Ajet Shala
– SOT 30 Prill 2017 – PËRVJETORI I 18-dhjetë
FRAGMENT NGA ROMANI “BALLISTI”
(NË KUJTIM TË DËSHMORIT TË KOMBIT SEJDI KRALANI)
Natën e një të premteje të ftohtë, në fund javën e parë të dhjetorit, dritësoi një filiz si një abazhur, në shtëpinë e familjes Kralani, në Fortesën e Drenasit.
Në çastin kur erdhi në jetë, toka e ftohtë, u gëzua. Një djalë e preku me trupin e ngrohtë plot energji. Zëri i parë pasi preku tokën si parmenda ugarin, ishte sinjal, ishte një zë i fuqishëm djali. Nënë Hyra nisi të qante nga gëzimi: “E lumja unë, lumja unë për djalin”. Lum bëri edhe konaku që i mungonte për një kohë të gjatë zëri i një të porsalinduri. E që n’ ato çaste shumë i lumtur ishte edhe babai i tij Smajli, por ai tymoste duhan të pështjellur, diku në kazermat e Jugosllavisë. Ishte lajmi i gëzimit për djalin, që ia përtëriu emrin gjyshit Sejdi. Djepit të vjetër të trashëguar nga gjyshja Sela, iu përtërinë ninullat e gëzimit, si çdo djepi tjetër në familjet tipike shqiptare, kur aty përkundet një djalë i shumëpritur, që do t’i dilte zot shtëpisë, atdheut. E n’ ato çaste buzëqeshi edhe pragu i shtëpisë edhe gurët e oxhakut të skalitur si një statujë nga duart e rreshkëta e të vyera të gjyshit Sejdi. Ai ishte lindur në fshatin Kralan të Gjakovës në vitin, 1860, por si fëmijë ishte shpërngulur nga aty së bashku me familjen e tij, fillimisht në Toplicë të Sanxhakut të Nishit për nëntë vite, pastaj detyrohen t’i bashkëngjitën karvanit të të dëbuarve me forcë nga lufta serbo-turke, eksodi i viteve 1877.
Përfundimisht u vendosën në tokat e Drenicës, në Fortesë.
Sejdiu që nga fëmijëria ishte edukuar në frymën e patriotizmit kombëtar, pasi familja e tij ishte e lidhur ngushtë me familjet e shquara për dhënien e kontributit të veçantë në çështjen kombëtare. Nga kuvendet kombëtare të Haxhi Zekës që gjithmonë i mbante në kullën e Shaban Zekës në Kralan, më pastaj familja Kralani ishte e miqësuar më familjen e Bajram Zenës nga Prekazi, (gjyshi i Sejdiut), miqësia e tyre me familjen e krye ballistit Shaban Polluzha. Përkatësisht halla e Sejdiut kishte qenë e martuar për djalin e Shabanit, Ramadanin e deri tek lidhshmëria shumë e ngushtë me Azem Bejtën. Gjyshi i tij Bajram Zena (Meha)ishte krahu i djathtë i Azemit gjer në përfundimin e lëvizjes kaçake ku vritet edhe Azemi. Bajram Zena (Meha) iu bashkëngjit bashkëluftëtarëve të Bajram Currit dhe luftoi kundër regjimit të Zogut gjer në rënien e Bajram Begut, ku edhe u burgos në Krumë të Hasit. Ishte i pandarë nga luftërat për çlirimin e trojeve tona të okupuara nga barbarët serbë. Më pastaj u bë dhe luftëtar në brigadën e Shaban Polluzhës, gjer në mbarim. U torturua dhe u persekutua nga regjimi çetnik serb. Bajram Zena pati vetëm tre vajza, por nuk pati asnjë djalë. Nga të gjithë nipërit e tij ai si djalë të tij e konsideronte gjithmonë Sejdiun, duke mos i thirrur asnjëherë të nipit:
-Eja tek gjyshi por eja tek baba.
E këtë Bajram Zena, si një luftëtar me shumë përvojë e vërente se tek nipi i tij Sejdiu ka një energji, kombëtare si vullkan brenda vetës dhe me plot zgjuarsi. Para se të vdiste gjyshi Bajram, i thërret bijat e tij dhe nipin Sejdiun që ai e mbante si djalë të tij:
-Biri im Sejdi, ti je gjaku im. Një jetë e bëra për bashkimin e tokave tona shqiptare. Tre jetë sikur t’i kisha kësaj toke do ia falja të gjitha.
I drejtohet gruas së tij Nailes gjyshes së Sejdiut:
-Shko, hape arkën dhe sill veshjen time kombëtare, tirq e xhamadan, plis, shokë e mitan që ti vesh biri im Sejdiu. Dua ta shoh të veshur në këto rroba me të cilat kalova shumë beteja e që janë edhe plot vrima nga plumbat e armikut.
Pa një pa dy, Sejdiu edhe pse i emocionuar, i veshi ashtu siç e mësoi dhe siç dëshiroi ta shihte gjyshi i tij. Një pamje e tillë e gëzoi shumë gjyshin e tij, luftëtar i pamposhtur ndër beteja kaçakësh. Gjyshi Bajram Zena (Meha) u bë sikur nuk ndiente më asnjë dhimbje as plogështi. Ia kërkoi dorën të nipit që ta ndihmonte të ngrihej në këmbë, si Gjergj Elez Alia dikur, me shtatë plagë. Pas një kohe të gjatë ngrihet në këmbë dhe e ledhaton nipin e tij, Sejdiun:
-Biri im, uroj ta bartësh me shëndet këtë veshje betejash, që unë e ruajta me shumë kujdes, për ta përcjellë tek ti. Tani e tutje je ti që do i del zot, dhe s`do m’i koritësh tirqit e plisin!
Sejdiu u emocionua pa masë. E tradhtuan lotët nga emocioni, por edhe nga urrejtja që ndiente në palcë për armikun shekullor serbosllav.
-Dëgjo, o Babai im Bajram Zena, të betohem në këto rroba e në këtë plis të përgjakur, në këtë flamur që deri sot mbajte të mbështjellë në arkën e gjyshes, se do luftoj gjithmonë për bashkimin e trojeve shqiptare, deri sa rrjedhë gjaku yt në damarët e mi.
Gjyshit, Bajram Zenës sikur i pushuan dhimbjet.
U ul në shtratin e tij për ballë nipit të tij Sejdiut dhe mbeti duke e shikuar thellë. Nipi i tij sillej dhe shikonte veten të veshur me ato rroba që edhe më shumë ia fuqizuan idealin e tij për bashkimin e trojeve.
Flet Bajram Zena:
-Dëgjo, biri im, tani e kam më të lehtë vdekjen, pasi ti ma solle vetë Azem Bejten këtu në konakun tim, është veshë që e barta gjatë gjithë luftës kaçake si luftëtar besnik i tij deri në çastin kur ai u vra dhe na e la amanet që ta varrosim në shpellën e quajtur “Çuku që kërcet” mbi shtatëdhjetë metra e thellë në fshatin Përçevë.
Edhe unë jam i bindur se ti s’do ma koritësh plisin dhe këta tirq.
-Betohem se do ti ruaj dhe mbaj me nder,- ia ktheu nipi Sejdiu, duke e ndihmuar të shtrihej në shtratin e tij për herën e fundit më 9 mars 1979.
Pas dy tre orësh ndahet nga jeta, kaçaku i maleve luftëtar për bashkimin në një Shqipëri.
Sejdi Kralani asnjë herë nuk u pajtua me regjimin gjakatar serbosllav. Gjithmonë u mor me aktivitete në lëvizje të ndryshme kombëtare e përfundimisht në atë të Ballit Kombëtar Shqiptar “ BKSH”. Më 1986 bëri betimin e tij në një kuvend mbajtur në kullën e Shaban Polluzhës, ku edhe mori nofkën “Ballisti” që e mbajti me shumë nder
Sejdiu bashkë me Ymer Elshanin dalin jashtë vendit. Në fillim ndalen në Shqipëri në vitin 1993. Atje qëndruan për gjashtë muaj. Pastaj me ndihmën e një oficeri arrijnë të pajisen me pasaporta të Republikës së Shqipërisë dhe vazhdojnë rrugën për në perëndim, pikërisht në Zvicër.
Edhe atje vazhdon aktivitetet e tij politike për BKSH (Ballin Kombëtar Shqiptar), ku qëndron dhe merret me aktivitete kombëtare deri sa Kosovën e mbuloi flaka nga ofensivat serbosllave. Më datën 02.02.1998. Sejda “Ballisti” kthehet nga mërgimi dhe hyn në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për t’i dalë në mbrojtje atdheut. Për këtë ishte betuar para gjyshit, se do luftonte gjer në vdekje për një ideal, për një Shqipëri. Këtë e bëri me simbolin më madhor të kombit tonë që nga pellazgo-ilirët e deri sot që ishte plisi i bardhë mbi kokë me shkabën dy krenare të ballit. Me atë plis të gjyshit Bajram Zena (Meha) që u përgjak ndër luftëra. Kreshniku e pasuroi brezin edhe me patllaken e mbaruar me duart e tij. Një ditë me të i shkëputi kokën nga trupi paramilitarit serbosllav.
Betejat me barbarët serbë vinin duke u shtuar, e Sejdiu gjithmonë e ndiente në shpirtin e tij se aty duhet të tregohet se s’ka rrugë tjetër vetëm lufta për çlirimin e Kosovës dhe ribashkimin e atdheut. Kur e panë me uniformë në Likoshan, të gjithë shokët e idealit u befasuan, pasi e dinin që ishte në Zvicër. Ideali, malli për atdheun e urrejtja për armikun bën që ai të jetë njëri ndër të parët kur edhe filluan ofensivat shfarosëse serbe. Sejdiu së bashku me shokët edhe formuan pikën mbrojtëse të UÇK-së, në Dobroshefc, tek vendi i quajtur “Guri i Plakës”. Lufta sa vinte dhe zgjerohej pasi okupatori serb filloi me masakrat gjenocidiale, në Qirez e Likoshan e Prekaz ku ra heroikisht edhe komandanti i përgjithshëm i UÇK-së Adem Jashari. E nga mllefosja e asaj goditjeje edhe më shumë u mobilizuan në ushtri, Sejdiu dhe shumë nga shokët e tij si: Gani Prenku, Xhelil Prenku, Jashar Jashari, shkojnë në Junik që të armatosen.
Furnizohen me armë që arrijnë nga Shqipëria që ishin destinacion për tek ta dërguar nga Jahir Prenku, i cili në atë kohë qëndronte në Tiranë. Më 22 mars 1998 përqendrohen në Kullën e Hysen Prenkut që u shfrytëzua si Shtab në atë anë, në të cilin vend merrnin vendime të rëndësishme strategjike dhe bëhej furnizimi i pikave si Guri i Plakës, Zhilivodës. Trimëri dhe aftësia e Sejdiut në plane organizative strategjike bënte që prezenca e tij të jetë e domosdoshme gjithë herë në rajonin ku vepronin njësitë e Ushtrisë Çlirimtare, Hade, Likoshan, Hamidije, në Bellaqefc ku mbetën shumë të vrarë nga forcat serbe, më 22-23 shtator në një ofensivë të rreptë në Bjeshkët e Qyqavicës. Më 25-26 shtator 1999 zhvillohet ofensiva më e tmerrshme e forcave serbe në fshatin Dobrosh, ku përballja me armikun ishte nga afër deri në pesë metra. Pastaj tek vendi i quajtur “Gumuri me thera” Gani Prenku, Sejdi Krelani, Nazmi Prenku, Xhelil Prenku, Luan Prenku i shkaktojnë humbje të mëdha armikut. Ndër kohë Sejdiu shkonte t’i vizitonte familjarët dhe shumë qytetarë të strehuar aty në fshatin e tij Fortesë. Malli për të ishte shumë i madh, se ishin mbi 5 vite që ai qëndroi në Zvicër. Sejdiun për gjithë ato vite, as dashuria për fëmijët, për bashkëshorten Nexhmijen, babë Smajlin e nënë Hyrën, vëllezër e motra, e gjithë farefisin nuk arriti ta sjell qoftë edhe vetëm një ditë, për t’u çmallur me ta. Sejdiun në Kosovë e sollën krismat e para të lirisë nga okupatori shekullor, barbar, fashizoid, serbosllav. Ishte ideali i tij i grumbulluar në vite, ishte pushka e urrejtjes për armikun që e solli, duke e nderuar plisin e përgjakur të gjyshit, Bajram Zenës, me shkabën prej ballisti.
Kur ecte edhe toka sikur gëzohej edhe fushat bleronin duke shtuar lulnajat me bozhure të lirisë. Ajo krenari e tij sikur ngjalli dhe ngriti moralin e luftës në gjitha anët nga do ku “Ballistin” e shikonin. Gjithmonë i guximshëm, i buzëqeshur dhe gjithmonë duke kënduar në çaste pushimi të luftëtarëve. Zëri i tij ishte jehonë lufte e kushtrimi.
Një ditë prilli me diell pranvere “Ballisti” arriti në oborrin e tij. Gjeti nënë Hyrën që kishte rrokur veshjen kombëtare, të vëllait Bajram Zena (Meha) që ia pat dhënë birit të saj Sejdiut, pak çaste para së të vdiste.
– Po si të kam, moj nëna ime shumë e dashur?
– Mirë, o biri im!
– Po çfarë ka ndodhur moj nënë?
– Hyrë, çfarë keni mbështjellë aty?
Nënë Hyrës sikur i iku zëri dhe iu shterua fjala,
– Po, po, këto rroba janë veshë e babait. Tani janë rrobat tuaja dhe isha duke menduar se ku mund ti siguroja, ti fshihja, që të mos bien në dorë të armikut e të digjen. Janë amanet.
Sejdi Ballistit sikur iu shtua meraku. N’ ato çaste e zuri nënën me rroba në dorë, që iu bë sikur e priste që biri i saj t’i veshë. Ia rikujtoi babanë e saj Bajram Zenën (Mehën), trim luftërash.
-Moj, nëna ime e dashur, m’i jep ato rroba të gjyshit t’i vesh! Dua ta takoi edhe babë Smajlin dhe të gjithë familjarët.
-Biri im, hyn e çmallu me fëmijët, me gruan Nexhmijen ka kohë që s’keni qenë në shtëpi e as gjumin s’ kemi arritur ta bëjmë si duhet nga meraku.
Sejdiu filloi t’i vesh tirqit, shokën e xhamadanin.
Plisi i bardhë me shqiponje i shkëlqente si bora mbi bjeshkët e Qyqavicës. Koburen e futi në shokën e shkruar me ngjyrë kuq e zi dhe ngjante sikur atë n’ ato çaste të mbërrinte Isa Boletini. Nënë Hyrës iu mbuluan sytë me lot nga malli për babanë, por edhe nga gëzimi e emocioni që biri i saj shkëlqente si nuri.
-Po me thuaj, moj nënë, si dukem? A i ngjaj gjyshit tim Bajram Zenës (Mehës)?
Nënë Hyra s’arrinte për momentin të nxirrte asnjë fjalë nga gulçimi, por edhe nga meraku për të birin.
– Po, biri im, tani unë brenda në këtë veshje kombëtare e shoh babanë tim Bajram Zenën, të shoh edhe ty, që aq shumë i ngjan me burrëri e trimëri.
Sejdi Ballisti u gëzua pa masë, e ledhatoi nënën Hyrë dhe e falënderoi shumë, e pa një pa dy “Ballisti” vuri dorën majë krahut dhe ia mori këngës më të preferuar të tij. Në ato anë ishte bërë si një himn flamuri, si një kushtrim, për liri.
“Heee, moj Shqipni, eee mos thuaj marova
Ani se djemtë t’u iju ee hala janë gjaa iall eee,
Ooo n’kamë asht çue more rreptë o Kosooijova
E bajnë luftën oo ballë për ba ijall eee”.
Kënga nxori nga shtëpia babanë Smajlin dhe mikun e tyre Ramadan Kastratin, djalin e Shaban Polluzhës, që në ato çaste kishte qenë duke dalë e gjithë familja për ta pa kreshnikun që tani këndonte me aq shumë energji dhe dëshirë për lirinë. Ishin çaste kur armiku gjakatar s’dinte ku ta fshihte kokën nga bombardimet e Nato-s, por edhe nga njësitet e UÇK-së.
Ramadani kishte mbetur duke e shikuar. Sikur edhe një herë iu ngjall baba Shabani, kurse babë Smajlit i vezullonin sytë nga lotët që përpiqej ti ndalonte. Sejdiu mbaroi këngën, ledhatoi babë Smajlin, dhe iu drejtua:
-Janë lot gëzimi, o baba im i miri, andaj të gjithë duhet të gëzohemi se koha për armikun po mbaron tani më është duke numëruar ditët e fundit, të pushtimit.
Qëndroi për një orë aty me gjithë familjarët për rreth, dhe iu tha:
-Duhet të shkoj në shtab, atje ku me pret detyra.
Nëna, fëmijët, gruaja Nexhmija dhe të gjithë mbetën të shtangur rreth tij dhe sikur tregonin dëshirën që ta ndalnin gjer të nesërmen. Ishte e kotë. Sejdiu, ashtu si ishte i veshur hapëronte për gjatë oborrit të pjerrët. Nënë Hyra sikur s’arrinte t’i bënte hapat nga meraku. Sejdiu iu drejtua”
– Moj, nëna ime e dashur, kam lindur dhe jetoj për këto ditë Do ta mundim armikun dhe ta gëzojmë lirinë së bashku të gjithë.
Sejdiu vazhdoi ashtu sikur aty të kishte zbritur vetë Isa Boletini,
-Unë po shkoj te shokët edhe ata do kenë dëshirë që të me shohin kështu të veshur me veshje kombëtare.
Pranë shtabit nga një lëndinë, Sejdi Ballisti me dorën majë krahut prapë ia mori këngës.
“Heee, moj Shqipni, eee mos thuaj maro ioo va
Ani se djemtë e tu iju ee hala jan gjaa iall eee,
Ooo nkamë ashtë çue more rrept o Kosoo ijova
E bajnë luftën oo ballë për ba ijallë eee”
I gjithë shtabi doli ta shikojë dhe dëgjojë, por, kur panë një skenë të tillë, sikur në skenat më të mëdha metropolitane të përgatitura mirë nga skenarist me famë. Të përlotur të gjithë së bashku vazhduan këngën dhe bën të kumbojë mali dhe fusha dolën i gjithë Dobrosheci, të dëgjojë trimat e lirisë.
– Të lumtë, o Sejdi Ballisti! Sot sikur ti na e solle lirinë në tokat tona të lashta.
Sejdiu kishte një karakter të fortë dhe moral të lartë ushtarak. Ashtu qëndroi plot dy javë së bashku më shokët në pikat e caktuara, në istikame lufte.
Kështu arriti fundi i muajt të kuq prillan. Sejdiu u drejtohet shokëve që do të shkon me kujdes nga aty për në fshatin e tij Fortesë, ta vizitojë familjen dhe mijëra qytetarë nga rrethi që ishin të strehuar në fshat. E kishte lënë edhe automatikun aty në shtab sikur të nesërmen do të kthehej prapë. Merr vetëm dy granata dore dhe patllaken e shkurtër dhe niset për në Fortesë. Arrin tek shtëpia e tij sigurtë, por herët të nesërmen para mëngjesit ishte rrethuar i tërë fshati Fortesë me shumë fshatra të tjera për rreth dhe kishte filluar një ofensivë shfarosëse e armikut.
Dëshmori Sejdi Krelani po e vërente se aty kishin zbarkuar edhe një numër shumë i madh i popullatës nga fshatrat e banuara për rreth. Dhe trimi tani më kishte vendosur që deri në vdekje të mos zmbrapset nga istikami. E ai para se të shkonte tek istikami i Fortesës, në Kokil, iu kishte afruar pranë nënës Hyrë, e përqafoi dhe e puthi për të fundit herë, bijën e Bajram Zenës (Mehës) nga Prekazi, nënën e tij loken e madhe, që i dha gjak të pastër në damarët e tij, e rriti me gjirin e saj, duke i kënduar ninulla kreshnikësh të lirisë. I kishte folur për gjyshin e tij, krah i djathtë i Azem Bejtës, në luftërat kaçake, 1918-1925 e më pastaj bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës.
E pra ky është kush tjetër veç babai i nënës Hyrë, Bajram Zena nga Prekazi, gjyshi i të madhit trim dëshmor, Sejdi Krelani. Pa nënë Hyrën të mërzitej. Ia njihte mirë karakterin, vendosmërinë e birit të saj. Ai nuk flet dy herë për gjëra të tilla me peshë kombëtare. Biri i saj, Sejdiu kishte kohë që ishte betuar, në kullën e Shaban Polluzhës, krye ballistit të kombit. “Luftë deri në bashkimin e tokave shqiptare dhe krijimin e Shqipërisë natyrore, ashtu siç e ka krijuar zoti vetë”. Atë e tradhtuan lotët e zemrës. E Kreshniku me të dy duart ia fshiu lotin nënë Lokes.
– Nëna ime e dashur dhe ma e madhe se kjo tokë, që sot po digjet nga flakë e barotit dhe po laget me gjakun e bijve dhe bijave tona më të devotshëm. Nga ky çast kurrë ma lot në syrin tënd s’duhet të shihet. Vetëm nëse një shkja do arrijë ta vrasë me duart e mia e të marr hak për vëllezërit dhe motrat e rënë paraprakisht për këto troje. Unë po nisem, Nënë, dhe nuk dihet se si do shkoi puna dhe a do shihemi. Mos harro porosinë! Mos më qaj vetëm edhe një shkja nëse vras”…
U nis trimi drejt Kokilit. Ecte 10 hapa dhe kthente kokën mbrapa për të pa nënë Loken se a po qante. Nënë Hyra, njërën dorë mbante në zemër e me tjetrën përshëndeste birin që sa shkonte dhe largohej, dhimbja dhe frika shtohej.
E nënë Hyrës i bëhej sikur për të fundit herë i rrëshqiti si një kristal nga duart e ra mbi gurët e Kokilit. Trimi hapëroi gjithë ato shkurre e kodrina deri sa arriti në Kokil. I dukej se ata gurë ia dëshironin gjakun e tij të ngrohtë dhe të pastër. Që nga gjyshet e stërgjyshërit e tij. Nga Kralani i Gjakovës, nga Dukagjini. Gurët e Kokilit, sikur flisnin me gurët e Kullës të katragjyshit të tij Shaban Zekës.
Në atë kullë dikur mbaheshin kuvende trimërie për bashkimin e trojeve dhe dëbimin e okupatorit turk nga trojet tona arbërore. Aty kolosi i madh Haxhi Zeka mbante gjithmonë kuvendet. Atë ditë sikur edhe gurët e mullirit flisnin me gurët e Kokilit, për rezistencën dhe ballafaqimin e stërgjyshit të Sejdiut, Rrahmanit, që atu vrau në Mulli dy Zabit të mbretit, që i kërkonin haraç të dyfishtë. Tiktaket e çakejve të mullirit të Shaban Zekës, u përzien me tik-taket e patllakes së kreshnikut Sejdi Krelani. I këndonte Koburja, mjeshtri e duarve të arta, të tij për kokën e shkavellit. Atë ditë edhe lule bozhuret të mbira mbi gur, e donin gjakun e trimit, që ta kuqëlonte tokën arbërore dhe flamurin e tij që gjithmonë e mbajti në gji. Atë ditë prillani i kuq, ja donte gjakun që ta kuqëlonte edhe plisin borë, që shkaba të mbetej aty përherë në plisin e kuq si një flamur i përjetësisë, mbi ata gur. Zuri pozicionin me ata pak armatim që i kishte ngecur. Kishte patllaken e tij të punuar me duart e veta, për atë ditë pavdekësie. Kishte edhe dy bomba në brez. Pas pak çastesh arrin pranë tij edhe Hoxha Driton Kastrati, bashkëfshatar i tij.
– Poo a ka vend edhe për mua ooo Sejdi Krelani?
– Po, vende sa të duash o Hoxhë, Vërboci dhe Kokili kanë hapësirë të mjaftuar. Po ja që këtu gjendemi vetëm ne dy e serbet po afrohen dhe i gjithë fshati është në rrezik. Po ti ja merre njërën nga këto dy bombe që kam se mund të hynë në punë. E ti vendos vetë se unë kam vendosur të luftoj deri në vdekje. Nuk do të zmbrapsem nga ky vend as edhe për një metër.
Pas pak filluan të shihen të afroheshin barbarët serbë, dhe u afruan fare pranë. Njëri nga ata i shkon drejt Sejdiut ku kishte zënë pritën prapa gurëve.
E pret deri sa i vjen fare pranë tij. Pa u hamendur ngrihet dhe me patllaken e tij ja mbush drejt kokës së paramilitarit, duke ja hedhur kokën në erë. Tani trupi i asaj ngordhësire ra si një palaço për tokë. Kreshniku heq edhe bombat nga brezi ia hedh njërën bombë. Pastaj edhe tjetrën. Krijon një hapësirë për rreth. Vrapon dhe i merr automatikun armikut, ushtarit që e kishte vrarë. dhe kthehet në istikam. Fillon prapë luftën plotësisht i vetmuar. Nis këngën e rapsodit Dervish Shaqa:
“Heee moj Shqipni eee mos thuaj maro ioo va
Ani se djemtë e tu iju ee hala jan gjaa iall eee,
Ooo n’kamë ashtë que more rrept o Kosoo ijova
E bajnë luftën oo ballë për ba ijallë eee”
Zemra iu bë mal trimit, nga gëzimi se tani më porosinë e nënës Hyrë e dinte se do t’ia çojë në vend dhe do e dhjetëfishojë. Ashtu siç këndonte trimi i këndonte edhe gryka e automatikut. Rrotullohej mbi gurët e Kokilit. Hoxha edhe pse kishte marrë gjashtë plagë, pas kësaj rezistence të trimit Sejdi Krelani, kishte arritur të largohej nga aty së bashku edhe me gjashtëmbëdhjetë djelmosha të rinj që ishin strehuar aty dhe për rreth Kokilit arrijnë që të largohen deri sa Sejdiu mbante vijën frontale kundër paramilitarëve për ballë. Kreshniku Sejdi, pasi kishte zënë atë pozicion shumë strategjik kishte vendosur që të mos lëvizte nga aty deri në fishekun e fundit. Nga fshati dëgjoheshin duke brohoritur.
– O të lumtë pushka, o Sejdi Kralani! Pushka top për armikun. Armiqtë e panë se pa u dëmtuar bukur shumë s’do arrijnë të kalojnë Kokilin.
Angazhojnë një numër snajperistësh që e vëzhgonin atë zonë dhe nga larg e qëllojnë për vdekje kreshnikun e Kokilit, dëshmorin Sejdi Krelani, të cilit i kishte mbetur buza në gaz.
Nënë lokes Hyrë, vetëm një orë më herët i pat thënë:
“Mos me qaj, nëna ime e dashur, vetëm edhe një shkja nëse e vras. E trimi vrau shumë shkije barbarë me gjak prej hiene. E plisi i bardhë ishte skuqur nga plagët e tij.
Kishte mbetur aty si një pëllumb i bardhë lirie dhe ngjitet lart për të mos rënë më kurrë. Hero Sejdiu si një engjëll i shenjtë do qëndrojë në përjetësi. Ofensiva e 30 prillit dhe 1, 2 e 3 Majit të vitit 1999 ishte e egër. Makineria serbe me forca të mëdha kishte rrethuar edhe sulmuar shumë fshatra edhe përreth Fortesës, Kodër, Qëndresë, Polluzhë, Bletar, Baks, Dashevc, duke bombarduar me artileri të rëndë dhe duke mos kursyer as djegien e shtëpive. Në këtë betejë shfarosëse ra në fushën e nderit edhe komandanti Ilaz Kodra, bashkë me dyzetë ushtarë të UÇK-së. Armiku pësoi humbje të mëdha prandaj edhe filloi të hakmerret në popullatën civile, duke vrarë 235 civilë, ndër ta edhe fëmijë nën moshën 16-vjeçare.
E nënë Hyra më tha se në vendin ku ra biri i saj shkon përherë.
Kur i prek shpesh gurët e Kokilit, më duket se prek dhe dorën e tim bir, Sejdiut. Sikur prek një ikonë, sepse është ikona e lirisë, ikonë e lirisë së tokës nënë. Qëndresa e tij lë për të kuptuar, se toka arbërore rrallë lind trima të tillë me ideal kombëtar të qëndrueshëm dhe të pathyer.
Ajet Shala “Ajhasha”. Ch
Korrik, 2015