NË PRISHTINË U MBAJT AKADEMI PËRKUJTIMOREPËR MASAKRËN E TIVARIT

0
530
Masakra e Tivarit, mars 1945

Nga Frank Shkreli

Ja edhe shënjat e para të një interesimi zyrtar për njërën prej tragjedive më të mëdha të historisë së Kombit shqiptar. Ditën e martë në Prishtinë u mbajt një akademi përkujtimore me rastin e 74-vjetorit të Masakrës së Tivarit. Sipas lajmeve, në tubimin e organizuar nën përkujdesjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaçi, foli Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Ramush Haradinaj, Zëvëndës Kryeministri i Kosovës, Z. Enver Hoxhaj dhe Drejtori i Institutit të Historisë, Sabit Syla.

Në fjalën e tij me këtë rast, Kryeministri i Kosovës, Z. Haradinaj e cilësoi Masakrën e Tivarit, si njërën prej ngjarjeve më të dhimbëshme, si një ngjarje, ndaj së cilës është bërë më së shumti padrejtësi në gjithë këto vite. Udhëheqsi i qeverisë së Kosovës u kujtoi të pranishëmve se këtë vit janë janë mbushur 74-vjet nga Masakra e Tivarit, që atëherë, “Nën ndikimin e hegjemonizmit serb u mobilizuan dhunshëm 13 mijë e 335 shqiptarë, të shpallur si robër lufte, një pjesë e të cilët pastaj u vranë dhe u hodhën në varreza masive, prej të cilëve shumica djem e burra të Kosovës”.

Kryeministri Haradinaj tha se kjo ditë duhet të kujtohet jo vetëm si një datë tragjike në historinë e Kombit shqiptar, por edhe të përdoret si një rast që të merren masa dhe veprime të nevojshme për të zbuluar të vërtetën mbi këtë masakër, ashtu që sipas tij të, “nxjerrim në dritë të drejtën”. Ai shtoi se e vërteta e këtij krimi makabër është mohuar për një kohë të gjatë, ndërkohë që pasardhësit e këtyre martirëve nuk kanë marrë kurrë asnjë përgjigje dhe se as nuk u ndëshkua askush për vrasjen e tyre. Z. Haradinaj tha me këtë rast se zbulimi i së vërtetës dhe ndëshkimi i përgjegjësve të këtij krimi – një ndëshkim të pakën edhe para historisë, pasi shumë prej tyre mund të mos jetojnë më — duhet të ndodhë sepse, sipas tij, “Pa ndëshkimin e atyre që urdhëruan dhe kryen krimet, ato krime mund të përsëritën, kurdo. Së këndejmi, është detyrë e shtetit të Kosovës që t’i njohë dhe t’i trajtojë ata që kaluan ferrin e Tivarit — pas vdekjes — si martirë”, ka thënë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Ramush Haradinaj, në Akademinë Përkujtimore mbajtur në Prishtinë të martën, me rastin e 74-vjetorit të Masakrës së Tivarit.

Kryeministri i Republikës së Kosovës tha se kjo tragjedi e fshehur për shumë dekada nga qeveritë komuniste në të kaluarën, më në fund, ka filluar të tërheq vëmendjen e historianëve dhe po studiohet, por, sipas tij, kjo gjë po bëhet gjithnjë nga pikëpamje të ndryshme ideologjike. “Kuptohet se, motivi i kësaj masakre, ishte spastrimi etnik i Kosovës. Kolonat e të rinjve kosovarë që ecën për një javë, në kushte çnjerëzore dhe nën tytat e armëve të komunistëve të atëhershëm, ishin stigmatizuar si reaksionarë”, ka thënë Z. Haradinaj. Në fund të fjalës së tij me këtë rast, Kryeministri i Republikës së Kosovës e cilësoi Masakrën e Tivarit si njërën prej “faqeve më të errëta të historisë së Ballkanit, e drejtuar kundër shqiptarëve të Kosovës”, si një përpjekje për të spastruar etnikisht Kosovën nga shqiptarët autoktonë, ndërkohë që bëri thirrje se për “zbardhjen e saj të plotë, duhet të ndërveprojnë të gjitha palët e involvuara…në frymën e bashkpunimit rajonal”, ka përfunduar Kryeministri Haradinaj.

Ndërsa, Zëvëndës Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Enver Hoxhaj foli për atë që ai cilësoi si “dimensioni njerëzor i tragjedisë së Tivarit, i njerës prej tragjedive më të përgjakshme, më të dhimbshme për shqiptarët e Kosovës, por edhe një tragjedi që ka përmasa ballkanike, në kontekstin e Luftës së Dytë Botërore.” Z. Hoxhaj e cilësoi Masakrën e Tivarit, “Jo si një zhvillim periferik, por ka qenë qëllim i vet luftës”, tha ai. Masakra e Tivarit “Nuk ka qenë një ngjarje e izoluar”, u shpreh Zevëndës-Kryeministri i Kosovës, “Por ka qenë një vazhdimësi e krimeve që Serbia ka bërë në Kosovë edhe para Masakrës së Tivarit, prej luftërave ballkanike, 1912-13, por edhe një vazhdimësi e asaj çfarë ka ndodhur në Kosovë, sidomos në kontekstin e viteve 90-ta dhe të politikës së spastrimit etnik të vitit 1998-99.”

Nga dimensioni politik, vazhdoi mëtej Zoti Hoxhaj, Masakra e Tivarit tregon edhe natyrën e re të regjimit të ri komunist, i cili po instalohej në ato anë. “Thënë shkurt”, u shpreh zyrtari i lartë i Kosovës, “Maskara e Tivarit është një tragjedi dhe një paralajmërim se si një padrejtësi e vjetër po zevëndësohej me një padrejtësi të re” , nenvijoi ai, duke shtuar se, “Masakra e Tivarit ishte gjithashtu edhe një paralajmërim për një sistem të padrejtë që ka qenë komunizmi – ai jugosllav edhe komunizmi shqiptar, sisteme të padrejta, që heret ose vonë, shpërbëhen”, theksoi Z. Hoxhaj.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Ramush Haradinaj dhe Zëvëndës Kryeministri Enver Hoxhaj në tubimin përkujtimor me rastin e 74-vjetorit të Masakrës së Tivarit

Zevëndës-Kryeministri i Republikës së Kosovës u bëri thirrje institucioneve akademike të Kosovës që të bëhen studime të mëtejshme të plota — për të mos thënë përfundimtare — në lidhje me këtë tragjedi dhe të mos hesitojnë që të trajtojnë, si rolin që kanë luajtur komunistët jugosllavë, ashtu edhe edhe rolin e komunistëve shqiptarë, në Maskarën e Tivarit.

Natyrisht se zbardhja e plotë e së vërtetës dhe e fakteve historike mbi Masakrën e Tivarit është detyrë dhe përgjegjësi e historianëve dhe akademikëve shqiptarë në Prishtinë dhe në Tiranë – por duhet të trajtohet larg influencave ideologjike të së kaluarës komuniste, pasi këta heronjë të Kombit shqiptar ishin viktimat e para – jo vetëm të një regjimi të padrejtë siç e cilësoi Z. Hoxhaj – por, mbi të gjitha, të një regjimi kriminal komunist sllavo-aziatik, që skllavëroi një popull të tërë për pothuaj gjysëm shekulli.

Organizimi i Akademisë Përkujtimore në Prishtinë mbi Masakrën e Tivarit — nën përkujdesjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaçi, ku folësi kryesor ishte Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Ramush Haradinaj dhe ku foli gjithashtu edhe Zëvëndës Kryeministri i Kosovës, Z. Enver Hoxhaj — tregon rëndësinë që duhet t’i kushtojnë dhe përgjegjësinë historike, kombëtare dhe morale që duhet të kenë politikanët shqiptarë anë e mbanë trojeve shqiptare mbi çështje të tilla, përfshir edhe rolin që duhet të luaj politika dhe përfaqsuesit e saj në një shoqëri të lirë — në mbështetje të zbardhjes së të vërtetave të dhimbëshme historike, siç është Masakra e Tivarit.

Për këtë, udhëheqsit e Republikës së Kosovës meritojnë vlerësimin tonë jo vetëm për përkujdesjen e organizimit të kësaj Akademie Përkujtimore, me rastin e 74-vjetorit të Masakrës së Tivarit, por edhe për pjesmarrjen e tyre në punimet e saja. Simbolikisht dhe realisht, ky është një mesazh tepër i rëndësishëm dhe domethënës për vullnetin e tyre për të zbuluar, më në fund, të vërtetën mbi një prej krimeve më të rënda kundër Kombit shqiptar në trojet e veta — e planifikuar, e drejtuar dhe miratuar nga një bandë kriminelësh, mbështetës të komunizmit ndërkombëtar, të maskuar si çlirimtarë të popujve.

*Një reagim nga Profesor Sami Repishti,
dëshmitar i kësaj ngjarjeje
:

“Mirëmengjezi e falemnderit Frank për kete shkrim me randësi.

Unë i kam pa kosovarët në Shkodër, të gjithë leckamanë me rroba civile, te rij dhe të lodhun e të raskapitun mbas nji udhëtimi NË KAMBË prej Prizrenit deri në Shkodër e Tivar. Ruheshin nga të dy anët me vajza partizane ma të shumëten me mashinka dhe plot urrejtje. Atë natë, u ndigjue lajmi se nji lundër e mbushun me kosovarë ashtë fundosë në Bunë, sepse ura ishte prishë.

Ma vonë erdhi lajmi nga ata që shpëtuen se të gjithë ishin vra. Asnji shenj pendese nuk u tregue nga autoritetet komuniste as nga anëtaret e partisë.

Tragjedi për kosovarët, tragjedi për të gjithë ne shkodranët, që deshmuem kete ngjarje dhe nuk u ba asgja. “Kishte vdeke ora!

Te fala Sami