Në kujtim të prof. Mentor Qukut (në tre vjetorin e vdekjes)

0
788

Mentor Quku (1939-2014) lindi në Bilisht të Korçës. Ne vitin 1957 u diplomuar ne Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë, ndërsa në vitin 1963 kreu studimet në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Shkencave të Natyrës.

Në periudhën 1954-1951 ka ushtruar profesionin e mesuesit në shkollat e Shtiqënit, Brutit (Kukës), në shkollën e mesme Hydajet Lezha (Lezhë), në shkollën e mesme Xheladin Fishta (Shkodër), në shkollën e Barbullushit. Më 1991-1992 drejtor në shkollën e Bahçallekut. Më 1992-2000 ka kryer detyrën e drejtorit të Muzeut Historik Shkodër. Sot është në pension. Hobet e tij janë sporti, filatelia, piktura dhe muzika.

Është drejtor i revistës Kumtari, nr. 5,6,7, si dhe i gjashtë vëllimeve të Seminari Ndërkombëtar, Shkodra në shekuj. Ka drejtuar dhe organizuar në Shkodër, katër seminare ndërkombëtare Shkodra në shekuj (1, 2, 3, 4), si dhe tetë seminare shkencore për rishkrimin e historisë kombëtare, zhvilluar në qytetet Hamburg, Prizren, Shkodër, Klinë, Rrëshen, Istog, Ferizaj dhe Shkup.

Është autor i shumë studimeve e botimeve në fusha të ndryshme të dijes, ne periodike studimesh shqiptare dhe te huaj.
Tema qëndrore e studimeve të tij mbetet ajo e Ndre Mjedës, për të cilin ka organizuar kërkime në Shqipëri e Kosove ne Arkivete Bibliotekave kryesore ne Tirane, Shkodër, Durrësit, Prizreni (Kosovë) etj.

Projekt-studimi mbi Ndre Mjedën filloi në maj 1974, por u deshen 30 vjet që autori të fillonte botimin e serisë Mjeda. Në vitin 2004 botoi vëllimin e parë Rinia. Me këtë rast pati vlerësime në rrethet shkencore jashtë vendit.

Gjatë vitit 2003 punoi në Arkivin e Propaganda Fides, Arkivin e Jezuitëve Romë, si dhe në Arkivin historik të provincës Venet.-Met. Gallarate (Itali);
Më pas, fondi i mirënjohur Dr. Peters Mahringer-Fonds (Austri) i bëri një vlerësim maksimal projektit të tij, duke i siguruar atij mbështetjen e gjithanëshme në ekspeditat kërkimore shkencore që organizoi në arkivat, bibliotekat dhe muzeumet e Vjenës për dy vite me radhë (2005-2006). Në Vjenë bashkëpunoi me personalitete të shquara të kulturës dhe shkencës si Bernard Stillfried, Ilona Slavinskin.

Përmes ndihmës së miqve të tij të shumte ka bërë kërkime në Arkivet e bibiotekave ne Gjermani, Francë, Poloni, Danimarkë, Spanjë, etj.
Është laurat i çmimit letrar “Serembe”(2008)

Jeni autor i shumë studimeve e botimeve, por ajo që ju mbivlerëson dhe çmon së tepërmi është bibliografia kushtuar Mjedës. Aktualisht po vazhdoni të kërkoni më për Ndre Mjedën, apo tashmë e keni arkivuar si “dosje të përfunduar”?

E kam filluar punën kërkimore-shkencore në moshën 18-vjeçare, në përpjekje për të nënvizuar vetveten, por edhe për të sfiduar pengesat, gati-gati të pakapërcyeshme të regjimit të kohës. Kjo është arsyeja që deri në moshën 35-vjeçare jam angazhuar në disa fusha të dijes. U desh që të vinte viti fatsjellës për mua, viti 1974, që në mënyrë të natyrshme hyra në botën magjepsëse të studimeve rreth figurës gjeniale të Ndre Mjedës. Lidhur me pjesën e fundit të pyetjes suaj, them se edhe disa jetë të tjera po të kisha, të gjitha do t’ia kushtoja poetit të “Andrrës së jetës”.

Jeni mjedologu më i madh. Thuajse plot një jetë kushtuar figurës së shquar të shkrimtarit dhe meshtarit Dom Ndre Mjeda. Ç’risi keni sjellur për lexuesit, duke iu afruar figurën e plotë të tij?

Risia ka të bëjë me metodën e përdorur për studimin e jetës dhe veprës së tij. Trendi i metodës së përdorur nga ana e ime mbetet orientimi drejt burimeve arkivore, dokumentare: 1. Edhe sot, mbas katër dekadave kërkimeve të parreshtura në arkiva, biblioteka e muze, vazhdoj të gjurmoj me sukses brenda dhe jashtë vendit;
2. Kam synuar të futem në zgjidhjen e shumë pyetjeve e dilemave, por edhe kam shtuar pyetje e dilema të reja rreth jetës dhe veprës së Mjedës;
3. Kam ushqyer brenda punës sime debatin shkencor;
4. Kam synuar zbulimin, transkriptimin, leximin dhe studimin e veprave të panjohura e sidomos të dorëshkrimeve të Mjedës;
5. Kam vlerësuar në mënyrë të veçantë zbulimin dhe komentimin e letërkëmbimit të Mjedës, duke e quajtur këtë fushë si një nga burimet më të rëndësishme për zbulimin e të fshehtave mbi Mjedën;
6. Kam vlerësuar si të qenësishme metoda efektive në fushat e Historisë së Letërsisë apo të Teorisë së Letërsisë, si hipoteza shkencore, krahasimi shkencor, eksperimenti, statistika, rileximi i veprës, dyshimi, interneti, ilustrimi;
7. Monografia seriale “Mjeda” ka kontribuar në rritjen e studiuesve, duke i dhënë një impuls të ri studimeve mbi Mjedën dhe në krijimin e shkencës së re: “Mjedologjisë”.

Cilat janë dokumentat më interesante, që na vijnë përmes jush nga Mjeda?

Kam zbuluar me qindra faqe dorëshkrime autografe të Mjedës, shumë prej tyre apokrife e të panjohura. Janë letra të panjohura drejtuar albanologëve Holger Pedersen, Gustav Meyer, Zef Valentini, Fluvio Cordignano, të rilindasve si Nikolla Naçi etj. Gjithashtu vepra të panjohura në dorëshkrim të Mjedës si “Gramatika e shqipes” dhe kujtime për punimet e Kongresit të Manastirit. Po ashtu kam zbuluar me qindra dokumente që japin të dhëna mbi Mjedën në arkivat e Vjenës, Romës, Tiranës, Shkodrës, Kopenhagenit, Grazit, Milanos etj.

Si ka qenë e trajtuar figura e tij gjatë kohës së monizmit?

Të gjithë sistemet autokratike dhe diktatoriale herë pas here i rikthehen figurave të tilla të shquara, duke dashur të përmirësojnë imazhin e tyre të prishur. Kështu ndodhi edhe me veprën e Ndre Mjedës, të cilën e censuruan dhe e retushuan sipas nevojave të tyre ideologjike.

Po tanimë, në këto 20 e kusur vite demokraci, ka zënë vendin që i takon në pasurinë tonë kombëtare figura e Ndre Mjedës?

Ndre Mjeda sapo ka filluar të rilexohet, të studiohet e të njihet në të gjithë dimensionet e tij shumëplanëshe. Vërehen ende inerci që vijnë nga e kaluara, lidhur me vlerësimin, botimin dhe studimin e tij.

Sipas jush, a duhet rishikuar standarti gjuhësor i shqipes i 1972-it dhe ç’vlerë reale ka gegërishtja?

Rishikimi i standartit gjuhësor të shqipes është më e pakta që mund të bëhet për të rikthyer në gjirin e kulturës shqiptare këtë kryevlerë të çmuar kombëtare. Themi që po përpiqemi të demokratizojmë shoqërinë shqiptare, themi që kemi hyrë në një proces të parikthyeshëm demokratizues, apo themi se gjuha shqipe është pasuria më e madhe që kemi si komb. Atëherë lind pyetja: pse duhet të jetë tabu diskutimi rreth standartit gjuhësor të shqipes së 1972-it? Aq më tepër se ka fakte të pamohueshme, që i gjithë procesi u krye nën një taban thellësisht politiko-ideologjik.

Keni qenë drejtues i partisë “Balli Kombëtar” dhe protagonisti kryesor i asaj fitoreje historike, të paarritshme në demokraci nga një forcë tjetër politike, me të “Djathtën e Bashkueme Shkodrane”, në vitin 1996. Pra, triumfuat dhe thyet një forcë si Partia Demokratike, që Shkodrën e ka bastion të vetin.

Padyshim, ajo ishte një fitore e politikës kombëtare dhe demokratike, duke pasur parasysh vepra dhe jo fjalë. Ajo tregoi për herë të parë dhe të fundit, hëpërhë, realitetin e forcave politike në Shkodër. Për herë të parë në Shqipëri shkodranët rrëzuan mitin e Katovicës, që synonte manipulimin e erës demokratike në Shqipëri e kudo në Evropë, duke rrëzuar marrëveshjen e Triestes së 1991-it, kur komunistët e rinj e ndanë pushtetin mes vetes. Kjo ishte Shkodra e vërtetë, qyteti që tregoi guxim, karizëm dhe dinjitet. Kam përjetuar emocione që nuk kam fjalë për t’i përshkruar.

Edhe kur kanë qenë të shtypur dhe të manipuluar, shkodranët kanë ditur të rikthejnë traditën parlamentare pluraliste të viteve 1920-24, duke vërtetuar se demokracia nënkupton ndryshimin që sjell bashkim, tranzicion dhe përgjegjshmëri. Shkodranët dëshmuan më së miri se po u bashkuan forcat e vërteta demokratike dhe kombëtare mund të triumfojnë mbi partitë e “turqve të rinj” dhe mbi regjimet e tyre turkoshake. Shkodranët provuan se nuk mashtrohen nga parullat e fjalët e bukura, kjo pasi ato duan vepra demokratike.

Po të vini re, edhe komunistët shqiptarë erdhën në pushtet në 1944 me parullën “Rroftë demokracia popullore!” DBSH-ja (E Djathta e Bashkueme Shkodrane) vërtetë ishte vetëm një shkëndijë, por edhe sot, mbas 17 vitesh, mbetet shembull për t’u ndjekur. Në atë kohë nuk u ndoq nga shqiptarët e lodhur nga sistemi i diktaturës, por sot ato janë zgjuar dhe nuk mund të mashtrohen më nga sofizmat.

Sa ka përparuar realisht Shqipëria?

Shqipëria është në një krizë të plotë ekonomike, sociale dhe politike.

Keni marrë çmimin “Mirënjohja e qytetit të Shkodrës” në vitin 2011. Ju duket një vlerësim i vonuar karshi kontributit tuaj shumëvjeçar intelektual dhe qytetar?

Më mirë vonë se kurrë. Si rregull përpiqem që të bëhëm protagonist përmes punëve, veprave e projekteve të mia dhe asnjëherë të bëhem klient i zyrave e katedrave shtetërore të cilitdo pushtet qoftë.

Para ca kohësh u ndanë nga jeta dy intelektualë të qytetit tonë, Gëzim Uruçi dhe Paulin Selimi. Një humbje e madhe për Shkodrën dhe më gjerë. Si mendoni, a vlerësohen sa duhet këto figura sa janë gjallë?

Fatkeqësisht realiteti na dëshmon qartazi se nuk ka programe shtetërore, që merren me vlerësimin dhe hierarkinë e personaliteteve.

Në përfundim, lexuesit duan të dinë se si është e organizuar dita e prof. dr. Mentor Qukut?

Zgjohem herët dhe filloj punën pranë kompjuterit për hartimin e dy volumeve të reja kushtuar Ndre Mjedës. Pastaj mbasi zbres njëqind këmbë shkallë, dal në qytet për të bërë shpenzimet e ditës, si edhe për të realizuar takimet e planifikuara. Paradreke marr deri në dy kafe, ndërsa duhanin dhe alkoolin nuk i konsumoj. Kthehem për drekë në shtëpi dhe pushoj mbasdreke. Ndërkohë, kam një muaj që po punoj çdo pasdite për sistemimin e arkivit, bibliotekës personale. Në darkë ndonjë vizitë apo në lokal me gruan, e cila mbetet mbështetësja më e madhe e imja në realizimin e projekteve shkencore. Ndjek lajmet e ditës në TV, lexoj suplementet albanologjike të gazetave…

BOTIME
Mjeda-1
(1866-1888)
Rinia Mjeda-2
(1888-1899)
Albanologu
Mjeda-3
Libri i parë
(1899-1912)
Alfabeti
——
Mjeda-3
Libri i dyte
(1899-1912)
Liria Mjeda-4
Libri i pare
(1912-1925)
Identitet Mjeda-5
(1925-1937) Gjuhëtari

Mjeda-6
Libri i pare
Bibliografia Mjeda-6
Libri i dyte
Bibliografia Mjeda-7
Bashkëkohësit

Mjeda 8
Album
Një vështrim i ri mbi luftën e Reçit
Historia 100-vjeçare e shkollës së Barbullushit
Pylli i margaritareve shqip-italianoshqip-english
Qyteti i Gocave te Detit, shqip-italiano
Qyteti i Gocave te Detit, shqip-english

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar – ish-nxënës i prof. Mentor Qukut