Në përvjetorin e lindjes së Gjergj Kastriotit…

0
1580

Ilirana Koleka

Sot eshte 6 maj, dita e lindjes së Gjergjit të madh (6 maj 1405), heroit tonë të mrekullueshem që na frymëzon drejt bashkimit, mëvetësise e përparimit të Arbërve.
————————
Gjergj Kastrioti ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit dhe i princeshës Vojsava, fëmija i fundit midis 4 djemve dhe 5 vajzave. Mendohet se lindi më 6 maj 1405 në Mirditë, megjithë se shumë burime të tjera citojnë Dibrën si vëndlindje të tij. Sjell këtu një punim shkencor me shume vlere të prof. Preng C. LLeshit mbi prejardhjen e Gjergjit nga Mirdita

Principata e Kastriotëve
Mirdita – vendi – origjina e Kastriotëve

U mor peng si nizam pas thyerjes së të atit nga Sulltan Murati më 1421 dhe u dërgua në oborrin e Sulltanit në Adrianopojë. Atje, zgjuarsia dhe shkathtësia e çuan Gjergjin në shkollën e sulltanit (içogllanëve) që përgatiste komandantë e nëpunës.

Natyra i kishte dhënë dhunti mendore e fizike. S’është e rastit që turqit i dhanë emrin Aleksandër (Iskënder).
Pas mbarimit të shkollës, Gjergj Kastrioti Aleksandri apo Leka i Madh “Skënderi” kreu detyra ushtarake në Ballkan e në Azinë e Vogël, duke u dalluar për trimëri dhe për këtë arsye iu dha titulli “bej” që do të thotë princ ose fisnik pra Skënderbeg do të thotë Aleksandri princi ose Leka i Madh fisniku.

Mes turqëve Gjergji nuk e harroi vendin e tij të dashur dhe priste me padurim rastin të kthehej në tokën që e lindi. Me vdekjen e të atit, ai shpresonte t’i zinte vendin, por në fakt sulltani e emëroi sanxhakbej, pra jashtë tokave shqiptare.
Skënderbeu nuk hoqi dorë nga ideja për t’u kthyer në Shqipëri në fronin e të atit, deri në vitin 1443 kur ai u nis kundër Janosh Huniadit nën komandën e bejlerbeut të Rumelisë.

Më 3 nëntor 1443 në afërsi të Nishit, u ndeshën dy ushtritë. Ushtria osmane u shpartallua dhe u tërhoq në panik. Skënderbeu filloi të zbatonte planin e kryengritjes, së bashku me 300 kalorës shqiptarë e me të nipin Hamza Kastrioti, u kthye në Dibër, ku populli e priti si çlirimtar. Morri masa për përforcimin e rrugëve nga mund të vinin osmanët, dhe prej andej iu drejtua Krujës. Me një ferman të rremë shtiu në dorë qytetin e garnizonin dhe kështu më 28 nëntor 1443 u shpall rimëkëmbja e principatës së Kastriotëve. Mbi kështjellën e Krujës u ngrit flamuri me shkabën e zezë dykrenare i Kastriotëve.

Kryengritja u përhap shpejt në viset e tjera dhe feudalët e tjerë u ngritën gjithashtu. Gjatë dhjetorit, Shqipëria e Mesme dhe e Veriut u spastruan nga forcat osmane, u çliruan njëra pas tjetrës kështjellat e kësaj zone. Skënderbeu ishte organizatori i Kuvendit të Arbërit, në të cilin u zgjodh si prijës i Lidhjes Shqiptare të Lezhës. Ai u martua me të bijën e Gjergj Arianitit me Donika Arianitin për të forcuar lidhjet e tij me principatat e tjera.

Në janar të vitit 1468 Skënderbeu u sëmur gjatë zhvillimit të një Kuvendi të thirrur nga ai, në të cilin ishin të ftuar të gjithë princat shqiptarë. Vdiq me 17 janar 1468 në Lezhë. I mbuluar me lavdi, ai u varros në Lezhë. Shqiptarët humbën prijësin e lavdishëm që i udhëhoqi për 25 vjet rresht. E shoqja me të birin emigruan, sikurse edhe një pjesë e parisë shqiptare, për në Itali. Rreth përkrenares ekziston ideja se e ka mbajtur për nder të Pirros së Epirit, pasi edhe ai ka mbajtur po të njëjtën përkrenare.

Epoka e Skënderbeut e shekullit XV dhe vetë figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve dhe për rritjen e vetëdijes kombëtare të tyre. Të frymëzuar prej tyre, intelektualë të shquar shqiptarë, i pasqyruan e i përjetuan ato në vepra historike monumentale, në të cilat nisi jetën e vet historiografia shqiptare.

Ishte Dhimiter Frangu, që shkroi i pari jetën e Skënderbeut, realisht si u zhvillua, sepse Frangu ishte bashkëshoqërues i gjithë jetës dhe luftërave të Skënderbeut, arkëtar e shoqërues në udhëtimet e Princit Shqiptar, ndryshe nga Marin Barleti, që ishte i më vonshëm.
Shkrimet latinisht të Frangut të vitit 1480, 12 vjet pas vdekjes së Skënderbeut, mjerisht u përvetësuan nga të tjerë, dhe përkthimi dhe botimi i saj italisht u bë më vonë, pas vdekjes së Frangut.

Vepra e Barletit, që u botua në latinisht ne fillim të shek të XVI (1504) kushtuar luftës heroike të arbërve për mbrojtjen e Shkodrës, (rrethimi i Shkodrës) pati jehonë të madhe. Por vepra që e lartësoi figurën e tij si historian humanist është “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, të cilën e botoi italisht në Romë rreth viteve 1508-1510. Kjo vepër voluminoze njohu shumë ribotime në gjuhë e në vende të ndryshme të Evropës.

Veprat e M. Barletit u bënë burimi më i rëndësishëm ku patriotët shqiptarë mësonin historinë e epopesë legjendare të shk. XV, kur nuk ishte zbuluar e njohur vepra e Dhimiter Frangut. Periudha e Skënderbeut u përjetësua edhe në vepra të tjera historike nga bashkëkohësit e heroit. Siç e thame një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Skënderbeut, Dhimitër Frangu, shkroi latinisht, në frymën e ideve humaniste të kohës një vepër për jetën e Skënderbeut.

Një vepër tjetër e rëndësishme për të njohur shoqërinë shqiptarë të shek. XV është “Historia dhe gjenealogjia e shtëpisë së Muzakajve”, shkruar në italisht më 1510 nga bashkëluftëtari i Skënderbeut, Gjon Muzaka. Ajo mbeti në dorëshkrim dhe, për vlerën që ka për historinë mesjetare shqiptare, botuesi i saj i shek. të XIX më të drejtë e ka cilësuar atë si një “margaritar”.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (6 maj 1405- 17 janar 1468) sintetizon një epokë të tërë historike që mori emrin e tij: luftën njëshekullore kundër pushtimit osman (fundi i shek. XIV – fundi i shek. XV). Nën udhëheqjen e tij, lufta e shqiptarëve u ngrit në një shkallë më të lartë e më të organizuar dhe shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të Shqipërisë.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ishte përfaqësuesi më i shquar i parisë shqiptare, që udhëhoqi më vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë. Ai kryu të parin bashkim të shqiptarëve, Lidhjen Shqiptare të Lezhës, e cila hapi rrugën e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar, themeluesi i të cilit u bë ai vetë. Kujdes të veçantë Skënderbeu i kushtoi ruajtjes së burimeve të brendshme ekonomike, tek të cilat u mbështet lufta. Duke fuqizuar mbrojtjen në brezin kufitar, në lindje e në jug, ai i dha mundësi banorëve të viseve të lira të zhvillonin një veprimtari ekonomike deri diku normale.

Krahas mbrojtjes së vendit, Skënderbeu i kushtoi vëmendje çlirimit të viseve të pushtuara që ndikoi në formimin e mëtejshëm të lidhjeve më banorët e këtyre viseve dhe në forcimin e bashkimin e të gjithë popullit shqiptar. Aftësitë e Skënderbeut si burrë shteti spikatën edhe në marrëdhëniet me vendet e tjera. Duke pasur të qartë se rrezikut osman mund t’i bëhej ballë me sukses vetëm me forca të bashkuara, Skënderbeu kërkoi pareshtur pjesëmarrjen e vendeve evropiane në luftë kundër armikut të përbashkët.

Në kushtet e pabarazisë së theksuar ndërmjet forcave osmane dhe atyre shqiptare, Skënderbeu përpunoi strategjinë dhe taktikën e tij luftarake, në bazë të së cilës qëndronte mendimi se fitorja nuk mund të varej nga numri i ushtarëve. Ai mbante armikun në alarm të përhershëm, i priste rrugën e fuqizimet dhe, pasi e kishte futur në kurth, e godiste me sulme të fuqishme e të befasishme.

Skënderbeu u shndërrua në simbol të luftës për liri e pavarësi. Ai mbeti një figurë e dashur për shqiptarët edhe pas vdekjes së tij. Kujtimi i tij mbeti gjithnjë i gjallë nëpër këngët, gojëdhënat e tregimet e shumta popullore që i dhanë atij tiparet e një figure legjendare.

Vepra dhe figura e Skënderbeut kishte përmasa dhe rëndësi evropiane. Ai u vlerësua lart nga personalitetet e shquara evropiane të kohës. Këtë e dëshmon edhe fakti së për Skënderbeun është shkruar një literaturë e shumëllojshme, prej qindra vëllimesh, të botuara në shumë gjuhë, dhe në të katër anët e botës. Ndër autorët shqiptarë janë Marin Barleti, Fan Noli, Sabri Godo, Fatos Daci.

Legjenda

Në një rast Ballaban Pasha i dërgoi Skënderbeut një dhuratë: katër kuaj arabë së bashku me një pajisje të shkëlqyer për ta nderuar si një komandant, ndërsa Skënderbeu si përgjigje ia kthen me një dhuratë të e përbërë nga një shkop bariu dhe një gunë, duke i dhënë të kuptojë Ballaban pashës, se do të kishte qenë më shumë më i nderuar të ishte një bari i thjeshtë në fshatin e tij, sesa të tradhëtonte vëndin e tij.

Legjenda e Skënderbeut

Për popullin shqiptar Skënderbeu bënte mrekulli me shpatën e tij.
Në një gojëdhanë thuhet se duheshin tre burra të ngrinin shpatën e tij dhe se ai mund të copëtonte shkëmbinj ose shponte male me të. Me këtë rast, Sulltan Mehmedi i II, që kishte dëgjuar për shpatën e Skënderbeut, ia kërkoi atë si një dhuratë paqeje. Skënderbeu pranoi dhe ia dërgoi, duke shkaktuar habi e frikë në popull. Kur njerëzit e thjeshtë ia çfaqën Skënderbeut arësyen e frikës së tyre, ai qeshi dhe u përgjigj se i dorëzoi turkut shpatën, por jo krahun e tij.

Gjatë një betejë të furishme kundër turqve, që zgjati përtej muzgut, Skënderbeu urdhëroi disa nga ushtarët e tij të gjenin një tufë me dhi. Kur ia sollën, urdhëroi t’i lidhnin pishtarë të ndezur brirëve të tyre dhe t’i dërgonin në drejtim të rreshtave të ushtarëve turq gjatë natës. Turqit besuan, se u sulmuan natën nga trupa të shumta shqiptare dhe u larguan me mendimin se pala kundërshtare ishte më e madh në numër.
Për shërbimin e rëndësishëm të marrë nga ana e këtyre kafshëve, heroin ynë vendosi të përvetësojë imazhin e kafshës si emblemë të tijën, në përkrenaren e tij.

Skënderbeu në shtrat të vdekjes së tij urdhëroi djalin e tij për t’i shpëtuar hakmarrjes turke të largohej me gjithë familjen e oborrin princëror për në Itali. Atje i tha të gjente një pemë ku të lidhte kalin dhe shpatën e tij. Kështu sa herë që të frynte era, turqit do dëgjonin zhurmën e shpatës e tij në ajër dhe hingëllimën e kalit të tij dhe nga frika nuk do ta ndiqnin birin e tij.

Me të përhapur lajmin e vdekjes së Skënderbeut, Turqit vendosën të sulmonin forcat shqiptare sa më shpejt që të përfitonin nga morali i ulët, që ngjarja kishte prodhuar. Komandantët shqiptar vendosën të përdornin një dredhi të pazakontë: morën nga shtrati i vdekjes trupin e pajetë të kreut të tyre dhe e hypën mbi kalin e tij, nxitur në luftë me të gjithë ushtrinë e tij prapa. Turqit, u ndjenë të mashtruar me lajmin e rremë rreth vdekjes së tij dhe u tërhoqën.

——————————-

I. Koleka

GJERGJ EJA

Kaq vjet të thërrasim, Gjergj na shpëto
Nga vetja jonë, natyrisht
Cfarë funksiononte, e hoqën qafe
Dhe vunë shkallmimin, o këtë, o hic
Kush s’qe i një mëndje, i’a mbathi
Nga vetvetja, dhe kësaj radhe
Ti bësh gjërat nga e para
Është stërmundim e lodhje e madhe
Tmerri filloi, kur u sëmur Enveri
Kujt t’i kërkoj hesap më parë
E hodhën në greminë Shqipërinë
Shpëtoi shoferi, kur duhej vrarë
Ne vdiqëm brënda, ose vdiqëm jashtë
Ç’rëndësi ka, të vdekur jemi
Eja Kastriot na shpëto nga vetja
Se pa ty u shuam, këtu është problemi!