The Economist
Në 1957 Hafez al-Asad, një oficer i ri i Forcave Ajrore Siriane me origjinë nga malësia, u martua me një vajzë nga Siria bregdetare, Anisa Makhlouf. Ata ishin një çift që përputhej mirë: Asadi ishte ambicioz dhe Makhloufs ishin të fuqishëm. Dhe në fakt, pasi Asad mori pushtetin me forcë në vitin 1970, të dy klanet administruan vendin si një biznes të drejtuar nga familja, duke siguruar një vend të spikatur për alavitët, pasuesit e një versioni të ezoterizuar të Islamit, i praktikuar nga të dy familjet.
Gjysmë shekulli pas, kjo aleancë duket se është në krizë. Në një seri videosh në Facebook, Rami Makhlouf, biznesmeni më i pasur në vend, akuzoi kushëririn e tij Bashar al Asad, djalin e Hafezit dhe presidentin aktual sirian, se kishte kapur pasuritë e tij. Makhlouf madje u ankua se forcat e sigurisë, të njëjtat forca që ai kishte financuar me vite, i trajtuan punonjësit e tij “çnjerëzisht“, “duke sulmuar liritë e njerëzve“.
Për Makhlouf gjërat kanë shkuar keq për një kohë. Vdekja e Anisas në vitin 2016 i hoqi mbrojtjen që gëzonte nga familja e saj. Maher al Asad, vëllai i presidentit dhe komandanti i Rojeve Republikane, i ka vënë syrin perandorisë së Makhlouf. Gruaja e Asadit, Astma, dëshiron të forcojë pozicionin e klikës së saj dhe të përmirësojë perspektivat e karrierës së djalit të saj 19-vjeçar, Hafez. Në një postim të fundit Makhlouf duket se fajëson Astmën për rënien e pasurisë.
Arsyeja e vërtetë
Sidoqoftë, arsyeja kryesore pas rënies së Makhlouf është se Asadit i duhen para, pas nëntë viteve të luftës civile, që shkatërruan ekonominë. Në dhjetor, qeveria filloi të kapë pasuritë e sipërmarrësit me pretendime të “shkeljeve doganore”. Ofensiva arriti kulmin në prill, me një sulm në selinë e Syriatel, operatori kryesor i telefonisë në vend, në pronësi të Makhlouf. Drejtuesit e ndërmarrjeve janë arrestuar dhe qeveria po kërkon dënime me 170 milion dollarë. Presidenti Asad e paraqiti operacionin si pjesë e një fushate kundër korrupsionit.
Ne e dimë që regjimi sirian dikur u vinte armën në gojën e armiqve të tij dhe pastaj thoshte se ishte vetëvrasje. Por çështja e Makhlouf nuk është si të gjithë të tjerët. Klani i tij është më i madh se ai i Asadit dhe i përket fisit të fuqishëm Haddadin, për të cilin Makhlouf kërkoi mbështetje gjatë gjithë luftës. Në vitin 2012, sipërmarrësi krijoi Bustan, një organizatë bamirësie me një krah të armatosur të ngarkuar me mbrojtjen e anëtarëve të klanit. Shoqata garantoi ushqim, kujdes shëndetësor dhe punë, derisa Asadi ia kufizoi aktivitetet vitin e kaluar.
Alawitet më radikalë e pritën me frikë rënien e Makhlouf, të cilin ata e konsiderojnë si mbrojtës. Disa akuzuan Asadin se i braktisi ata, për të favorizuar kryesisht tregtarë suni afër gruas së tij suni Asma. Shumë alavitë kanë humbur anëtarët e familjes në luftë dhe nuk pranojnë që presidenti t’ua dorëzojë pasurinë sunitëve, të cilët në të kaluarën janë rebeluar kundër autoritetit të tij. “Alawitet ndjehen të kërcënuar dhe do të bashkohen me Ramin,” konfirmon një partner biznesi nga Makhlouf. “Nëse forcat e sigurisë i përndjekin, ata rrezikojnë të destabilizojnë shtetin“.
Irani, një aleat i qeverisë së Damaskut, vëzhgon me shqetësim situatën në Siri. Makhlouf “ka qenë gjithmonë afër Iranit“, thekson partneri i sipërmarrësit, “dhe i vendos të gjitha vezët e tij në shportën iraniane.” Sidoqoftë Teherani ka probleme më serioze për të menduar. Kriza galopante ekonomike dhe vrasja në janar i Qassem Suleimanit, komandant i operacioneve ushtarake jashtë vendit, e bënë të vështirë për Iranin të ruajë pozicionin e tij në Siri. Izraeli, ndërkohë, ka shumëfishuar sulmet ajrore kundër bazave iraniane në vend dhe pretendon se forcat e Teheranit po tërhiqen.
Rusia, një aleat tjetër i Asadit, do ta çmonte largimin e iranianëve. Në të vërtetë, Moska do të donte që kompanitë e saj të merrnin kontrata për rindërtimin në Siri. Sistemi anti-ajror S-300 duket se nuk funksionon kundër raketave izraelite, dhe disa analistë pretendojnë se Rusia po lejon (nëse nuk lehtëson në të vërtetë) sulmet ndaj pozicioneve iraniane. Moska i ka dërguar njerëzit e saj në zonat, ku Irani ua kishte vënë syrin, dhe e ka nxjerrë jashtë Teheranin nga negociatat për veriun e Sirisë, ku rebelët e mbështetur nga Turqia vazhdojnë të kontrollojnë territore të caktuara dhe kurdët kanë krijuar një lloj protektorati.
Duke marrë parasysh kaosin brenda regjimit, ka nga ata që mendojnë se Asadi mund të jetë i gatshëm të negociojë një zgjidhje politike me rebelët. Rusia po bën presion për një marrëveshje, në mënyrë që të bindë fuqitë perëndimore për të financuar rindërtimin. Në një skenar optimist, Asadi mund të pranojë një kushtetutë të re, që i beson pushtet një kryeministri më të moderuar përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.
Por për momentin kjo perspektivë duket e largët. Në të vërtetë, Asadi shfaqet më kokëfortë se kurrë. Diplomatët rusë e përshkruajnë atë si një klient të çuditshëm, ndërsa mediat ruse e kritikojnë atë gjithnjë e më shpesh. Disa gazetarë madje kanë sugjeruar, që Putini mund të preferojë një ndryshim në krye. Megjithatë, deri më tani, nuk ka dalë asnjë alternative. Edhe pse Asadi do të vazhdojë të tjetërsojë favoret e aleatëve dhe popullit të tij, Siria me sa duket është e dënuar ta ketë atë si udhëheqës.
(Përgaditi: Nacionale.info)