NË NJË DITË, TË PRAGUT TË NËNTORIT…

0
893
Bardhyl Xhama - Murat Gecaj - Sejdo Harka

Nga e djathta: Bardhyl Xhama, Murat Gecaj e Sejdo Harka (Tiranë, 30 tetor 2016)

Skicë:

Nga: Murat Gecaj

1.
Kush ka thënë që njerëzit, kur dalin në pension, nuk kanë punë dhe e kalojnë kohën kot? (ha,ha) Mund të ketë arsyetime e përgjigje të larmishme, rreth kësaj pyetjeje. Ndërsa, sigurisht, edhe unë kam mendimet e mia, për të…

Nga praktika e këtyre viteve të fundit, kur mbusha moshën e caktuar e dola në pension, pothuajse, asnjëherë nuk e kam ndierë vetën “të papunë”. Pra, çdo ditë jam marrë me diçka të dobishme, si për të kryer detyra familjare, vetjake ose shoqërore. Nuk është rasti t’i përmendi të gjitha ato, por shënoj se kam marrë pjesë në përurime librash ose në përvjetorë ditëlindjesh të kolegëve e miqëve të mi, në veprimtari kulturore e shkencore, që janë organizuar në kryeqytet, por dhe jashtë tij, si në Durrës, Lezhë, Shkodër etj.

Ndërsa pjesën më të madhe të kohës së lirë ia kam kushtuar punës në kompjuter. Aty kam shkruar e dërguar për publikim, në shtyp e në internet, skica, njoftime ose reportazhe, nga pjesëmarrja në veprimtaritë e organizuara në kryeqytet. Por dhe kam shkëmbyer mesazhe me miq e të njohur, si nga trojet amtare, por dhe në diasporë, deri në Amerikë e Kanada. Pjesë e punës sime në kompjuter janë edhe recensionet, skicat ose bisedat e ndryshme me krijuesit tanë, të cilët jetojnë në Shqipëri, Kosovë, Mali i Zi, Preshevë e Maqedoni, por dhe në diasporë.

Kur më është dhënë mundësia financiare, kam publikuar ndonjë libër, publicistik ose studimor, siç ishte ai më i fundit, “Për ju, krijuese”(Tiranë, 2015). Në vazhdim të këtij botimi, me synimin për t’i mbështetur sadopak ose për t’i bërë sa më të njohura femrat krijuese, kam të gatshëm edhe afër 60 shkrime të tillë, të cilët mund t’i botoja në një libër.Por, siç dihet, autori tani përballet me vështirësi financiare edhe për shkakun, se pak blejnë lexuesit tanë, bile edhe ata, për të cilët ti mund të keshë shkruar në librin tënd.

Ja, pra, a nuk flet sadopak edhe kjo përvojë e imja, se pensionisti nuk është “i papunë”?!(ha,ha) Se, kështu si unë, edhe Bardhyli, Vironi, Sejdo, Ibrahimi, Kadriu, Bajrami dhe të tjerë kolegë e miq tanë, nuk e kalojnë kohen kot, por janë veprimtarë të dalluar shoqërorë, shkruajnë e publikojnë, artikuj e libra me vlera.

2.
Ju kërkoj të falur, të dashur lexues që, në hyrjen e kësaj skice modeste, dola jashtë temës! E, dikush, mund të më pyeste: “A doni më pr belulin?” Pra, e kisha diku tjetër fjalën, se përse u ula të shkruaja sot. Sepse është edhe një praktikë tjetër e jona, që njihet dhe të cilën e zbatojnë shumë pensionistë. Pra, kur na jepet mundësia, takohemi në ndonjë lokal të kryeqqytetit, “për kafe” siç themi ne. Por, në fakt, aty çmallemi me njëri-tjetrin, flasim për familjet tona dhe, sidomos, për pasardhësit, disa nga të cilët ndodhen në shtete të ndryshme të Europës e deri në Amerikë ose Kanada.

Sipas dëshirës, grupime të tillë, pjesëmarrësit i kanë pagëzuar me emra të ndryshëm. Kështu, siç më ka treguar miku im, publicisti e shkrimtari B.Xhama, disa pjesëmarrës e quajnë grupimin e tyre “Parlamenti i Fterrës”. Ata e kanë një local e një ditë të caktuar të javës, ku mblidhen bashkërisht.

Ndërsa ky mik i yni, Bardhyli është anëtarësuar edhe në një grupim tjetër, të cilin ka vite, që e kemi dhe e vazhdojmë, me emrin “Kompania lëvizëse”. Nuk është e vështirë ta kuptosh arsyen, se përse e kemi quajtur kështu. Megjithatë, po tregoj se ne nuk kemi një lokal të caktuar, pra fiks, ku mblidhemi. Sigurisht, nuk e shëtisim gjithë kryeytetin, por janë vetëm 4-5 lokale të tillë, ku ne jemi mbledhur, shpesh herë.

Rastin më të fundit e kishim pikërisht sot, kur u takuam në afërsi të Medresesë së Tiranës ose, siç ia njoftojmë njëri-tjetrit, “Te dy kuajt”, pasi anash hyrjes kryesore janë dy skulptura të tilla të vogla. Kur arrita atje, pasi dhe koha ishte me diell, gjeta të ulur rreth një tavoline, në ajër të pastër, kolegët e miqtë e mi të kahershëm, Bardhyl Xhamën, publicist e shkrimtar e “Mësues i merituar” dhe arsimtarin, publicistin e studiuesin Sejdo Harka. Përshëdetjen e parë, ne e bëmë me “shishkat” e rakisë, shoqëruar me nga dy karamele, me të cilat na gostiti Bardhyli. Pastaj e pyetëm njëri-tjetrin për shëndetin dhe për njerëzit tanë në familje.

Siç është e zakonshme, në bisedat tona ishin të pranishëm dhe kolegë ose miq tanë, anatarë ose jo të “Kompanisë lëvizëse”, si shkrimtari i mirënjohur e publicisti Viron Kona. Gjithashtu, folëm për arsimtarin e publicistin Ibrahim Hajdarmataj, i cili ishte këto ditë në Tiranë dhe dje u kthye në vendlindjen e tij, pra në fshatin e bukur Zogaj, të Malësisë së Gjakovës (Tropojë).

Sakaq, kur bisedat tona vazhdonin, mori në celular, nga qyteti i Durrësit, miku ynë i përbashkët, arsimtari veteran dhe publicisti Kadri Tarelli. Përveç përshndetjeve të rastit, me secilin nga ne, ai shprehu dëshirën që të kishte në bibliotekën e tij, njërin nga librat e Bardhylit. Sigurisht, ky u tregua i gatshëm që t’ia dërgojë njërin nga librat e tij më të mirë, sa më shpejt që të jetë e mundur. Se, tashmë, ne e dimë që Kadriu jo vetëm që i lexon me kënaqësi librat e miqëve të tij, por pastaj edhe shprehet bukur rreth tyre, si në shtyp e në Internet. Ne e pyetëm për të dhe i dërguam të fala edhe mikut tonë, në atë qytet bregdetar, arsimtarit veteran e studiuesit Bajram Gashi.

…Minutat e takimit tonë të sotëm kaluan mjaft shpejt, pra pa u ndjerë. Megjithatë, duhej të ndaheshim, për t’u riparë përsëri, së shpejti. Ndoshta, atëherë në grupimin tonë, “Kompania lëvizëse”, do të vijnë, si gjithnjë, kolegë e miq të tjerë.
Për ta dëshmuar e patur kujtim të paharruar edhe takimin tonë të sotëm, ne bëmë disa fotografi të përbashkëta, njërën nga të cilat po e bashkëngjes, me këtë skicë modeste.

Tiranë, 30 tetor 2010