Qatip Mara – Kozeta Zylo – Qemal Zylo
Intelektualët e talentuar Qemal & Kozeta Zylo me vlera të larta atdhetare janë modeli shëmbullor i atdhedashurisë që shpërndajnë rreze drite e diturie, rreze dashurie për gjuhën shqipe me disa shkolla shqipe “Alba Life” në kryeqëndrën botërore New York. I kisha njohur në largësi nëpërmjet medies vituale dhe shtëpisë së të gjithëve “Facebook”. Afrimi i festës së 7-marsit më nxiti dëshirën të vizitoja shkollën shqipe “Alba Life” New York… Bisedova në telefon me themeluesin e drejtorin e shkollës Alba Life Qemal Zylo, i cili me shumë dashamirësi më ftoi në cermoninë e festës 7 marsi, të ditës së mësuesit që e kishin planifikuar të zhvillohet me të tre shkollat shqipe më 11 mars në Bruklinë.
I shpreha dëshirën që vizitën ta bëja para festës së 7 marsit. Me zërin e tij që jehonte nga embësia e gjuhës shqipe më ftoi që të shkoja më 3 mars në shkollën Alba Life Queens, e cila është më afër banimit tim në Bayside Queens. Mësimi zhvillohej mbasdite. Për të shkuar te shkolla duhej te udhëtoja mbi dy orë duke ndërruar dy autobuza. Megjithëse jam me kufizime të trasplantit të zemrës për udhëtimet publike, u nisa me shumë dëshirë të takohesha me nxënësit e personelin drejtues-mësues të shkollës Alba Life Rigdewood Queens. Moti atë pasdite filloi të ashpërsohej me një erë të akullt polare,por malli që ke për atdheun dhe domosdoshmëria e komunikimit me gjuhën e embel shqipe nuk e përfillte temepraturën e ulët të motit.
Sapo mbrita te godina e shkollës, më pritën me shumë dashamirësi themeluesit e drejtuesit e shkollës shqipe. Në fytyrat e tyre buronte buzëqeshja e bukur pranverore. Kur fytyra e qeshur rrezaton si rreze dielli ngrohtësi njerëzore lexohet përmbjtja e ndjenjave të fshehura në zemër. Intelektualët e talentuar Qemal & Kozeta Zylo që janë bashkshortë me performacë brilante, më takuan me shumë dashuri vllazërore e atdhetare.
Sapo hyra në mjediset e brendshme të shkollës u mrekullova. Përshëndeta me emocione gezimi atdhetarie nxënësit, drejtuesit e mësueset, të cilet më priten me shumë respekte e dashuri atdhetare. Ndonëse isha në vend të huaj u ndjeva në mëmëdheun tonë Shqipëri. Sytë e gëzuar të nxënësve, buzëqeshjet e tyre duke të folur gjuhën shqipe më dhanë shumë emocione lumturie.
Kur hyra në klasat ku bëhej mësim ndjeva emocionet e orës së parë të mësimit të vitit të pare të punës si mësues,por duke biseduar me nxënësit këtu në Queens New Zork emocionet rriten në çdo minute në progresion gjeometrik ,janë emocione të shumfishta të mallit për atdhe,për të folur gjuhën e bukur shqipe. Në fytyrat e nxënësve rrezatohej dashuria për gjuhën shqipe.
Atdheu jonë Shqipëria mbartet në shpirtin e shqiptarëve kudo që jetojnë .U largova me mbresat më të mira nga shkolla shqipe Alba Life dhe fillova të skicoja një përshkrim për ta nisur për publikim në medien virtual, por intelektualja e talentuar Kozeta Zylo më kishte etiketuar në facebook një shkrim emocionues për vizitën time në shkollën Alba Life, të cilën po e integroj në këtë shkrim me miratimin e saj dashamirës.
* * *
“Nga Keze Kozeta Zylo
Mësuesi shqiptar veteran që jeton me zemrën amerikane
“Edhe muret flasin Shqip në këtë shkollë Amerikane… Q. Mara
Në këtë të premte muzgu të blujtë me thëllim erdhi midis nxënësve të shkollës shqipe “Alba Life” në Queens, shkollë që ka një muaj qe eshte hapur, mësusesi shqiptar veteran z.Qatip Mara i shoqëruar nga e bija e tij fisnike Anita. Me një emocion të dukshëm në të folur dhe një ngazëllim të papërshkruar ai u ndodh përballë klasave të mësuese Blertës dhe Arditës, I thjeshtë dhe plot mirësi midis nxënësve shqiptaro amerikanë që mësojnë shqip në shkollën publike amerikane PS: 68 në Queens, New York.
Z. Qemal Zylo duke prezantuar mësuesin veteran Qatip Mara
Mësuesin veteran shqiptar e prezantoi para klasave midis pushimeve të shkurtëra z.Qemal Zylo, themeluesi dhe drejtori i Shkollës Shqipe “Alba Life” shkollë që operon në disa lagje të Nju Jorkut. Z.Mara e përmblodhi shkurt përshëndetjen e tij, për mos t’ju ngrënë kohën e shenjtë të mësimit i cili tha: “Kam ardhur këtu në prag të 7 Marsit , Ditës së shenjtë të mësuesit dhe t’ju përshëndes dhe t’ju përgëzoj si një veteran i arsimit për 45 vjet në Shqipërinë tonë të dashur. Këtu midis jush u takova me Atdheun, sespe ju keni krijuar një Shqipëri të vogël në zemer të Nju Jorkut.
Këtu edhe muret e shkollës publike amerikane duken sikur po flasin shqip…, si nëper legjenda. Mos e harroni kurrë Gjuhën Shqipe, sepse ajo është shtylla e identetit tonë. Është njëlloj sikur trupi i njeriut të jetë pa shyllë kurrizore, gjë që është e pamundur dhe nuk mund të jetojë… Unë erdha këtu për të marrë rrahjet e zemrës së Atdheut tim nga ju. Unë e kam jetë të dytë nga Amerika gjeneroze dhe e madhe. Amerika më dhuroi zemrën nga një shtetas në Florida, sepse zemra ime e falur nga nëna pushoi së rrahuri.
Mësoni të beheni bij të denjë të Amerikes dhe të Shqipërisë. Gëzuar 7 Marsin”!
Fjala e tij me plot emocion dhe dashuri u mirëprit me duartrokitje të nxehta nga nxënësit e dashur shqiptarë të shkolles shqipe “Alba Life” në New York. Z.Mara në fund i dhuroi drejtuesve të shkollës shqipe “Alba Life” librat e tij me mbishkrimet përkatëse.
Puna dhe përkushtimi I tij si një mësonjes i devotshëm të kujton thënien e Beniamin Franklinit i cili ka thënë: “Tell me and I forget. Teach me and I remember. Involve me and I learn”, që do të thotë: “Më trego mua dhe do të harroj. Më mëso dhe unë do të kujtoj. Më perfshi dhe do të mesoj”.
Në intervistën për TV “Alba Life” ai shprehu mirënjohjen e pakufishme për punën e përkushtuar të mësuesve, prindërve dhe nxënësve dhe tha se hapja e shkollave shqipe është një frymëzim për të gjithë bashkatdhetarët kudo ku janë. Njerëzit duhet të harxhojnë kohën me shumë libra, punë atdhetare se sa te rrinë kafeneve me orë të tëra dhe të humbasin kohën e çmuar të jetës. Une kam dhënë mësim në disa vende të Vlorës dhe në vitet e fundit të mësimdhënies derisa dola në pension kam qenë në gjimnazin “Ismail Qemali” në Tiranë.
Është vërtetë emocionuese të vijë këtu midis nxënësve të Shkollës Shqipe “Alba Life” dhe të takohem me Ju. Në fakt në se nuk do të ishte Amerika une nuk do të jetoja. Amerika më rilindi. Une po jetoj me një zemër amerikane, por AND-n e kam shqiptare.
Themeluesi i TV “Alba Life” Qemal Zylo ndërsa e filmonte duke e dëgjuar me humor i tha: “Mirë se erdhe në shoqatën tonë të zemrës, pasi dhe unë kam pasur probleme me zemrën.”
– Ruaje zemren tënde të nënës e këshilloi mësuesi veteran, se si ajo nuk ka në botë…
Amerika është Dielli i Lirisë, vazhdoi z.Mara ku mundësitë janë të pafundme për t’u ngrohur nën rrezet e saj shndritëse.
Z.Qatip Mara pasi po e përcillnim në të dalë të shkollës u takua dhe me z.Eduard Dilo i cili i është bashkuar stafit të Shkollës Shqipe “Alba Life” dhe e falënderoi ate përzemësisht që po ecën në gjurmët e ndritura të gjyshit të tij Ilia Dilo Sheperi.
Z.Qatip Mara ka një përvojë të jashtëzakonshme në fushën pedagogjike, ai është nje model i mësimdhënies në lëndën e historisë, portreti i bukur i një mësuesi fisnik. Z.Mara ka botuar disa libra si: “Në labirintet e jetes sime”, “Vlora-djepi I Pavarësisë”, “Frashëlliu akademik, z.Pollo” si dhe disa qindra artikuj, shkrime dhe esse të ndryshme.
Ka në botim librin “Bruna, jeta ime e dytë”, në përkushtim të vajzes së tij që punon në fushën e mjekësisë si anesteziste ku së bashku me bashkëshortin e saj kirurg i shërbyen me përkushtim profesional për ta rikthyer në jetë atin e tyre të shtrenjtë.
Ishte një mbasdite e bukur Shqip, një takim i paharrueshëm midis mësuesit veteran z.Mara dhe nxënëve të shkollës shqipe “Alba Life”, një takim që do të ngelet gjatë në kujtesë me mësuesin e rilindur shqiptar në Amerikë që jeton me zemrën amerikane…
3 mars, 2017
Ridgewood, Queens, New York”
* * *
Duke falënderuar intelektualët e talentuar, drejtues të shkollës shqipe të nderuar Qemal &-Kozeta Zylo që më respektuan duke më lejuar takimin me nxënësit në pragun e festës së 7 marsit,uroj nga zemra gjithë mësuesve Gëzuar Festën 7 marsi,dita e nderuar e mësuesit.
Mendoj se institucionet e shtetit shqiptar duhet të vlerësojnë dhe nderojnë punën e heronjve mësuesa të mësimit të gjuhës shqipe në emigracion.
Mirënjohje për intelektualet e shquar të talentuar Qemal & Kozeta Zylo,të cilët meritojnë të vlerësohen NDERI KOMBIT SHQIPTAR. Faleminderit për dashamirësinë tuaj ndaj jetës sime duke e pasuruar zemrën time amerikane me dashuri atdhetare
Ju uroj jetëgjatësi me lumturi në familje
Suksese në misionin tuaj dritëdhenës në shkollat shqipe Alba Life New York!
Me respekte e dashuri atdhetare
Qatip Mara
Bayside New York 04.03.2017