Në kujtim të Migjenit – 3 poezi nga Faslli Haliti

0
318

Faslli Haliti - viz. Kamberi FASLLI HALITI

Viz. S. Kamberi: “Artist i Popullit”

KUJTIMI IM NGA NJË EKSKURSION

Migjenit
Niset…
Dyqind
Kilometra rrufiti –
Ndalet autobusi, shëmon.
Përpara
Kalaja, liqeni,
Shkodra.
Buna si grua kabahe
Me bluzën e bruztë,
Trupin duke dredhur,
Futet në gjirin e detit,
Bri bregut liqeni mërmëron.
Shkodra!
Kalaja plagët akoma mjekon.
Rrugët
E Shkodrës.
Këtu ka ecur Migjeni.
Gjurmët e Migjenit
Si fosile fiksuar mbi rrugë.
Ja ku ka ecur Migjeni!
Ja si ka ecur Migjeni!
Prapa,

Bjeri, prapa!
Shikoja ku këmbët i shkojnë,
Shikoja ku këmbët i ndalin! –
Migjeni ka shkelur kudo.
Këmbët i ndalin,
Në majën
E malit!
Sa shumë
Ka ecur Migjeni!
Sa mirë ka ecur Migjeni!
Shkodër!
Rrugët e tua pështilli si rul.
Dërgoja muzeut «Migjen»,
Në rrugët e tua të incizuara,
T’i shohin brezat gjurmët e viganit.
Brodha,
Me gjurmët e Migjenit,
Brodha nëpër rrugë, –
Ja ktheva programin ekskursionit.
Shokët,
Kur të vetëm më shikonin,
Që bridhja serioz, vizitoja rrugët,
Rrugët, vetëm rrugët,
Më quanin pa shije njeri.
Dhe thoshin, pse rrugëve bëja vizita,

Kur në Shkodër kishte
Muzè dhe fabrika.
Shokët,
Me shokët
Poza bënin në sfonde antikash,
Poza bënin përpara liqenit, bri Bunës,
Kurse për vete unë,
Përpara teatrit «Migjeni»,
Poza bëra me Migjenin. –
Poza me Migjenin
Bust.
Kthimi.
Gota
Shporta,
Servise,
Sapunë «Venus» –
Merr kujtime nga Shkodra, dikush.
Dy gjurma mora,
Shkula nga rruga, –
Dy gjurma të Migjenit mora kujtim.
Në borsetën time kujtimi më i mirë!

VARRI I MIGJENIT

Pllaka të thyera mermeri.
Kjo thyerje lemeri
Të dhemb
Atdhe,
Të ther, Shqipëri.

Kraharori i Atdheut copa – copa,
Copa mermeri të thyera
Të përbaltura,
Me baltë
Të zezë,
Kockat e Atdheut
Të zbardhura nga shirat dhe vapa
Kryqe kishash të galvanizuara me diell,
Gjysmëhëna xhamish të galvanizuara me hënë,
Fasada kishash dhe xhamish të lyera me solucion
serme, floriri
Përndrisin zhelet e lypësve ditën e Pashkës e Fiter
Bajramit,
Ditën e Premtes së Zezë dhe natës së Kadrit,
Përndritja s’është flori në duart e lypësit,
Lypësi lyp lekë,
Jo luks,
Komoditet.

Kishat e xhamitë
Të bëjnë sfidë ty,
Migjen,
E dinë që ti,
Shkëlqimin e tyre fiktiv s’e honeps
Përndritjen e tyre gri mbrapsht ua kthen.

Kryqet e kishave si çekanë mbi pllakat e thyera,
Gjysmëhënat e xhamive çengela
Mbi varrin tënd,
Migjen
Por
Mbi kryqet
Kambanoret,
Mbi minaret xhuxhe
E epërme, epike,
Poema e mjerimit qëndron
Për varriin e atit gjeni, poetikisht,
Me metafora, jo me çekanë e qysqi barbare,
debaton…

MIGJENIT

Ka pasur plot xixa në kohën tënde, Migjen,
Xixa dekorative
Që s’u bënë kurrë zjarr.
Ti, Migjen, ishe dhe je zjarri
Që ngroh e ndriçon njerëzimin lakuriq në botën mbarë….

2011