NË SELINË QENDRORE TË OVL TË UÇK-SË, U BË PROMOVIMI I LIBRIT “SANDOKANI RRON” TË POETIT ZYMER MEHANI

0
1010

Mr. FATMIR HALIMI

RECENSION

Zymer Mehani: “Sandokani rron” botues Sh.B “ProkultPress”, Prishtinë, 2017.

Zymer Mehani një profesor i gjuhës shqipe dhe një krijues i talentuar, krijimtarinë e tij letrare e filloi pas luftës së fundit kryesisht në poezi, kritikë letrare, pra me recensione të veprave të autorëve të ndryshëm, prozë dhe publicistikë. Zymer Mehani autor i mese dhjetë librave nga fusha letrare, por pena e tij shquhet edhe në publicistikë, ku botoi librin monografi: “Shkolla dhe arsimi në Halabak, në Tërrnavë dhe në Bellopojë“ Prishtinë 2010. Pas këtij libri vijnë veprat e tjera me poezi lirike dhe sidomos shquhen këta libra: “Gjithçka ke atdhe “ Prishtinë 2011, “Arbora për ty“ Prishtinë 2013, “Shtrëngoj dorën tënde“, Prishtinë, 2015, “Yjet e qiellit tim“, Prishtinë, 2017. Zymer Mehani në letrat tona është i njohur si poet me lirikat e tij kushtuar atdheut, dashurisë ndaj atdheut, luftës së lavdishme të UÇK-së etj. Me lirikat e tij për heronjtë tanë kombëtar të luftës së UÇK-së para lexuesve të tij të shumtë ai ka ngjallur dhe rritur ndjenjën e atdhedashurisë, ndjenjën që ta duam dhe ta ruajmë atdheun tonë deri në flijim, ashtu siç bënë heronjtë tanë të mëdhenj si: Zahir Pajaziti, Adem Jashari, Abedin Rexha e shumë të tjerë.

Vepra me poezi e poetit Zymer Mehani “Sandokani rron“ botuar këtyre ditëve nga SH.B. “ProkultPress“ më obligoj për dy arsye që të shkruaj. Së pari duke pasur parasysh veprën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të komandantit Abedin Rexha – Sandokani në radhët e UÇK-së, deri në flijim të jetës së tij për lirinë tonë që sot ne e gëzojmë dhe së dyti duke qenë botues, pasi që drejtoj shtëpinë botuese “ ProkultPress” dhe redaktor i librit. Pra, si botues dhe si redaktor kisha një kënaqësi të veçantë, një ndjenjë shumë sublime t’i botoj dhe redaktoj vargjet e një poeti që shkruan një vepër për një figurë kaq madhore, kaq të rëndësishme të çështjes sonë kombëtare, për njërin ndër heronjtë më të mëdhenj të UÇK-së, siç është komandanti Abedin Rexha. Komandanti Sandokani edhe nga të tjerët është cilësuar si figurë monumentale e çështjes sonë kombëtare, prandaj mund të them se edhe vepra poetike “Sandokani rron“ e Mehanit është monumentale.

Kur them termin “monumentale” në kritikën letrare ka kuptim shumëdimensional, pra edhe “Sandokani rron” është një vepër shumëdimensionale, për arsye se lexuesi përmes vargut, figurës stilistike, motivit dhe narracionit të temës që trajton informohet dhe merr perceptimin si atë historik, social, kulturor e kronologjik për kohën ambientin dhe rrethanën, në të cilën veproi dhe jetoi heroi që e trajton poeti e në këtë rast, lexuesi lidhet ngushtë me jetën dhe të bëmat e komandantit Abedin Rexha. Ne si kritik letrarë, por edhe si lexues të rëndomtë kemi hasur të lexojmë dy-tre poezi përkushtuese për një hero kombëtar brenda një libri, por shumë rrallë na rastisë të lexojmë një libër të tërë përkushtues për një figurë të caktuar kombëtare. Por këtë e bëri poeti ynë Zymer Mehani dhe unë them se kjo arrihet me një zell dhe me një punë të madhe përkushtuese, pra kjo mund arrihet vetëm duke pasur një lidhje shumë të fortë emocionale me figurën që trajton, çka edhe vërehet në vargjet e poetit se ai është i lidhur ngushtë shpirtërisht me emrin e heroit tonë Komandant Sandokanit.

Si përmbyllje poetit Mehani i them të lumtë pena, ndërsa familjes Rexha u them ndjehuni krenarë që patët një bashkëshort, një baba dhe një vëlla si komandant Abedin Rexha.