Lec Zadeja gjatë një aktiviteti
Një jetë kushtue arsimit e edukimit të brezave.
Nga Pjeter Logoreci
Për çdo shkodran, sidomos moshat e mesme e shkue, figura karizmatike e mësuesit Lec Zadeja asht e njohtun, jo vetëm nga paraqitja e tij, por shumë kush mund t’a ketë takue atë në ndonji orë mësimi zyrtar apo privat, në ndonji sallë konference shkencore, aktivitet kulturor, historik apo sportiv. Në shoqninë e ambientet shumë kulturore të qytetit, por edhe në fshat, Lec Zadeja ishte kudo prezent e aktiv edhe mbas pensionimit.
Personalisht, mësues Lecin, e njoha në rrethet shoqnore, ku mblidhej ajka e intelektualëve të qytetit të Shkodres, ku edhe ai bante pjesë. Në këtë shkrim për figuren e tij, dishroj me i sjellë brezave të ri, ato çka ndiva e çka msova prej tij e miqve të tij intelektual.
Lec Zadeja, i biri i Luigjit e nanë Shaqes, kje lindë në Shkodër me 6 qeshor 1927. I ati ishte me zejë marangoz, ndërsa e ama Shaqja, grue shpijake. Ishin nji familje e thjeshtë qytetare ku njihej humori, mbasi Luigji ishte figurë e dashtun si gaztor e per bejta, por edhe si personazh i përhershëm ndër karnavalet e qytetit. Luigj nuk e pat jeten e gjatë dhe vdiq nga tuberkulozi kur Leci, 14 vjeçar, pat ma nevojë se kurrë për baben e vet. Mbas dekës së babës, për Lecin u kujdes daja i tij, Pjetri.
Qysh i vogël, Leci u dergue në nji foshnjore afër shpisë, që njihej me emnin e msueses, si “Shkolla e Lenës”, e prej aty në Kuvendin e Motrave Servite. Mësimet e fillores i mori në “Shkollen e Dugajve të reja” deri sa ju gjet vend në Shkollen Fillore Françeskane. Ndër françeskanë vazhdoj edhe Gymnazin “Illiricum” e ishte pjestar i grupit koral Scola Cantorum që drejtonte At Martin Gjoka. Kur kjo shkollë kje mbyll prej komunistëve, për të krye maturen ju desht me hy në Liceun e Shtetit, ku u diplomue në nandor 1947.
Për nevoja të ekonomisë familjare, Leci filloj të punojë (nënpunës) daktilografist për Shpinë e Kulturës në Shkoder e, mbas, në Fabriken e Çimentos, deri sa u punësue aty ku ishte deshira e tij, në Seksionin e Arsimit si mësimdhanës e edukator në kurset e sapo hapuna për pedagogjinë. Me mbarimin e Kurseve Pedagogjike, vazhdoi me dhanë mesim në shkollen 24 Maji e atë të mbramjes.
Nga përvoja e krijueme e dhuntia pedagogjike, u caktue drejtor i shkolles 7 vjeçare të Oblikës, ku punoi me përkushtim deri sa u thirr ushtar. Mbas shërbimit ushtarak në Tiranë, arriti të plotësojë ambicjen e tij, të marrë diplomen për Gjuhë e Letersi në Institutin Pedagogjik Aleksandër Xhuvani në kryeqytet.
I paisun me virtyte të nalta, talent, disiplinë e dëshirë për punë, drejtoi me aftësi shkollen e Gruemirës, të Mjedës e dha eksperiencen e tij si mësues në shkollen e Gurit të Zi, në Seksionin e Arsimit të Rrethit Shkoder si inspektor, por edhe në Institutit e lartë Pedagogjik si shef i administratës. Ndër kohë plotësoi studimet e larta për Gjuhë / Letersi në ILP e dha mësim në shkolla të ndryshme në qytet; Shkollën Pyjore, Mjeksore… deri sa duel në pension pas 35 vjet pune në arsim. Por edhe pse në pension, Leci ishte pedagogu i parë që dha landen e Latinishtes në Universitetin e Shkodres.
Lec Zadeja ishte një burrë shumë i dashtun dhe i respektuem në Shkodër. Studentët, xansit, kolegët e shkodranët ishin familja e tij. Ishte burrë i dijtun dhe gjithmonë i gatshëm me ndihue kedo që i drejtohej për ndihmë. Ishte atdhetar i flakët e luftonte me të gjithë qenien e tij për t’ju ba të dijtun rinisë (xansave) trashigiminë kulturore, gojore apo monumentale që Shkodra e Shqipnia ka.
Jetonte i vetëm me nanen në nji shpi të thjeshtë përdhese, por karakteristike shkodrane, me oborr, pus, lule borë e lule vile, me derë të vogël e karakteristike oborrit, që tregonte për vjetërsinë e saj. Oborri kishte lulishtë e shteg kalldrëmi që të qonte në hymje të shpisë, ndërsa ambientet e mbrendëshme ishin një muze i vertetë etnografik. Leci kujdesej për çdo detaj, e sidomos ndër festa, kush i shkonte mik, përjetonte nji ceremoni pritje, që veç ndër shkodranë me traditë qytetare mund ta gjeje.
Unë i shkojshe çdo vjet, diten e Shën Kollit, që ishte dita e tij e emnit, e Leci, perveç se me raki e kafe, më nderonte me reçel shpije që e punonte vetë. Ishte veçanërisht krenar që pat kushri i Dom Ndre Zadejën, poetin e amelcisë, për jeten e të cilin, kishte mbledh material e informacione që arriti ti botojë në dy vëllime në vjetin 1995/96, tuj ja shtue kto vepra kulturës shqiptare. Leci filloj të shkruente qysh vitet 1943/ 1944 nën pseudonimin LEJA. Ishte korespondent i disa gazetave si: Sporti, Mësuesi, Puna, Bashkimi, Jeta e re, Illiricum, ku botonte shkrime e dhjetra artikuj mbi jeten sociale, kulturore e arsimore të qytetit, muzetë, traditat, spartakiadat, përvjetore të ndryshem personazhesh apo klubesh e institucionesh, por edhe mbi luften kundër analfabetizmit.
Ishte bashkëpunëtor i Revistave: Kumbona e së Dieles, Fjala e Paqës, Rreze Drite, Vegim Drite, Phonix, Buletini Katolik Shqiptar (që botohej në San Françisko), por edhe i Radio Tiranës, Radio Shkodres e Radio Marisë. Në aktivitetin e tij si gazetar, ai botoj si mbrenda por edhe jashtë vendit shumë skica, reportazhe, portrete apo materiale shkencorë. Në periudha të vështira ekonomike, Leci ishte i detyruem që punimet e tija ti lidhë ndër vëllime (dispencë), tuj pritë mundësinë ekonomike me i botue. Janë të njohtuna punimet e tij (të mbetuna në dispencë):
Zhvillimi i arsimit parashkollor 1945/74.
Zhvillimi i arsimit pa shkëputje nga puna gjatë viteve 1945/55.
Mësuesi edukator dhe veprimtar shoqnor gjatë viteve 1945/74.
Studimet mbi Drejtimet kryesore të arsimit parashkollor 1945/60.
Librin “Luigj Zadeja, bejtaxhi shkodran.
Librin “Karnavalet e Shkodres nga viti 1860 / 2005.
Lec Zadeja dha ndihmesë të madhe në hartimin e Historikut të Arsimit që pregaditi Instituti i Studimeve Pedagogjike. Me hapjen e institucioneve fetare ai ndihmoj fuqishëm në daljen e shtypit periodik katolik dhe ishte pjestar i Komisionit të pregaditjes së librit “Martirizimi i Kishës katolike nga vitet 1944 / 90”. Gjithashtu, Leci ishte anëtar i Komisionit që pregaditi ardhjen e Papës Gjon Pali II, e së fundit, kje ngarkue nga Arqipeshkvija e Shkodres me detyren (deri 2006) e Kronistit të Kishës Katedrale.
U nderue me urdhëna e Dekorata.
- Medalje pune me 10.2.1960
- Medalje pune me 1.3.1961
- Titullin (distinktivin) I dalluar për punët kulturale, marrë me 25.5.1962
- Urdhërin Naim Frashëri KL III marrë me 24.2.1967
- Urdherin Naim Frashëri KL II marrë me 23.3.1977
- Titullin Mësues i Merituar marrë me 15.7.1995
- Quhej nga qytetarët e Shkodres “Bibloteka që ecë”
Me rastin e 70 vjetorit të Lecit (6.6.1997), në shej respekti, kolegët e Universitetit, organizuen festimin e përvjetorit, ndërsa rapsodi Dedë Shyti i kushtoj atij nji kangë ku ndigjoheshin vargjet: Mos u ndal por me guxim / vazhdo si axha yt trim/ prej shokve t’ tu t’madhin urim /Lec Zadeja u bash 100…
Lec Zadeja vdiq me 14.12.2011, në moshen 82 vjeçare tuj lanë kujtime të mira e respekt ndër të gjithë ato që e njohën.
P.S.: ky shkrim përmban kujtime përsonale dhe disa referenca nga libri “Lec Zadeja” i autorit Ludovik Shllaku.