Zymer Mehani
Autori Hajrush S. Redenica – Kika së shpejti do të dalë me përmbledhjen më të re poetike për fëmijë “Rrugët e jetës”. T’jua rikujtojmë, të dashur fëmijë se poeti Redenica për ju ka shkruar edhe përmbledhjet: “Bukuri në atdheun tim”, Prishtinë, 2017; “Urat e vendlindjes”, Prishtinë, 2018 dhe “Gurrat e vendit tim”, Prishtinë, 2019.
Ky poet i dashur për ju u lind më 15 shkurt 1961 në Kikën legjendare, aty ku më 26 korrik 1944 u mbrojt Shqipëria Natyrale. Xha Hajrushi u rrit në një familje të varfër, por bujare. Shkollën fillore e kreu në shkollën “Skënderbeu” në Hogosht. Pas mbarimit të shkollës fillore u regjistrua në SHM “9 Maji” në Kamenicë në Gjimnaz degë e ndarë e Hogoshtit. Pas dy vitesh të gjimnazit u regjistrua dy vite të tjera në Shkollën Profesionale dega e makinerisë. Pas diplomimit në Hogosht, shkoi në Mitrovicë në Shkollën e Lartë, dega e Makinerisë, por nuk arriti ta përfundojë. Pasi e kreu shërbimin ushtarak në Rijekë të Kroacisë, më 6 mars 1986 u punësua në “Energoinvest” të Sarajevës, dega në Prishtinë. Punoi edhe si tregtar libërshitës. Me shkrime filloi të merret që nga viti 1999.
Poeti Hajrush Redenica ka botuar këta libra:
“KIKA”(pjesa e parë, e dytë dhe e tretë). Ky libër shtjellon historikun e Kikës, pra të vendlindjes së tij.
Vëllimet poetike:
“ Brengë e mall”, Prishtinë, 2017;
“Pluhuri i zemrës”, Prishtinë, 2017,
“Bukuri në atdheun tim”, Prishtinë, 2017;
“Urat e vendlindjes”, Prishtinë, 2018.
“Flakë lirie”, Prishtinë 2019
“Gurrat e vendit tim”, Prishtinë 2019.
Ky autor ka në dorëshkrim dhe shumë libra të tjerë si me poezi ashtu dhe historikë.
Zymer Mehani, Podujevë, më 14 nëntor 2019