘Suzana të sjellë në mend një aforizëm humoristike: “Femrat e ndershme janë si Kulla e Pizës, anojnë por nuk bien.” ‘
E duke bërë fjalë, për të dhe për shoqet e saj, autori i studimit vëren me hollësi se: ‘Suzana është gjithashtu simpatike, e padjallëzuar, por mendjelehtë, jo e marrë e as gjeniale, por pak e llastuar…Ajo vuan nga ekzibicionizmi, por jo sa shoqet e saj, Merita dhe Liza. Ekzibicionizmi i këtyre dy të fundit lidhet me vokacionin e tyre: Merita, studente e anglishtes, snobe, modiste dhe ekstravagante e anglizon gjuhën shqipe – çdo i e kthen në aj.
Deformimi i fjalëve në të folur, pa hamendje shkakton humoristiken. Gjuha e saj makaronike konsiston jo vetëm në futjen e anglicizmave në gjuhën shqipe, por edhe në anglizimin e fjalëve shqipe, që bëjnë fjalët shqipe të tingëllojnë si angleze. Fjalët më të shpeshta të saj janë: hello, bjutifull, rajt, krejzi, plliz, veri najs, etj., ndërsa, Suzanën e cilëson si të prapambetur: “provinciallejshën”, ndërsa kjo e fundit “anglezen” – “metropoollejshën gjakovare”.’
Kundruar nga prizmi i vlerave që ngërthen vepra e Ramiz Kelmendit, studiuesi Baftiari ka pohuar më tej se: ‘Ramiz Kelmendi shtjellimin humoristik në këtë vepër e bazon kryesisht te komizmi i gjuhës: fraza me vlera përqeshëse, loja e fjalëve, modifikimi i tyre, deformimi dhe përdredhja e tyre, loja me frazën, që krijon një si prozë poetike aq e nevojshme për ritmin komik të një vepre të tillë, oksimoroni, aluzioni, batutat, por edhe te broçkullitjet e dërdëllitjet e studentëve të ngathtë e pa botë e me lëmsha në kokë.
Kështu, Ramiz Kelmendi nga idioma “I erdhi për dore” krijon një aluzion me anën e të kundërtës “I shkoi për këmbe”. Shprehje të tjera origjinale që krijohen me anë të modifikimit të fjalëve – dhe jo pa vlera stilistike janë edhe “nallbanologe” – nga albanologe, mamuzllinj-nga namzullnj, Donhugan-nga Donzhuan, gërklan-nga grek, ham-kapitane nga hamletiane, e tj. Figura e oksimoronit haset te shprehja: lartvogëlsia ime, deledash, dimër pranveror, etj. Përdredhja e fjalëve haset dendur në vepër.’
Përfundimisht, Ramiz Kelmendi çmohet si një mjeshtër i rrallë, jo vetm i fjalës shqipe, por edhe i humorit:
‘Ramiz Kelmendi me novelën humoristike “Suzana” dësmoi edhe një herë se është mjeshtër i natyrshëm, por edhe virtuoz i komikes në letërsinë bashkëkohore shqipe. Ai përqesh e ironizon dukuritë e ulëta, qesharake të njerëzve të thjeshtë, jo të ligë në essencë, si ngathtësinë e naivitetin, injorancën, primitivizmin e konzervatorizmin, sqimën, mburrjen e kapardisjen, marrëzirat, sjelljen e trashë, profkat e dërdëllitjen, maninë e rendjes me çdo kusht pas modës, pas të lehtës.
Por, qesëndia e autorit, shkakton një humor të gjallë e ngazëllues, sepse i shëmbëllen mjaft atij që e krijon vetë jeta. Ai me sensin e hollë të vrojtuesit të kujdesshëm të përditshmërisë me të gjitha elementet pikante që e përbëjnë, ka ditur të shkëpusë “theksat” më të vlefshme për sendërtimin e e veprës së tij humoristike. “Suzana” e Kelmendit me humorin e saj, sjell një freski dhe kënaqësi të rrallë për lexuesin dhe shpresojmë të jetë një nxitje për autorë tjerë që kultivojnë këtë zhanër kaq të vështirë dhe pak të lëvruar në fondin modest të letrave humoristike shqipe.’
Në kapitullin e fundit, të VIII-in, Kapuç me mëngë, e për të cilën autori shprehet se është vepër me pjesë të shkurtëra skenike, theksohet se:
‘Ramiz Kelemndi, në këtë vepër kolazh, përqesh me mjete humoristike dhe fshikullon me sarkazëm therës, dukuritë e ulëta dhe të shëmtuara të shoqërisë kosovare të ditëve tona. Ai, për të qesëndisur sjelljet e ndryshme si dalldinë ndasj modës, snobizmin e sqimën, përdor mjete të ndryshme humoristike si ironinë, keqkuptimin, sarkazmën, kapardisjen, komizmin e të folurit dhe komizmin e situatave. Ndërsa, për të demaskuar tipa krejtësisht negativë, të shëmtuar e të neveritshëm ai i mpreh shigjetat e tij satirike dhe atakon me ironinë e hidhur, talljen, demaskimin, degradimin, groteskun.’
Hashim Baftiari e ka studiuar veprën e Ramiz Kelmendit, jo si vepër të një humoristi të përditshëm por si vepër të një humoristi krijues. Në këtë prizëm, ai u është bashkuar dy bashkohanikëve të shkrimtarit si dhe dy kritikëve të shquar të letrave shqipe, Hasan Mekulit dhe Rexhep Qosjes, të cilët për një pjesë të krijimtarisë së tij letrare, Ramiz Kelmendin e kanë quajtur njëlloj: humorist. Pra, humorist dhe satirik.
2. Përpiluesi i antologjive letrare
Kjo dashuri
Poezi dashurie të gjuhës frënge
Në përzgjedhjen e poezive nga letërsia franceze, studiuesi Baftiari dëshmon se letërsia frënge është lulja më e bukur. historia e qytetërimeve është histori e përkthimeve, kurse letërsia është princesha e qytetërimit.
Në librin ‘Kjo dashuri-poezi dashurie të gjuhës frënge’, autori ka bërë një përzgjedhje mjaft të qëlluar të poetëve francezë, të cilët i kanë thurrur vargjet e tyre më të ndieshme lirike kushtuar ndjenjës më subtile njerëzore. Libri hapet me një poezi popullore të shekullit XIII-të dhe vazhdon me autorë të tjerë si Kristinë dë Pizan, Kleman Maro, Zhoakin Dy Belej, Pier dë Ronsar, Louizë Labe, François de Malherbe, Teofil dë Vio, Marselinë dë Bord, Alfons dë Lamartin, Viktor Hygo, Feliz Arver, Zherar dë Nerval, Ezhezip Moro, Teofil Gotje, Alfred dë Myse, Sharl Bodler, Rëne Fransua Syli Prudon, Zhoze-Maria dë Heredia, Pol Verlen, Artur Rembo, Sharl Van Lerberg, Pol Valeri, Pol For, Ana dë Noajë, Maks Zhakob, Sharl Ferdinand Ramuz, Gijom Apoliner, Mari Noel, Zhyl Syperviel, Francis Karko, Pol Moran, Zhan Kokto, Pol Elyar, Andre Breton, Alietë Odra, Lui Aragon, Filip Supo, Benzhamen Pere, Moris Karem, Robert Desno, Mari Laurë Dë Noajë, Zhak Prever, Albert Ayguesparse, Mishel Leri, Zhorzh Shehade, Leopold Sedar Sengar, Rëne Shar, Andre Freno, Ezhen Gijevik, Klod Roi, Pier Emanuel, Alen Boske, Rene Gi Kadu, Gaston Puel, Zhan Senak, Rene Depestre, Zhak Dype, Pier Morensi, Tahar Djaout, dhe Zhak-Fransua Dysotje.
Me një përzgjedhje të tillë të ajkës lirike franceze, Baftiari ia ka arritur të paraqes një sprovë mjaft bindëse të shijes së tij të formuar ideo-estetike, falë së cilës lexuesi shqiptar në dorë ka një një tufë lulesh nga poezia lirike franceze, ndikimi i së cilës nuk është i pakët as në letërsitë dhe në kulturat e tjera.
Në poezitë e përfshira në këtë libër bie në sy sa qasja e nduarduarshme po aq edhe gjuha e latuar e poetëve francezë, të cilët me një gjuhë mjaft të pasur sa dhe të gdhendur poetikisht ia kanë dalur për mrekulli për të paraqitur shtresimet e shumta shpirtërore të raporteve mjaft komplekse që ka bota e dashurisë.
Në përzgjedhjen e poezive të kësaj antologjie, të cilën Hashim Baftiari ia ka ofruar lexuesit shqiptar, dashuria shpaloset në penat e ajkës së lirikës frënge edhe si pasion por edhe si tundim, edhe si gjakim por edhe si zhgënjim, edhe si flakë që përcëllon por edhe si akull që shpon tejpërtej palcën njerëzore. Aty ka zemërthirrje dhe zemërklithje, shpresa dhe ëndrra, mirënjohje dhe lutje, përgjërime dhe përdëllime, por ka edhe trëndafila dhe gjemba, lule dhe lot, psherëtima dhe dënesje, riga shiu e riga lotësh ku verbi poetik francez shpaloset me ndjenjë delikatese si dhe me një elegancë të shprehjes, duke dëshmuar sa kulturën e thellë po aq edhe botën e pasur të ndjenjave shpirtërore.
Në këtë libër shquhen poezitë e përkthyera nga Fan Noli, Lasgush Poradeci, Vedat Kokona dhe Sotir Caci, por nuk mungon as përkushtimi dhe përpjekja e brezit të ri, i cili ka ecur në gjurmët e pararendësve që hapën shtegun e përkthimeve brilante të poezisë botërore, duke përfshirë kështu edhe poetët apo shkrimtarët francezë.
Në poezitë e përzgjedhura nga z. Baftiari, ka psherëtima dashurie, klithje dhe përgjërime, (poezia e Joakim Du Balejt), apo betim dashurie, në poezinë e Pjer de Ronsarit, titulluar ‘Asaj që do të plaket’: Se emrit tënd Ronsari ia ka thurur lavdinë!; për të vazhduar më tej:
Merre kët’trëndafil dhe tok me të në gji
Ti shtjere zemrën time të shkretë e të venitur,
Që dridhet natë e ditë nga plagët e sfilitur
Se veç për ty, o shpirt, është bërë shkrumb e hi
Ronsari pa dyshim se është sa sentimental është edhe një romantik i madh, njeri që dashuron me gjithë qenien, me pasion dhe me zjarr të pashuar, i cili bën thirrje për ta shijuar jetën si dhe lulen e saj më të bukur, dashurinë:
Në varr unë do të jem, i kalbur, i mbaruar,
Nën një mërsinë i shtrirë do të jem, duke pushuar,
Ti plakë, ndanë vatrës pa zjarr e jetë në gji.
Me lot ke për ta qarë përbuzjen, krenarinë.
Jeto, sa je e re, dhe falmë dashurinë:
Trëndafilat e jetës këputi që tani.
Ronsari lëshon zemër-klithjen e tij prej një dashnori të përvëluar nga zjarri i Amorit:
Po pse, o perëndi, s’e bëre dashurinë
Si lulja dhe ajo që të rrojë veç një ditë!
Nëpërmjet simbolikës së luleve të dhuruara si buqetë, poeti ka shpalosur jetën e cila kalon aq shpejt:
Po të dërgoj një ufë fort të bukur
Lulesh të njoma që i zgjodha vetë;
Sonte sikur të mos i kisha këputur
Nesër përdhe do binin fletë-fletë.
Një shembull ky për ty gjithmonë të jetë:
Se sot vërtet je posi flutur,
Po bukuria nuk duron përjetë.
Si lulet vdes e bie e këputur.
Koha kalon, koha kalon, kalon moj zonjë,
Jo, koha nuk kalon por ikim ne,
Dhe shpejt atje në gropë do pushojmë.
Edhe, për dashurinë që me nge
Po flasim, kur të vdesim, s’do dëgjojmë;
Pra dashuromë, e bukur gjersa je!
Përgjërimi i poetit merr kështu përmasat e një përjetësie shpalosur në perla poezie:
Të ngjitesha pas teje dhe, tretur dashurie,
Pas trupit tënd të njomë te dergjesha si hije.
Ndërkaq, tek poezia e François de Mallherbe, e titulluar ‘E dashura që veç premton’, sërish dashuria është klithja e poetit, është vetë vujatja e tij: O bukuri mizore! Kurse Alfons de Lamartini në poezinë emblemë ‘Liqeni’, pasi çdo gjë ia lë zërit: ‘Papritmas zëri i saj e nisi melodinë’, lëshon njëlloj zemër-klithjen tjetër:
‘O kohë, mbajë vrapin! Ju çaste të bekuar
Mos rridhni tatpjetë!
Na lini t’ju shijojmë me ëndje të pashuar
Se s’vini më në jetë!
* * *
O kohë ziliqare, si vallë ky çast gëzimi
Kur dashuria e thellë na deh me lumturinë
Larg nesh të fluturojë aq shpjet sa dhe mjerimi
Që fund s’ka për njerinë?
Dhe krejtësisht në fund të njërës prej kryevperave poetike, tek vihet në kërkim të një ‘ylli ballargjendtë’, Lamartini vë kohët përballë njëra-tjetrës, kohën që ikën dhe kohën që dashuron:
O kohëz e kaluar, përjetësi plot hije,
Ç’i bëni vallë ditët që thëthini sa gjeni?
Na thoni: a do na i ktheni këto orë lumturie
Që neve na i rrëmbeni?
Nuk ka dyshim se me një pëzrgjedhje të tillë të poezive, me një shije të formuar ideo-estetike dhe me një përkushtim gjithë admirim, studiuesi Hashim Baftiari, mëton të dëshmon atë që aq bukur e ka thënë shkrimtari Fadil Kraja në një nga kryeveprat e dramaturgjisë shqiptare ‘Gjaku i Arbërit’:
‘Dashuria është ëndrra më e bukur e të gjitha vajzave. Ajo është dielli që e bën tokën të lulëzojë!’