Në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dëshmorët po syrgjynosen edhe për së vdekuri

0
429
Valon Jashari - bibliotekë

Valon Jashari

Muaji Maj për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës është muaji i kujtimit të të rënëve në rrugën e përpjekjes për çlirim dhe bashkim me Kosovën. Klasa politike e Luginës së Preshevës nuk shprehë as interesimin më të vogël për të organizuar në mënyrë institucionale, akademitë përkujtimore as edhe pas dy dekadave. Shqiptarizmi është një filozofi multidisiplinare për të mundur që ta zbërthejmë dhe ta konvertojmë në numra konkret të ditëve të sodit, e si duket për shumicën absolute të lidershipit në Luginë të Preshevës dhe një pjesë të konsiderueshme të intelektualëve të kësaj treve shqiptare është ende një skizmë.

Kujtimi i dëshmorëve tek ne shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës më shumë po merr konotacion personal të “heroizmit” të të gjallëve, se sa zbërthim i heroizmit e kujtimit mbi të rënët, shpesh herë edhe me konotacione të ngjyrimeve politike, si: Ky apo Ai dëshmorë i takon këti krahu-subjekti apo ati subjekti politik, këti apo ati grupi të caktuar dhe disa herë edhe familjeve të caktuara.

Rikujtimi i të kaluarës mbi atë të historisë së një figure heroike, duke anashkaluar arealin më të gjerë të zhvillimit të ngjarjeve gjatë asaj kohe, në vete ngërthen lidhjen e vazhdimësisë që ndjejmë me të kaluarën tonë historike, jo edhe shpesh herë triumfuese sidomos për ne shqiptarët. Kjo qasje jo shumë transcendentale po bënë që brezave të rinj dhe ne që po e jetojmë këtë kohë më shumë po rrekemi pas figurave duke “hyjnizuar” një figurë të caktuar historike, shpesh herë edhe të personaliteteve që po janë bashkëkohanikë në ditët e sodit që po jetojnë me ne, e që në thelb ngjarjet e ndodhura të asaj periudhe historike nuk po elaborohen e zbardhen ashtu siç kanë qenë, pavarësisht rrethanave se a ishin në dobi apo në dëm të historisë së popullit shqiptar. Ky mentalitet izolacionist nga disa të ashtuquajtur “kompetent” për të organizuar dhe rikujtuar figurat e ndritshme të kombit shqiptar, që me dashje po dëmton heroizmin e dëshmorëve të kombit në këtë rast edhe të përafrimit dhe njohjes nga brezat e rinj për të kaluarën tonë historike.

Si organizator të këtyre akademive kanë mbetur persona “të thirrur ” në emër të luftës së UÇPMB-së. Këta të ashtuquajtur organizator me çdo kusht mundohen ta mbajnë monopolin e fjalës, dhe ndajnë mirënjohje njerëzve që i shkojnë për shtati interesave të tyre e që nuk kanë të përbashkët asgjë me dëshmorët e vlerate kombëtare. Këta më së paku meritojnë ti organizojnë këto manifestime e akademi përkujtimore për shumë arsye: sepse në rend të parë po të ishin gjallë dëshmorët e kombit do ti ndiheshin të turpëruar që nga këta persona të rikujtoheshin, pasi që deri më tani as edhe një herë nuk kanë bërë përpjekje minimale drejt jetësimit të rrugës së tyre dhe as që kanë qenë bashkëluftëtar. Pastaj, po ky grup klanor dirigjohen nga shteti serb dhe janë në linjë të drejtpërdrejt me politikën e shtetit serb e në dëm të çështjes shqiptare sa që veprimtaria e tyre kurrë nuk i ka penguar shtetit serb. Dhe, jo vetëm kaq. Disa persona po nga këto grupe klanore e këto Shoqata mbajnë edhe pozita tjera politike në kuadër të strukturave të qeverisjes lokale si formë e satisfaksionit që i ka dhënë Serbia vetëm e vetëm që të heshtin dhe të minimizojnë veprimtarinë kombëtare të atyre pak dëshmorëve të kombit që kanë rënë gjatë luftës së vitit 2000-2001.

Është e dhimbshme që në akademitë përkujtimore të dëshmorëve ka aq pak pjesëmarrës të qytetarëve, sa që të dhimbset shembëlltyra e dëshmorëve e që të bën të mendosh që edhe më mirë mos t’i mbajmë këto akademi e manifestime me këtë lloj garniture organizatorësh, dhe këtë qytetari pasive që më shumë çmojnë një koncert nga një këngëtare serbe kur vjen në Preshevë, apo ardhjen e Dudicit për të shpërla trurin me dogma religjioze, se sa shenjtorët tanë-Dëshmorët! Kjo të bën të ndjesh nevojën për atë grushtin e fortë të “Recitalit të Malësorit” të Migjenit, kjo ka të bëj në rend të parë së kush i organizon këto akademi dhe qytetarët duhet vlerësuar mirë, që duhet ndaluar dhe hequr mundësinë që jo çdo kush të “vetëthirren” në vlera të luftës dhe të bëjnë organizime të tilla. Dëshmorët edhe së vdekuri fizikisht po syrgjynosen sipas tekeve të disa (mupistëve) bashkëpunëtorëve të Serbisë. Për të shkuar edhe tek ajo më e hidhura se disa nga personat udhëheqës, konkretisht organizatorët e Manifestimit përkujtimor në Rahovicë të Preshevës janë bashkëpunëtorë të drejtpërdrejt të shtetit serb së paku tri dekada.

Është dëshpëruese që deri më tani pse akoma nuk është realizuar një projekt memorial. Ku janë ato Shoqata e Shoqëri Civile e Institucione Lokale që së paku pran Kalasë së Preshevës të ngrihet një memorial përkujtimor, për nder të heronjve të rënë, pasi që në shikim të parë nën rrezet e diellit dhe nën hijen e hënës vetëm në këtë mënyrë sadopak do të flasë sakrifica e heronjve të rënë. Pasi vetëm ajo faqe e lartësisë së malit të Kalasë së mbi Preshevës do të ishte vetë historia dhe faqja më e pastër e krenarisë sonë shqiptare, dhe mbi të gjitha në atë memorial të gjithë dëshmorët të vendosen në formë të plisit me kokën nga Kosova, sepse vdiqën me zemrën plot Kosovë e plot Shqipëri!

Valon Jashari:* Ma. sc. Historisë, Ish-veteran i UÇPMB-së, dhe ish-Kryetar i “Lëvizjes së Lirisë”, Lëvizje që vepron në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe aktivist për të drejtat e shoqërisë shqiptare në Ballkan.