Në Lurë, ku zemra dhe arsyeja peshojnë njësoj në kandarin e maleve…

0
1205
Lura

Nga Gëzim LOKA

Udhëtimi drejt Lurës është gjithmonë suprizues, edhe kur mosha nis e zbret rrëpirave të tatpjetës dhe malli e kujtesa për atë vis përrallor, për rrugët luriane të rrënjëve e degëve, të trungut dhe të filizave të rinj, të atyre që kanë qëndruar të paepur në kullat e tyre dhe të tjerëve që kanë shtegtuar drejt viseve urbane dhe metropoleve, bëhet gjithmonë e më vezullues.

“Sinoret” ku hapërdahet kujtesa janë të pafundme, siç janë të pafundme ëndrrat e secilit lurian, grua a burrë qoftë, fëmijë apo i moshuar, që ta shohë Lurën të rilindur e të lulëzuar, një parajsë turistike, siç e ka falurZoti dhe siç e meritojnë bijët dhe bijat e saj fisnike. Ky është edhe misioni i shoqatës “Lura jonë” dhe i gazetës “Lura”, për kremtimin e një vjetorit të themelimit të së cilave po shkojmë atje në vendin e origjinës, të kullave krenare e bukurive të harlisura, që presin të zgjohen nga dora përkujesëse e njeriut, e shtetit dhe shoqërisë.

Si gjithmonë, për shkak rrugës tmerrsisht të keqe, rrugëtimi i lurasve që jetojnë në Tiranë dhe rrethinat drejt kullave të tyre të origjinës është më shumë se një sfinks, një përpjekje përtej të zakonshmes, me rropatje të pafundme e troshitje që nuk kanë të sosur. Në këtë rrugëtim “sizifian”, të ndodh një soj përballjeje e skajshme me varfërinë e mungesat e gjithëfarëshme, me punët e lëna nëpër këmbë në atë vis mrekullor, ku banori i Alpeve për të jetuar i duhet të robëtohet 16 orë në ditë, i pastresuar dhe pa iu ankuar askujt.
Rrugës, pa vajtur në Milot, u bashkuam me dy turistë belgë, të cilët e njihnin LUrën në pëllëmbë të dorës, hotelet dhe gjithçka, pasi kishte vite që ishin mysafyrtë të nderuar në gjirin e saj.

Më në fund, së bashku me tim bir Drinin, arritëm në Lurë dhe takimin e parë e bëmë tek lokali i Rruzhdi A. Hotit, ku qenë mbledhur dhjetra qindra lurianë dhe po na prisnin me mallë e dashuri. U shpërndamë gazetat, pimë kafenë të shoqëruar me ujin qelibar të atyre bjeshkëve magjike dhe u ndiem të rilindur. Fjalët ndiqnin njëra tjetrën e fjala shkonte te “plagët” e Lurës, tek pyjet e bërë rrafsh me tokën, tek varfëria e ulur këmbëkryq, që nuk iu lejon këtyre malësorëve të bëjnë një jetë të çliruar nga varfëria dhe stresi ekmomik, tek lënia pas dore në mënyrën më vrastare të një bukurie përrallore, që përbën një nga perlat më mbresëlënëse jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Ballkan dhe gjithë kontinentin e vjetër.

Banori lurian i mbetur në këtë vis “të harruar”, i cili ka një pasuri përrallore resursesh dhe një diversitet të beftë speciesh e llojesh të ofruara nga mëma natyrë, jeton në zgrip të mbijetesës. Edhe pse është në mes të një natyre dehëse dhe mes një pasurie unike të vlerave natyrore, jeton në mjerim, i braktisur nga shteti dhe shoqëria, i vetërrethuar në koracën e një jete që kufizohet vetëm tek nevojat ekzistenciale, të cilat edhe ato, shpesh janë të kërcënuara.

Të gjitha këto vijnë e “ulen” “rrafsh” në tavolinën e bisedës, ku secili jep mendimin e tij dhe vallja e “debatit” shtohen e kandari “peshon” në të drejtën luriane, në dheun e burrave me dije e kulturë, në dheun e bekuar të karareve.

Por një kafe nuk mjatfon për të qenë i pranishëm në Lurë; kafenë e dytë e pijmë tek kafja e kryetarit të Shoqatës “Lura jonë” për Lurën, kryetari i Veteranëve të Lurës Dali Gjoçi, ku na priti me bujari e dashuri i biri, Besnik Gjoçi. Më tej u zhvendosëm në kafenë e Faik Bucit dhe e mbyllëm “serinë e kafeve” në lokalin e Hasan Hotit, kryetar i njësisë administrative të Lurës.

Në këto ndenjë luriane u ndez muhabeti i gjallë me hedhje e pritje për hallet e lurianëve dhe ecurinë e shoqatës mbarëluriane, ecuria e gazetës, radha e veprimeve për të nesërmen, që do të ishte kremtim I njëvjetorit të këtyre dy evenimenteve mbarëluriane. Të gjithë ishin të një mendimi se të ndërtosh një shoqatë mbi baza dhe principe të forta morale e njerëzore, mbi kararet e dheut lurian dhe parimet e një demokracie në veprim, duhet përkushtim e dashuri, sinqeritet e korrektesë;të ndërtosh një strukturë solide mbarëluriane, që t’iu shërbejë interesave të të gjithëve, duhet të prekësh “plagët” e Lurës, t’ia vendosësh gjithëkujt dorën në ballin e sëmurë, të hartosh projekte konkrete, që shërbimet luriane të jenë reale dhe nevojat e këtyre banorëve të gjejnë përgjigje të prekshme dhe të zgjidhshme nga institucionet lokale e qendrore.

Do të thotë që luriani, ku banor model i sjelljes qytetare, të mosvazhdojë të vuajë më nga mungesa e energjisë elektrike, nga mungesa e shërbimit shëndetëosr, nga mungesa e një shkolle të denjë për të rritur dhe edukuar brezat lurianë, nga mungesa e një qendre kulturore, ku të mblidhen të rinjtë, nga mungesa e një fushe futbolli, ku të argëtohen fëmijët dhe të rinjtë, etj. Të gjitha këto, thanë diskutantët, gjë që do të thellohej të nesrëmen dhe në festime, kanë synuar t’i vënë në lëvizje shoqata dhe gazeta, që në këtë një vjetor të tyre vijnë me një bilanc arritjesh që duhen përgëzuar për Lurën dhe lurianët.

Aty afër mbrëmjes, më telefoni Sabri Kaci e më tha se po vij të të marrë me makinë si mysafirë së bashku me tim bir në shtëpinë e tij, por unë nuk pranova. Pokështu këmbëngulën dhe Ali Kaçorri dhe Hazis Murati, por unë e kisha vendosur që më parë dhe përfundova tek shtëpia e kushëririt tim Taip Hotit.

Lurianët shumica prej tyre ishin në kositje dhe tepër të zënë me punët e stinës. Në livadhe duke kositur takuam Rustem Bruçin dhe Ilir Hotin, dredhëm me ta nga një ciagre dhe folëm ashtu të ulur gju më gju, teksa në hundë na kundërmonte aroma e barit të njomë, për punët e Lurës sonë.

Në ora dhjetë në qendër qenë mbledhur qindra lurianë e midis tyre administratori plot pasion dhe i papërtuari Hasan Hoti, drejtori i shkollës së mesme “Dom Nikoll kalçorri”, shkrimtari dhe linguisiti Llesh Doçi, kryetari i Veteranëve të Lurës Nikoll Vladi. Ndodheshin midis të tjerëve Sabri Kaci, Maliq Buci, han Gjoçi, Izet Hoti, Xhemal Loka, Petrit Gjokola, Sabri Tollja, Ahmet Dogjini, Habib Koçeku, Ilir Buci, Festim Gjoçi, Sulë Skana, Qemal Gjoçi, Agim Gjoçi, Besnik Gjoçi, Gëzim Gjkoçi, Rruzhdi Hoti, Ilir Gjoçi, Imer Mena, Shkëlqim Murarti, Taip Hoti etj.na përshëndeti nga Tirana Gani Bruçi.

Unë mbajta fjalën e hapjes, ku fola shkurt për këto dy projekte që në njëvjetorin e tyre vinin me një bilanc të pasur arritjesh. Diskutimin kryesor, një diskutim të zgjeruar në formë analize, e bëri kryetari Dali Gjoçi. Diskutuan Nikoll Vladi, Llesh Doçi, Hasan Hoti, Ramadan Vladi, Rrush A. Hoti, Naile Nezha, Hazis Murati, Ramadan kalia dhe Xhefer Hoti.

Gjatë diskutimeve dhe debateve, u prek tema e mbrojtjes së pyjeve, u përuruan dy libra, libri “Një kandidat për hero” i shkrimtarit dhe publicistit Gëzim Loka si dhe libri “Çfarë të gatuaj sot” i luruianes me banim në Selanik të Greqisë, Ana Buci Billa.
Njëzëri pjesëmarrësit vendosën që dita e diel e javës së fundit të shtatorit të çdo viti të jetë Dita e Lurianëve, ku do të mblidhen lurianët nga janë e s’janë për të promovuar vlerat e Lurës.

U zgjodhën dy nënkryetarët e Shoqatës, Gëzim Docci dhe Faik Buci, si dhe sekretari Xhafer Hoti.

Drekën na e shtroi me gjithë të mirat, me zemrën e tij bujare në dorë Llesh Doçi, atje në bujtinën e tij, ku ushqimet dhe pijet bio, ajri i freskët dhe uji akull i ftohtë, e bënë këtë drekë të bollshme, mbresëlënëse në kuptimin e përcjelljes së emocionit lurian.
Erdhi për të na përcjellë për në Tiranë me makinën e tij apostafat për ne shkrimtari LLesh Doçi, njeriu i vlerave dhe sajdive, që di të bëje intelektualin, drejtuesin, por dhe njeriun e traditës luriane, të respektit e sajdisë mrekullore.

Me lurianët, këta njerëz të karareve të dheut dhe fisnikërisë, njerëz që janë model transparence dhe demokracie, njeriu ndihet mirë dhe i angazhuar që të bëjë diçka sado modeste për përmirësimin e jetës së tyre, çfarë është dhe mission I Shoqatës “Lura jonë” dhe gazetës “Lura”.

Isha mes lurianëve të mi dhe ata e thanë fjalën e tyre, mbështetën shoqatën, e mbështetën gazetën, u bënë mbështetje për njerëzit e përkushtuar, për intelektualët, biznesmenët, që kanë shpirt përkushtimi e vetëmohimi, për t’ua dalë mbanë punëve të shoqatës, për ta vënë atë në efiçensë të plotë, për të mirën e tyre të përbashkët.

Në Lurë çdo vajtje dhe kthim është i paplotë, pasi çdo herë duket sikur mbetet diçka pezull dhe e pathënë. Dhe thua me vete, ah sikur ta kisa thënë dhe këtë e atë, sikur…

Kjo ndodh, pasi dihet se problematikat e lurianëve janë aq të gjëra e të mprehta, sa nuk mund të ezaurohen me një takim, me një Shoqatë, me një gazetë modeste, pa fonde dhe që nuk asgjë për të hedhur në “skalionin luftarak”, përcveç dashurisë luriane, që është burimi ynë i shtytjes dhe frymëzimit. Por kjo shoqatë dhe kjo gazetë, në një vjetorin e tyre, janë një organizëm që jep jetë, një embrion nga i cili po mbin fara e të mirave për sot dhe nesër, për këta banorë të maleve, për këta njerëz që e peshojnë fjalën në kandarin e arsyes, dhe zakonisht zemra dhe arsyeja iu peshojnë njësoj në kandarin e mençurisë dhe diturisë.

Dërgoi për publikim, Denis Hata, gazetar